Si t’i lexojmë sondazhet

20 pyetje që një gazetar duhet t’iu përgjigjet për rezultatet e sondazheve

Së pari, të vetmet sondazhe që duhen raportuar janë sondazhet “shkencore.” Pyetjet e renditura më poshtë do t’ju ndihmojnë për të përcaktuar nëse një sondazh i caktuar është “shkencor” dhe nëse ia vlen të raportohet – apo nëse sondazhi në fjalë është pa vlerë. Pseudo-sondazhet joshkencore janë mjaft të përhapura dhe madje, disa syresh mund të jenë argëtues e interesantë, por ato nuk ofrojnë kurrë atë lloj informacioni që duhet të pasqyrohet në një raport serioz. Shembuj të tillë mund të jenë sondazhet ku të anketuarit telefonojnë në numrat 0900 të centraleve telefonike, sondazhet e njerëzve në rrugë (man-on-the-street), mjaft prej sondazheve që zhvillohen në Internet apo edhe nëpër qendrat tregtare.

Një nga veçoritë e rëndësishme dalluese ndërmjet sondazheve shkencore dhe atyre joshkencore është fakti se kush i përzgjedh të anketuarit për këtë sondazh. Në një sondazh shkencor, ekipet që kanë marrë përsipër kryerjen e tyre (pollsters) së pari, identifikojnë, dhe më pas, kërkojnë për të gjetur njerëzit që do të intervistohen. Në një sondazh joshkencor, zakonisht, të anketuarit e japin “vullnetarisht” opinionin e tyre, duke u vetëpërzgjedhur për t’u anketuar. Rezultatet e sondazheve të mirorganizuara shkencore ofrojnë një tregues të besueshëm për opinionet e shumë njerëzve të tjerë, përveç atyre që janë intervistuar – madje, opinionet e të gjithë banorëve të një shteti, apo territori të caktuar. Rezultatet e sondazheve joshkencore nuk janë asgjë më tepër se sa thjesht ajo çka mendojnë vetëm të anketuarit e tyre.

1. Kush e ka kryer sondazhin?

Pyetja që kërkon përherë përgjigje e para është se, cila firmë sondazhesh, institucion kërkimor, fushatë e caktuar politike apo ndonjë grupim tjetër e ka kryer sondazhin në fjalë? Nëse nuk e dimë se kush e ka kryer sondazhin, atëherë nuk mund t’iu përgjigjemi pyetjeve të tjera të renditur në vijim. Nëse personi që ju ofron rezultatet e sondazhit nuk mund ose nuk dëshiron t’ju tregojë se kush e ka kryer sondazhin, atëherë rezultatet e sondazhit në fjalë nuk mund të raportohen, përderisa nuk mund të verifikohet vlefshmëria e tyre. Firmat me reputacion në fushën e sondazheve ofrojnë përherë informacionin e duhur që nevojitet për të vlerësuar sondazhet që ato kryejnë. Për arsye se reputacioni është tepër i rëndësishëm për një firmë me standarde të larta cilësie në sektorin e sondazheve, atëherë një anketim i kryer në kushte profesionale do të mund të shmangte mjaft gabime të mundshme gjatë realizimit të tij.

2. Kush, dhe përse, ka paguar për zhvillimin e sondazhit?

Gjithashtu, duhet të kemi dijeni edhe për porositësit, ose ata që kanë paguar për kryerjen e anketimit – si dhe audiencën përkatëse – të cilët, kanë menduar paraprakisht se çështjet e marra në shqyrtim nga sondazhi i tyre janë mjaftueshëm të rëndësishme për shpenzimin e parave për të kuptuar se çfarë mendojnë njerëzit. Zakonisht, sondazhet kryhen për një arsye të veçantë – ose për të përftuar informacion të vlefshëm ose për të përkrahur një çështje të caktuar. Mund të ndodhë që një grup i caktuar mediatik të dëshirojë të publikojë një artikull të qëlluar. Siç mund të ndodhë që edhe një politikan të dëshirojë të rizgjidhet. Ose mund të ketë gjasë që një korporatë të përpiqet për të rritur nivelin e shitjeve një produktit të ri të saj. Ose, një grup i veçantë interesi të përpiqet të provojë se pikëpamjet e veta janë edhe pikëpamjet e popullsisë në tërësi të një vendi.

Megjithatë, të gjitha situatat e mësipërme përbëjnë arsye legjitime për të realizuar një sondazh. Por çështja e rëndësishme për një gazetar është të arsyetojë nëse shkaku për realizimin e një sondazhi të tillë mund të hedhë hije serioze dyshimi për vlefshmërinë e rezultateve të tij, dhe në këtë mënyrë, rezultatet e tij nuk duhet të publikohen.

