Revolucioni dixhital: Çfarë “fsheh” e ardhmja?

Revolucioni dixhital nuk mund të ndalet më. Po cilat janë trendet më të reja, rreziqet dhe shanset? Për këto u diskutua në konferencën për dixhitalizim NEXT në Berlin. Një kongres për ekonominë dixhitale pa qasje në internet është si një garë e Formulës 1 pa benzinë. Ndaj nuk është ndonjë çudi që fizikanti dhe matematicieni Stephen Wolfram reagon pak i pashpresë, kur i bie lidhja e internetit në konferencën dixhitale NEXT, në momentin kur ai donte të tregonte se si funksionon sistemi për kërkime Wolfram Alpha në rrjetin social Facebook.

“Nëse nuk kemi lidhje me internetin, nuk mund të punojmë”, thotë Wolfram pas disa përpjekjeve për t’u futur në internet.

Rreth 1500 pjesëmarrësit e konferencës filluan të qeshin. Një e treta prej tyre ka ardhur nga vendet e tjera, por secili i kupton problemet e ligjëruesit britanik. Secili e di që pa një internet stabil dhe të shpejtë nuk mund të paramendohet as ekonomia dixhitale.

Në korridorin e Qendrës së Kongreseve në Berlin prezantohen ide të ndryshme, nga shërbimet për pagesa deri tek caktimi i takimeve online për mjeshtrit dhe shërbimet e ndryshme, si për shembull për parukierët. Në mënyrë demonstrative një grua i pret flokët para të gjithëve. Për gjërat diskutohet në mënyrë intensive. Marina Gorbis nga instituti “For The Future” shpjegon se fjala është për një proces social më të ndryshëm nga shoqëria që jetojmë sot. Fjala është për një lidhje mes njerëzve, kur mund të krijohet edhe një botë e re, pa e shkatërruar botën e vjetër dixhitale. Sistemet e reja i shfrytëzojnë sistemet dhe teknologjitë e vjetra, për të përmirësuar gjërat.

Bota e re

Gorbis përpiqet që të shpjegojë këtë botë të re dixhitale përmes platformës Odesk, një burse për punësim. Ata që japin oferta për punë futen në këtë sistem dhe mund të lidhen me njerëzit që kërkojnë punë në mbarë botën. Këtu prezantohen me qindra mijëra kërkesa dhe oferta për rroga. Marina Gorbis pranon se në momentet e pesimizmit shtron pyetjen a thua është e mundur që e gjitha të bëhet me më pak komplikime dhe a është e mundur që të ruhet më shumë sfera private.

“Për teknologjitë e reja duhet të mendojmë të gjithë, sepse fjala është për teknologji të cilat do ta influencojnë jetën tonë në vitet dhe dekadat e ardhshme”, pohon ajo.

Bota dixhtale po shkakton për momentin më shumë pyetje se sa përgjigje. Cilat janë synimet e shoqërisë dhe çfarë kërkojnë konsumatorët? Kush mund të fitojë para me këtë dixhitalizim dhe kush mund të bëjë tregti? Por një gjë është e sigurt: po bëhet një revolucion i cili nuk mund të ndalet.

Gati askush nuk e ndjen më shumë këtë gjendje se sa botuesit. Dëshirat e lexuesve kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, thotë Stan Sugarman nga shtëpia botuese “Gruner und Jahr”. Një pjesë e konsumatorëve nuk duan më të paguajnë para për gazeta dhe revista. Futja e Paypal, nuk mund t’i plotësojë kërkesat, mendon Sugarman. “Kjo do të dështojë. Te gazetat Wallstreet Journal dhe Financial Times mund të funksionojë ky sistem pagese, vetëm pse gjysma e atyre që paguajë janë firma dhe institucione”, pohon ai.

Në të ardhmen do të paguhet vetëm për gjëra që qëndrojnë shumë, si për shembull për receta guzhine, për tema të rëndësishme shkencore apo për broshurat për udhëtime dhe pushime, thotë Sugarman. As Telekomi gjerman nuk është tepër i kënaqur me zhvillimet e fundit. Kjo për faktin se tani duhet të bëhet transferimi i një volumi shumë më të madh të të dhënave.

“Bëhet fjalë për dokumente me një volum 1,3 Zettabyte, që është një numër me 20 zero. Kush do ta pagujë këtë punë?”, pyet menaxheri i Telekomit Matthias Schmidt-Pfitzner. “Do të paguajë qyteti, qeveria apo dikush tjetër, nuk e di. Për momentin e di vetëm se Telekomi gjerman duhet të gjej diku para.”

