Burrecat dhe mediat po vrasin gratë shqiptare!!!

b-gjikondiNga Brizida Gjikondi

Ky është nga ato shkrime që fjalët të bëhen lëmsh në fyt dhe në mëndje dhe nuk di nga ta kapësh fillin.

Gratë që hanë dhe tashmë shtohen me një ritëm makabër, ritëm skizofren, ritëm që veç burrecat e një vendi (jo shteti) barbar mund ta arrijnë.

Nuk po dua të imagjinoj skenën e fundit të jetëve të tyre, ankthin, tmerrin, sytë e shqyer dhe vetminë makabre, nuk po dua të imagjinoj, por vuajtjen, ankthin dhe frikën i kam në sy dhe në shpirt.

Armata e hiç-ëve

Një lukuni kaotike shqiptarësh arsimohen prej vitesh në fusha universitare si psikologji, sociologji, punonjës socialë etj, por kjo lukuni e çorganizuar në strukturën dhe thelbin e saj kurrë nuk i uli të ndenjurat dhe të studiojë pikërisht këtë fenomen kaq kriminal shqiptar, fenomenin e shqyerjes dhe krimit në familje sidomos atë të vrasjes barbare ndaj grave.

Kjo lukuni hiç-ash, bashkë me shushunjat e pjesës më të madhe të pseudo shoqërisë civile shqiptare, që masturbohet nëpër salla konferencash të Rogner-it, Sheraton-it, Hotel Tiranës, etj, nuk po justifikon as semestrin e parë të vitit të parë të shkollave që kanë bërë. Ende ne shqiptarët e viteve 2000 po përpëlitemi mes llahtarës së pasojave, por dhe pyetjeve pa kokë.

1. Pse meshkujt shqiptarë zënë vendin e parë në rajon për trafikimin me qëllim prostitucioni të bashkatdhetareve të tyre, ç’i shtyn ata, si funksionon truri, gjeneza dhe morali i tyre?

2. Në ç’stad ndodhet familja shqiptare, si, pse, çfarë të kaluare ka, si krijohet ajo në numrin më të madh të rasteve, me shkesi, dashuri, interesa mbijetese, a ndikon lloji i krijimit të një martese në ecurinë e saj?

3. Çfarë koncepti kanë meshkujt shqiptarë për bashkëshortet e tyre, çfarë modeli kanë pasur në familjet e origjinës?

4. A ndikon formimi i tyre arsimor, profesioni, ana financiare, veset, alkooli, kumari në këtë llahtar që ka pushtuar familjen shqiptare?

5. A ka statistika me të dhëna të detajuara, po bazë të dhënash a ka kjo dynja e organizuar që gjasme quhet shtet, se sa gra të dhunuara ka në territorin e Shqipërisë, në total, sa të divorcuara dhe sa me urdhër mbrojtje nga burrat mostra dështakë.

Këto pyetje dhe dhjetëra të tjera rrinë mbështetur në tëmthat tanë fiks si pushka a thika e burrecave ndaj femrës shqiptare.

Pyetje që s’duan mund, duan thjesht shpirt e përkushtim për t’ju përgjigjur, e të mendosh se ka disa drejtori që hanë bukë haram gjasme se mbrojnë gratë nga dhuna, Drejtori të tilla harami dhe bashkëpunimi në krim ke në ministrinë e Kserës, në ministrinë e Nokës, por dhe ato drejtori si gati të gjitha drejtoritë e këtij shteti palaço bëjnë sikur, dhe ato rrahin ujë në mulli, ujë i cili nuk është ujë, por është gjak femrash shqiptare, gjak, i cili, falë dhe tyre, po shtohet në mënyrë tragjike.

Armata e medias kriminale       

Çdo ditë perëndie në mënyrë perverse, sidomos në mediat kryesore kombëtare, shikon se si pikërisht kjo media që duhet të luante një rol edukativ, parandalues dhe ndëshkues është shndërruar në zëdhënësen më makabër të krimit.

Mediat shqiptare po stimulojnë, amplifikojnë, reklamojnë në mënyrë barbare vrasjet ndaj grave. Kronikat e tyre tashmë janë shndërruar në një shëmbëlltyrë perverse të telenovelave horror. Niveli i tyre profesional, human dhe atdhetar tashmë ka cakitur fundin.