Sondazhet private që zhvillohen për një fushatë politike janë shpesh të papërshtatshme për t’u botuar. Sondazhe të tilla kryhen me qëllimin e vetëm për të ndihmuar kandidatin për të fituar – dhe për asnjë arsye tjetër. Pyetësorët e këtyre lloj anketimeve mund të përmbajnë pyetje të njëanshme ose metodologjia e tyre për përzgjedhjen e kampionit përfaqësues të popullsisë mund të jetë e pazakontë, pasi ato mund të jenë hartuar për t’i shërbyer taktikisht fushatës së kandidatit në fjalë.

3. Sa njerëz janë anketuar për sondazhin?

Për arsye se sondazhet japin përgjigje të përafërta, sa më tepër njerëz të intervistohen në një anketim shkencor, aq më i vogël do të jetë edhe gabimi që rrjedh si pasojë e madhësisë së kampionit të përzgjedhur, nëse çdo parametër tjetër do të ishte i njëjtë. Një nga grackat që duhen shmangur në këtë rast është mendimi se ‘sa më i madh të jetë kampioni, aq më të sakta janë edhe rezultatet e anketimit’. Është patjetër e vërtetë se sa më tepër njerëz të intervistohen në një anketim shkencor, aq më i vogël do të jetë edhe gabimi që rrjedh prej përzgjedhjes së kampionit, megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që mund të jenë më tepër të rëndësishëm në gjykimin e cilësisë së një sondazhi.

4. Si u përzgjodhën njerëzit (të anketuarit) për këtë sondazh?

Arsyeja kryesore që përcakton se përse disa sondazhe pasqyrojnë saktësisht opinionin publik, ndërkohë që disa të tjerë janë hedhurina joshkencore pa vlerë, është mënyra sesi janë përzgjedhur njerëzit për t’u intervistuar. Në anketimet shkencore, organizata që kryen sondazhin përdor një metodë të veçantë statistikore për të përzgjedhur të anketuarit.

Ndërkohë, që në sondazhet joshkencore, personi vetëzgjidhet për t’u anketuar. Metoda që përdorin organizatat e sondazheve për të përzgjedhur intervistuesit është e mbështetur në themelet e realitetit matematikor, që do të thotë: kur shanset për përzgjedhjen e çdo personi në një grup të synuar të popullsisë janë të njohura, atëherë, dhe vetëm atëherë, edhe rezultatet e anketimit të një kampioni të popullsisë pasqyrojnë popullsinë në tërësinë e saj. Ky quhet kampion i rastësishëm (random sample) ose kampion probabiliteti (probability sample). Kjo është edhe arsyeja se përse intervistimi i, p.sh., 1000 amerikanëve në moshë madhore mund të pasqyrojë saktësisht opinionet e më tepër se 210 milionë amerikanëve të kësaj moshe në të gjithë vendin.

Shumica e kampionëve shkencorë përdorin teknika të veçanta për të qenë ekonomikisht të zbatueshëm. Për shembull, disa metoda të përzgjedhjes së kampionëve nëpërmjet intervistimit telefonik nuk zgjedhin numra telefonikë thjeshtë në mënyrë të rastësishme. Në këtë rast, përzgjidhen vetëm listat me numra telefonikë, të cilat janë të njohura si adresa banimi, me qëllim që të reduktohet numri i telefonatave të pasuksesshme. Pra, kjo mënyrë jep si rezultat një kampion të rastësishëm, por kampionët e përzgjedhur vetëm nga numrat telefonikë të listës me adresa banimi, nuk mund të prodhojnë një kampion të të gjithë numrave telefonikë të një shteti të caktuar.

Madje, edhe një kampion tërësisht i rastësishëm nuk mund të jetë krejtësisht i rastësishëm në praktikë, përderisa disa njerëz nuk kanë linjë telefonike në banesat e tyre, ose refuzojnë të përgjigjen, apo nuk ndodhen në banesë. Sondazhet e kryera në vende të ndryshme mund të përdorin teknika të tjera të përzgjedhjes së kampionit nga ato që përdoren në SHBA, por prapë së prapë, ato mund të jenë teknika krejtësisht të vlefshme shkencore. Pra, të njëjtat pyetje rreth përzgjedhjes së kampionit duhet të parashtrohen përpara raportimit të rezultateve të çdo sondazhi në vende të tjera.

5. Prej çfarë zone (shteti, rajoni, ose territori të caktuar gjeografik) apo grupi demografik (mësues avokatë, mjekë, votues, të rinj, të moshuar, etj.) janë përzgjedhur njerëzit për këtë sondazh?
Është absolutisht vendimtare të dihet se prej cilit grup të caktuar të popullsisë janë përzgjedhur të anketuarit. Duhet ta dimë nëse kampioni në fjalë është përzgjedhur nga numri i përgjithshëm i popullsisë në moshë madhore të krejt vendit, një rajoni ose një qyteti të këtij vendi, apo nga ndonjë grup tjetër i caktuar i popullsisë. Për shembull, sondazhi i njerëzve profesionistë të biznesit pasqyron opinionet e sektorit të biznesit – dhe jo ato të të gjithë popullsisë në moshë madhore të një vendi. Vetëm nëse të anketuarit janë përzgjedhur nga popullsia e përgjithshme e një vendi, atëherë rezultatet e sondazhit mund të pasqyrojnë opinionet e të gjithë popullsisë në moshë madhore të atij vendi.