Vizione

Edhe politika ka filluar të mendojë për këto gjëra. Në vend që të punojnë kundër njëri tjetrit, ata duhet të bashkëpunojnë, thotë kandidati i socialdemokratëve për kancelar Peer Steinbrück. Vetëm në këtë mënyrë mund të shndërrohet teknologjia e re në një model suksesi ekonomik. Sektori i teknologjisë duhet të ndërlidhet mirë me sektorin e industrisë dhe të realizojnë vizionet e pritura në Gjermani. “Kombimini i këtyre dy sektorëve paraqet themelin e vizionit për një revolucion industrial”, pohon ai. Si shembull Steinbrück përmend sektorin e automjeteve ku brenda 10 vitesh nuk do të kemi nevojë të presim pjesë rezervë, por mund t’i porosisim vetë përmes teknologjisë 3D. Steinbrück angazhohet për një infrastrukturë më të mirë dhe një revolucion dixhital që ai e quan 4.0. Ai duhet të financohet nga paratë e atyre që fitojnë më shumë. Por për një botë dixhitale duhet të ketë më shumë financa. Në SHBA janë ndarë rreth 30 miliardë euro si kapital fillestar për firmat e reja në internet. Edhe në Gjermani duhet të mendohet për rrugët e financimit të këtij sektori. Këto investime janë më të mira se sa të spekulohet në bursë apo në institucionet financiare.

Arsimi

Avancimi i teknologjisë dixhitale po sjellë ndryshime të mëdha në arsimin e lartë, pas ndryshimeve që janë bërë në gazetari, industrinë e muzikës, prodhimitari dhe në industritë e tjera. Në disa raste, ky revolucion dixhital mundëson regjistrimin e dhjetëra mijëra studentëve për një klasë që drejtohet nga profesorët më të mirë. Ekspertët thonë se ritmi i ndryshimit në arsimin e lartë po shpejtohet, dhe do të ndikojë në metotën e mësimdhënies, vlerësimin e studentit, dhe mënyrën e të studiuarit. Imagjinoni një klasë universiteti me 160 mijë nxënës të ulur pranë kompjuterëve në mbarë botën, të gjithë duke mësuar nga profesorë të njëjtë. Një klasë e këtij lloji ofrohet në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni dhe drejtohet nga profesori Sebastian Thrun.  “Ne fillim kjo klasë është ofruar në Stanford dhe tani ne e ofrojmë këtë kurs përmes internetit për mbarë botën. Ne jemi shumë të kënaqur me këtë arritje”.

Kursi mbi inteligjencën artificiale nga Sebastian Thrun dhe Peter Norvig mund të gjendet në YouTube. Është pa pagesë, dhe mbështetësit e saj thonë se kjo tregon se arsimtarët e njohur mund të mësojnë në mënyrë efikase disa nga lëndët e tyre për këdo dhe kudo në botë.

Universitetet kanë qenë të ngadalshëm në pranimin e ndryshimeve, thotë profesoresha Rita McGrath e Universitetit të Kolumbias në Nju Jork.  “Modeli bazë i biznesit të arsimit tonë të lartë nuk ka ndryshuar që nga koha e Sokratit. Një person ngrihet dhe flet përpara një grupi njerëzish. Versioni i avancuar i këtij modeli është se ata tani bëjnë pyetje”. Zonja McGrath ndjek industritë të cilat zbatojnë ndryshime të shpejta. Ajo thotë se teknologjia dixhitale është përmirësuar dhe është gati për të nxitur ndryshime të mëdha. Këto ndryshime përfshijnë metodën e mësimdhënies, thotë profesori i Universitetit të Merilendit, Spencer Benson.  “Kjo ka ndryshuar, pjesërisht, rolin e mësuesit ose rolin e profesorit nga mësimdhënës që mëson përmbajtjen e lëndës në mësimdhënës që i ndihmon studentët të gjejnë, të vlerësojnë dhe në fund të jenë në gjendje ta shfyrtëzojnë përmbajtjen e lëndës”.

Një tjetër ndryshim është mënyra e vlerësimit të përparimit të studentëve. Rob Hughes është president i TopCoder, një kompani, që vlerëson studentët që marrin klasa përmes internetit. Ai foli përmes Skypit.  “Sigurisht kodet, zhvillimi i softuerëve, matematika, shkencat kompjuterike, mundësojnë krijimin e sistemeve objektive të testimeve të automatizuara”. Është më e vështirë të bëhet vlerësimi i përparimit të studentëve në fushën e letërsisë, historisë dhe fushat e tjera jo-teknike. Një nga zgjidhjet është përdorimi i klasave online për të prezantuar materiale, por përsëri duhet një mësues për të vlerësuar atë që ka kuptuar studenti. Këtë e ka bërë profesor George Siemens në Universitetin Athabasca në Alberta të Kanadasë.  “Është një kohë shumë interesante për të punuar në arsim, por është pak jo e rehatshme, sepse ne jemi duke ngritur pyetje të mëdha rreth mbijetimit të universitetit?”.

Ndërkohë që udhëheqësit e arsimit mendojnë se shumë klasa në të ardhmen do të ofrohen në internet, disa studentë në Universitetin e Merilendit kanë shqetësime. “Kjo thjeshtë duket metodë e huaj dhe mënyrë më e vështirë e të mësuarit”. “Studimi me miqtë në konvikt natën vonë ishte i rëndësishëm për notat dhe klasat”. Këtyre studentëve u pëlqen ideja se klasat në internet mund të jenë me kosto më të ulët se sa kurset tradicionale dhe se ato janë të hapura për njerëzit jashtë universitetit. Ndërkohë që disa petagogë thonë se universitetet do t’i rezistojnë ndryshimeve, të tjerë këmbëngulin se klasat masive në internet janë thjeshtë pjesë e një revolucionit dixhital që së shpejti do të sjellë ndryshime dramatike në mënyrën e të mësuarit.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s