A do të ndodhë dixhitalizimi i televizioneve?!

studio2Oltjon Koja

Miratohet së fundmi në Parlament ligji i ri i shumëdiskutuar e shumëpërfolur për median audiovizuale. Ky ligj rregullon jo vetëm funksionimin e medias elektronike, por edhe shërbimet mbështetëse të tyre, duke dhënë garanci për një media të lirë dhe të pavarur. Ligji, krahas garantimit të lirisë dhe pluralizmit në median audiovizuale, merr përsipër licencimin e platformave dixhitale dhe rrjedhimisht rregullimin ligjor për kalimin e plotë në këto transmetime. Kjo u arrit pas një maratone të gjatë disavjeçare diskutimesh në komisionet parlamentare, objeksionesh, vërejtjesh, pas dakordësive e mosmarrëveshjeve. Ligji në vetvete është një përafrim i përvojave më të mira europiane, dhe në tërësinë e tij jep garanci për të rregulluar më së miri veprimtarinë audiovizuale në vendin tonë.

Në një vështrim të thjeshtë, do të përpiqemi të zbardhim disa prej etapave ku ka kaluar dhe si është zhvilluar procesi për dixhitalizimin e transmetimeve televizive tokësore në vendin tonë.

Transmetimet dixhitale tokësore DVB-T në Shqipëri filluan në vitin 2003 nga platforma “Digitalb”. Ato ishin ndër transmetimet e para të kësaj teknologjie edhe në Europë. Përpara këtij revolucioni mediatik, jo vetëm legjislacioni ynë, por edhe i vendeve të tjera në rajon, u gjet i papërgatitur. Kishim të bënim me një teknologji vërtet të re dhe tërësisht të ndryshme nga teknologjia analoge, e për pasojë nuk mundi t’i paraprinte kuadri ligjor.

Nga këndvështrimi i autoritetit rregullues si procesi i licencimit ashtu edhe procesi i planifikimit dhe shpërndarjes së frekuencave në këtë teknologji është tërësisht i ndryshëm nga ai i përdorur në teknologjinë e transmetimit analog.
Nga viti 2004 deri në vitin 2006, KKRT përfaqësoi Shqipërinë në procesin e hartimit, koordinimit me vendet fqinje të planeve frekuencore për shërbimet e reja dixhitale, në përpjekje për të “mirëpritur” teknologjinë e re. Në vitin 2006, në Gjenevë të Zvicrës, Unioni Botëror i Telekomunikacioneve (UBT) miratoi marrëveshjen “Për planifikimin e shërbimit televiziv numerik tokësor në pjesë të Rajoneve 1 dhe 3, në brezat frekuencore 174-230 MHz dhe 470-862 MHz”. Nga kjo marrëveshje, Shqipëria ka të miratuara 11 zona shërbimi (Allotments) dhe 1 nënzonë (sub-allotment) për televizionin dixhital tokësor (DVB-T), si dhe 121 frekuenca në bandat respektive UHF dhe VHF për të gjithë këto zona shërbimi. Për radion dixhitale (T-DAB), janë miratuar 2 zona shërbimi dhe 1 nënzonë shërbimi, si edhe 6 blloqe frekuencash.

Kjo marrëveshje është një nga arritjet më të mëdha të vendit tonë në fushën e transmetimeve dixhitale tokësore, pasi për herë të parë, Shqipëria koordinon frekuencat për shërbimin televiziv me vendet fqinje. Është me interes të theksojmë se këto plane frekuencore miratohen dhe mbrohen nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Në vitin 2007, Parlamenti shqiptar miraton ligjin për rregullimin e transmetimeve numerike në vendin tonë, qëllimi kryesor i të cilit ishte licencimi i operatorëve televizivë dixhitalë ekzistues dhe rregullimi i funksionimit të tij me ligj, ndërkohë që lindin edhe operatorë të rinj. Pikërisht në këtë moment ndryshon edhe përbërja e KKRT-së dhe kryetarit të saj. Siç ndodh rëndomtë në Shqipëri, ky proces rotacioni u shoqërua me “spastrimet e specialistëve” që janë vlerat e institucioneve dhe për më tepër kanë të gjithë informacionin dhe përvojën e domosdoshme për funksionimin korrekt të institucionit.

Po çfarë është televizioni dixhital?

Është një evolucion, një teknologji e re e transmetimit të sinjalit në ajër, por jo vetëm. Përfitimet e kësaj teknologjie janë të shumta, e fillojnë që nga cilësia e lartë e figurës dhe zërit të transmetuar, në formatet e figurës me definicion standard (SD) dhe definicion të lartë (HD) e duke përfunduar te shërbimet e interaktivitetit dhe një sërë përfitimesh të tjera.