Në rastin e kampioneve të listave telefonike, popullsia e përfaqësuar në kampionin në fjalë është vetëm popullsia që jeton në banesat me lidhje telefonike. Për ShBA. në shumicën e rasteve, tërësia e banesave me linja telefonike është e ngjashme me popullsinë në tërësi, por nëse do të duhej të raportonim për një sondazh objektivi i të cilit do të ishte anketimi i të pastrehëve, atëherë përzgjedhja e kampionit nga listat telefonike do të ishte e papërshtatshme. Përhapja në rritje e përdorimit të telefonave celularë mund të ndikojë në të ardhmen në aftësinë e anketimeve telefonike për të pasqyruar saktësisht një grup të veçantë popullsie. Vini re se përdorimi i teknikave shkencore të përzgjedhjes së kampionit, nuk do të thotë se është arritur të anketohet saktësisht popullsia që duhet të intervistohet.

Sondazhet politike janë veçanërisht të ndjeshme për këtë çështje. Në sondazhet para-zgjedhore, përzgjedhja e njerëzve që shërbejnë si baza e të anketuarve është vendimtare për saktësinë e tij. Për shembull, një sondazh i të gjithë të rriturve nuk do të ishte mjaft i dobishëm nëse vetëm 25 për qind e zgjedhësve të regjistruar do të merrnin praktikisht pjesë në votime. Kështu që, do të duhej të verifikohet fakti nëse bëhet fjalë për votues të regjistruar, “votues të mundshëm,” votues që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e kaluara, e kështu me radhë. Këto dallime janë thelbësore dhe duhet të përfshihen në raportimin e të dhënave të sondazhit, për shkak se një nga sfidat më të vështira në praktikën e anketimeve është përllogaritja e atyre që do të shkojnë praktikisht të votojnë.

Lehtësia me të cilën kryhen këto lloj anketimesh në SHBA nuk mund të përsëritet në mënyrë të njëjtë në vende të tjera në botë. Mund të jetë e pamundur ose praktikisht e parealizueshme, që për disa vende të veçanta të kryhen sondazhe me një kampion të rastësishëm për të gjithë vendin. Megjithatë, sondazhet e bazuara mbi grupe më të vogla se sa popullsia në tërësi e një vendi të caktuar – siç mund të jenë qytetet e mëdha – mund të jenë të besueshme nëse raportohen saktësisht – si opinionet e atyre që banojnë në qytetet e mëdha, por jo të të gjithë vendit – dhe këto mund të jenë të dhënat e vetme në dispozicion për çështje të caktuara.

6. A janë të bazuara rezultatet e sondazhit në përgjigjet e të gjithë njerëzve që janë intervistuar?

Një nga mënyrat më të thjeshta për të keqinterpretuar rezultatet e një sondazhi është raportimi i përgjigjeve vetëm të një nëngrupi të caktuar. Për shembull, në SHBA, zakonisht ka një dallim thelbësor ndërmjet demokratëve dhe republikanëve për sa i përket çështjeve të fushatës zgjedhore. Raportimi vetëm i opinioneve të demokratëve në një sondazh duke nënkuptuar se ato përfaqësojnë të gjithë popullsinë në moshë madhore, mund të shkaktojë keqinterpretime thelbësore të rezultateve të anketimit në fjalë. Rezultatet e sondazhit të bazuara vetëm tek demokratët mund të identifikohen si të tilla, dhe duhet të raportohen si rezultate që përfaqësojnë vetëm opinionet e demokratëve.

7. Cili duhet të ishte intervistuar dhe nuk është marrë parasysh? Apo, a ka rëndësi shkalla e gatishmërisë për t’u përgjigjur e të anketuarve (response rate) ndaj intervistimit?

Asnjë sondazh nuk ia arrin të intervistojë çdokënd që duhet të intervistohet. Duhet të dimë se cilat kanë qenë hapat që janë ndërmarrë për të minimalizuar mungesën e gatishmërisë për t’u përgjigjur të të anketuarve, siç është për shembull, numri i përpjekjeve për të arritur të anketuarin e përshtatshëm dhe kohëzgjatja në ditë për të arritur tek i anketuari në fjalë. Ka shumë arsye se përse nuk është bërë i mundur anketimi i njerëzve, të cilët duhet të ishin intervistuar. Këta të fundit mund t’i kenë refuzuar përpjekjet për t’i intervistuar, ose kur është bërë përpjekja për t’i intervistuar, ata nuk kanë qenë në banesë, apo të anketuar të tjerë mund të kenë pasur probleme me dëgjimin ose edhe me gjuhën. Kohët e fundit, përqindja e njerëzve që iu përgjigjen sondazheve është zvogëluar së tepërmi dhe është rritur numri i atyre që refuzojnë të marrin pjesë në anketime. Disa nga shkaqet për këtë është fuqizimi i tregut të shitjeve të tipit telemarketing ose adoptimi në rritje i teknologjive të tilla, si p.sh., Caller ID apo ndonjë tjetër, të cilat mundësojnë përzgjedhjen e telefonatave hyrëse. Ndërkohë që kjo është një çështje që iu përket organizatorëve të vetë sondazheve, studime të specializuara të kësaj fushe kanë vërtetuar se niveli i ulët i gatishmërisë për t’u përgjigjur i të anketuarve nuk ka patur ndonjë ndikim domethënës në saktësinë e shumicës së anketave publike.

