Bumerangu mediatik i analistëve

Dr. Etleva Smaçi

-Në  Fjalorin e Shqipes së Sotme, (fq 153), për fjalën bumerang gjenden dy shpjegime. Shpjegimi i parë lidhet me origjinën e fjalës, përdorimin e saj për një vegël druri në fiset australiane, që ka cilësinë e përdredhjes në ajër dhe kthimin përsëri në vendin ku është hedhur.Por prej kohësh fjala ka marrë një tjetër kuptim, që lidhet përgjithësisht me aktin e komunikimit dhe veprimit dhe lidh goditjen me fjalën  apo veprën e një personi të caktuar dhe kthimi përsëri te ai (mund të jetë më tepër se një i tillë). Pikërisht një nga perceptimet e para që kam pasur pas përfundimit të  procesit zgjedhor, rezultateve të tij dhe komentimit të tyre ishte pikërisht ky: Pushteti mediatik i analistëve dhe opinionistëve ndodhet përpara një bumerangu. Të përqëndruar masivisht, në idetë e tyre jo thjesht individualiste, se këtu s’do të kishte asgjë të keqe, por në idetë e fabrikuara në selitë e partive pjesëmarrëse në garë, shumë kohë përpara se populli të jepte verdiktin, ata pothuajse kishin arritur të ndanin mandatet, ndoshta edhe kishin projektuar qeverinë e ardhshme, kishin ndërtuar edhe skaletën e programit për datën 24 Qershor. Kaq e ethshme ishte gara mes tyre, sa dhe vetë liderët politik do ta kishin zili, mënyrën sesi mbroheshin programe të caktuara dhe hidheshin poshtë të tjerë.

Nëse të ndodhte të bëje zapping, aq e madhe shkonte ndonjëherë përçartja, sa, të duhej të shkoje në tualet e t’i hidhje një grusht ujë syve, sepse në 2-3 stacione në të njëjtin orar, shikoje po të njëjtët opinionist e analistë. Dhe ideja  shtjelluese fund e krye ishte e njëjta, pa asnjë risi nga njëra dalje te tjetra. Në ato çaste e kam pasur të vështirë të kuptoj, pse një pjesë e këtyre analistëve e opinonistëve, që realisht i kanë dhënë shumë publikut, e cënuan integritetin e tyre profesional. Por sot, kur sipari ka rënë dhe ata janë rishfaqur përsëri, po me të njëjtin format  i kam disa përgjigje vetjake. Së pari, pushteti që padashur dhe me lejen tonë ka ushtruar kjo kategori shoqërore, ka buruar nga vetë politika dhe do të vazhdojë të burojë në vazhdimësi. Por nëse roli i tyre është i të qenurit një pushtet i pavarur, varësia ka qenë e tejskajshme. Nuk kanë qenë politikanët ata që kanë pasur nevojë për studiot televizive, kanë qenë opinionistët e analistët që kanë pasur nevojë për ta.

Duke akuzuar politkën për pragmatizëm dhe klientelizëm, ata janë shembulli më i mirë në Shqipëri i këtij fenomeni. Mjafton të shohësh treguesit ekonomik të këtij grupi dhe do të kuptosh se të ardhurat e tyre nuk justifikohen me profesionin që ushtrojnë. Në vendin tonë ka kërkues shkencorë, ka akademik, të rinj e të reja tepër produktiv dhe me arritje konkrete, por që për fat të keq, duke i qëndruar larg politkës, as që mendohet të kenë të ardhurat e analistëve dhe opinionistëve.   Pra, frika e humbjes së të mirave materiale, pa dyshim ka qenë një nga shtysat që edhe atëherë kur fakti ka qenë kokëfortë jo vetëm nuk është mbështetur, por edhe është diziinformuar publiku. Së dyti, vë re se shumë prej tyre e kanë rrethuar veten me një aureolë të pamerituar, aq sa e përfytyrojnë veten të pazëvendësueshëm. Padyshim ka mes tyre shumë individë të lexuar, por ka dhe një kategori që  nuk gëzon as formimin minimal në shkencat e komunikimit.

Për këta të fundit mjeti i duhur në debat ka rezultuar gjestikulacioni i shfrenuar, ndërprerja e fjalës së tjetrit për të kulmuar me sharjet banale. Në logjikën e tyre kanë arritur vërtetë të bëhen të paharrueshëm në ekran, por jo pozitivisht, as negativisht, për ta ka vlerë shpërfillja. Së treti, kjo kategori që më shumë se gjithë kategoritë e tjera ka tundur sidomos gjatë vitit të fundit elektoral flamurin e moralit (ngjyra s’ka rëndësi), është e kthyer tashmë në një kategori amorale. Ndaj frika se mos i tregojnë me gisht, e bën t’i qëndrojë istikamit të  mohimit për atë ç’ka nuk i shkon për shtat dhe ngritjes së kulteve për palën tjetër. Me sjelljen e tyre ata i ngjajnë fëmijëve në dy –tre vitet e para të jetës, që për shkak  të zhvillimeve moshore, dallojnë për periudhën e negativizmit, duke thënë jo, edhe atëherë kur  Po është  brenda logjikës së tyre. Shembulli më tipik, janë këto ditë, kur parashikimet e tyre dështuan. Kur populli vendosi të sjellë një tjetër lider, një tjetër koalicion në pushtet.

Dhe në vend të ndjesës publike, për një sjellje mediatike dhe edukimit të keq të publikut, ata zgjodhën të rivlerësohen me teorinë se nuk kemi të bëjmë me një fitore fitimtarësh, që punuan dhe fituan besimin e shqiptarëve, por me një fitore për shkak të humbjes?! Me një fitore për shkak  të kalimit të votave nga djathtas majtas në emër të premtiveve, apo sajesave të tilla, që vetëm një pushtet mediatik pa integritet mund t’i përdorë. E vërteta është një. Fitimtarët fituan sepse populli është më syhapur se analistët dhe opinionistët. Biles një pjesë e rebelimit ëshë drejtuar edhe ndaj tyre, nga dhunimi që i bëhet lirisë së tij përmes orëve të zgjatura me debate shterpe. Ndaj do të ishte koha, për një pjesë të mirë të tyre, t’i qëndrojnë larg ekranit, sepse në të ardhmen do të përdoren si shembuj ilustrimi të keqpërdorimit të imazhit mediatik.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s