Mediat kundër KQZ: Nuk jemi shërbëtorë të politikës

kqz2TIRANE – Në një forum të drejtuesve të Departamenteve të Informacioneve në media të ndryshme apo dhe kryeredaktorë të shtypit të shkrua në vend, kanë reguar pas vendimit të dhënë dy ditë më parë nga KQZ, që i detyron televizionet që të transmetojnë kasetat e përpunuara nga partitë. Shqetësimi i përbashkët është pikërisht zbehja e profesionalizmit të gazetarëve si dhe manipulimi i opinionit publik.

Për këtë drejtuam 2 pyetje: Si e komentojnë vendimin e dhënë nga KQZ dhe se scfarë pasojash ka për profesionin e gazetarëve? Megjithëse PS mbajti një qëndrim të vetin, duke e detajuar këtë vendim për materialet që do të çohen në TV, KQZ nuk i mori parasysh.

Aleksandër Çipa, Unioni i Gazetarëve

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron një fyerje të rëndë, ripërsëritjen e praktikës të imponimit të kasetave partiake për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në vend. Miratimi i kësaj praktike përmes një shkrese të Bordit të Monitorimit të Mediave është ripërsëritje e një gabimi të rëndë, i cili fyen gjithë editorin profesionist shqiptar.

Kjo praktikë deformon në thelbin e saj lirinë dhe pavarësinë e pasqyrimit të realitetit zgjedhor dhe të fushatës të rëndësishme elektorale. Unioni i Gazetarëve Shqiptare nëpërmjet kësaj deklarate ju bën thirrje kolegëve që drejtojnë strukturat e redaksive të informacionit pranë mediave audiovizive shqiptare ta shpërfillin këtë vendim dhe të refuzojnë në mënyrë kategorike kasetat dhe DVD që servirin redaksitë e instaluara në selitë partiake për fushatën.

Këtë thirrje e bëjmë në emër të nevojës jetike që ka një shoqëri e lirë për kultin e raportimit nga terreni dhe vetëm prej gazetarëve kasetat që vijnë nga redaksitë e parrtive janë mostrat e censurës që gazetarisë profesioniste i propozohen dhe i serviren nga institucionet që prej kohësh kanë vdekur demokracinë e brendshme.

Ylli Rakipi: Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve

Ju jeni duke folur për sëmundje disa vjeçare në Shqipëri ku partitë përgatitnin materialet e tyre me një virtualitet të pashembullt për të mashtuar opinion publik. Sigurisht këto janë veprime për të mashtruar opinionin publik për arsye se media, shtypi ka vetë të gjitha përgjegjësitë, mundësitë, autoritetin e nevojshëm, pushtetin e nevojshëm duke qenë dhe vetë një pushtet për të kryer detyrën dhe misionin e vetë.

-Nëse është bërë një veprim i tillë është një veprim krej anadollak, krejt i papapranueshëm, e i papërshtatshëm. Është jashtë të gjithë kodeve profesionale të medias, jashtë logjikës së medias së shkruar dhe vizive, është antiligjore është kundër lirisë së medias. Është një ndërhyrje flagrante te ky pushtet për të manipuluar opinion publik.

Mendoj se mediat serioze që janë në Shqipëri do ta bëjnë një gjë të tillë, se sigurisht ka dhe media të cilat kanë pak mundësi për të punuar dhe ato pranojnë kasetat dhe viruse të tillë që dëmotojnë gazetarinë.

Unë iu bëj thirrje mediave profesionale shqiptare t`u largohen skemave të tilla të cilat nuk përçojnë te opinion publik misionin e mediave, por dëshirën e forcave politike, gjë që shkon kundër autoritetit të medias. Është një ndërhyrje flagrante në punët e një pushteti tjetër.

Ora News

RTV “Ora News”, ashtu si edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2011, vendos të mos pranojë kaseta të regjistruara dhe përgatitura më parë nga partitë politike në fuksion të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit.

“Në respekt të etikës dhe standarteve profesionale, dhe teleshikuesve tanë besnikë që e kanë parë gjithmonë si një dritare të lirë dhe të pavarur informacioni, RTV “Ora News” refuzon të përdoret nga partitë për të përcjellë me anë të ekranit tonë, mesazhe politike të përgatitura më parë në selitë e tyre.

RTV “Ora News” siguron të gjithë shqiptarët që do të zgjedhin ekranin tonë për të ndjekur fushatën zgjedhore, se do të gjejnë fushatën e vërtetë, të filmuar dhe raportuar vetëm nga gazetarët dhe korrespondentët tanë dhe jo të servirur me mesazhe të përcaktuara nga ana e partive politike”, thuhet në një njoftim të këtij televizioni.

