Liria hibride e shtypit

Nga Xhovani Shyti

Shqipëria është nga të rrallat vende që e manifeston të dyzuar konceptin e lirisë së shprehjes. Nëse do të pyesësh sot, p.sh, sa i lirë është një individ ta shprehë publikisht atë që dëshiron, do të marrësh përgjigjen “plotësisht i lirë”. Por krejt e kundërt do të jetë përgjigja nëse po të njëjtën pyetje do ta adresosh për shtypin e median.

“Nuk ekziston liri mediatike. Ka gazetari politike dhe shtyp pronarësh, por jo gazetari të lirë, jo shtyp të lirë”, është përgjigja standard e dhënë madje edhe nga disa prej atyre që e ushtrojnë profesionin e gazetarit të lirë në përditshmëri. Dhe këtu nuk ka kurrfarë kundërthënie, pasi e gjitha është një realitet. Si është e mundur që fjalën nuk e ndal kush të endet e lirë në hapësirën shqiptare, ndërkohë që media përkufizohet si e palirë, mund të pyesë i çuditur nga ky dualitet, gjithkush që nuk e jeton jetën në hapësirën territoriale prej 28 mijë km katrorë. Por çudia është vetëm e tij. Pasi për gjithkënd nga shqiptarët është mëse normale që nën sistemin politik hibrid, të ndërtuar përgjatë më shumë se dy dekadave në paskomunizëm, të jetë edukuar edhe koncepti i lirisë hibride të shprehjes.

Por, kujdes, pasi kur thuhet se një individ është plotësisht i lirë të shprehë publikisht gjithë sa mendon, duhet pasur parasysh se këtu nuk është fjala për individin institucional, por për atë patologjik, i cili i gjendur nën efektin e sëmundjeve të ndryshme psikike e mendore zgjedh ta nxjerrë dufin nëpër rrugë, sheshe, parqe, lokale dhe ambiente të ndryshme publike.

Ky lloj individi, që në zhargon thirret “filozof popullor”, mund të tjerrë lloj-lloj të vërtetash. Edhe të vërteta, vërtet të vërteta. Të artikuluara me lloj-lloj fjalësh. Por edhe mund të shajë, të fyej dhe të broçkullojë ç’të dojë e të mos ketë asnjë pasojë.

Mirëpo krejt e kundërta ndodh me individin institucional, tek i cili detyrimi zyrtarë për të thithur lirinë hibride të fjalës ka edukuar autocensurën. Dyzimin e karakterit të tij për të shprehur publikisht të vërtetë utilitare, pra atë që i shërben atij për vazhdimësinë normale të jetës, e për të ndrydhur të vërtetën e vërtetë. Ndrydhjen e asaj të vërtete që, për hatër të ruajtjes së vendit të punës, apo çfarëdo përfitimi të cenueshme nga zbrazja e lirë e fjalëve, ai e ndryn brenda vetes. “Jam i lirë të shpreh ato që mendoj kur jeta ime dhe e familjes nuk është e varur nga shteti dhe politika, por as që bëhet fjalë të guxoj, kur është e kundërta”,  përkufizoi Blerim K., një punonjës i administratës së nivelit të mesëm, dje në përvjetor të ditës ndërkombëtare të shtypit, që sikurse 1 Maji, tek ne në Shqipëri konceptohet si ditë feste dhe jo revolte për mungesën e lirisë.

Sjellja e Blerim K. është model sundues për cilindo nga kontigjenti i rreth njëqind mijë nëpunësve që përbëjnë strukturën e administratës zyrtare, radhët e të cilës flladiten sa herë ndryshon kreu i pushtetit. Apo kositen sa herë dikush prej pjesëtarëve të saj shprehet i lirë duke stigmatizuar strukturat e pushtetshme. Të jesh nëpunës, apo qoftë dhe punonjës i një organi mediatik apo shtypi të rreshtuar, dhe të shprehesh p.sh. kundër frymës shkëmbore e gojështhurjes së kryeministrit Sali Berisha, kundër thërrmimit të shkodranishtes nga kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, kundër diktimit të presidencës nga ekzekutivi, apo të artikulosh publikisht të vërtetën e qenies së Van Bodes katundar nga Rakicka, etj., do të thotë të presësh rrufetë. Ku më e shpejta do të të rreshtojë tek të papunët. Ty personalisht apo të afërmit e pafaj.

Kështu funksion jeta publike, por i hibridizuar në lirinë e tij paraqitet edhe pushteti i katërt, pra shtypi e media vizive, që në një sistem me demokraci të vërtetë duhet të jetë tempull i fjalës dhe i shprehjes së lirë.

Sa është e tillë media shqiptare? “Shumë pak. E lirë, kur duhet të përmbush synimet e pronarëve… E lirë kur duhet të përmbush synimet e politikës. E përdorur…”, janë përgjigje të dhëna nga individë të ndryshëm, që bashkohen në të njëjtën pikë dhe pikërisht në atë që shtypin e median e përkufizon pushtetsunduar.

Nga politika më së pari, nga padronati, më së dyti, por edhe nga  mediokriteti profesional dhe autocensura. Që prapa pjesës dërmuese të shtypit e medias qëndrojnë celula partiake dhe padronët janë hije e tyre, kjo nuk ka mëdyshje, por ajo që e hibridizon lirinë mediatike nuk është diktati i drejtpërdrejtë i tyre. Strukturat e redaksive janë ndërtuar të tilla që të mos lejojnë publikimin e të vërtetave të hidhura, që i ndihmojnë shumë jetës së përditshme të taksapaguesve, por prishin shijen e të pushtetshmëve. Në kupolën e këtyre redaksive preferohet të vendosen ca manekinë, të cilët nuk kanë pasur asnjë lidhje me gazetarinë.

Duke qenë kështu, liria më e madhe e shprehjes së tyre shkon deri tek togfjalëshi: “OK”, për gjithçka, kurse niveli i aftësisë profesionale ngrihet maksimalisht në rangun e censorit perfekt.

Kjo racë hibride drejtuesish nuk ka dyshim që në vend të fjalës e shprehjes së lirë, do ti lejojë shtypit e medias jo prodhimin e gazetarisë së lirë, por të gazetarisë me liri të hibridizuar. Që nuk ka si sentencë udhëheqëse,si politike redaksionale, lirinë e shprehjes, por lirinë shërbestare ndaj padronatit. Sipas kësaj gustoja përzgjidhet të jetë edhe pjesa dërmuese e strukturës profesionale. Ku shërbejnë ca persona që s’kanë lidhje me gazetarinë e vërtetë, dhe ca të tjerë, profesionalisht të aftë por po aq të aftë edhe për ta shfrytëzuar pushtetin e saj për përfitime individuale.

Por dhe me të tjerë mbushësa topi, që si të jenë si të mos jenë nuk prishin asnjë punë. E shtënë në dorë dhe e pushtuar prej këtij soji, është normale që në jo pak raporte liria mediatike në Shqipërinë kandidate për BE të raportohet edhe më e kufizuar se përgjatë periudhës 1992-1997.

Është pikërisht ekzistenca me shumicë e lirisë së hibridizuar të fjalës dhe shprehjes, që e ka bërë sundues përhapjen e trimërisë së anonimëve nëpër rrjetet e internetit.

Nga ku është e sigurt se poshtë identiteteve të rreme të autorëve rreshtohet realiteti. E vërteta e vërtetë dhe jo ajo hibride e lindur nga edukata e mbrapshtë e lirisë hibride të fjalës e shprehjes së palirë të pjesë sunduese të shtypit e medias.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s