Vendet më të këqija për të qenë gazetar

Çdo vit në këtë kohë, Freedom House publikon një raport mbi gjendjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve nëpër botë. Të dhënat e përgjithshme të vitit 2012 ishin të mjerueshme. Vetëm 14 për qind e popullsisë së botës jeton në një shoqëri ku gëzojnë mbulim vibrant të çështjeve të brendshme dhe të jashtme, një mjedis ligjor të favorshëm për ushtrimin e shtypit të lirë dhe mungesën e ndërhyrjes nga ana e qeverisë apo forcave politike në punët e medias.

Ndërkohë, vendet e listuara më poshtë janë pjesë e një liste akoma më të errët. Ata janë dhunuesit më të egër të lirisë së shtypit në botë. Një pjesë e mirë e këtyre vendeve kanë një Kushtetutë që njeh dhe mbron të drejtën e fjalës dhe informimit, por në realitet kjo mbrojtje shkelet me këmbë nga ligjet që kriminalizojnë shtypin, i cili sipas qeverisë, ofendon lidershipin politik, përhap urrejtje, mbështet terrorizmin apo kërcënon sigurinë kombëtare.

Metodat e përdorura për të ruajtur një regjim censure variojnë që nga sjelljet kriminale e deri tek taktikat e tjera më të moderuara. Mungesa e dhunës së dukshme nuk tregon domosdoshmërisht se një vend gëzon një ambient më të lirë mediatik në krahasim me vendet e tjera ku gazetarët vriten nën dritën e diellit. Dekada të tëra kontrolli totalitar në Korenë e Veriut dhe Kubë i kanë bërë pothuajse inekzistente të gjitha përpjekjet e gazetarisë së pavarur.

Shumë njerëz janë të bindur se interneti dhe format e tjera të medias moderne do të jenë instrumentet kryesore të çlirimit të të shtypurve, por fatkeqësisht një pjesë e mirë e vendeve që bëjnë pjesë në këtë listë, kanë një nivel tepër të ulët aksesi ndaj internetit. Megjithatë, është ende pikëpyetje nëse këto metoda të censurimit dhe distancimit të medias nga çështjet politike të vendit do të arrijnë të mbijetojnë në një kohë kur edhe vetë këto shtete kërkojnë të integrohen në ekonominë globale.

Koreja e Veriut

Nga Kim Il Sung tek Kim Jong Il e më pas tek Kim Jong Un, Koreja e Veriut ka ruajtur të sigurtë ambientin më të keq të mundshëm mediatik në botë. Partia qeveritare zotëron shtypin në të gjithë tërësinë e tij dhe i dedikon shumë energji dhe burime parandalimit të interpretimit alternativ të ngjarjeve nga ana e koreanoveriorëve.

Sipas Kushtetutës së vendit, mbulimi i lajmeve konform “shpirtit kolektiv”, një frazë që praktikisht imponon krijimin e imazhit të liderit si personi më i dashur për popullin dhe më i frikshëm për disidentët. Edhe pse është lejuar që “Associated Press” të ngrinte një byro në Penjan, gazetarët e huaj kontrollohen në çdo hap nga roje speciale, të cilët konfiskojnë telefonin e tyre sapo mbërrijnë, ruajnë çdo shans takimi me njerëzit e zakonshëm dhe minitorojnë me kujdes çdo lëvizje të tyren.

Edhe pse Koreja e Veriut e ka mbajtur gjithjë shumë të ulët nivelin e penetrimit në internet, shteti ka filluar të kuptojë potencialin e madh të medias së re si një tjetër instrument i fuqishëm propagande, si për audiencën e brendshme, ashtu edhe për atë të jashtme. Koreja e Veriut madje ka një faqe të vetën zyrtare të YouTube dhe Twitter. Lidhja me internetin është e kufizuar vetëm për një numër zyrtarësh të rangut të lartë dhe akademikësh, të cilët miratohen nga qeveria. Qytetarët e thjeshtë mund të kenë akses vetëm në një rrjet kombëtar interneti, i quajtur Kwangmyong, i cili nuk lidhet me saitet e huaja.

