Dhjetë mënyrat se si Twitter iu vlen gazetarëve

twitter21. Breaking news

Kur në komunitetin tuaj dalin lajme publike, pavarësisht nëse ky lajm është një rrëzim avioni, sulm terrorist, tërmet, permbytje, vrasje në masë apo stuhi dëbore, njerëzit që e kanë parë apo përjetuar ngjarjen shkruajnë në Twitter për të. Për mbulimin e të tilla lajmeve, sfida e gazetarëve ka qenë gjithmonë përpjekja për të gjetur njerëz që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes apo janë prekur prej saj. Duke përdorur veçorinë e kërkimit të përparuar të Twitter-it, ju mund të gjeni shumë shpejt dhe të kontaktoni këta njerëz për intervista dhe/ose citime apo edhe të përfshini shënimet e tyre nga Twitter-i në lajmet tuaja.

2. Ndiqni njerëz e organizata që përbëjnë lajm

Figurat publike dhe organizatat në komunitetin tuaj e përdorin Twitter-in për të shpallur lajme, për të shprehur opinione si dhe për t’iu përgjigjur njerëzve në komunitet. Cilado prej këtyre mund të përbëjë lajm. Nëse nuk ndjek njerëzit dhe organizatat e fushës që mbuloni, me siguri do t’ju shpëtojnë lajme njësoj sikur të injoronit njoftimet e tyre për shtyp, konferencat e shtypit, dhe deklaratat e gabuara që bëjnë në fjalimet e tyre publike…

3. Burimet nga grupet në Twitter

Personat që ju ndjekin në Twitter mund t’ju ndihmojnë me përgjigje të shpejta për pyetjet dhe t’ju ndihmojnë të gjeni shpejt burime për lajmet tuaja, sidomos nëse keni zhvilluar një grup të konsiderueshëm ndjekësish që kanë po ato interesa si dhe ju dhe nëse i angazhoni në mënyrë të efektshme në biseda. Rendja pas burimeve të duhura mund të kërkojë shumë kohë për një reporter të shkollës së vjetër. Për një përdorues të mirë të Twitter-it, përgjigjet mund të vijnë në pak sekonda. Mund t’ju duhet t’i verifikoni përgjigjet, por këtë duhet ta bënit edhe në raportimin sipas shkollës së vjetër.

Edhe pse burimet nga grupet në Twitter nuk funksionojnë gjithnjë, për të shkruar një tweet të efektshëm për një grup nuk kërkon më shumë se një ose dy minuta. Nëse nuk funksionon, mund të ktheheni gjithmonë tek teknika e shkollës së vjetër për ndërtimin e burimeve. Me shumë gjasë, do t’i gjeni disa burime të dobishme në Twitter dhe do kurseni kohë; nga ana tjetër, përpjekjet e shkollës së vjetër për burimet mund t’i përdorni për të gjetur burimet e tjera që ju duhen.

Andy Carvin i NPR (Radio Kombëtare Publike) është mjeshtri i burimeve nga grupi në Twitter. Lexoni shënimet e tij se si ndjekësit e vet në Twitter e ndihmuan që të diskreditonte spekulimet sikur izraelitët gjoja armatosnin rebelët libianë; apo se si po këta ndjekës e ndihmuan të diskreditonte lajmet se Vajza Lesbike në Damask ishte arrestuar dhe se në fakt ishte veç një burrë heteroseksual në shtetin e Xhorxhias.

