Gazeta, muzikë dhe një filxhan kafe

Nga Gladiola Bendaj

studio22

Një publik laraman, me halle e teka, faqe të para gazetash, studio të buzëqeshura dhe të ftuar jo gjithmonë të tillë. Pak muzikë, pak retro, të rejat e të vjetrat e një dite që sapo ka nisur e, në fund, një përshëndetje ogurmirë. Cilat janë sfidat e një emisioni mëngjesi, maratonat e para të një dite të re. Pritshmëritë dhe të papriturat për drejtuesit e tyre. Tregojnë për JAVA Bashkim Hoxha, Blendi Salaj, Endri Xhafo dhe Eno Popi

Jo domosdoshmërisht ata duhet të jenë më solarë se të tjerët, e megjithatë, duhet pranuar, këtë punën e dritës dhe “mirëmëngjesin” e përditshëm, ndoshta kanë zgjedhur ose kanë mësuar ta marrin më me sportivitet se gjithë ne të tjerët. Janë drejtuesit e emisioneve të mëngjesit në televizion. Ata që prej kohësh kanë bërë kompromis me zgjimin e herët e kanë hequr dorë nga mbrëmjet e gjata, pavarësisht zakoneve personale të gjithsecilit. 

Nga kaq e ndoshta më shumë gjëra kanë mësuar të heqin dorë Bashkim Hoxha, Eno Popi, Endri Xhafo dhe Blendi Salaj, për të qenë gati në studiot e transmetimeve të tyre, me frenetizmin e një dite të re, që rrjedh me gjithë gjurulldinë e saj, në të mirat e të këqijat ditë të shqiptarëve. Edhe pse, vetëm në pamje të parë është thjesht kaq. Sepse sfidat që paraqet një emision mëngjesi nuk janë të pakta. Përtej pritshmërive të ideatorëve, drejtuesve dhe gjithë stafit që punon për ta, e papritura është gjithmonë aty, pas perdes, e cila nuk bie asnjëherë në një emision direkt.

Hapësira që kanë vite në tregun televiziv, por edhe nga ato të rejat, që me përkushtimin e duhur kanë krijuar  audiencën e tyre besnike, nën një përpjekje të përditshme për të përcjellë tek shqiptarët dhe anasjelltas, për të marrë prej tyre mesazhet e para të një dite të re, pa u lodhur.

“Në kohë të ndryshme vijnë probleme të ndryshme. Në kohë fushatash “vërshojnë” militantët dhe në kohë më normale vërshojnë “qytetarët… Gjithmonë njerëzit kanë diçka për të thënë, problemet janë të shumta dhe mbi të gjitha akoma “nuk jemi zgjuar” të gjithë”, thotë Bashkim Hoxha, që bashkë me leximin e gazetave të përditshme, ka plot 16 vjet që iu kujton shqiptarëve se është “Koha për t’u zgjuar”.

Siç, nga ana tjetër, Blendi Salaj me Klubin e Mëngjesit, tenton thjesht të bëhet njësh me ta. “Ne nuk pretendojmë të jemi në axhendën e tyre në mëngjes, nuk duam vëmendjen absolute. Duam vetëm t’ju bëjmë shoqëri dëgjuesve dhe teleshikuesve ndërsa ata gatiten për ditën e tyre. Duam të jemi të dobishëm, informues, argëtues, por mbi të gjitha miq…”.

Dhe më rëndësishmja, miq i të gjithëve, pavarësisht moshës dhe interesit. Ndaj Endri Xhafo e di mirë se cila është receta e duhur për programin e tij, teksa i fton mbarë shqiptarët në “Mëngjes me Endrin”. “Sigurinë në kohë, – të paktën një emisioni me formatin tonë, – ia japin dy gjëra: trajtimi i aktualitetit dhe dëshira me të cilën e bën emisionin. Aktualiteti është gjithmonë në lëvizje, pra nuk të lë në baltë. E vetmja gjë që mund të çalojë, të squllet me kohën, është dëshira. Në këtë rast mirë është të heqësh dorë në momentin e duhur, që të mbahesh mend për mirë”.

Por, sa kohë në zërin dhe fytyrat e tyre ka ende grintë, duket se mëngjeset televizive e radiofonike të shqiptarëve, pavarësisht halleve, do të kenë marrin gjithmonë dozën e duhur të optimizmit dhe entuziazmit. Pak rëndësi ka se çfarë menuje zgjedhin. “Wake UP ka pësuar në kohë ndryshime, ama një gjë ka mbetur e njëjtë, dëshira për të bërë zgjimin dhe shoqërinë e parë shikuese e dëgjuesve… nuk humbasim aktualitetin, politiken përpiqemi ta bëjmë më rrock, hallet e përditshme i trajtojmë pa shume stres…”, tregon Eno Popi.

