Kronika e zezë dhe aspekte të etikës

Ferdinand Dervishi

f-dervishi

Problemi më i dukshëm

A do të dukej i vdekur një shkrim i pashoqëruar me fotografi të objektit të tij? A do të linte përshtypjen e pretenduar televizive lajmi i një vrasjeje të sapondodhur, por të mbuluar me pamje të vjetra nga arkivi?

Sigurisht që mëkati i publikimit të fotografive apo pamjeve jo të denja, që për shkak të etikës gazetareske kanë nevojë për gërshërët e censurës logjike, është para së gjithash rezultat i një kërkese të fortë dhe ndonjëherë ultimative të drejtuesve e pronarëve të mediave shqiptare, kjo, së pari, edhe për shkak të konkurrencës.

Problemi më i madh që kanë paraqitur dhe vazhdojnë të paraqesin lajmet e kronikës së zezë kanë qenë publikimet e pakriter të fotografive apo pamjeve të personazheve të kronikave të zeza, përfshirë fëmijë e të mitur në fatkeqësinë e tyre, përfshirë një mori njerëzish të sapondaluar nga policia nën akuza të ndryshme, por që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë larg vërtetimit të këtyre akuzave nga gjykatat.

Fatmirësisht, kohët e fundit, në shumicën dërrmuese të rasteve, policia e ka ndaluar shpërndarjen nëpër mediat shqiptare të pamjeve apo fotografive të personave të ndaluar. Më në fund, ky është një zhvillim pozitiv. Por e vërteta thotë se fotografitë apo imazhet e personazheve të ndryshëm të kronikës, nisur nga fëmijët, vazhdojnë të jenë të pranishëm në të gjitha mediat. Kjo për shkak se gazetarët e kronikës vazhdojnë të kërkojnë fotografitë apo pamje të këtyre personazheve, qoftë nga familjarët, qoftë duke i siguruar në mënyra të ndryshme, deri edhe duke i shkulur nga shpalljet e vdekjeve nëpër shtylla e mure. Një fenomen që vazhdon të ekzistojë për shkakun se këtë e kërkojnë me ngulm shefat e tyre, shkuar deri te pronarët e mediave, të cilët vijojnë t’u binden rregullave të një konkurrence aspak respektuese të etikës gazetareske. E pra, nëse do të bëhej një krahasim me veprimet e gazetarëve në media të vendeve më të qytetëruara të Europës dhe më tej, përparimi ynë përballë pamjeve që kanë lidhje me cenimin e abc-së së etikës gazetareske, mund të quhet minimal.

Kaluar në një tjetër problem, përgjithësisht, gazetarët tanë të kronikës së zezë janë ende tepër larg ruajtjes së etikës edhe gjatë hartimit të materialeve të shkruara, qofshin tekstet e kronikave televizive, qofshin shkrimet për gazetat, revistat apo uebsajtet. Tekste që, qoftë për shkak të linjës politike të mediave, qoftë për teka të pronarëve apo drejtuesve, qoftë për shkak të pazotësisë së gazetarëve, mbushen me detaje të dyshimta apo të dhëna konfidenciale për personazhe të ndryshëm, shpesh të gjitha të paprovuara dhe haptazi goditëse të imazhit të tyre.

Pasaktësia

Një tjetër fenomen që ka lidhje me etikën gazetareske vihet re të jetë edhe pasaktësia e gazetarëve në paraqitjen e lajmeve të ndryshme, një problem që ka vërtetuar se cenon drejtpërdrejt personazhet që janë objekt të shkrimeve apo kronikave të përditshme dhe më tej edhe familjarët apo të afërmit e tyre.

Për ilustrim, një rast i afërt në kohë, është ai i rrëzimit të autobusit, në Himarë, me studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Gafa e parë e bërë nga mediat ishte ngatërresa e adresës së institucionit arsimor që frekuentonin viktimat. Pra, u transmetua gabim se ata ishin nxënës të një gjimnazi të të njëjtit qytet. Kjo sigurisht që shkaktoi dhimbje të panevojshme te familjarët e nxënësve të këtij gjimnazi. Gafa e dytë në radhë, shumë më e rëndë se e para, ishte publikimi i një liste emërore të pretenduar si lista e studentëve që atë ditë gjendeshin në ekskursion. U desh kohë që të vërtetohej se lista ishte e pasaktë dhe se publikimi i një morie emrash të studentëve që nuk kishin lidhje me tragjedinë, kishte shkaktuar shqetësim ekstrem te familjarët e të afërmit e tyre. Mbetur po te kjo ngjarje, jo vetëm nga gazetarët, u bënë gabime edhe më trashanike, duke ngatërruar emrat e të mbijetuarve me ato të viktimave.