4. Kërkoni për burime

Nëse nuk keni shumë ndjekës apo nëse ndjekësit tuaj nuk i kanë përgjigjet që ju duhen, Twitter-i prapëseprapë mund t’ju ndihmojë të gjeni burime. Përdorni funksionin për kërkimin e përparuar që të kërkoni njerëz në komunitetin tuaj që mund të tregojnë interes apo të japin ekspertizë për temën mbi të cilën po raportoni. Ose, kontrolloni disa fjalë kyçe me shenjën # përpara (të quajtura hashtag) që lidhen me temën që po punoni dhe shihni nëse dikush nga atyre që bëjnë tweet për atë temë mund të ishin burime të dobishme. Ose, mund të kërkoni emra apo fjalë kyçe në biografitë e përdoruesve të Twitter-it për të gjetur njerëz që punojnë për kompaninë për të cilën po shkruani apo një person specifik që mund të mos e kontaktoni dot me telefon por që bën tweet për temën tuaj.

5. Mblidhni citime nga komuniteti

Lajmi i njeriut në rrugë është një klishe e gazetarisë (dhe mjaft seksiste për këtë). Nëse ju ka ngecur në dorë kjo detyrë, e mira është ta bëni shpejt dhe të vazhdoni me diçka më të mirë për të kaluar kohën. Qoftë kur jeni në rrugë, në një qendër tregtare apo në një aktivitet komunitar, shpesh ju ndodh të ndaloni një numër njerëzish që nuk duan të flasin me ju, edhe më shumë njerëz që nuk ia kanë idenë asaj për të cilën pyesni, dhe edhe më tepër që nuk kanë asgjë interesante për të thënë. Nëse merrni një përgjigje të dobishme në pesë përpjekje quhet rezultat i mirë; por edhe një në dhjetë nuk ndodh aq rrallë.

Bëjeni pyetjen në Twitter (nëse keni ndërtuar një grup të konsiderueshëm e të angazhuar) dhe do merrni përgjigje shpejt nga ata që kanë diçka për të thënë për temën (disa nuk do të jenë aq interesantë). Mund të doni të përdorni edhe Twitter-in, edhe Facebook-un, edhe intervistat e stilit të vjetër me njerëzit në rrugë.

Por, kujdes: Po ta përdorni këtë teknikë shpesh, duhet të ruheni që të mos përdorni të njëjtët njerëz që ju përgjigjen çdo herë që bëni një pyetje. Ndërkohë, gazetarë me tepricë “flasin me të zakonshmit” për lajmet e tyre, ndaj nuk është diçka e veçantë vetëm për Twitter-in.

6. Ide për lajme

Nga Twitter-i mund të merrni ide për lajme në të paktën dy mënyra:

Mbani vesh çfarë diskuton komuniteti në Twitter. Teksa jeni duke dëgjuar tweet-et, një tweet i vetëm mund të jetë një ide e mirë për lajm. Ose disa tweet-e për të njëjtën temë mund t’ju japin sinjalin se diçka po shndërrohet në temë të nxehtë që duhet ta raportoni.

Pyesni komunitetin për ide për lajme. Kur isha redaktor i Cedar Rapids Gazette, reporterja jonë për çështjet fetare ishte Molly Rossiter. Ajo pati ndërtuar një marrëdhënie të fortë në Twitter me shumë njerëz në komunitet të përfshirë në organizata të ndryshme fetare. Kur afrohej ndonjë ditë feste apo aktivitet i madh, Molly pyeste tweet-ët e saj për ide që lidheshin me Ardhjen e Krishtit, Kreshmën, apo Pashkën, dhe shpesh merrte përgjigje të dobishme.

7. Kurseni kohë

Nuk pretendoj dot që Twitter-i mund t’ju harxhojë kohë pa fund. Teksa lexoni tweet-et, përgjigjeni dhe ndiqni nyjet, nëse nuk jeni të disiplinuar në përdorimin e Twitter-it, me siguri që do harxhoni orë të tëra. (Si pjesë e këtyre serive, së shpejti do të përditësoj këshillat që pata nxjerrë në vitin 2010 për menaxhimin e kohës në Twitter.) Ndërkohë, duhet të dini edhe që nëse Twitter-in e përdorni me mençuri, ai mund t’ju kursejë kohë.