8. Kur është kryer sondazhi? 

Ngjarje të ndryshme mund të kenë një ndikim dramatik në rezultatet e sondazheve. Interpretimi i rezultateve të sondazheve varet në një shkallë të madhe edhe nga momenti se kur është kryer anketimi në lidhje me një ngjarje madhore që mund të ketë ndodhur gjatë asaj kohe. Madje, edhe rezultatet më të freskëta të sondazheve mund të përmbysen nga pasojat e një ngjarjeje madhore. Për shembull, Presidenti apo Kryeministri i një vendi mund të ketë mbajtur një fjalim të rëndësishëm për kombin, ose transmetimi i fotove që pasqyrojnë abuzimin me të burgosurit prej personelit ushtarak, apo rrënimi i tregut të aksioneve, ose përmbytja e një anijeje naftëmbajtëse në det që ka përhapur përmbajtjen e miliona fuçive me naftë krudo në sipërfaqet e një bregdeti të bukur.

9. Si u zhvilluan intervistat?

Ka katër mënyra kryesore: intervistimi drejtpërdrejtë i personit, nëpërmjet telefonit, online ose nëpërmjet postës. Shumica e sondazheve kryhen nëpërmjet telefonit, ku thirrjet telefonike kryhen nga një vendndodhje qendrore. Megjithatë, disa sondazhe kryhen ende duke dërguar intervistuesit në banesat e njerëzve për të zhvilluar intervistat, siç ndodh në shumicën e rasteve edhe në vendin tonë, për shkak të mangësive me regjistrin e plotë të popullsisë, dobësive të sistemit të adresave, apo edhe për shkak të shkallës së ulët të penetrimit të telefonisë fikse.

10. Po sondazhet e kryera në Internet?

Zhvillimet e fuqishme të teknologjisë së përdorimit të Internetit përgjatë viteve të fundit kanë sjellë si pasojë zhvillime po aq mbresëlënëse edhe për disa lloje të sondazheve dhe anketimeve online të opinionit publik. Sondazhet online mund të jenë shkencore nëse edhe kampionet janë përzgjedhur sipas mënyrës së duhur. Shumë prej sondazheve online fillojnë me përzgjedhjen e një kampioni shkencor të rastësishëm dhe i rekrutojnë pjesëmarrësit në anketim, ndërkohë që disa të tjerë zgjedhin gjithkënd që ofrohet vullnetarisht për të marrë pjesë në të. Pra, edhe sondazhet online duhet të shqyrtohen në mënyrë të kujdesshme përpara se të përdoren të dhënat e tyre.

11. Çfarë ndikimi ka në rezultatet e sondazhit shkalla e gabimit në përzgjedhjen e kampionit përfaqësues të të anketuarve për këtë sondazh?

Intervistat me një kampion të përzgjedhur në mënyrë shkencore prej 1000 personash të moshës madhore, mund të pasqyrojnë saktësisht opinionet e 210 milion amerikanëve në moshë madhore. Kjo do të thotë se, nëse do të përpiqeshim të intervistonim të 210 milion amerikanët në moshë madhore – nëse diçka e tillë do të ishte e mundur – atëherë, do të përftonim të njëjtat rezultate si edhe nga një sondazh i kryer në mënyrë shkencore me vetëm 1000 të intervistuar.

Çfarë do të mund të ndodhë nëse një sondazh tjetër shkencor i 1,000 personave në moshë madhore do të jepte rezultate lehtësisht të ndryshme nga sondazhi i parë? Asnjë prej këtyre dy sondazheve nuk do të ishte “i gabuar.” Kjo amplitudë e rezultateve të mundshme quhet gabimi për shkak të përzgjedhjes së kampionit (sampling error), i cili njihet me përkufizimin “kufiri i gabimit”. Ky nuk është një “gabim” në kuptimin e kryerjes së matjeve të gabuara, por është një njësi matëse e amplitudës së përafruar të rezultateve për shkak të përzgjedhjes së kampionit.