Thellë thellë, ndryshe edhe nga drejtuesit e programeve të mbrëmjes, çunat e mëngjeseve, le ta pranojmë të gjithë, janë më altruist se të tjerë kolegë të tyret. Ka vend për të gjithë dhe, siç do thoshte Endri “më pëlqen ta shoh si puna e akulloreve, ka për të tëra shijet: me vanilje, çokollatë, karamele…”.

Një publik laraman, me halle e teka, faqe të para gazetash – që më së shumti nxijnë – studio të buzëqeshura dhe të ftuar jo gjithmonë të tillë. Pak muzikë, ndoshta pak retro, të rejat e të vjetrat e një dite që sapo ka nisur e në fund, një përshëndetje ogurmirë, që fundja nuk bën asnjëherë dëm.

****

Bashkim Hoxha:16 vjet dhe ende “nuk jemi zgjuar”   

Kanë kaluar 16 vjet qysh nga koha kur ju nisët t’iu kujtoni shqiptarëve se ishte “Koha për t’u zgjuar”. Si ka ndryshuar ky emision që atëherë?

Emisioni ka filluar  më 16 mars 1997. Në ditët e para ishte thjesht leximi i gazetave, por më pas, rreth dy javë më vonë, duke u rënduar edhe situata e ’97, lindi nevoja për të sjellë zërin e qytetarëve në ekran. Jeta atëherë ishte e mpirë. Njerëzit  qëndronin gjatë të mbyllur në shtëpitë e tyre, nëpër rrugë kërciste kallashi dhe mesazhet që vinin nga qytetarët kërkonin kryesisht paqe. Që atëherë ku emision nuk ka ndryshuar më strukturë: ai fillon me leximin e faqeve të para të gazetave, dhe më pas përmes telefonit të hapur qytetarët ftohen të nxjerrin “gazetën” e tyre me problematika që gjejnë dhe nuk gjejnë në faqet e para ta shtypit të ditës. Ajo që ka ndryshuar është vetëm përmbajtja. Në kohë të ndryshme vijnë probleme të ndryshme. Në kohë fushatash “vërshojnë” militantët dhe në kohë më normale vërshojnë “qytetarët”.

Çfarë specifikash ka një emision mëngjesi direkt, krahasuar me orare të tjera?

Mëngjesi është më i sikletshmi. Njerëzit sapo janë ngritur nga gjumi. Kanë bërë gjumë të mirë apo të keq. Përpiqen të fillojnë ditën të informuar dhe ti duhet t’i përgjigjesh interesimit të tyre në mënyrë sa më të plotë, por edhe me dinamikën e mëngjesit, që nuk ofron shumë shanse për biseda të gjata e të thelluara. Është një specifikë e emisioneve të mëngjesit që përpiqem ta respektoj.

Po audienca, çfarë duhet bërë për ta pasur atë të sigurt nga koha në kohë?

Di që emisioni im ndiqet në mënyre “besnike” nga publiku që nga dita e parë e krijimit. Tek ne nuk ka matje audience, por gjërat indirekt vlerësohen edhe tek interesi i biznesit për të qenë pjesë e emisionit, interesi i botuesve për leximin e gazetave të tyre, madje edhe për radhën e leximit në këtë emision, tek ndjeshmëria e politikanëve për gjithçka që thuhet në këtë emision. Di që për shumë njerëz, falë edhe jetëgjatësisë së emisionit, “Koha për t’u zgjuar” ka hyrë në axhendën e ditës së publikut. Shumë njerëz e kanë një mënyrë për të filluar ditën. Gjithmonë njerëzit kanë diçka për të thënë, problemet janë të shumta dhe mbi të gjitha akoma “nuk jemi zgjuar” të gjithë.

Çfarë do ta bënte të lodhshëm një mëngjes në studion tuaj?

I lodhshëm një emision behët atëherë kur nuk thuhet asgjë interesante ose kur pushtohet tërësisht nga vrullet e militantëve, pra kur minutazhi bëhet i padobishëm. Në këtë rast më shumë se i lodhshëm, emisioni sjell trishtimin e një realiteti për të cilin ndjen keqardhjen “sa i vonët është zgjimi për disa njerëz”.

****

Eno Popi: Rock me politikën

Sa kohë u bë me “Wake up” dhe si ka ndryshuar ky emision qysh nga fillimet e tij? 