Sigurisht që edhe në këto raste sërish një nga problemet është presioni që drejtuesit apo pronarët e mediave ushtrojnë ndaj gazetarëve, me qëllim që të sigurojnë sa më shumë teleshikues si pasojë e shfrytëzimit të eventit të pazakontë. Por sërish gafat u mbeten gazetarëve, të cilët, në nxitim e sipër, për të kapur ritmin e zhvillimit të ngjarjes, nuk ndalen të bëjnë verifikime të domosdoshme e për rrjedhojë shkelin me të dyja këmbët etikën.

Po kështu, pasaktësia e gazetarëve të kronikës vihet re edhe në ngjarje të përmasave më të vogla. Sigurisht që kulmin e shkeljes së etikës e përbëjnë qëndrime krejt të gabuara përballë ngjarjeve të ndryshme, kjo për shkak të orientimit politik të mediave ku punojnë. Raste ilustruese mund të jenë ngjarje të ndryshme të kronikës gjatë proceseve zgjedhore, të përcjella nga gazetarët krejt të deformuara, sipas orientimit politik të mediave ku punojnë.

Tejkalimi i të dhënave

Është bërë e modës që në Shqipëri, përgjithësisht, mediat të shkojnë andej nga i orienton politika, që shpesh fabrikon ngjarje, qoftë të shkuara në kohë, me qëllim shpërndarjen e vëmendjes nga probleme të ndryshme dhe reale.

Një rast flagrant, që mund ta kujtojë gjithkush, ka qenë ai i çështjes së pasaportave për jashtë shtetit, që shpërtheu në vitet 2001-2002. Kjo çështje, e quajtur si çështja “Pasaportat”, ishte lajmi i parë në të gjitha mediat për gati një vit rresht. Por vetëm vite më pas u mësua se gjithçka kishte qenë një flluskë sapuni, se të arrestuarit për këtë çështje, deri në nivel zëvendësministri, kishin qenë krejt të pabazuara në prova. Për habi, gjatë një viti të tërë, që media u mor me këtë çështje, askush nga gazetarët nuk superoi dot atë që u servir nga strukturat të shtetit, duke pasqyruar në media asgjë më tepër se komunikime dhe veprime zyrtare. Sigurisht që në këtë rast, duke marrë parasysh se aktualisht një pjesë e të arrestuarve për këtë çështje janë purifikuar nga gjykatat, mëkati i gazetarëve, të cilët nuk dyshuan në versionet e servirura nga shteti, duke ndikuar për rrjedhojë edhe në manipulimin e opinionit, ka në brendësi probleme të etikës.

Fatkeqësisht, vazhdohet me raste të ngjashme, kur mediat dhe gazetarët nuk arrijnë të kuptojnë dhe superojnë materialin që u jepet zyrtarisht për konsum. Një rast i freskët e flagrant mund të konsiderohet ngjarja e dhimbshme e zhdukjes së vajzës 6 vjeçe Bleona Mata, në një zonë të thellë të Kukësit. Strukturat e sigurisë nuk mundën të gjenin asnjë pistë të vlefshme për ngjarjen, por me kalimin e kohës, përmes tyre, në media depërtuan detaje të veprimeve që përbënin sekret hetimor. Kulmin e arriti publikimi i një pjese hetimi që dekonspironte lidhje jashtëmartesore të prindërve të vajzës së zhdukur. Sipas këtij versioni të dhënë, policia hetonte në këtë linjë për të zbardhur një rrëmbim të mundshëm të vajzës për shkak të tradhtisë bashkëshortore. Pikërisht publikimi i këtij lajmi çoi në divorcin e prindërve të vajzës së zhdukur. Duke publikuar detaje të hetimit, që strukturat përkatëse ka shumë të ngjarë t’i kenë servirur për t’u shmangur sadopak nga dështimi, gazetarët gabuan. Pra, ata nuk mundën të superonin atë që fshihej pas këtyre të dhënave, duke sjellë, me publikimet, pashmangshmërisht një tjetër dramë në familjen e vajzës së zhdukur. Pra, edhe në këtë rast gazetarët kanë dështuar përballë problemeve të etikës.

