Vendimi i KQZ-së, fushata në TV e montuar në selitë e partive

kameraNga Fejzi Braushi

Çështja e kasetave merr sërish vëmendjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili vendosi dje që radiot dhe televizionet duhet të transmetojnë materiale filmike të miratuara më parë nga selitë e partive. Bëhet fjalë për të vazhduar fenomenin që nisi në 2011-ën, ku pasqyrimi i fushatës elektorale bëhet nëpërmjet kasetave të trukuara nga vetë partitë. Por, në rast se në zgjedhjet e shkuara situata ishte kaotike për shkak se legjislacioni zgjedhor kishte vakuum në rregullimin e kësaj marrëdhënieje, në këto zgjedhje radiot dhe televizionet private janë të detyruara ligjërisht që të transmetojnë atë çka u sjellin partitë. Kështu, falë ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, këta operatorë mediatikë kanë jo vetëm detyrimin të transmetojnë fushatat elektorale të subjekteve përkatëse nëpërmjet kasetave, pra pa çuar kamera në aktivitetet elektorale të tyre, por edhe janë të detyruar t’i pranojnë kasetat të përpunuara nga vetë subjekti zgjedhor, pra jo një material bruto. Kjo në fakt është vendosur dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili jo pa debate ka miratuar aktin, ku përcaktohen rregullat që duhet të ndjekin mediat private në pasqyrimin e fushatës elektorale. Në projektvendimin e përgatitur nga administrata e KQZ-së, në pikën “b” të tij përcaktohej se “materiali që përgatitet nga subjekti zgjedhor dhe i dorëzohet operatorit për transmetim duhet të jetë i papërpunuar, me kodin e kohës së vazhdueshme”. Një zgjidhje kjo që deri diku u jepte mundësi mediave që të kishin në dispozicion të gjithë materialin e filmuar nga fillimi i aktivitetit elektoral deri në fund dhe të zgjidhnin mes tij atë pjesë që i interesonte. Ky propozim është mbështetur edhe nga përfaqësuesit socialistë në KQZ, të cilët kanë theksuar se kjo i jep zgjidhje debatit të famshëm të “kasetave”, të zhvilluar në zgjedhjet e vitit 2011. Por nuk kanë qenë dakord me këtë zgjidhje të ofruar nga administrata, përfaqësuesit demokratë, të cilët kanë kërkuar që nga projektvendimi të hiqet fjala e “papërpunuar”, duke iu lënë kështu dorë të lirë subjekteve politike që t’u vënë në dispozicion mediave të transmetojnë atë pjesë të materialit që ata dëshirojnë. Një përcaktim ky që u imponon radiove dhe televizioneve private të transmetojnë në njëfarë mënyre, materiale të censuruara apo trukuara nga vetë partitë. Ndaj në vendimin e miratuar në përfundim, nën ndikimin e përfaqësuesve demokratë, u pa e arsyeshme që të hiqej fare pika “b” e projektvendimit dhe të vihej në të dispozita përgjithësuese e Kodit Zgjedhor, duke përcaktuar se “informacionet mbi aktivitetet e fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”. Ndërkohë që pikat e tjera të këtij vendimi bëjnë detyruese për operatorët mediatikë rastet kur një material, pavarësisht se është i censuruar, përmban elementet e tjera që përcakton Kodi, si logoja e qartë e subjektit porositës etj. Për pasojë, edhe në këto zgjedhje shqiptarët nuk do kenë mundësi të marrin nga mediat atë që ndodh realisht në fushatë, por atë që vetë partitë dëshirojnë t’u ofrojnë atyre.

Vendimi i plotë

Projektvendimi “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radio-televizionet private, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 Qershor 2013”. KQZ vendosi që operatorët radiotelevizivë privatë,  në informacionet dhe edicionet e zakonshme e të veçanta për pasqyrimin e fushatës zgjedhore duhet të zbatojnë këto procedura:

a-         duhet të përcaktojnë qartë subjektin zgjedhor përkatës;

b-         informacionet mbi aktivitetet e fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materiale të vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, duhet të identifikohen qartë në përputhje me udhëzimet e KQZ-së;

c-         logoja e partisë politike apo koalicionit zgjedhor, duhet të jetë e dukshme, jo më e vogël se logoja e operatorit audioviziv që e transmeton dhe të qëndrojë në ekran jo më pak se një e treta e kohës së transmetimit të materialit, spotit apo reklamës zgjedhore;

d-         Në rast se operatori refuzon të transmetojë materialet e përgatitura nga vetë subjekti zgjedhor, operatori njofton menjëherë dhe ia vë në dispozicion menjëherë Bordit të Monitorimit të Medias këto materiale për t’i verifikuar. Bordi i monitorimit të Medias vlerëson materialin dhe i propozon raportin përkatës për miratim KQZ-së brenda 12 orëve. BMM nëse vlerëson se materiali plotëson kriteret teknike i propozon KQZ-së transmetimin e materialit nga operatori, në përputhje me rregullat e Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së. BMM nëse vlerëson se ky material nuk i plotëson kriteret teknike i propozon KQZ-së kthimin e materialit subjektit zgjedhor. KQZ merr vendim brenda 24 orëve në lidhje me propozimin e BMM. BMM monitoron zbatimin e vendimit të KQZ-së.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s