Kemi plot 5 vite në transmetim. Wake UP ka pësuar në kohë ndryshime, ama një gjë ka mbetur e njëjtë, dëshira për të bërë zgjimin dhe shoqërinë e parë shikuesve e dëgjuesve. Na ka ndihmuar ne popullaritetin e programit transmetimi i njëkohshëm në radio. Tematikat vijnë si rrjedhojë e përditshmërisë, nuk humbasim aktualitetin, politikën përpiqemi të bëjmë më rrock, hallet e përditshme i trajtojmë pa shumë stres dhe artistët më të mirë shqiptarë e të huaj që kanë qenë në Tiranë kanë ardhur në studio.

Kujtoni vështirësi të fillimit? Ishit optimist për audiencën? 

Audienca është tregues i fortë. Shumë thonë se nuk e kanë qëllim, por për të punojnë. Fillimi ka kostot e veta, por kolaudimi ka po ashtu kosto. Na qëlloi që kjo e fundit të jetë pozitive, pasi programi mori udhën e tij dhe çdo periudhë rritej, konsolidohej dhe jemi këtu ku sot është markë mëngjesi.

Jeni mësuar tashmë me këtë regjim? A do ta ndërronit atë me ndonjë kolegun tuaj që drejton emisionet e mbrëmjes vonë?

Po pse jo. Nëse Alban Dudushit i është mërzitur Top Show, e ftoj të ndërrohemi (qesh) Shaka kjo. Humori luhatet si ne çdo pjesë të ditës. Askush nuk besoj se pretendon të ketë humor konstant, se pastaj i del humor kaps.

Sa përafërsisht ka qenë numri i të ftuarve që kanë vizituar studion e Wake Up? Si ndiheni kur mund t’iu refuzojnë?

Mesatarisht në Wake Up vijnë 120 persona në muaj. Kemi 5 vite në transmetim, bëni llogaritë vetë. Ka raste që kanë refuzuar, është krejt normale por ama vetëm për rrethana pamundësie, jo për çështje parimore.

****

Blendi Salaj: Mëngjesi, orari më i nënvleftësuar

Si është të jesh në timonin e një programi ku duhet të japësh maksimumin në një kohë kur të tjerët sapo janë zgjuar, ose janë ende në shtrat?

Është bukur të zgjohesh përpara të tjerëve, sidomos kur bëhesh i ndërgjegjshëm se ata janë ende në gjumë dhe ti duhet të informohesh mbi gjithçka të rëndësishme që ka ndodhur, të bëhesh gati në çdo aspekt, si një zot shtëpie, i cili, kur i vijnë miqtë e ka gjithçka gati dhe nuk zihet i papërgatitur. Unë zgjohem çdo ditë në orën 5 e 15, dhe i jap kohë vetes për shkak se më pëlqen që në mëngjes t’i marr gjërat me terezi (aq sa na lejon koha). Ne nuk thellohemi në çështje tepër serioze (aq më pak ato të politikës). Në mëngjes njeriu kërkon tjetër gjë. Mjafton të na shohë dhe dëgjojë për të kuptuar se jeta vazhdon dhe sot, dhe gjatë natës nuk ka ndodhur asnjë katastrofë.

Cilat janë specifikat e një emisioni mëngjesi, përparësitë dhe të papriturat që e shoqërojnë atë? 

Sekreti i programit është në mos marrjen e vetes tepër seriozisht. Në mëngjes njerëzit vrapojnë në shumë drejtime. Dikush rruhet, dikush ushqen fëmijët, dikush bën gati një prezantim të rëndësishëm pune… Ne nuk pretendojmë të jemi në axhendën e tyre në mëngjes, nuk duam vëmendjen absolute. Duam vetëm t’ju bëjmë shoqëri dëgjuesve dhe teleshikuesve ndërsa ata gatiten për ditën e tyre. Duam të jemi të dobishëm, informues, argëtues, por mbi të gjitha miq. Ne jemi si ata që na dëgjojnë, njerëz normalë, me këmbë në tokë, në një kohë kur normaliteti është bërë kaq i vyer.

Çfarë audience synon një emision mëngjesi dhe sa e sigurt është ajo nga koha ne kohë?

Unë mendoj se mëngjesi është orari më i nënvleftësuar. Njerëzit dalin jashtë dhe merrem me gjëra të ndryshme në të gjitha oraret e ditës dhe mbrëmjes – por pothuajse të gjithë zgjohen në shtëpitë e tyre kur vjen mëngjesi, ndezin TV apo radion, et voila, Klubi i mëngjesit. Është orar shumë i mirë, është momenti kur njerëzit i japin formë ditës së tyre. Edhe për reklamuesit është i mirë pasi nëse dikush dëgjon për diçka me interes, ka gjithë ditën përpara për të shkuar ta blejë. Reklamat e para në darkë, ndiqen nga gjumi i natës.