Organizatorët e sondazheve e shprehin shkallën e sigurisë së rezultateve të bazuara në një kampion me përkufizimin “shkalla e besueshmërisë” (confidence level). Kjo do të thotë se një kampion ka po aq gjasa të jetë brenda shumë prej rezultateve të mundshme, sa edhe rezultati që do të kishim përftuar nëse do të ishte intervistuar e gjithë popullata e synuar në tërësinë e vet. Shumica e sondazheve i raportojnë rezultatet e tyre duke përdorur shkallën prej 95% të besueshmërisë.
Kështu, për shembull, një “kufi gabimi prej 3 për qind” në një sondazh kombëtar do të thotë se nëse do të ishin intervistuar të gjithë personat në moshë madhore të një vendi të caktuar nëpërmjet pyetjeve të njëjta, në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë kur është zhvilluar edhe anketimi, atëherë rezultatet e sondazhit do të ndodheshin brenda kufirit të rezultateve prej plus ose minus 3 pikë në përqindje të të gjitha rezultateve të raportuara në 95% të rasteve.
Kjo nuk ka të bëjë me çështjen nëse njerëzit kanë bashkëpunuar ose jo me intervistuesit, ose nëse pyetjet janë kuptuar mire ose keq prej të anketuarve, apo nëse ka ndonjë problem me metodologjinë e sondazhit. Gabimi për shkak të përzgjedhjes së kampionit është vetëm një pjesë e gabimit të mundshëm në një sondazh që kryhet mbi një kampion sesa kur është intervistuar popullsia në tërësi. Gabimi në përzgjedhjen e kampionit nuk tregon asgjë për sa i përket shkallës së refuzimit të të anketuarve për t’u intervistuar, ose numrin e atyre që kanë qenë vazhdimisht të padisponueshëm për t’u intervistuar; gjithashtu, ai nuk tregon asgjë për sa i përket efektit shtrembërues të mënyrës së hartimit të një pyetjeje të veçantë, ose njëanshmërisë që një intervistues i veçantë mund të paraqesë në një situatë të caktuar anketimi. Dhe gjithashtu, kjo është e zbatueshme vetëm për sondazhet shkencore.
Kujtoni që kufiri i gabimit në përzgjedhjen e kampionit duhet të zbatohet në secilin prej rezultateve të raportuara të sondazhit – ai është të paktën 3 pikë në përqindje plus ose minus për secilin nga rezultatet e raportuara. Në këtë mënyrë, në një pyetje sondazhi për dy kandidatë të mundshëm për President ose për Kryeministër, që të dyja të dhënat janë subjekt i gabimit për shkak të përzgjedhjes së kampionit.

12. Cili është i pari sipas rezultateve të sondazhit?

Gabimi në përzgjedhjen e kampionit është i lidhur ngushtë me një nga çështjet më të ndërlikuara në pasqyrimin e rezultateve të një sondazhi, sidomos kur kemi të bëjmë me një sondazh për gara politike apo elektorale, të cilët përpiqen t’i japin përgjigje pyetjes se cili prej kandidatëve është përpara tjetrit në garën në fjalë? Sigurisht që, nëse hendeku ndërmjet dy kandidatëve është më i vogël se sa kufiri i gabimit në përzgjedhjen e kampionit, atëherë, askush nuk mund të thotë me siguri se cili prej kandidatëve është përpara konkurrentit të vet.

Mund të themi se rezultati është “i ngushtë,” se ai mund të jetë “pothuajse i njëjtë,” apo se “ka pak diferencë ndërmjet kandidatëve.” Megjithatë, nuk duhet të konsiderohet si “barazi e plotë” (dead heat) ndërmjet kandidatëve, përveçse në rastet kur kandidatët kanë të njëjtat rezultate në përqindje. Dhe sigurisht, që nuk mund të flasim për një “barazim statistikor,” nëse kandidatët nuk kanë saktësisht të njëjtat rezultate në përqindje.

Dhe mund të themi me të njëjtën siguri, atëherë kur diferenca ndërmjet dy kandidatëve është e barabartë ose më e lartë se sa dyfishi i kufirit të gabimit – për shembull, 6 pikë në përqindje, – dhe nëse ka vetëm dy kandidatë të mundshëm dhe nuk ka zgjedhës të pavendosur, se rezultatet e sondazhit tregojnë se Kandidati A është përpara Kandidatit B.

Atëherë kur diferenca ndërmjet dy kandidatëve është më e madhe se sa kufiri i gabimit por më e vogël se sa dyfishi i kufirit të gabimit, mund të themi se Kandidati A “është përpara,” “ka një përparësi,” ose “është në epërsi.” Raportimi i këtyre rezultateve duhet të marrë parasysh faktin se ka një mundësi të vogël që Kandidati B të jetë përpara Kandidatit A.