Bjellorusia

Fakti që Bjellorusia ndodhet në këtë listë nuk është aspak i çuditshëm, duke patur parasysh që Presidenti Alexander Lukashenko pretendon se, “nuk ka asgjë më të padurueshme për njeriun se sa liria”. Ai ia ka dedikuar 19 vitet e tij të pushtetit misionit të heqjes së barrës së lirisë nga qytetarët. Ai ka mbyllur njëra pas tjetrës të gjitha gazetat e pavarura dhe stacionet televizive, ka përdorur median shtetërore si një armë propagandistike dhe ka arrestuar, gjobitur apo kërcënuar të gjithë gazetarët që i rezistonin llojit unik të komunizmit të Lukashenkos. Autoritetet ndëshkojnë rregullisht ose mbyllin mediat që publikojnë materiale, të cilat “nuk i korrespondojnë realitetit” apo kërcënojnë “interesat e shtetit”. Ligji gjithashtu vendos penalitete kundër gazetave që raportojnë deklaratat e partive politike apo OJQ-ve që kanë për qëllim të “diskreditojnë Republikën e Bjellorusisë”.

Qeveria njeh mediat kombëtare, ndërkombëtare, si dhe aktivistët e shtypit të lirë, si subjekte të kërcënimit politik të vazhdueshëm për raportimin e abuzimit të të drejtave të njerëzit apo të demonstratave të paautorizuara. Zyrtarët ngacmojnë sistematikisht Shoqatën e Gazetarëve të Bjellorusisë në mënyrë që të mos ushtrojë detyrën e saj të mbrojtjes së gazetarëve, ndërkohë që televizionet shtetërore paraqesin pseudodokumentarë të krijuar pikërisht për të kërcënuar në mënyrë indirekte shoqatën dhe liderët e saj, gazetarët e huaj, Iryna Khalip, korrespondentja e gazetës ruse “Novaya”. Gazeta në Bjellorusi, gjeti një pulë me kokë të prerë në kutinë e saj postare, pasi kishte shkruar artikuj që kritikonin qeverinë.

Kuba

Edhe pse ndodhemi në shekullin XXI, Kuba arrin ende të ruajë një regjim censure që ndryshon shumë pak me politikat që drejtonin Bashkimin Sovjetik gjatë epokës së Brezhnjevit. Kushtetuta ka vendosur klauzola për lirinë e fjalës, të cilat janë vula e shumë vendeve represive. Si fillim, ajo ndalon shprehimisht pronësinë private të gazetave dhe lejon gazetarinë dhe fjalën e lirë vetëm nëse ato i “qëndrojnë konform qëllimeve të Partisë Socialiste”. Neni 19 i Kodit Penal sanksionon burgim me kohë të gjatë, madje edhe vdekje për të gjithë ata që veprojnë “në kundërshtim të pavarësisë apo integritetit territorial të shtetit”, ndërsa neni 88 i ligjit për Mbrojtjen e Pavarësisë Kombëtare dhe Ekonomisë së Kubës, përcakton dënimin me 20 vjet burg për akte “që synojnë të shkatërrojnë rregullin e brendshëm të kombit, si dhe sistemin e tij ekonomik, politik dhe social”.

Pritshmëria për një ambient mediatik më të relaksuar u zbeh në vitin 2012. Pas optimizmit të vitit 2010, kur u liruan nga burgu gazetarët e arrestuar në vitin 2003 gjatë “Pranverës së Zezë” kur qeveria arrestoi 75 disidentë kubanezë, filloi menjëherë fushata e egër kundër medias. Gazetarët e pavarur kubanezë u bënë subjekt kërcënimi dhe burgimi arbitrar për shkak të raportimit të çështjeve të konsideruara delikate nga ana e qeverisë, për mbulimin mediatik të eventeve ndërkombëtare, si dhe për çdo kritikë të drejtuar ndaj shtetit. Këto ngacmime u kthyen në burgosje afatshkurtër arbitrare, internime, arreste shtëpie, si dhe në bllokime të shërbimit telefonik për individë të caktuar.

