“Brahmanët” metafizikë të medias shqiptare Çfarë analizojnë “analistët” tanë?

f-tarifaFatos Tarifa

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, me qetësinë dhe rregullsinë me të cilën u zhvilluan dhe, sidomos, me rezultatet “surprizë” të tyre, më shtyjnë të reflektoj mbi një dukuri që s’është aspak e re për vendin tonë, por që këtë herë u manifestua edhe më qartësisht. Për muaj me radhë, politikat, qëndrimet taktike dhe strategjitë e fushatave elektorale të partive politike kryesore janë diskutuar e analizuar në shtypin shqiptar dhe në studiot e televizioneve të vendit nga një duzinë individësh të njohur nga publiku si analistë politikë. Një pjesë e tyre janë përpjekur të bëjnë sinteza të mbështetura në fakte dhe perceptime të realitetit nga pozita pak a shumë objektive. Ata kanë dhënë e japin një kontribut të dobishëm për informimin e opinionit publik.

Pjesa tjetër, ata më të njohurit, të përhershmit, e kanë bërë “analizën” politike mënyrë të jetesës së tyre dhe “analistin” një lloj “profesioni pa profesion”. Ata shfaqen kudo, në çdo studio televizive, por kryesisht në tri-katër studiot më të mëdha. Ata flasin në çdo orë, por kryesisht në orët e vona të mbrëmjes; madje sa më vonë që shfaqen në një studio televizive, aq më “të rëndësishëm” mendojnë se janë. Ata flasin dhe bëjnë “analiza” për çdo gjë, madje edhe për dukuri e ngjarje të cilat mund të mos i njohin ose kuptojnë mirë. Ata shfaqin opinione për këdo dhe për gjithçka, edhe pse opinionet e tyre shumë herë nuk janë më të informuara sesa ato të një qytetari “të zakonshëm”.

Kjo kategori analistësh janë “brahmanët” e medias shqiptare, kasta e të gjithëditurve, e ashtuquajtura elitë mediatike, ekspertët dhe analistët e jetës politike, të jetës ekonomike dhe të zhvillimeve shoqërore në vend. Janë po të njëjtët njerëz. Çdo mbrëmje. Në çdo studio. Ata analizojnë për publikun shqiptar çdo gjë. Në po të njëjtën mënyrë. Sipas po të njëjtës “shkollë”. Me po të njëjtin zell. Me shumë pak fakte mbi të cilat të ndërtojnë argumentet e tyre dhe të artikulojnë analizat që bëjnë, por tejet të sigurt për ato që dinë dhe për ato që thonë. Jo se dinë shumë ose i dinë mirë subjektet për të cilat flasin, por ngaqë dinë pak nga të gjitha.

Këta “brahmanë” analizojnë jo faktet, por tjerrin nga vetvetja “analiza” që shpesh herë nuk kanë substancë dhe mbështetje faktike. Një pjesë e tyre, duke mos pasur një profesion të vërtetë veç këtij të “analistit”, i cili do t’i lidhte me jetën dhe njerëzit realë, me problemet dhe shqetësimet e tyre të përditshme, janë, në rastin më të keq, të shkëputur nga realiteti, ndërsa në rastin më të mirë kanë humbur fokusin në këtë realitet. Përgjithësisht, ata flenë ditën dhe flasin e analizojnë natën. Kur janë zgjuar, për një pjesë të tyre bota reale është rrethi i tyre i ngushtë dhe një mjedis i kufizuar në 2-3 km2 në qendër të Tiranës―po të njëjtat bare, kafene dhe restorante, në të cilat mësojnë nga njëri-tjetri “të rejat e ditës”, ose bëmat dhe batutat e politikanëve të caktuar. Mbi këtë bazë ata gjykojnë dhe analizojnë në emisionet e mbrëmjes. Pjesa më e madhe e tyre lexojnë pak dhe, me ndonjë përjashtim të rrallë, ata vetë nuk shkruajnë libra në të cilët të sintetizojnë idetë dhe analizat e tyre për një publik më të gjerë se ai që i sheh përmes ekranit të televizionit. Në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende europiane, analistët e vërtetë të rrjeteve të mëdha televizive janë shpesh herë autorë best-sellers në vendet e tyre (Tom Brokaw, Bob Woodward, Barbara Walters, Christiane Amanpour apo Fareed Zakaria më vijnë vetvetiu ndër mend).

Shumë prej analistëve tanë nuk kanë ide origjinale; ata kanë një njohje thjesht episodike dhe sipërfaqësore të realitetit. Ata lexojnë fare pak shkencë politike, sociologji, filozofi, ekonomi dhe janë të painformuar, ose të informuar në mënyrë sipërfaqësore për çka ndodh në botë, edhe pse, jo rrallë, i dëgjon t’i mbështesin “argumentet” dhe “analizat” e tyre me fjalë të tilla si, “kështu ndodh kudo”, ose “këtë eksperiencë kanë edhe vendet e tjera”.

