Informimi publik në tri kohë: 1991, protestat në Turqi dhe KQZ

Nga Zef Preçi

Shembulli i parë: Gjithkush në moshë të mesme e lart kujton, disa pse jo pa nostalgji, momentin historik të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha më 20 shkurt 1991. Kjo sepse ky akt, jo thjesht u dha zemër forcave antikomuniste dhe pluralizmit politik të sapolindur në vendin e fundit komunist që iu bashkëngjit ndryshimeve sistemike të fillimit të viteve 1990. Por, mbi të gjitha shënoi edhe lindjen e frymës së reagimit qytetar, edhe pse me ngarkesë të fortë emocionale dhe me rrezikun e përballjes me forcat që mbështesnin regjimin komunist dhe me atë pjesë jo të vogël të qytetarëve të indoktrinuar prej ideologjisë së atij regjimi. Po në memorien tonë kolektive është shënuar padyshim raportimi mediatik me korrektesë i këtij momenti nga media audiovizuale e kohës, nga gazetarët e nderuar, ikonat e medias shqiptare Alfons Gurashi (1942-2007) dhe e mirënjohura Zamira Koleci. E veçanta e atij përjetimi historik lidhet sa me ngjarjen, aq edhe me raportimin korrekt të asaj ngjarjeje, pa heshtjen ulëritëse të deriatëhershme të regjimit për çfarëdo vale që frynte në shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare. E pra, fuqitë e sistemit në kontrollin e çfarëdo fluksi të informacionit që binte ndesh me fatin e sistemit ishin ende shumë të mëdha – gjithçka ishte nën kontrollin e tij. Ishte kuraja qytetare dhe përgjegjshmëria profesionale e dy personaliteteve të gazetarisë së kohës, si dhe e stafit drejtues e teknik të Radio Televizionit Shqiptar që kjo ngjarje jo thjesht u filmua (siç kishte ndodhur më parë me ngjarjet e ambasadave etj)., por edhe iu përcoll qytetarëve shqiptarë në mënyrë korrekte dhe në kohë, gjë që përmasoi pozitivisht në progresion gjeometrik fuqinë e ndryshimeve që ndodhën më vonë…

***

Shembulli i dytë: Siç dihet, prej një jave Turqia është përfshirë nga protestat, që zyrtarisht janë iniciuar nga ambientalistët, të cilët janë kundër dëmtimit të një zone të gjelbër – parku “Gezi” në qendër të Stambollit (rreth 600 rrënjë pemë), me qëllim që të ndërtohet një qendër tregtare. Vala e protestave ka përfshirë jo vetëm Stambollin, por edhe kryeqytetin (Ankara), ndërsa me kalimin e kohës, sidomos mbasi për fat të keq janë shënuar disa viktima, qeveria duket se po moderon qëndrimin e vet, fillimisht në lidhje me destinacionin e ndërtimit dhe meqenëse protestat vijojnë, përveç pranimit të tejkalimit të kompetencave nga ana e policisë, qeveria është treguar e gatshme të zhvillojë negociata me protestuesit. Ndërkaq, këta të fundit kanë bërë thirrje për largimin e Kryeministrit Erdogan, pasi e akuzojnë atë për qeverisje në mënyrë autoritare. Siç dihet ai është në pushtet prej vitit 2003, vendi ka shënuar prosperitet, demokracia është funksionale dhe pozita ndërkombëtare e Turqisë është rritur më tej në këtë periudhe të vështirë krize jo vetëm ekonomike, por edhe politike në rajonin e trazuar përreth këtij vendi… E përmenda protestën jo aq për të thënë se në Turqi ekziston shpirti apo reagimi qytetar në solidaritet për interesat e përbashkëta, por për të evidentuar faktin se në një demokraci protestat janë një e drejtë e patjetërsueshme e secilit individ apo grupimi individësh që në vlerësimin e tyre mendojnë se u janë cenuar të drejtat. Por ajo që ra në sy të shumë vëzhguesve, duke përfshirë edhe shtypin prestigjioz ndërkombëtar, në një apo dy ditët e para të protestës ishte heshtja e masmedias në përgjithësi dhe në veçanti e asaj proqeveritare, ndaj këtij zhvillimi jo fort të zakontë në një vend me një përzierje kaq të madhe kulturash, fesh, racash, grupimesh interesash etj., siç është Turqia e sotme. Nuk ka dyshim se ndoshta ky moment – heshtja e përkohshme e masmedias turke në fillimet e protestës, ishte përcjellë me shqetësim në shtypin botëror, dhe ndoshta këtu – në kontrollin e pushtetit mbi masmedian – duhen kërkuar edhe rrënjët e padukshme të protestave, fundi i të cilave nuk dihet, por gjithsesi pritet një moderim i mëtejshëm i qëndrimit të qeverisë dhe reflektim pozitiv ndaj reagimit qytetar, pavarësisht motiveve të këtij reagimi.