Atëherë kur ka më tepër se dy zgjidhje të mundshme ose votues të pavendosur – praktikisht, kjo ndodh pothuajse në çdo sondazh në botë – çështja bëhet edhe më e ndërlikuar. Atëherë kur zgjidhja është statistikisht e ndërlikuar, mund ta vlerësojmë mjaft lehtë këtë situatë nëpërmjet përllogaritjes së kufirit të gabimit. Kjo mund të bëhet duke e shumëzuar shumatoren e rezultateve në përqindjeve të të dy kandidatëve me numrin e përgjithshëm të të anketuarve për sondazhin në fjalë (vetëm “votuesve të mundshëm” nëse kjo do të ishte e mundur). Rezultati i këtij veprimi matematikor tregon se sa është realisht madhësia efektive e kampionit. Atëherë shihni gabimin në përzgjedhjen e kampionit në tabelën e të dhënave statistikore për këtë madhësi të reduktuar të kampionit, dhe zbatojeni atë për rezultatet në përqindje të kandidatëve. Nëse ato përkojnë pjesërisht me njëra-tjetrën, atëherë nuk mund ta dimë se cili prej kandidatëve është përpara. Nëse ato nuk përkojnë fare me njëra-tjetrën, atëherë secili mund të bëjë gjykimin e vet secili prej kandidatëve ka epërsi në garë.
Gjithashtu, kini parasysh, se kur raportohen rezultatet për nëngrupe të caktuara të kampionit – p.sh., gratë, të moshuarit, të rinjtë, etj., – atëherë, kufiri i gabimit në përzgjedhjen e kampionit për këto rezultate do të ishte më i madh se sa rezultatet që bazohen në tërësinë e kampionit. Duhet të jemi tepër të kujdesshëm për raportimin e rezultateve të nëngrupeve jashtëzakonisht të vogla të popullsisë. Të gjitha rezultatet që bazohen në më pak se sa 100 të anketuar janë subjekt i gabimeve mjaft të mëdha në përzgjedhjen e kampionit, sa që do të ishte e pamundur për të raportuar rezultatet e sondazhit që do të kishin sadopak kuptim statistikor.

13. Çfarë faktorësh të tjerë mund të shtrembërojnë rezultatet e sondazhit?

Gabimi në përzgjedhjen e kampionit është vetëm njëri prej burimeve të mundshme të pasaktësive në një sondazh. Nuk është domosdoshmërisht burimi i gabimit më të madh të mundshëm; ne e përdorim këtë lloj përkufizimi sepse ai është i vetmi që mund të përcaktohet në mënyrë sasiore. Dhe, nëse të gjithë elementët e tjerë do të ishin të njëjtë, atëherë do të ishte me dobi të vlerësonim nëse diferencat ndërmjet rezultateve të sondazhit do të kishin kuptim nga pikëpamja statistikore.

Formulimi i pyetjeve dhe radhitja e tyre në pyetësorin e anketimit mund të përbënin gjithashtu burime të mundshme të gabimeve në rezultatet e sondazhit. Trajnimi dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme e intervistuesve, gabimet në përpunimin e të dhënave edhe probleme të tjera operacionale mund të bëhen shkak i shtrembërimit të rezultateve të sondazhit.

Organizatat me operacione profesionale të anketimit kanë shumë më pak gjasë që të bëhen pre e këtyre problemeve se sa ato që zhvillohen nga vullnetarë profesionistë, të cilët janë zakonisht më pak të besueshëm. Duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm për sa i përket sondazheve që zhvillohen nga studentë të patrajnuar dhe të pambikëqyrur në mënyrë të kujdesshme. Ka patur mjaft raste kur një pjesë e rezultateve që janë raportuar nga studentët, janë bazuar në sondazhe të paqena.

Duhet që përherë të pyesim nëse rezultatet e sondazhit janë “peshuar” (weighted). Ky proces përdoret zakonisht për të marrë në konsideratë grupe të veçanta demografike, duke iu dhënë atyre mundësi të barabarta përzgjedhjeje dhe duke e përshtatur lehtësisht përfaqësimin e tyre në kampion. Gjithashtu, duhet të jemi të vetëdijshëm se një sondazh mund të manipulohet padrejtësisht nga peshimi i numrave për të prodhuar rezultatin e dëshiruar.

Ndërkohë që njëfarë peshimi mund të jetë i përshtatshëm, disa prej praktikave të peshimit mund të mos jenë të tilla. Peshimi në një sondazh shkencor mund të jetë i përshtatshëm vetëm atëherë kur duhet të pasqyrojë probabilitetin e pabarabartë ose kur duhet të përshtatë një vlerë të pavarur ndryshoreje që në shumicën e rasteve ka një vlerë konstante.

 14. Çfarë pyetjesh janë kërkuar nga intervistuesit?

Duhet që të gjejmë formulimin e saktë të pyetjeve të sondazhit. Përse? Për shkak se formulimi i pyetjeve mund të shkaktojë diferenca madhore në rezultate. Ndoshta, testimi më i mirë i një sondazhi është edhe reagimi juaj ndaj tij. Në shikim të parë, a duket se pyetjet mund të jenë të përshtatshme ose të paanshme? A përfaqësojnë ato mundësi për zgjidhje të baraspeshuara? A do të ishte në gjendje shumica e njerëzve t’iu përgjigjej këtyre pyetjeve?

Për sa i përket pyetjeve me një ndjeshmëri të veçantë – siç mund të jetë p.sh., aborti – ndoshta, do të duhej që në raportim të përfshihej formulimi i plotë i pyetjes për këtë rast. Do të ishte gjithashtu me vend që të krahasoheshin rezultatet e sondazheve të ndryshme të kryera nga organizata të ndryshme për sa iu përket çështjeve me një ndjeshmëri të veçantë.