Të izoluar në kafazin e qelqtë të “botës” së tyre, “brahmanët” e medias shqiptare nuk kanë sesi t’i njohin faktet e botës jetësore. Madje, për disa prej tyre, faktet duket se s’kanë shumë rëndësi; ata qendrojnë mbi faktet, ose përtej tyre. Edhe nëse faktet kokëforta provojnë të kundërtën e argumenteve që sjellin në analizat e tyre, kjo për ta s’ka shumë rëndësi. A nuk thoshte vetë Hegeli i madh, “aq më keq për faktet”? Analizat e tyre ndërtohen a priori; ato vijnë përpara fakteve dhe s’kanë nevojë për to. “Të vërtetat” e tyre janë vetvetiu të qarta; ato janë noumene apo “Ding an sich”, siç do të thoshte Kanti, pra të vërteta, ose “fakte vetvete” dhe, si të tilla, të vërteta edhe për të tjerët, ose fenomeve që duhet t’i pranojnë të gjithë. Të veneruar prej njëri-tjetrit dhe ndonjëherë edhe narcisistë deri në absurd, ata përsërin, sipas të njëjtës logjikë, të njëjtat gjëra, aq sa edhe pa e hapur gojën, publiku e di se ç’do të thonë. Madje di edhe se në cilin krah ata do të ulen në studio, majtas ose djathtas, ndërkohë që analizat objektive, ose të balancuara, për aq sa këto janë të mundura, nuk mund të bëhen nga pozita politike ekstreme.

Zgjedhjet e fundit provuan edhe një herë se sa pas realitetit, ose larg tij, janë ky lloj “brahmanësh” dhe analizat e tyre. Nëse do të ishin më pranë njerëzve të thjeshtë; nëse do të ndjenin edhe ata shtrëngesat ekonomike, zhgënjimet dhe pakënaqësitë e shkaktuara nga politikat e një qeverie përgjithësisht të dështuar; nëse do të dinin të lexonin jo buzët e një kryeministri, por edhe zhgënjimet dhe dëshpërimin e njerëzve të thjeshtë; nëse do të vlerësonin jo vetëm rëndësinë që ka ndërtimi i rrugëve për zhvillimin e vendit, por edhe shumë prej nevojave më të mëdha e më urgjente që kanë një masë e madhe njerëzish të varfër që nuk zbresin dot në ato rrugë, ose nuk kanë automjete për të udhëtuar në to; nëse do të kishin sado pak imagjinatë sociologjike për të parë përtej fasadës së gjërave dhe përtej studiove të ndriçuara të emisioneve televizive për të vënë re varfërinë, mijërat e të rinjve të papunë, shkallën e lartë të korrupsionit e të krimit dhe anë të tjera të errëta të një shoqërie, e cila sado që është zhvilluar, ka mbetur në çdo drejtim pas vendeve të tjera të rajonit; pra, nëse do t’i kishin vënë re të gjitha këto, si mendimtarë dialektikë, jo si analistë metafizikë, atëherë “surpriza” e këtyre zgjedhjeve nuk do të kishte qenë kaq shumë një surprizë për ta. Dialektika, sipas Hegelit, ka të bëjë pikërisht me aftësinë për të kuptuar anët negative dhe pozitive të dukurive. Nëse do të kishin qenë të mirinformuar dhe dialektikë në arsyetimet e tyre, shumë nga analistët tanë do të kishin mundur ta parashikonin një rezultat të tillë. Sepse në jetën e një shoqërie asgjë nuk ndodh papritur dhe pa shkak. Por shumica e tyre, madje edhe ata që u përpoqën të përdorin aritmetikën si një mjet të analizës, gabuan në analizat e tyre. Dhe jo për të parën herë.

Ndryshimi që mundësojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri është një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, politik e social të vendit. Këtë domosdoshmëri duhej ta kishin kuptuar me kohë shumë prej analistëve tanë mediatikë nëse do të ishin të lidhur me realitetin shoqëror dhe të fokusuar në problemet e tij. Por, nëse huazoj përsëri fjalët e Hegelit, “domosdoshmëria është e verbër vetëm për aq kohë sa ajo nuk është kuptuar”. Uroj që, më në fund, domosdoshmëria e ndryshimeve të thella në jetën e shqiptarëve të thjeshtë të jetë kuptuar edhe nga ata që e shohin dhe e analizojnë atë nga studiot televizive.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s