Deri në fund të vitit 2012, dy gazetarë të arrestuar morën dënime tepër të egra duke i shtyrë njerëzit t’i frikësoheshin rikthimit të epokës së vjetër të represionit. Shtypja e medias ka qenë veçanërisht e egër gjatë vizitës së Papa Benediktit XVI, kur një numër i madh gazetarësh u arrestuan, ndërkohë që të tjerëve nuk iu lejua të ndiqnin turmat e hapura të njerëzve që shkonin pas Papës drejt qytetit të Santiago de Cuba dhe Havanës.

Vetëm 23 për qind e kubanezëve kanë akses ndaj internetit, ndërkohë që më pak se 10 për qind arrijnë të futen në web. Pjesa më e madhe e përdoruesve të internetit mund të navigojnë vetëm në një internet të mbyllur dhe të kontrolluar, ku përfshihet enciklopedia, adresat e e-mail-it që përfundojnë me “.cu”, të cilat përdoren nga universiteti dhe qeveritarët, si dhe disa faqe zyrtare të qeverisë.

Irani

Sulmi kundër të drejtës së fjalës vazhdon të rritet me hapa të përshpejtuara në Republikën islamike. Trendi i kohëve të fundit ka qenë ndalimi i librave. Rreth 250 tituj “subversivë” librash janë ndaluar në Panairin e Librit Ndërkombëtar në Teheran gjatë vitit 2012 dhe shtëpisë botuese “Cheshmeh”, më e madhja në Iran, iu revokua licenca në korrik të vitit 2012, për shkak se kishte botuar një libër “ofendues” për Imam Hossein.

Qeveria kontrollon në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha televizionet dhe transmetimet radiofonike. Antenat satelitore ndodhen kudo në vend edhe pse janë shpallur të jashtëligjshme, duke u shoqëruar me konfiskim dhe gjoba të majme. Autoritetet shpeshherë japin urdhra të përkohshme për ndalimin e mbulimit mediatik të disa çështjeve apo eventeve të caktuara përfshirë këtu edhe impaktin ekonomik të sanksioneve ndërkombëtare, fatin e liderëve të opozitës, si dhe kritikat kundër politikës bërthamore të vendit.

Bashkëpunimi me kanalet satelitore në gjuhën perse me seli jashtë vendit është i ndaluar. Qeveria gjithashtu ka ushtuar presion mbi anëtarët e familjeve të gazetarëve që jetojnë jashtë shtetit, përfshirë këtu punonjësit iranianë të “BBC”-së, të cilët janë ngacmuar, interroguar dhe arrestuar herë pas here nga aparati i sigurisë dhe inteligjencës. Vitin e kaluar, qeveria urdhëroi mbylljen e Shtëpisë së Kinemasë, një shoqatë profesionale e pavarur, e cila mbështeste mbi 5 mijë regjisorë dhe artistë iranianë.

Shumë gazeta të përditshme janë mbyllur për çështje morale apo të sigurisë kombëtare në vitin 2012, përfshirë edhe gazetën e pavarur “Maghreb”, e cila u akuzua se kishte dhunuar ligjin e shtypit, për shkak të publikimit të një karikature të Presidentit Ahmadinejad. Në shenjë dëshpërimi, Ali Akbar Javanfekr, këshilltar i Ahmadinejadit dhe agjencisë shtetërore të lajmeve, u burgos për gjashtë muaj, për shkak se kishte raportuar lajme me përmbajtje të kundërt me standardet islamike. Më tej, një gjykatë speciale për mediat vendosi të shpallte shefen e byrosë së “Reuters” në Iran, Parisa Hafezi, fajtore për “përhapje gënjeshtrash”, për shkak se kishte publikuar historinë e një gruaje, e cila praktikonte arte marciale në Iran. Gjykata kështu vendosi të ndërpriste edhe veprimtarinë e byrosë në vend. Irani renditet shteti i dytë në botë për numrin më të madh të gazetarëve të burgosur, me 45 të tillë që vuanin ende dënimin në vitin 2012.

Aksesi ndaj internetit është rritur gjatë viteve të fundit, por autoritetet kanë vendosur ligje drakoniane dhe praktika të egra për të ndaluar aksesin ndaj mjeteve të komunikimit, për të persekutuar disidentët në bazë të aktivitetit të tyre në rrjet, si dhe për të përforcuar apartin e censurës së shtetit. Mediat kryesore sociale të botës si Facebook, Twitter apo YouTube janë bllokuar pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe numri i faqeve të internetit që merren me propagandë politike mbyllen çdo ditë, vazhdon të rritet.