Një tjetër rast, edhe më i afërt në kohë, ishte ai i abuzimit me të dhënat që servireshin në media për Nazime Vishën, vajzën që vrau dhunuesin e saj. Kulmin e abuzimit mediat e arritën me publikimin e një numri mesazhesh telefonike, që vajza ia kishte dërguar njeriut që më pas do ta vriste. Mesazhet ishin tepër të rënda për konsum dhe, përkundër opinionit të krijuar për ngjarjen nga publiku, hodhën hije të rënda dyshimi mbi vajzën. Për fat të keq, mediat që publikuan dhe u morën me këto mesazhe në asnjë rast nuk arritën të kuptonin marrëdhëniet e vajzës me viktimën e ardhshme të saj, pasojat e dhunimit në moshë të njomë, psikologjinë e marrëdhënies që ndërtohet mes një 50 e ca vjeçari me një 14-vjeçare, e cila sigurisht që do të mësonte apo përsëriste gjithçka që do t’i mësonte dhunuesi i saj, i cili kishte demonstruar një formim të ulët të sjelljes në shoqëri. Pra, në rast të një gjykimi më të pjekur, mediat mund të kishin bërë një balancë, duke argumentuar se vajza kishte dërguar mesazhe të tilla, pasi, për vite me radhë, ishte përpunuar psikologjikisht nga dhunuesi i saj. Gjithsesi, në pak fjalë, pasaktësia e gazetarëve, edhe në këtë rast, veç të tjerave, hodhi baltë të pamerituar mbi vajzën, duke krijuar, veç të tjerave, edhe një imazh të tjetërsuar të saj në publik.

Dy raste flagrante, pas të cilave mediat dhe gazetarët shqiptarë duhet të mësojnë shumë, ishin ngjarjet e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka dhe manipulimi i rrëmbimit të të dashurës së kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës. Në të dy rastet, pa pasur asnjë të dhënë nga hetimi, një pjesë e mirë e mediave shkuan në ekstreme hamendësie, duke trumbetuar implikimin e strukturave të shtetit në të dyja ngjarjet. Por koha vërtetoi se të dyja ngjarjet ishin, e para një aksident i rëndomtë, e dyta sajim i vajzës me qëllim rifitimin e vëmendjes nga i dashuri i humbur. Në të dyja rastet gazetarët shkelën etikën, duke publikuar hamendësimet si prova dhe akuzat politike si të mirëqena. Dëmi në këtë rast ishte me përmasa tepër të rënda. Sipas gazetarëve, bëhej fjalë për krime të sofistikuara dhe ekstreme shtetërore, supozime që u kallën datën seriozisht të gjithë shqiptarëve. Pra, edhe në këtë rast gazetarët e kronikës, – jo të gjithë ata – nuk mundën të pozicionoheshin në vendin e duhur, me qëllim që shkrimet apo kronikat e tyre të tejkalonin panikun e momentit.

Një tjetër fenomen negativ që përfshin një pjesë të gazetarëve, – kësaj radhe edhe të vjetër në profesion – të kronikës të zezë, është edhe abuzimi me detajin, kur bëhet fjalë për personazhe shumë publikë si dhe publikimi i pandehmave si zgjidhje të versionit të ngjarjeve, përpara se hetimi të japë një deklaratë të vërtetuar.

Abuzimi me detajin kur bëhet fjalë për persona shumë publikë duket ka shumë lidhje edhe me formimin e trashëguar të shqiptarëve, që gjithmonë u është dukur vetja në qendër të vëmendjes, edhe pse gjithçka me vlerë mund të ketë qenë një shtrëngim dore, një bisedë e shkurtër, apo këmbim batute me një personazh shumë publik. Kështu, për shembull, gazetarë të ndryshëm, duke gjetur një detaj banal, për shembull njeriun që i ka qethur flokët, apo fshirë këpucët një personazhi të tillë, nisin e dëgjojnë, besojnë apo edhe shohin lidhje konspirative mes VIP-it dhe këpucarit apo hekuraxhiut, të cilat i pasqyrojnë në mediat ku punojnë duke ia përcjellë publikut.

Po kështu, është vënë re se pas ngjarjeve më të dhimbshme të kronikës, si për shembull vrasjet e komisarëve apo kryekomisarëve, gazetarët e kronikës, duke parë se tema mban, se opinioni është i përgatitur, e lëshojnë penën duke publikuar pandehma e thashetheme nga më të pabesueshmet, që të gjitha shumë larg së vërtetës.

