E drejta e autorit, mungesa e bashkëpunimit ndër-institucional mban gjallë piraterinë

terrorizmiDita Botërore e Pronësisë Intelektuale solli edhe një herë në vëmendje problematikën e madhe që ka sjellë pirateria në vendin tonë. Prej vitesh të drejtat e autorit nuk respektohen, duke sjellë humbje të mëdha për të gjithë autorët e krijuesit e veprave. Jo veçse kopjimi e shpërndarja e muzikës apo videove, siç njihet rëndom e drejta e autorit, por edhe përdorimi i veprave artistike, letrare e shkencore apo shumëfishimi i programeve kompjuterike, pa marrë leje apo autorizim nga titullarët a krijuesit e tyre, përbën shkelje penale, e cila në bazë të ligjeve që Shqipëria ka ratifikuar, dënohet me gjobë e deri në burg. Shkelës ka, duke filluar nga radiot dhe televizionet, baret, pub-et e restorantet, por ende mbetet shumë për mbrojtjen e të Drejtës së Autorit. Këto si dhe tema të tjera, u diskutuan në një panel të organizuar nga Agjencia e Mbrojtjes së Producentëve dhe e përbërë nga Ministri Visar Zhiti, Zamir Sukniqi, i Agjencisë së Mbrojtjes së Producentëve dhe Mujë Buçpapaj i Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit, në prani të dhjetëra inspektorëve, përfaqësuesve të studiove ligjore, producentë e juristë, të mbledhur në një tryezë të rrumbullakët në ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale. Në fjalën e tij drejtori i ZSHDA, Mujë Buçpapaj, theksoi se sfidat për mbrojtjen e së drejtës së autorit kanë qenë të paparashikuara qoftë kjo dhe para tetë vitesh. “Në një vend si Shqipëria  ku 66% e popullsisë përdorin shërbimet e internetit dhe ku nga qytetarët përdoren  mbi 5 milion aparate celulare, sfida e mbrojtjes të  të drejtave të autorit ka qenë e papritur dhe e paparashikuar qoftë edhe 8 vjet më parë, ku aksesi në internet ka qenë vetëm 4% dhe përdoruesit e shërbimit celular të papërfillshëm për shkak të tarifave të larta”, theksoi Buçpapaj. Në Ditën e Pronësisë Intelektuale, 26 prill, drejtori i ZSHDA tregoi dhe disa nga rezultatet që ka arritur zyra ndër vite. “Që prej vitit 2007, kur është krijuar ZSHDA, janë vendosur rreth 800 gjoba, janë tërhequr nga prodhuesit dhe shpërndarësit e fonogrameve të ligjshme në treg rreth 160 mijë copë pulla, janë konfiskuar rreth 42 mijë copë CD, DVD pirate, janë bllokuar me mijëra copë libra të shumëfishuar në mënyrë abuzive, apo pirate”, u shpreh ai. Megjithatë Dita për Pronësinë Intelektuale tregoi se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sipas drejtorit Buçpapaj, është më se e qartë se në këtë fushë mbetet shumë për të bërë dhe ky proces kërkon paralelisht të ecin disa faktorë. “Forcimi i bashkëpunimit të të gjithë aktorëve shtetërorë, publikë, e atyre privat për të pasur rezultate më pozitive dhe konkrete në terren, në mënyrë që edhe në Shqipëri të vendosen përfundimisht standardet europiane në fushë të respektimit të të  drejtave të autorit dhe  të të drejtave të lidhura. Njëkohësisht kemi edhe një ngadalësi të sistemit rregullator në lidhje me zhvillimin apo evoluimin teknologjik, siç është edhe vonesa në miratimin e projektligjit të ri për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura, apo mosvjeljen e masave administrative të vendosura nga inspektorët e ZSHDA”, u shpreh ai. Por edhe për emra të tjerë që ishin pjesëmarrës në këtë takim, edhe pse Shqipëria prej disa vitesh ka ratifikuar konventa të ndryshme ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të autorit, progresi në këtë fushë është ende i ngadaltë. Pjesë e problematikës ngelen edhe moskuptimi dhe nivel i ulët i informacionit mbi detyrimet për të zbatuar ligjin dhe për t’u pajisur me leje-autorizime nga agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave; pamjaftueshmëri e buxheteve të institucionit për të bërë fushata promocionale-informuese; numri i vogël inspektorëve dhe mungesa e fondeve për ngritjen e Zyrës Shqiptare të të Drejtave të Autorit në çdo qark të vendit, mosbashkëpunimi institucional, etj. Dita e Pronësisë Intelektuale ishte një organizim mes ZSHDA dhe agjencisë AMP, ku presidenti i kësaj agjencie, Zamir Sukniqi theksoi edhe njëherë bashkëpunim mes institucioneve. “Rëndësi duhet të ketë ndërhyrja dhe inspektimi shtetëror në të gjitha subjektet që kanë veprimtari kryesore shfrytëzimin e pronësisë artistike, si radio, TV dhe klube nate”, u shpreh ai, duke shtuar dhe punën që ka bërë AMP që nga licencimi i saj nga MTKRS.

E drejta e autorit në Shqipëri

Mbrojtja e të drejtave të autorit përbën një nga direktivat e Bashkimit Evropian që Shqipëria duhet të vërë në jetë, në bazë të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. E drejta e autorit është përcaktuar në ligjin “Për të drejtën e autorit” si dhe Shqipëria ka nënshkruar disa konventa për mbrojtjen e të drejtave të autorit, si atë të Romës, Bernës dhe Konventën Universale, etj. E drejta e autorit në vendin tonë u njoh në vitin 1992, me hapjen e agjencisë “Albautor”, që kishte si funksion mbrojtjen e prodhimit artistik nga pirateria nga përdoruesit, producentët dhe distributorët. Çdo vit, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), përzgjedh një slogan për të frymëzuar komunitetin global të krijuesve, mbrojtësve të pasurisë intelektuale, por edhe për të evidentuar një aspekt të sistemit unik të bashkëpunimit ndërplanetar, sigurimit të vijimësisë së krijimtarisë. Në këtë frymë WIPO këtë vit kishte përzgjedhur sloganin “Krijimtaria, gjenerata tjetër”. Megjithatë situata në terrenin shqiptar ka bërë që shumë autorë dhe krijues të ngrenë jo pak zërin për piraterinë. Herë pas here është kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet shtetërore, që duket se nuk janë aq të fuqishme sa të ndalojnë këtë fenomen apo dhe ta reduktojnë në përmasa të konsiderueshme. Nga Julia Vrapi

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s