Vini re pikat më sipër kur kam diskutuar se si Twitter-i mund t’ju kursejë kohë për të ndjekur lajme të reja, për të gjetur burime, për të gjetur përgjigje për pyetjet, si dhe për të gjetur ide për lajme. Unë nuk jam gazetar i një fushe të caktuar, por shkruaj shumë për gazetarinë dixhitale dhe biznesin e lajmeve; në këtë kuptim, kjo do të ishte fusha ime. Twitter-i më ndihmon të gjej lajmet dhe komentet që kam nevojë të lexoj për fushën që mbuloj më shpejt sesa burimet e tjera që kam përdorur për të mbetur i informuar.

8. Përhapni përmbajtje

Kjo është mënyra e parë se si gazetarët dhe mediat ia njohin vlerën Twitter-it. Kur postoni një artikull apo shënim blog, ndajeni me një komunitet të angazhuar në Twitter dhe do shikoni një kërcim të menjëhershëm në trafik. Praktikisht, çdo ditë kur postoj diçka të re në blogun tim, burimi kryesor i trafikut për në blogun tim është Twitter-i. Kjo nuk do të thotë që Twitter-i është burimi më i mirë. Ka shumë newsroom-e që marrin rezultate më të mira me Facebook-un. Ndërsa ju, është mirë t’i përdorni të dyja…

Kur ndjekësit tuaj ridërgojnë nyjet tuaja, kjo sjell edhe më shumë trafik. Nëse dikush me shumë ndjekës, si p.sh. Jay Rosen, Jeff Jarvis apo Andy Carvin, ridërgojnë një nyje në blogun tim, më bie në sy një kërcim i menjëhershëm në trafik. (Jay, Jeff, Andy, Jim, nëse doni të më ndihmoni ta demonstrojnë këtë sot…)

9. Vazhdoni bisedën

Pasi postoni një nyje për lajmin, videon, foton apo postimin tuaj më të fundit, ftoni ndjekësit tuaj për një tweet (apo disa tweet-e) për të diskutuar çështjen apo aktivitetin. Ngrini disa çështje dhe përgjigjuni pyetjeve të tyre. Mund t’ju japin ide të mira për ta ndjekur lajmin më tej. Tweet-et e tyre mund të ndihmojnë për të shtuar material për lajmin apo për të postuar. Mund t’ju japin edhe disa komente të dobishme. Dhe së fundi, do ta vlerësojnë bisedën.

10. Përgjigjuni kritikave dhe pyetjeve

Gazetarët që përdorin Twitter-in zakonisht marrin kritika dhe pyetje për punën e tyre (apo për lajme që iu kanë shpëtuar apo që nuk kanë dashur t’i ndjekin). Disa syresh do të jenë të dobishme, e disa të tjera broçkulla.

Kritikat e dobishme ju bëjnë gazetarë më të mirë (dhe përgjigja juaj mirënjohëse do të ndërtojë një lidhje me vlerë, jo vetëm me kritikun por edhe me të tjerët që vënë re dhe vlerësojnë).

Disa nga pyetjet apo kritikat mund t’ju japin ide për lajme apo kënde të ndryshme për lajmin tuaj. Mund të jeni në gjendje të shtoni diçka që e keni lënë pa përmendur sepse gabimisht nuk ju ishte dukur tërheqëse për lexuesit (apo nuk kishit më shumë hapësirë në gazetë apo TV).

Në fakt, ju nxis edhe të angazhoheni me lexuesit që bëjnë kritika armiqësore apo edhe të pasjellshme. Disa prej tyre mund të mendojnë se nuk i dëgjoni dhe t’ua ndryshoni mendimin duke iu përgjigjur me mirësjellje. Në më shumë sesa një rast, i jam përgjigjur dobishëm një tweet-i zevzek që në thelb ngrinte një çështje me vlerë dhe atë tweet zevzek e shndërrova në një bisedë miqësore që përfundoi me një kërkesë ndjese apo një falënderim.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s