15. Sipas cilës renditje janë parashtruar pyetjet?

Ndonjëherë, edhe vetë renditja e pyetjeve në një pyetësor mund të ketë ndikim në rezultatin e sondazhit. Shpesh, ky lloj ndikimi është i qëllimshëm; ndërsa, ka edhe raste që nuk mund të flitet për diçka të tillë. Ndikimi që mund të ketë renditja e pyetjeve në pyetësor mund të jetë shpesh jo lehtësisht i dallueshëm.

Për shembull, nëse njerëzit pyeten gjatë një periudhe të vështirë ekonomike se çfarë mendojnë ata për ekonominë përpara se të pyeten për presidentin apo kryeministrin, atëherë, rezultatet e shkallës së preferencës në publik për këta dy të fundit do të ishin me gjasë më të ulëta se çka do të ishte nëse renditja e pyetjeve do të ishte e kundërt. Dhe natyrisht që, gjatë periudhave të lulëzimit ekonomik, e kundërta është e vërtetë. Ajo çka është e rëndësishme këtu, ka të bëjë me faktin se pyetjet që renditen përpara pyetjeve kritike në një pyetësor, mund t’i shtrembërojnë rezultatet e sondazhit.

 16. Po për të ashtuquajturit “push polls?”

Përgjatë viteve të fundit, disa fushata politike dhe grupe të veçanta interesi kanë përdorur një teknikë të veçantë, e cila quhet “push polls,” dhe ka të bëjë me përhapjen e thashethemeve dhe madje edhe thjesht mashtrimeve ndaj kundërshtarit. Këto nuk mund të quhen sondazhe, por manipulime politike që përpiqen të fshihen pas tymnajës së një sondazhi të  mirëfilltë të opinionit publik.

Në një “push poll,”njerëzit telefonohen dhe pyeten nëse dëshirojnë të marrin pjesë në një sondazh të qëllimtë. “Pyetjet” e sondazhit janë në të vërtetë akuza të maskuara dobët ndaj kundërshtarit ose përsëritje e thashethemeve ndaj sjelljes personale apo profesionale të një kandidati të caktuar. Qëllimi i tyre është që organizata e sondazhit të sigurohet se sa janë dëgjuar dhe kuptuar nga të anketuarit akuzat në fjalë dhe jo mbledhja e opinioneve të të anketuarve.

“Push polls” duhet të dallohen nga disa lloje të tjera legjitime sondazhesh që kryhen nga fushatat politike. Herë pas here, një sondazh i një fushate të caktuar politike mund të bëjë një seri pyetjesh rreth pozicioneve kundërthënëse të kandidatëve për çështje të caktuara – ose, mund të shprehen mendime të ndryshme rreth një kandidati, disa prej të cilave mund të jenë negative. Këto pyetje legjitime kërkojnë që të testojnë reagimin e publikut ndaj pozicionit të kandidatit ose të ndërtojnë një sulm të mundshëm legjitim në historikun e veprimtarisë së kandidatit.

Një sondazh legjitim mund të dallohet zakonisht nga një “push poll” nga: numri i thirrjeve telefonike të kryera – një “push poll”mund të arrijë mijëra e mijëra telefonata, në vend të qindra të tillave që përdoren zakonisht për një sondazh të mirëfilltë; identiteti i atyre që kryejnë thirrjet telefonike – një firmë sondazhesh për një sondazh shkencor apo një agjenci telemarketing, ose vetë përfaqësuesit e fushatës për një “push poll;” mungesa e një mbledhjeje të vërtetë të rezultateve në një “push poll,” i cili ka për objektiv të vetëm shpërndarjen e informacionit të pavërtetë ose çorientues.

17. Çfarë sondazhesh të tjera janë kryer për këtë çështje? A thonë sondazhet e tjera të njëjtën gjë? Nëse janë të ndryshme, përse ndodh diçka e tillë?

Rezultatet e sondazheve të tjera – nga një gazetë apo një stacion televiziv, një firmë e sondazheve publike apo madje edhe nga kandidati kundërshtar – duhet të përdoren për të verifikuar dhe ballafaquar rezultatet e sondazhit në fjalë. Nëse rezultatet e sondazheve ndryshojnë, së pari duhet kontrolluar koha e kryerjes së intervistave. Nëse sondazhet janë kryer në kohë të ndryshme, atëherë rezultatet e ndryshme mund të pasqyrojnë një ndryshim në opinionin publik. Nëse sondazhet janë kryer pothuajse në të njëjtën kohë, atëherë duhet pyetur çdo sponsor i sondazhit për një shpjegim të diferencave. Sondazhet kontradiktore përbëjnë shpesh burimin për artikuj interesantë në shtyp.

