Pollo hap “tenderin e skandalit”

Transmetimet dixhitale, 4 kompani në garë, mes tyre dhe pretendentët gjermanë
g-pollo2Pavarësisht se dosja me pretendimet se ka shkelje ka shkuar në prokurori për t’u hetuar, ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë, Genc Pollo, realizoi dje hapjen e tenderit, ku në garë morën pjesë katër kompani. Mësohet se kompani me famë botërore si suedezja “Ericsson”, japonezja “Nec”, kinezja “Huawei”, si dhe kompania gjermane “Rohde&Schwarz” ishin pjesëmarrëset në këtë tender. Mendohet se gjermanët janë favoritë, ndërsa opozita, më herët, ka hedhur dyshimet për mungesën e transparencës në tender.
“Kjo garë është ndërtuar me kërkesa të larta kualifikuese, si në aspektin teknik dhe ligjor, ashtu edhe në atë financiar dhe zbatues. Vlerësimet do të jenë transparente dhe me sistem pikëzimi të shpallur në Kërkesën për Ofertë”, u shpreh ministri Pollo.
Kalimi nga transmetimet televizive analoge në transmetimet dixhitale është një kompetencë e detyrim për t’u realizuar nga qeveria shqiptare, sepse brezi i frekuencave për transmetimet radiotelevizive është një pasuri kombëtare, që, si kudo në botë, administrohet nga qeveria. Detyrimi i drejtpërdrejtë i qeverisë është edhe koordinimi ndërkufitar i frekuencave radiotelevizive. Vendimi i Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU) i Gjenevës në vitin 2006, (GE-06) është detyrues për qeverinë shqiptare, pas ratifikimit të tij në Kuvend në vitin 2007.
Dy deputetët e opozitës, Alfred Dalipi dhe Taulant Balla janë marrë gjatë me çështjen e dixhitalizimit të transmetimeve dhe pasi kanë grumbulluar prova, e kanë çuar dosjen për hetim në prokurori.
“I bëjmë apel prokurorisë që të nisë një hetim sa më shpejt për të parandaluar një vepër penale, e cila do të detyronte autoritetet dhe shtetin shqiptar pas kryerjes së tenderit në detyrime financiare”, theksoi Dalipi. Nga ana tjetër, deputeti Balla i konsideroi fare të hapura shkeljet e ministrisë që drejton Pollo, duke theksuar se ministri po kërkon të përfitojë sa më shumë dhe sa më shpejt përpara se të largohet nga pushteti. “Tenderi është njoftuar që do të mbahet më datë 13 dhe vetëm katër ditë më pas do të shpallet fituesi dhe brenda dy javëve do të lidhet kontrata. Sigurisht që e gjitha kjo bëhet me qëllimin e qartë, që të mbyllet sa më shpejt, sepse 23 qershori po vjen, se qoftë Pollo, qoftë Berisha nuk do të jenë më në qeverisje pas 23 qershorit”, theksoi Balla.
Sakaq, gazeta “Shqip” ka publikuar me fakte (shkresa zyrtare) etapat e zhvillimit të tenderit, mënyra se si është vepruar, duke ngritur dyshime mbi procedurat e ndjekura, ndërsa opozita thotë se ministri Pollo është duke kryer pazaret e fundit, në tenderin me vlerë 20 milionë euro.
Realizimi i dixhitalizimit të televizioneve duhet të bëhet brenda dy vitesh, pra afati i fundit është mesi i muajit qershor 2015. Pas këtij afati, të gjithë transmetimet analoge në Europë janë të ndaluara, rrjedhimisht edhe vendi ynë nuk mund të mbetet pa transmetime televizive. Synimi është të mbulohet fillimisht 90% e popullsisë me transmetime dixhitale. Pjesa e pambuluar e popullsisë do të shërbehet nëpërmjet transmetimit satelitor. Ashtu siç është bërë edhe në shtetet e tjera europiane, qeveria shqiptare do të subvencionojë dekoderët për familjet në nevojë.
Kjo garë ndërkombëtare bazohet në Strategjinë për Kalimin nga Transmetimet Televizive Analoge në transmetime Numerike (Dixhitale) miratuar një vit më parë, në maj 2012.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s