Duke mbetur në të njëjtin argument, i konsumuar edhe më afër në kohë, gazetarët vazhdojnë të mos tejkalojnë përmbajtjen e deklaratave zyrtare të policisë, sipas të cilave “viktima ishte një trafikant femrash apo droge”, se ai “ishte një tip problematik”, apo “një tip që kishte hasmëri”, e të tjera të ngjashme. Për fat të keq, përballë dështimit për kapjen e autorëve të krimeve, komunikata të ngjashme, më shumë se dhënien e detajeve të ngjarjeve për mediat, kanë pasur qëllim të krijojnë impakt shfajësimi në opinion. Një impakt i realizuar me sukses falë mosndërhyrjes së gazetarëve, që në popull shpesh është perceptuar e përtypur në formën: “Një plehrë më pak! E kishte hak të vdiste!” Pikërisht ky konceptim nga publiku, zbut reagimin e tij ndaj policisë si strukturë përgjegjëse për sigurinë. Për më keq akoma, kjo mënyrë procedimi mund të shkojë deri te krijimi i perceptimit të një situate të rremë të rendit në vend. Pra, edhe në këtë rast, gazetarët e kronikës, duke e marrë të mirëqenë komunikimin e policisë, nuk e kanë kryer misionin e tyre, për më tepër kanë lënduar të afërmit e miqtë e viktimave, jo vetëm me epitetet negative ndaj të njeriut të tyre, tashmë të vdekur, duke mos qenë, edhe në këto raste, në lartësinë e duhur përballë problemeve të etikës.

Pozicionimi i gazetarit

Edhe pse është fakt se ne jemi një popull që prodhon më tepër seç duhet ngjarje të kronikës së zezë, media të ndryshme shqiptare ende vazhdojnë t’i kushtojnë më shumë rëndësi dhe hapësirë sesa duhet këtyre lajmeve. I parë me një mendje më të hollë, ky është një fenomen që, veç të tjerave, siç është impakti i panikut e pasigurisë në popull, krijon edhe një imazh të shëmtuar të shoqërisë sonë. Pra, ka një moment kur gazetarët, në këtë rast të kronikës, përballë dëmtimit ndaj imazhit të vendit të tyre, të shkaktuar me duart e tyre, duhet të pozicionohen përmbi interesat momentale të publikimeve të bujshme të lajmeve të kronikës me të gjitha pamjet apo efektet e tyre. Po e ilustroj këtë moment me një vendim të drejtuesve të gazetës “Panorama” në kohën publikimit të raportit të Dik Martit (Dick Marty, parlamentar i KE) për trafikun e organeve, të pretenduar si të ndodhur gjatë kohës së luftës në Kosovë. Pas një debati të shkurtër, për t’u marrë me këtë temë, redaksia vendosi të publikohej shkurtimisht lajmi dhe gjatë ditëve në vazhdim të mos bëhej asnjë reportazh apo vazhdim lajmi nga ana e gazetës. Më hollësisht u argumentua se raporti i Dik Martit mund të ishte një shantazh, mund të ishte një prapaskenë me regjisurë sllavo-shovene, fundja, gjithçka që Dik Marti kishte bërë publike, ishte e pavërtetuar. Ky vendim shkoi në funksion të argumentit se redaksia e gazetës nuk duhej që me anë të shkrimeve të ndryshme për këtë temë të përbaltte në mënyrë të pamerituar Shqipërinë e Kosovën, apo, thënë më shkurt, nuk mund të hidhej baltë mbi vetveten. Me kalimin e kohës u vërtetua se redaksia kishte marrë një vendim të drejtë. Është për të ardhur keq, që tashmë, kur kanë kaluar disa vite nga kjo ngjarje, sheh në gazeta të ndryshme publikime krejt të papërgjegjshme. Kulmin e arriti, këto kohë të fundit, publikimi në një gazetë të përditshme të nivelit të parë, i një shkrimi me të njëjtën temë, që hidhte baltë mbi shqiptarët e të dy shteteve të tyre, i marrë tekstualisht nga mediat ruse. Interesant ishte fakti se përkthimi dhe publikimi ishin bërë në kohë rekord, pra 24 orë pas botimit në Rusi…

Përfundimisht, mund të thuhet se gazetarët shqiptarë të kronikës janë ende larg nga pasqyrimi i përsosur i ngjarjeve të ndryshme të fushës që ata mbulojnë. Gjithsesi, gjysma e fajit nuk është i tyre, pasi në një numër rastesh ata censurohen nga pronarët e mediave, të cilët ndërhyjnë te lajmi, ose duke e modifikuar e sjellë në një formë që i shkon anshmërisë së tyre politike. Por ky nuk është një qerthull absolutisht i pakapërcyeshëm. Pasi në Shqipëri tashmë janë formuar gazetarë të guximshëm, që, falë karizmës së tyre, arrijnë ta kapërcejnë edhe censurën e njerëzve që kanë në duar pagat e tyre. Dhe ky është një zhvillim pozitiv dhe kurajëndjellës.

*Botuar fillimisht në sajtin e Institutit Shqiptar të Medias.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s