Liria ekstreme e virtualitetit dhe ajo me pikatore e medias tradicionale

liria1Vladimir Karaj

Reporterë pa Kufij (en.rsf.org) mendon që liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar në 2013-ën, ata na kanë zbritur 22 vende nga pozicioni 80 që mbanim më 2010. Në anën tjetër, Freedom House  (freedomhouse.org) beson që jemi përmirësuar duke na kanë afruar 11 vende më lart, në të 96 nga 107 që ishim një vit më herët. Pikërisht ky qëndrim krejtësisht i kundërt i dy organizatave më në zë në fushën e lirisë së medias tregon sa e paqartë është situata e medias dhe e lirisë së saj në Shqipëri. Dje një koleg ishte lënë jashtë dyerve të studios ku ai duhej të drejtonte një emision, pa shpjegim dhe pa paralajmërim më parë. Histori të ngjashme në fakt me lista gazetarësh që mësonin se nuk mund të hynin në redaksi kur shihnin emrin në letra bakalli të ngjitura në mure ka pasur që herët në vend, çka shpjegon edhe arsyen se sa pak skandalizohen gazetarët nga ajo që ndodh.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, i cili na ka ftuar sot në protestë, mendon se media në Shqipëri është në ditën e saj më të zezë që pas vitit 1990. “Gazetarë të papaguar, të flakur në rrugë, nën presion, jo të  lirë, pa kontrata pune, e rrallëherë dhe të paarsimuar, është çka gjen sot në mediumet shqiptare”, thotë ai. Të gjitha këto nuk mund të mos jenë të vërteta, por të gjitha këto kanë qenë aty që prej vitesh dhe ashtu siç flasin indekset e dy organizatave të cituara më sipër, disa janë përmirësuar e të tjera të dhëna kanë shkuar edhe më keq. Situata sidoqoftë ka më shumë ngjyra se sa klasifikimi me shifra prej organizmave ndërkombëtarë, ku diku humbasim 22 vende në tre vjet (6 vitin e fundit) dhe diku fitojmë 11 vende. Madje po të mos mendojmë për shifrat, por të shohim atë që ndodh, kuptohet se vendi si në shumë gjëra të tjera është në mes të paradokseve.

Virtualisht, Shqipëria është në një periudhë “lulëzimi”, të një lirie përtej asaj që quajmë liri, e cila më shumë se një herë cenon hapur të drejta dhe liri të të tjerëve. Këtu nuk ka të drejtë autori, madje shkrimet rrëmbehen, u ndryshohet titulli dhe gazetarit që mund të ketë punuar për ditë të tëra nuk i përmendet as emri, ndërsa “kolegët” e faqeve online që mbinë si kërpudhat pas shiut falë platformave të gatshme falas si WordPress, i reklamojnë këto materiale si të tyre pa iu hyrë gjemb në këmbë.

Heqja e shpifjes në listën e veprave penale, edhe pse për indekset e lirisë në Freedom House ka ndikuar në përmirësim, ka bërë që anonimët pas faqeve online (që sipas raporteve janë jashtë kontrollit shtetëror) që zor edhe se janë të regjistruara si media në një pjesë të madhe të rasteve, të kenë dorë të lirë për të publikuar materiale nga më bizzarret. Media sociale, kryesisht Facebook, ka ndihmuar të shumëfishojë në mënyrë të “pandershme” (me aplikacione që bëjnë të detyruar shpërndarjen e linkut të lajmit) përfitimet (nëse ka të tilla). Nga ana tjetër, faqet online që në pjesën më të madhe rriten si bimë parazitore në kurriz të kolegëve të terrenit dhe të shtypit tradicional, të cilin pretendohet se po e sfidojnë, vuajnë edhe më pak prej censurës. Fati i tyre (i mirë dhe i keq bashkë) është që deri tani askush nuk u jep rëndësi, ndoshta edhe pse leximet këto faqe i kanë në pjesën më të madhe në lajme të kopjuara prej tabloideve ku flitet për funde të shkurtra dhe bikini.

Në anë tjetër ata po tregohen të pandershëm me median tradicionale. Shkrimet tona, nga ato që mund të marrin edhe ditë për të bërë bashkë disa pjesë, pa llogaritur kosto e pagesa, rrëmbehen pa të keq. Në rastin më të mirë mund të lexosh emrin e gazetës (kurrë një lidhje) në fund fare me shkronjat më të vogla të mundshme dhe thuajse asnjëherë emrin e gazetarit. Kolegë?! Rasti më i mirë, ndoshta i vetmi rast i mirë i botës online është peshkupaujë.com. Faqja, e cila përkundër të ashtuquajturave agjenci online lajmesh, që nuk ka qëllim përfitimi ekonomik gjithmonë ka një referencë të qartë për autorin dhe median prej nga është marrë shkrimi. Pjesa tjetër e faqeve, ose shesin lajme bizarre përmes linqeve që shpërndahen në mënyrë virale (mos i klikoni), ose shesin lajme të rrëmbyera.

Përtej kësaj, ashtu si media tjetër edhe virtualët e kanë nisur keq. Pak staf, të keqpaguar dhe shumë pak profesionalizëm, por ndërsa tek ata këto gjëra ndikojnë më pak dhe ende është herët të vihen re, media tradicionale (televizion e gazeta) po vuan gjithmonë e më shumë këto mungesa. Shkrimet e thelluara apo investigimet që duhej të shtoheshin me kalimin e viteve janë pakësuar. Liria sigurisht matet me tjetër kut dhe është e kufizuar. Nga njëra anë nuk mund të thuhet që mbetet ndonjë gjë e pathënë apo e papublikuar, por nga ana tjetër kjo bëhet në mënyrë aq të njëanshme (sipas pozicioneve) saqë vështirë se mund të besohet. Për ta bërë edhe më të keqe gjendjen, kriza ekonomike dhe fakti që mediat, sidomos shtypi i shkruar nuk arritën për asnjë moment të vetëfinancohen, e ka bërë edhe më të vështirë situatën dhe kufizuar edhe më shumë lirinë. Për kreun e Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, kjo është një “brengë: dhe “gjendje mjerane”, kjo është edhe pse na ka ftuar sot në protestë para Kuvendit, ku sidoqoftë do mund të shihemi me miq, megjithëse pak gjasa ka të gjejmë një zgjidhje për brengat që mjaft herë ia shkaktojmë vetes.

3 Maji, e shpallur si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, kujton ndër të tjera raportuesit në shumë vende të botës që punojnë nën presionin e dhunës dhe terrorit duke humbur edhe jetën, ose duke u burgosur. Kombet e Bashkuara së bashku me Shoqatën Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe Botuesve, me rastin e 3 Majit bëjnë thirrje që liria e shtypit të mos kufizohet.

Dita e 3 Majit u përcaktua në vitin 1993 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të festuar anembanë botës parimet themelore të lirisë së shtypit, për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias në botë, për të mbrojtur median nga sulmet kundër pavarësisë së saj dhe për të kujtuar e për të nderuar gazetarët që kanë humbur jetën, duke kryer punën e profesionit të tyre.

“Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”. Deklarata për të Drejtat e Njeriut, OKB

“Do të apeloja që të gjithë gazetarët shqiptarë të mblidhen në tubimin protestues në datë 3 maj, në orën 12.00, para parlamentit, për ta denoncuar këtë fakt dhe për të kërkuar reagimin e institucioneve tona,” Aleksander Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s