Si e shikoni konkurrencën e programeve të tjera të mëngjesit? 

Konkurrenca është shumë e shëndetshme në profesionin tonë. Ne jemi sfidantët në këtë lojë pasi të gjitha programet e tjerë të mëngjesit i kemi gjetur. Na vjen mirë që arritëm të zëmë vendin tonë në treg, dhe matjet e pavarura tregojnë se jemi në pozicion konkurrues me këdo. Në mëngjes ka diçka për secilën shije. Ne bëjmë radio për pasion dhe në shumë dashuri. Dëgjuesi i kujdesshëm e dallon këtë menjëherë.

****

Endri Xhafo: Mëngjeset? Janë si akulloret, ka për çdo shije

Cila ishin sfidat nëpër të cilat iu desh të kalonte “Mëngjesi me Endrin”, për të arritur aty ku është sot ? 

Sfidat ishin tre: E para, emisioni duhet t’i hapte vend vetes në morinë e emisioneve të mëngjesit. Goditjen e parë e dha me imazhin. Sado ide të kisha unë, në fund fare merita për këtë i takon skenografit Romeo Çani, paketës grafike të Ilir Beqirit, drejtorit të fotografisë Stefan Gajo, kameramanëve, ndriçimit dhe krejt teknikëve shumë të zotë që punojnë për këtë emision çdo ditë. Vijmë te përmbajtja. Dhe kjo ishte sfida e dytë. Pas emisioneve të mëngjesit të Ilva Tares në TV Klan dhe Adi Krastës në TCH, publiku duhej riedukuar me aktualitetin në mëngjes, sepse,tek e fundit, media, përveç se duhet të ndjekë kërkesat e publikut, duhet edhe ta edukojë atë, duke ia kultivuar shijet. Kurse sfida e tretë, – dhe kjo ishte më e rëndësishmja për mua,– ishte t’i provoja vetes dhe të tjerëve se mund të bëja diçka të mirë edhe pa qenë në një televizion kombëtar. Sot, pa modesti, mund të them se që ia kam arritur! Në këto momente që flasim, edhe nëse dikush nuk e ka parë emisionin, sepse është gjumash, të paktën ka dëgjuar për të.

Cilat janë specifikat, por edhe të papriturat në një mëngjes në transmetim direkt?

Një emisioni mëngjesi ka specifikë vetë “mëngjesin”. Kjo implikon përzgjedhjen e temave dhe trajtimin e tyre. Një emision mëngjesi nuk e ka luksin ta trajtojë një temë dy orë, si një emision mbrëmjeje. Fakti që emisioni mbështetet mbi të ftuar dhe është direkt, mund të të rezervojë të vetmen të papritur të pakëndshme, atë të mosardhjes pa paralajmërim të të ftuarve. Më ka ndodhur vetëm 2-3 herë në 7 muaj, me personazhe totalisht të papërgjegjshëm, jo miq, as të njohur, por as të mësuar me ekranin, kështu që emrat e tyre i kam fshirë përgjithmonë nga lista. Situata të tilla krijojnë “boshllëqe” që duhen mbushur shpejt por me stil, aty për aty dhe me stafin tënd. Ndërsa humorin ta prekin gjëra të tjera, individë të përgjumur që nuk ndajnë të njëjtin përkushtim me ty, që harrojnë detyrat, plane që kërcasin, vonesë në futjen e një materiali për transmetim, mosfunksionim i diçkaje në backstage që publiku nuk e sheh, por që ti e di se mund të bëhej edhe më mirë, e kështu me radhë.

Si e shikoni konkurrencën e programeve të tjera të mëngjesit, çfarë mendimi keni për ta?

I njoh drejtuesit e emisioneve të tjera të mëngjesit dhe kam shumë respekt për të tërë, pa përjashtim! Kurse atë që ju e quani “konkurrencë”, mua më pëlqen ta shoh si puna e akulloreve, ka për të tëra shijet: me vanilje, çokollatë, karamel, etj. Përveç kësaj, eksperienca e vendeve me matës të besueshëm të audiencës na ka mësuar një gjë: rrallë ndodh që emisioni më i ndjekur të ketë mbi 35-40% të audiencës. Për të ndenjur me këmbë në tokë, unë e lexoj këtë mbrapsht. Pra që, edhe po të kesh emisioni më të shikuar, në 100 veta 60 nuk do të të duan.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s