Patrick Poivre d’Arvor: Nuk është fundi i gazetarisë; mediat sociale strehë për anonimët

p-poivreI ftuar nga Universiteti Europian i Tiranës, gazetari dhe shkrimtari i njohur francez, Patrick Poivre d’Arvor, në një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë foli rreth rolit të gazetarit, si ka ndryshuar ai me ndryshimet teknologjike dhe mediat e reja dhe marrëdhënien e politikës dhe mediat në Europën e sotme

Një gjë është e sigurt: profesioni i gazetarit duhet të ekzistojë dhe të rezistojë pavarësisht se ndryshimet teknologjike të shekullit XXI, duket se duan t’ia rrëmbejnë pozicionin strategjik si ndërmjetësi mes informacionit dhe publikut. Ky ishte mesazhi kryesor që përcolli ditën e djeshme për studentët e Komunikimit në UET, gazetari dhe publicisti i njohur francez, Patrick Poivre d’Arvor. Në një bashkëbisedim prej rreth 60 minutash ai foli rreth profesionit të gazetarit dje dhe sot dhe lidhjes së gazetarisë me politikën, duke ndarë edhe detaje e episode nga karriera e tij 31-vjeçare në televizion dhe kontaktet e drejtpërdrejta që ai ka pasur me shumë liderë botërorë.

Megjithëse ka vizituar rreth 165 shtete të botës gjatë jetës së tij, kjo ishte vizita e parë e Poivre d’Arvor në Shqipëri. Ai tha se Shqipëria ka një imazh neutral në Francë, por është në dorën e  vetë shqiptarëve të ndërtojnë një imazh pozitiv dhe ta bëjnë vendin më të njohur e më të vizitueshëm nga turistët. Më pas ai iu drejtua me një mesazh inkurajimi të rinjve që aspirojnë karriera në fushën e medias. “Nuk e di sa prej jush duan të bëhen gazetarë, por ju inkurajoj të guxoni me një mendim të hapur, sepse kjo është mënyra që shoqëria mund të ndryshojë perceptimin për fenomene, personazhe, ngjarje dhe për pasojë edhe për vendin tuaj”.

PYETJET NGA AUDITORI

Po ju bëj një pyetje disi naive: A mendoni se ekziston manipulimi politik i massmedias?

Pyetja nuk ishte aspak naive. Duke qenë se ju keni qenë laborator i manipulimit të masmediave  dhe e dini mjaft mirë, por konteksti botëror ka ndryshuar dhe futja në lojë e mediave të reja e ka bërë atë më komplekse dhe shanset e një manipulimi total janë më të vogla tani.

 

Sa e vështirë është të ruhet identiteti dhe pavarësia e gazetarit kur ka miqësi me politikanët?  

Mund ta ruash integritetin dhe kjo ndodh, por duhet parë çfarë ka pas politikanëve. Në disa raste ka abuzim në kuptimin e korrupsionit apo autoritarizëm dhe në këto raste është e vështirë t’u bësh ballë, dhe kjo nuk është specifike vetëm për vende si Shqipëria, por për të gjitha vendet. Por, mund t’i bëhet ballë!

Ka një fenomen në rritje, ku triumfon media në kurriz të gazetarisë, media në kuptimin e kanaleve përmes të cilave kalon pushteti në mënyrë të pakontrolluar në kurriz të ‘filtrit’, që duhet të ishte gazetaria. A ngjet edhe në Francë kjo?  

Besoj se është e tejkaluar në Francë dhe kjo vjen me nivelin e arsimit të shoqërisë. Por ka gjithmonë një lloj konflikti dhe koshience individuale që i përballon përpjekjet për manipulim. Ajo që ndodh në Francë në media është dekriptimi, çmontimi i realiteteve mediatikë dhe politikë, zbulimi i të gjitha situatave me prirjen për të manipuluar apo kontrolluar. Besoj se edhe në vendet e tjera ku koshienca individuale bëhet masive, ndodh dekriptimi dhe zbulimi i të fshehtave.

Ju keni njohur dhe intervistuar shumë presidentë francezë dhe liderë botërorë. A mund të na tregoni ndonjë detaj nga takimet me ta që ju ka lënë përshtypje?  

Kam takuar presidentë francezë e të huaj, diktatorë gjithashtu, Gadafi, Sadam Husein, Fidel Kastro e të tjerë, por më shumë mbresa më kanë lënë gratë. Gra si Nënë Tereza, Indira Gandhi, Aung San Suu Kyi, që për mua është një shembull kuraje dhe guximi, e shumë të tjera…

Media pa politikën mund të bëjë, por nuk mund të ndodhë e kundërta. Nga ana tjetër kemi rastin e Bepe Grillos, i cili nuk u beson më mediave tradicionale, por u beson mediave sociale. A mendoni se ka ardhur fundi i medias tradicionale?