***

Shembulli i tretë: Siç dihet, vetëm pak ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin që i detyron televizionet shqiptare të transmetojnë kasetat e aktiviteteve politike në kuadrin e fushatës zgjedhore të 23 qershorit të përpunuara nga partitë politike. Thënë me një gjuhë tjetër, në ndryshim nga shembulli i parë (pasqyrimi mediatik i shembjes së bustit të diktatorit 22 vjet më parë), por edhe nga shembulli i dytë (humbja e përkohshme e “drejtpeshimit” nga media turke në pasqyrimin e një demonstrimi kundër qeverisë së këtij vendi), në fushatën tonë zgjedhore që mbyllet pas dy javësh, një pjesë e masmedias shtyhet të luajë rolin e shërbëtorit të politikës në pushtet dhe në opozitë, duke braktisur kështu jo vetëm misionin fisnik të informimit dhe edukimit të publikut.

Pas kësaj, në mendjen e cilitdo “qytetar mesatar” me të drejtë lindin një sërë pyetjesh, tani për tani ende pa përgjigje, si p.sh.: përse heshtin intelektualët e rreshtuar publikisht në të dyja kampet e politikës shqiptare? Përse heshtin moria e opinionistëve të rreshtuar natyrshëm në njërin apo tjetrin krah të politikës edhe kur është fjala për cenimin brutal të parimeve të shenjta të profesionit të tyre? Vallë a ka ndonjë brerje ndërgjegjeje në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar për deformimin që pëson me këtë rast detyrimi ligjor i këtij institucioni të paguar nga taksapaguesit shqiptarë? Kujt i shërben heshtja e opozitës së angazhuar për denoncimin e pretenduar të aferave të qeverisë dhe institucioneve të kontrolluara prej saj, kur pranon “de facto” që qytetarëve t’u shitet “sapuni për djathë”, d.m.th. të përcillen imazhe dhe ngjarje të (pa)ndodhura, por me kontekst të fortë indoktrinues njëlloj si në të shkuarën e afërt? Ku janë ajo plejadë intelektualësh të rinj e të vjetër në moshë, të njohur, të shpallur apo të vetëshpallur si “antikonformistë”, pjesë e shoqërisë civile ose jo, që deri përpara pak vitesh nuk linin hapësira mediatike dhe tribuna konferencash brenda dhe jashtë vendit në përpjekje për ndërgjegjësimin qytetar dhe ndërtimin e urave midis qytetarëve dhe produktit qeverisës të votës së tyre? Në fund të fundit, a mund t’u thotë ndokush qytetarëve shqiptarë se cili është ndryshimi midis pushtetit të sotëm dhe dobësive, paligjshmërive apo konsumimit të tij dhe ndryshimit të ofruar nga lista e deputetëve të djathtë që kërkojnë rikonfirmimin dhe atyre të majtë që formalisht apo apriori mendohet se duhej të ishin ndryshe? E nëse nuk shfaqet asnjë diferencë apo qëndrim në favor të principeve të shenjta të respektuara nga gazetaria shqiptare qysh në fillimet e tranzicionit dy dekada më parë, miratimi i këtij akti nga KQZ-ja gjysmake dhe heshtja nga gjysma tjetër e munguar e saj nuk premton asgjë të mirë për ata që ende besojnë në këto parime dhe aq më pak kjo rrugë alla komuniste mund të kontribuojë në ndërtimin e besimit publik ndaj alternativave politike, programeve dhe ideve që sjellin ndryshimin. Aq më tepër kur ka një evidencë të mjaftueshme se në aktivitetet e partive politikë pa dallim krahu politik nuk po lejohen gazetarët që të filmojnë dhe të përgatisin vetë kronikat në mitingjet dhe në takimet elektorale të partive. Në këtë mënyrë, vendin e Shqipërisë reale “të zbuluar” nga liderët politikë vetëm në muajin e fushatës po e zë përfundimisht “Shqipëria virtuale”. Në të vërtetë, nëse ky vendim absurd nuk denoncohet fuqishëm nga vetë masmedia, politika shqiptare ka shënuar kështu “fitoren e radhës” dhe asaj nuk i mbetet gjë tjetër veçse “krijimi i njeriut të ri”, votuesit të verbër, të ëndërruar aq shumë nga liderët e harruar të regjimit të vjetër dhe ndoshta edhe nga liderë të gjallë të kohës sonë…

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s