Përse duhet ky ndryshim?

Sepse brezi radio-frekuencor është një burim natyror i kufizuar i pasurisë kombëtare. Nevoja për programe e shërbime të reja është çdo ditë prezente në tregun mediatik. Teknologjia e transmetimit analog është e kufizuar në shumë drejtime. Pikësëpari, ajo kërkon shfrytëzimin e një frekuence për të përcjellë një program të vetëm në një zonë të caktuar shërbimi. Ndërkohë që në teknologjinë dixhitale tokësore mund të mbarten disa programe në një frekuencë të vetme. Pra, me këtë teknologji optimizohet përdorimi i frekuencave dhe krijohen mundësi të reja për operatorë të rinj në treg. Gjithashtu, krahas interaktivitetit, përmirësohet cilësia e transmetimit dhe shtohen shërbime të reja. Në favor të operatorëve televizivë, optimizohen shpenzimet për investimin fillestar, si dhe minimizohen kostot për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit.

Çfarë nevojitet për të kaluar në këtë teknologji të re?

Një operator televiziv ekzistues, duhet të ndryshojë pajisjet transmetuese në pikat e transmetimit, por jo vetëm. Në studion e transmetimit, produkti final që do të dërgohet në pikën transmetuese, duhet të konvertohet në formatin përkatës, të përshtatshëm për transmetim. Ndërkohë që shikuesit duhet të kenë një dekoder, apo marrës televiziv që të shikojnë këtë sinjal.

Cilët janë aktorët dhe rolet e tyre në këtë proces?

Ofruesit e programeve janë operatorë programesh televizive tëq mirëfilltë që prodhojnë content të përgjithshëm si “Top Channel”, “Vizion +”, “Klan” etj., dhe ofrues shërbimesh të profilizuar si rasti i “Tring” e “Digitalb” që transmetojnë filma, sport, dokumentarë, informacion etj., etiketuar ndryshe si operatorë tematikë.

Ofruesit e Multiplekserit janë ato subjekte që sigurojnëq përshtatjen në formatin e duhur të transmetimit (MPEG-2, MPEG-4, SD apo HD) për të gjithë sinjalet që vijnë nga operatorët e programeve.

Ofruesit e rrjetit të transmetimit. Janë subjektet që sigurojnëq transportimin e sinjalit final që merret nga ofruesit e multipleksit e më pas e transmetojnë nëpërmjet sistemeve të transmetimit në ajër në të gjithë territorin e dhënë.

Si ndodh praktikisht procesi i ndryshimit?

Licenca ekzistuese për ofrimin e shërbimit televiziv në teknologjinë analoge sipas ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 i mundëson një operatori televiziv të ndërtojë studiot e transmetimit, të hartojë dhe përgatisë programacionin e tij dhe të realizojë sistemin e transmetimit të sinjalit në ajër. Pra, çdo operator i licencuar nga KKRT duhet të zotërojë këto tre elementë të mësipërm për të funksionuar.

Në teknologjinë e re, nevojitet vetëm një sistem multipleksimi i përbashkët për rreth 12 deri në 20 programe televizive brenda një multipleksi, dhe një sistem transmetimi të sinjalit në ajër. Numri i këtyre programeve që mbështeten në platformën dixhitale, do të përcaktohet nga një sërë kombinimesh e parametrash teknikë të Multpileksit si formati i programit SD apo HD, Bitrate përkatës, etj., si dhe parametrat teknikë të sistemit të transmetimit siç janë tipi i rrjetit SFN (rrjete njëfrekuencore) apo MFN (rrjete shumëfrekuencore), lloji i modulimit (QPSK, QAM etj.), referenca e rrjetit etj.

A është miratuar strategjia e re e dixhitalizimit?

Më datë 2/05/2012, me VKM Nr. 292, miratohet strategjia e kalimit në teknologjinë e re. Më datë 15/06/2012, me urdhër të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit (MITIK), z. Genc Pollo “për emërim të drejtuesit të sekretariatit teknik të komitetit ndërministror për zbatimin e strategjisë së kalimit nga transmetimet analoge në transmetimet numerike” në këtë detyrë caktohet z. Sidrit Malevi, punonjës i kësaj ministrie.

Por kush punoi dhe e përpiloi këtë dokument strategjik?

Nëse u referohemi vendimeve përkatëse, me porosi të kryeministrit ngarkohet MITIK z. Genc Pollo për hartimin e kësaj strategjie.