Është e drejtë që Bepe Grillo del kundër mediave tradicionale të Italisë, kemi mediat private në pronësinë e Berluskonit dhe ato publike, nën mbikëqyrjen e qeverisë. Por, megjithëse Henri thotë se gazetarët janë komunistë, ekzistojnë hapësirat për individualizëm dhe nuk është nevoja të gjunjëzohesh. Prandaj, kjo është arsyeja që roli i gazetarit duhet të ekzistojë, ai që nuk është i lidhur me strukturat dhe duhet t’i japë vetes hapësira dhe në bashkëpunim me rrjetet sociale, profesioni i gazetarit duhet të mbetet, pavarësisht mediave.

Ju përmendët me të drejtë se në këtë sallë ka bij e bija të postkomunizmit. Si ndiheni ju si francez postkolonialist dhe, a mendoni se ka njëfarë parehatie në një Francë postkolonialiste, parehati që shprehet nëpërmjet antiamerikanizmit?

 

Megjithëse kolonializmi dhe komunizmi në thelb janë ide të bukura, gjatë rrugës ato deformohen apo bëhen perverse. Franca ka një pozicion pak më specifik, pasi ka zgjedhur një pozicion mes antiamerikanizmit dhe sovjetizmit.

Gazetari sot, është më shumë avokati i politikës apo i popullit?  

Gazetarët janë më së tepërmi nga ana e publikut, nuk shkoj deri atje sa të mendoj se janë pushteti i katërt apo kundërpushtet, por detyra dhe misioni i gazetarit është të qëndrojë dhe të bëjë pyetjet që kanë në mendje njerëzit dhe të përfaqësojë popullin e tij.

Ju keni raportuar ngjarje botërore për publikun francez, por po ndodh një fenomen i ri. Mediat lokale po informojnë publikun botëror. Si i shihni ndryshimet e fundit?  

Më përpara ishin të ndara, televizion lokal ishte më etatist, ndërsa ata ndërkombëtarë si CNN, ishin të amerikanizuar. Këto janë ndryshime pozitive dhe është një perspektivë tjetër. Ndoshta jo të gjithë janë dakord me këtë, por e rëndësishme është që ka qasje të tjera.

Ju thatë se keni botuar romanin e parë në moshën 17-vjeçare dhe se ka qenë një sukses. Çfarë kishte të veçantë në librat tuaj?

Libri është diçka që mbetet në krahasim me mijëra emisione televizive që kam bërë, të cilat ikin në ajër. Libri ka shumë rëndësi për mua. Një nga librat që ka bërë përshtypje është libri i një historie dashurie mes dy të rinjve dhe mesa duket ia qëllova me të.

Mendoni se media pasqyron interesat publike, apo është ajo që e furnizon me interesa shoqërinë?

Ndodh, për fat të keq shpesh, që mediat janë një lloj qarku i mbyllur dhe përsërisin atë që të  tjerët kanë thënë dhe riqarkullohet. Ajo që duhet është pluralizmi, shpejtësia, vijimësia e informacionit për të sjellë një media ndryshe.

Me rritjen e rolit të mediave sociale, por edhe ndryshimet teknologjike, gjithkush mund të raportojë ngjarjet, madje edhe me pamje. A mos vallë ka humbur roli i gazetarit të terrenit  dhe duhet të ripozicionohet gazetari si ndërmjetësi i informacionit me publikun?

Kjo është arsyeja që roli i gazetarit që është vënë në pikëpyetje duhet ekzistojë dhe të rezistojë, dhe nuk është e lehtë kjo gjë. Po ndodh fenomeni i të bërit të suksesshëm për 15 minuta në mediat e reja, por problemi është anonimiteti pas këtyre personave dhe atë që është anonim e me pseudonim unë e hedh në koshin e plehrave, pasi e shkatërron edhe vlerën që mund të ketë.

Kur pyetët z. Sarkozy se ju ngjante me një fëmijë të llastuar, ishte për shkak të sjelljes së tij politike, apo kishte gisht Carla Bruni? A ka në fakt një kufi ku gazetari duhet t’ia ndalojë vetes së bëri këto pyetje?

Gazetari nuk duhet t’ia ndalojë vetes pyetje të tilla, madje sa më ngacmues të ketë, aq më mirë është. Unë për vete nuk i kam ndaluar vetes asgjë. Ia kam bërë pyetjet thumbuese si Miteranit, ashtu edhe Sarkozisë. Është si roli i gaztorit të mbretit, që përmes anës gazmore thoshte edhe ca të vërteta thumbuese. Por nuk është rasti të ankohem këtu në Shqipëri për këtë, ku kam dëgjuar se ka shumë njerëz këtu që familjet dhe të afërmit u kanë vuajtur dënime.

Jetojmë në një botë që nuk e njohim dhe nuk dimë ç’do të  ndodhë. A keni një përkufizim tuajin për karakterin e epokës?

Nuk jam hyjnor apo ndonjë forcë intelektuale superiore që të posedoj përgjigje për këto tema, por duke njohur historinë e qytetërimeve të lashta, si ai grek, romak, them që Amerika do të bjerë së shpejti. Është krijuar nga asgjëja dhe do të bjerë së shpejti. Anglia dhe Portugalia kanë qenë maja e botës dhe sot janë aq sa janë. Ashtu edhe Franca. Ndoshta do të ketë epërsi të qytetërimit  kinez apo atij afrikan.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s