Armand Shkullaku, ABC

Ne jemi duke e parë vendimin e KQZ. Problemi nuk është vetëm te KQZ dhe te media, por te marrëveshja që kemi ne kemi me forcat politike, të cilat de jure i lejojnë kamerat që të marrin pjesë dhe de facto aty nuk ka kamera të tjera.

Kjo, nuk e di sa është pengesë nga partitë politike apo e pamundësisë së mediave për të përcjellë çdo aktivitet të partive politike, sepse në momentin që merr sinjalin televiziv apo mesazhin e gatshëm ashtu siç e ofron regjia e parti e politike, vendimi mbi të është një temë që ngre problematika.

Mendoj se para se të merret këtë vendim, të paktën KQZ të kishte mledhur të gjithë drejtuesit e mediave për ta diskutuar dhe me ata këtë pjesë dhe me partitë politike. Problemi është i dyanshëm dhe media nuk ka kapacitet, por dhe partitë politike në fushatën elektorale duhet që të mos deformohen.

Brenda kësaj duhet një kompromis mbi baza ligjore. Ka shumë probleme që nuk zgjidhen me një fjali të vetme, që këtë e vendos KQZ. Kjo nuk i shërben gazetarisë.

Enton Abilekaj, NEWS 24

Vendimet e KQZ nuk mund të merren në kundërshtim me liritë themelore që ka garanton Kushtetuta. KQZ nesër mund të nxjerrë që pas zgjedhjeve kandidojnë vetëm 140 deputetë të mazhorancës, por ky nuk mund të jetë një vendim kushtetues, i pranueshëm. Në profesionin e tyre duhet të zbatohen garancitë kushtetuese që ka gazetari.

-Detyra dhe misioni ynë është që informojmë njerëzit. Kjo për mua nuk ka ndodhur deri tani, por mund të them se mund të pranojmë ato filmime që ne i kemi ndjekur edhe vetë dhe bihet dakort që ta marrim ndonjë material të gatshëm, por në gjërat kryesore nuk do t`i pranojmë.

Bledar Zaganjori, Top-Channel

-Është një vendim që bie ndesh me parimet e gazetarisë, sepse tani po shohim që fushata zgjedhore po kthehet në një shoë, ku gjithçka është organizuar dhe përgatitur nga partitë që nga mitingjet që ata e kanë për detyrë të bëjnë e deri të transmetimet e tyre, të cilat nuk ëhstë detyrë e partive, por e gazetarëve sesi pasqyrohen këto aktivitete.

Është detyra e tyre që të përçojnë te publiku ato mesazhe,të cilat i bëjnë mirë publikut që t`i dinë. Unë mund t`iu them se Top Channel u ka dërguar një letër partive që në fund të muajit mars,ku i kërkojmë partive që të lajmërojnë për aktivitetet e tyre dhe i garanton për mbulimin e tyre me anë të operatëve dhe gazetarëve tanë si në Tiranë po ashtu dhe në rrethe.

Mund të them që nga dita e nisjes së kësaj letre zyrtare, e cila i ka shkuar jo vetëm partive, por dhe Bordit të Monitorimit të Mediave dhe KQZ dhe misionit të vëzhguesve të ODIHR, që nga ai moment ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga partitë. Thjesht marrim njoftimet për aktivitetet e organizuara përmes sinjalit të përgjithshëm satelitor. Përveç kësaj ne kemi kërkuar që edhe të filmojmë përveç sinjalit, por nuk jemi lejuar.

-Top Channel ka qenë i pari që ka bërë një luftë për këtë çështje që nga viti 2011 në rastin e kasetave të përgatitura dhe vazhdon të këmbëngulë dhe të kërkojë nga partitë që të lajmërojnë sepse ne kemi resurset për të mbuluar aktivitetet e tyre.

Kjo është një mënyrë e jo të bërit gazetari dhe një mënyrë që ne na imponohet nga institucione që janë jashtë sferës sonë të gazetarisë dhe të na mësohet sesi të bëjmë një gjë që nuk është ajo për të cilën ne jemi paguar ta bëjmë, informimin e publikut.

Arjon Sulo, MAPO

Më shumë se vendimi i KQZ, rëndësi ka fakti që në këtë fushatë mediat televizive nuk po lejohen nga asnjë parti që të filmojnë dhe përgatisin vetë kronikat në mitingjet dhe në takimet elektorale. Nuk do të ishte problem për informimin sikur televizionet krahas materialeve të servirura nga partitë dhe kandidatët, të transmetonin edhe lajmet e përgatitura nga vetë gazetarët

Por kjo s`po ndodh se asnjë TV nuk lejohet të ndjekë takimet në mënyrë të pavaruar. Kryetarët e partive janë kthyer në Kryeredaktorët e mediave në këto 30 ditë fushatë, por kjo po ndodh edhe për faj të vetë medias. Ne po e pranojmë në heshtje këtë realitet të diktuar nga partitë, duke i përcjellë publikut vetëm mesazhin që duan partitë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s