Siria

Gazetarët natyrisht nuk janë imunë ndaj thertores siriane. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 28 të tillë janë vrarë gjatë vitit 2012 dhe përgjegjësia ndahet mes regjimit të Assad-it dhe opozitës. Kushtet kanë qenë tepër të këqija për gazetarët edhe para fillimit të konfliktit aktual. Ligji i medias i miratuar në vitin 2001, lejon kontrollin e shtetit në të gjithë median e shkruar dhe atë vizive, duke ndaluar edhe raportimin e çështjeve që konsiderohen delikate nga ana e qeverisë si çështjet e sigurisë kombëtare apo unitetit kombëtar dhe në të njëjtën kohë ndalon publikimin e informacioneve të pasakta në bazë të interpretimit të shtetit. Individët që akuzohen se kanë thyer ligjin e medias mund të dënohen nga 1 deri në 3 vjet burg dhe të gjobiten me 10 mijë deri në 20 mijë dollarë. Gjithashtu, Kryeministri ka në dorë autoritetin për të lëshuar ose revokuar licencën e gazetarisë.

Në vitin 2011, Assad-i nxori një ligj të ri për median, i cili ndalonte “monopolin mediatik”, garantonte të drejtën për të patur akses ndaj informacioneve të çështjeve publike dhe ndalonte arrestimin, interrogimin apo shpalljen në kërkim të gazetarëve. Megjithatë, ligji vazhdonte t’i ndalonte mediave publikimin e përmbajtjeve që ndikonin në sigurinë kombëtare dhe unitetin kombëtar, duke nxitur konflikte sektariane apo krime të frymëzuara nga urrejtja. Më tej, ligji ndalon publikimin e çdo informacioni në lidhje me forcat e armatosura. Neni 3 thekson se ligji garanton të drejtën e fjalës së lirë të garantuar në Kushtetutën e Sirisë dhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, por neni 4 shkon më tej duke thënë se, “media duhet të respektojë të drejtën e fjalës së lirë duke e praktikuar atë me ndërgjegjësim dhe përgjegjshmëri. Jo çuditërisht, qeveria vazhdoi të arrestonte gjithnjë e më shumë gazetarë me justifikimin e “sigurisë kombëtare”.

Bahreini

Kufizimet mbi shtypin janë përkeqësuar ndjeshëm që nga protestat prodemokraci të vitit 2011. Kontrolli mbi mediat bëhet i thjeshtë dhe i qartë nëpërmjet faktit që qeveria zotëron të gjitha kanalet e transmetimeve dhe pronarët privatë e këtyre gazetave kryesore të vendit kanë lidhje tepër të ngushta me shtetin. Qeveria dhe mbështetësit e saj e kanë përdorur shtypin për të dhunuar akoma më shumë të drejtat e njeriut dhe aktivistët e opozitës. Vetëcensurimi inkurajohet nga ligji i shtypit i miratuar në vitin 2012, i cili lejon shtetin të arrestojë dhe burgosë gazetarët që kritikojnë mbretin ose islamin apo që kërcënojnë “sigurinë kombëtare”.

Shumë gazetarë të brendshëm janë arrestuar dhe burgosur pa mandat arresti dhe dëshmitë e tyre janë nxjerrë nëpërmjet torturës. Ali Abdulemam, kontribuesi kryesor i faqes zyrtare të opozitës “Bahrain Online”, është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata Ushtarake në vitin 2011.

Qeveria vazhdon të bllokojë faqet e opozitës, përfshirë këtu edhe transmetimin e protestave në stacionet televizive. Autoritetet kanë penguar edhe punën e gazetarëve të huaj nëpërmjet mohimit të vizave apo arrestimet dhe dëbimet e tyre jashtë vendit, për shkak se janë përpjekur të raportojnë lajmet e protestave demokratike. Një media e pavarur ekziston vetëm për shkak se ndodhet jashtë vendit e megjithatë, qeveria ka shpenzuar sasi të jashtëzakonshme parash për censurën kibernetike dhe ka rritur me efektivitet të bllokojë të gjitha të dhënat që burojnë nga faqet e huaja të internetit.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s