Më pas ngrihet një grup pune me punonjës të kësaj ministrie, RTSH, AKEP, KKRT të cilët bashkërisht punuan për këtë dokument.

E si çdo gjë paradoksale që ndodh në vendin tonë, ky dokument strategjik nuk përfshin në grupin e punës asnjë përfaqësues të medias private. Kujtojmë se në total janë të licencuar nga KKRT 71 operatorë televizivë me shtrirje vendore, 2 operatorë televizivë me shtrirje kombëtare dhe një operator televiziv publik me shtrirje kombëtare. Si dhe funksionojnë dy platforma dixhitale tokësore të konsoliduar si “Digitalb” dhe “Tring”.

Për më tepër, grupi i punës nuk vlerësoi dhe nuk arriti të pasqyrojë apo të marrë sadopak parasysh as vërejtjet dhe propozimet e bëra me shkrim për këtë dokument strategjik nga këto grupe kryesore të interesit. Gjithashtu, ky është një rast unik edhe në rajon që dokumenti i strategjisë përpilohet nga një institucion shtetëror, e ku institucioni përkatës rregullator është thjesht spektator në karrigen e radhës së dytë.

Ndërkohë që KKRT duhet të ishte iniciatori i gjithë procesit konsultativ, detyrë kjo që ia ngarkon ligji. Fatkeqësisht kjo KKRT nuk mundi ta kryente këtë detyrë për arsyen e thjeshtë se militantë të paaftë kanë uzurpuar këtë institucion, duke zëvendësuar specialistët me përvojë të gjatë dhe integritet.

Çfarë ka përcaktuar strategjia jonë e miratuar (shumë shkurtimisht)?

Përcakton dhënien e një rrjeti kombëtar me “beauty contest” përq operatorët ekzistues kombëtarë privatë si TV KLAN dhe “Top Channel”.

Përcakton një rrjet kombëtar për “Digitalb”, “Tring” dhe ALSAT, si operatorë kombëtarë satelitorë.q

Përcaktohen dy rrjete kombëtare për TVSH, Televizionin Publik Shqiptar.q

Të gjithë operatorët lokalë e rajonalë privatë kanë dy mundësi,q të mbështeten në infrastrukturën që do të ndërtojë TVSH ose të ndërtojnë platformat e tyre të përbashkëta.

Formati i ngjeshjes së programit duhet të jetë MPEG-4, ndërsaq formati i transmetimit të sinjalit në ajër duhet të jetë DVB-T2.

Si edhe një sërë rregullash për subvencionimin e dekoderëve për teleshikuesit etj.q

A ka defekte dhe ku qëndrojnë këto në këtë strategji?

Defekti kryesor që mbart ky dokument është mospasqyrimi i realitetit mediatik në vendin tonë. Janë 5 multiplekser të kompanisë “Digitalb” dhe 3 multiplekser të “Tring”, të cilët operojnë me kapacitete të plota. Në treg janë rreth 150 000 dekoderë, si edhe rreth 30 000 mijë televizorë me dekoderë të instaluar. Pra, janë rreth 180 000 familje që e kanë të prekshme këtë teknologji tashmë. Përmendim që janë edhe rreth 6 multiplekse të tjera lokale në zonën Tiranë-Durrës, që po eksperimentojnë e përgatiten për këtë teknologji. Detyra kryesore e një dokumenti strategjik është t’i paraprijë së ardhmes, e jo të jetë në bisht të zhvillimeve teknologjike dhe aq më keq, kur mund ta pengojë atë.

Në strategjinë e miratuar janë zgjedhur parametrat teknike të mëposhtëm të transmetimit: Metoda e ngjeshjes së programeve (SD dhe HD) është MPEG-4 dhe Teknika e transmetimit në ajër është DVB -T2. Ndërkohë që operatorët ekzistues në treg transmetojnë prej vitesh me parametrat MPEG-2 dhe DVB-T.