Media shqiptare e ka flakur në tualet kodin e etikës bashkë me moralin, dinjitetin dhe profesionalizmin e saj.

Është kjo media, që kurrë nuk pati këllqe të hetojë mafien makabër në politikë, të ketë kurajë të hetojë pasuritë dhe lidhjet e politikës me krimin, është pikërisht po kjo media që bashkë me vrasësin kap thikën dhe mbas vdekjes ja ngul dhe tre herë të tjera shqiptares së mjerë, dhe bashkë me kronikën perverse që transmeton, arrin që dhe një kodoshi pasiv t’ia ngrejë puplat e krimit dhe ta stimulojë që të ndjekë fatin e kodoshit vrastar të mëparshëm.

Armata e politikës kriminale

Ndërkohë që Berisha, një ndër liderët më përçarës dhe krimndjellës të këtij vendi, qurravitet për humbjen, por ndërkohë vazhdon është në detyrë, një grua e ndjerë, e mjerë, e vetmuar vritet në Shqipëri.

Ndërkohë që Rama s’arrin të menaxhojë qurravitjet e deputetëve të listave të qylit dhe ambiciet e tyre me “hallin e madh” se do jenë deputetë apo ministra, dhe hallin tjetër se sa shumë do ia kafshojë Meta pushtetin, pikërisht në ato dakika një grua është duke u rrahur dhe vrarë barbarisht nga burreci pa zot, pa shtet, ndaj dhe pa frikë. Të dy sa më sipër heshtin, dhe heshtja është kurajë për burrecat pa shtet, ndaj pa frikë.

Armata e krimit policor, gjyqësorit dhe prokurorisë antishqiptare

Çdo vrasje, përsëris, çdo vrasje është një vrasje e paralajmëruar, policia shqiptare tashmë ka damkën në surrat, të kompromisit, kodoshllëkut dhe bashkëveprimit me krimin. Parandalimi, hetimi, qoftë dhe këqyrja e vendit të ngjarjes pa zhdukur, manipuluar ose shitur provat tashmë janë fjalë të huaja në punën e policisë shqiptare.

Rezulton pa përjashtim se çdo viktimë ka shkuar paraprakisht në polici, por ajo është injoruar, përdhosur dhe i është dhënë çakallit burrec për ushqim.

Por policia shqiptare nuk ndalet me kaq, pasi e flak tutje të mjerën e dhunuar, e dhunon dhe mbas vdekjes. Deklaratat e policisë shqiptare janë dhe ato idiote dhe kriminale njësoj si sjellja e saj.

Përherë fajin indirekt e ka viktima, që sipas kësaj policie viktima kish probleme, depresioni, xhelozie etj (me pak fjalë e kish hallall vdekjen).

Nuk dua të merrem më me këtë polici pasi personalisht ja kam hequr vizën, tashmë të gjithë shqiptarët janë nën pushtetin e krimit dhe të rastësisë së mbijetesës.

Prokuroria dhe gjyqësori shqiptar, e njëjta gjë sa më sipër, të treja janë pjella të një nëne, nënës antishtet, korrupsion dhe vëllavrasje pa ndalim.

3 fjalë të fundit

Mendoj për ato të mjera, të cilat ndoshta ditën që ju prenë jetën, ju prenë dhe vuajtjet që kush e di sa kohë i hiqnin në shpirt, mendoj për krijesat e tyre të lëna pas mes traumës barbare, braktisjes totale nga shteti dhe strukturat e tyre që duhet t’i ndihin dhe tundimit për të qenë fotokopje të trishta të modelit familjar.

Mendoj për çdo grua shqiptare në çdo cep të kësaj toke të vogël që quhet Shqipëri, njoh, ndjej mbijetesën e tyre të stërmundimshme për mbijetesë, për të çuar përpara këtë popull me zemrën, shpirtin e plagosur dhe barkun pjellor, bark, i cili pavarësisht thikave vazhdon rigjeneron shqiptarë dhe ndjehem e mpakur, e trishtë e vetmuar.

Ruajna o veç ti o perëndi nga shqiptarët tanë.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s