18. Po për sa i përket të ashtuquajturve “exit polls?”

Atëherë kur ‘exit polls’ kryhen në mënyrën e duhur, ato mund të shërbejnë si një burim informacioni rreth zgjedhësve në një situatë të caktuar zgjedhore. Ato janë mundësia e vetme për të sonduar votuesit aktualë dhe vetëm votuesit. Ka disa  çështje që duhet të merren në konsideratë në raportimin e rezultateve të ‘exit polls’-ave.

Së pari, ‘exit polls’ raportojnë se çfarë besojnë se kanë votuar zgjedhësit. Për shembull, zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 në SHBA treguan se votuesit mund të mendojnë se kanë votuar për një kandidat të caktuar, por ndërkohë, votat e tyre mund të mos jenë regjistruar. Ose, në disa raste të tjera, votuesit kanë votuar aktualisht për një kandidat të ndryshëm nga ajo ç’ka ata kanë besuar paraprakisht se kanë votuar.

Së dyti, votuesit në mungesë (absentee voters) nuk përfshihen në shumicën e ‘exit polls’-ave. Në shtetet ku ka një numër të madh votuesish që votojnë më herët ose në mungesë, atëherë duhet të kombinohen ‘exit poll’-sat me një sondazh telefonik të këtyre të fundit për të matur opinionin e zgjedhësve. Në ndonjë rast të veçantë, mund të ketë një numër të madh zgjedhësish në mungesë, ndërkohë që nuk është kryer asnjë sondazh i kësaj kategorie, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që të raportojmë se ‘exit poll’-i ka të bëjë vetëm me votuesit në ditën e zgjedhjeve.

Së treti, duhet të sigurohemi se kompania që ka kryer ‘exit poll’-in ka një historik të mirë në këtë fushë. Shumë prej ‘exit poll’-eve kryhen në një numër mjaft të kufizuar qendrash votimi nga njerëz që nuk kanë përvojën e duhur me metodat e sondazhit. Rezultate të tilla mund të jenë çorientuese.

19. Çfarë të dhënash të tjera duhet të përfshihen në raportimin e rezultateve të sondazhit?

Elementi kyç në raportimin e sondazheve është konteksti. Kjo nuk do të thotë thjesht se duhet të krahasohen rezultatet e sondazhit në fjalë me rezultate të sondazheve të tjera të kryera në të njëjtën kohë ose më herët se i pari, por kjo do të thotë gjithashtu, se është e nevojshme të raportohet se cilat ngjarje mund të kenë ndikuar në rezultatet e sondazhit.

Një raportim i mirë i rezultateve të një sondazhi nuk përmban vetëm rezultatet e sondazhit, por gjithashtu e ndihmon lexuesin me elementë të tjerë për interpretimin e këtyre rezultateve. Nëse sondazhi tregon një ulje të vazhdueshme në besueshmërinë e konsumatorit madje edhe nëse treguesit kryesorë ekonomikë mund të jenë përmirësuar, atëherë raporti duhet të përfshijë edhe analizën e faktit nëse njerëzit i kanë vënë re përmirësimet në ekonominë e jetës së tyre të përditshme.

Nëse një kandidat tregon përmirësim të dukshëm në garën elektorale, atëherë do të duhej ndoshta të raportonim për milionat e dollarëve të shpenzuar në reklamë përpara kryerjes së sondazhit. Vendosja e sondazhit në kontekstin e duhur duhet të jetë një pjesë kryesore e raportimit të rezultateve të sondazhit.

20. Pasi i kam parashtruar të gjitha pyetjet e mësipërme, dhe përgjigjet duken të mira, a duhet që t’i raportojmë rezultatet e sondazhit?

Po, për arsye se organizatat me reputacion të sondazheve kryejnë në mënyrë të vazhdueshme një punë të lavdërueshme në anketimin e opinionit publik. Megjithatë, kujtoni se vetë ligjet e teorisë së probabilitetit shprehen se rezultatet e një sondazhi në çdo 20 të tilla mund të jenë të ndryshme nga opinionet e vërteta të publikut, pikërisht, për shkak të gabimit në përzgjedhjen e kampionit.

Gjithashtu, duhet të kujtojmë se pavarësisht se sa mirë është kryer një sondazh, apo se sa i gjerë është kufiri i gabimit, ose sa i madh është kampioni, një sondazh para-elektoral nuk do të thotë se njëri nga kandidatët e ka “siguruar” fitoren në këtë garë. Situatat në politikë ndryshojnë shpesh – dhe madje ndonjëherë, ato ndryshojnë në mënyrë dramatike. Pikërisht për këtë arsye bëjnë fushatë edhe kandidatët e ndryshëm.

Nëse një sondazh do të kryhej në mënyrën e duhur, dhe nëse do të kishim mundësinë të siguronim informacionin e përmendur më sipër, atëherë çdo gazetar, redaktor apo specialist mund të ketë gjykimin e vet për sondazhin në fjalë, si për çdo element të një artikulli tjetër të çfarëdoshëm.

Pavarësisht këtyre vështirësive, sondazhet e opinionit publik, nëse kryhen në mënyrën e duhur, janë ende njësia matëse objektive më e mirë e gjendjes së opinionit publik.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s