Defekti tjetër i këtij dokumenti është vendosja për shfrytëzimin e infrastrukturës së TVSH-së për të gjithë operatorët vendorë e rajonalë. Televizionet private kanë kryer investime të mëdha në ndërtimin e pikave të transmetimit, si dhe për sigurimin e aparaturave transmetuese të standardeve më të larta e cilësore. Kjo duket fare qartë në cilësinë e tyre të transmetimit. Ndërkohë që TVSH-ja është në një gjendje të mjerueshme, e ku nuk kryen dot detyrën e vet publike, e jo më të mbartë sistemet transmetuese për të gjithë këta operatorë vendorë dhe rajonalë. Defekti tjetër ka të bëjë me paragjykimin objektiv për mosgarantimin e pluralizmit politik dhe diversitetin e mendimit nëpërmjet medias së lirë. Cilado qofshin sanksionet e përcaktuara në ligj, nëse TVSH-ja do të mbarte në multiplekserin e saj programe të tjera, ky proces është i kompromentuar nga sjellja njërreshtore e këtij institucioni pas qeverisë, sjellje kjo që e karakterizon këto 10 vitet e fundit.

Por ka edhe një anë tjetër. Na lind pyetja: Mos vallë e gjithë kjo stisje vendimesh e “pune të palodhur”, do të japë frytet e veta diku tjetër, sipas skemave paraprake të mirëpërcaktuara nga qeveria?!

Kemi shkak të supozojmë se ndërtimi i rrjeteve të reja për TVSH-në, do të kryhet me financimin e buxhetit të shtetit, apo kreditime të mundshme, e ku pikërisht do të jetë MITIK ajo që do të realizojë këtë proces, pra mund të jetë organizuesja e tenderit për sistemet e reja të platformës dixhitale të TVSH-së!

Ky hamendeshim është shumë i mundur të ndodhë, e padiskutim përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke përcaktuar paraprakisht fituesin, si edhe klientët që do të mund të shfrytëzojnë sistemet e reja dixhitale.

Por çdo të ndodhë praktikisht me këtë strategji të miratuar?

Operatorët ekzistues dixhitalë tokësore që kanë kryer investime kolosale në sistemin e transmetimit dhe HeadEnd duhet të ndryshojnë të gjithë sistemin e tyre. Pra multiplekserat dhe pajisjet e transmetimit të sinjalit në ajër. Ndërkohë që kjo është njëra anë e problemit, pasi teleshikuesit duhet të ndryshojnë pajisjet në shtëpitë e tyre, dekoderët e tyre ekzistues apo televizorët dhe të blejnë pajisje të reja me parametrat teknike në përputhje me strategjinë.

Ndërkohë që vlera e llogaritur për pajisjen e të gjitha familjeve në vend me dekoder të rinj është rreth 15 milionë euro. Për televizionet ekzistuese analoge vendore apo dhe kombëtare është e detyrueshme të blejnë pajisjet e reja dixhitale për të ndërtuar rrjetet e tyre. Investimet e kryera për ndërtimin e pikave transmetuese moderne në të gjithë territorin e vendit nga secili operator ka gjasa të shkojnë dëm, pasi në çdo pikë transmetimi do të mund të shfrytëzohet vetëm një pikë e vetme e transmetimit.

TVSH-ja duhet të ndërtojë 2 rrjete kombëtare dixhitale e të mbulojë me sinjal gjithë territorin dhe popullsinë e vendit. Gjithashtu këto dy rrjete kombëtare, të cilat do të mund të mbartin rreth 40 programe televizive, duhet të plotësohen me programacion të larmishëm nga TVSH-ja, të paktën në një rrjet. Por a mundet TVSH-ja të bëjë program për 20 programe televizive?! Nuk dua ta paragjykoj, por duke ndjekur programet e TVSH-së mendoj se nuk mund të realizojë e të mbushë kapacitetet që i ofron rrjeti i saj për të gjitha këto programe të reja. Programi i dytë i TVSH-së ka vite që ka filluar, e nuk është ende i plotë e në standardin e duhur!

Çfarë duhet të përcaktonte strategjia e dixhitalizimit (shkurtimisht)?

Së pari, ndarjen e qartë të roleve për secilin aktor, ofruesit e programeve, Multiplekserit dhe ofruesit të rrjetit. Së dyti, ndarjen e rrjeteve, llojet e tyre dhe përcaktimin e kapaciteteve të lira për rrjetet e transmetimit. Së treti, marrëdhëniet kontraktuale dhe kushtet e pranimit në multiplekser dhe rrjetin e transmetimit. Së katërti, strategjinë e kalimit në teknologjinë e re (Analog switch OFF). Së pesti, sistemin e drejtë të subvencionimit të rrjeteve të transmetimit për televizionet private, si edhe dekoderët për të gjithë qytetarët etj.

Por cili ishte roli i KKRT-së gjatë këtij procesi?

Rreth 7 takime konsultative ka organizuar KKRT për këtë proces. Janë të shtata takime sipërfaqësore, në të cilat nuk është konkluduar asgjë. Edhe vetë dokumenti i miratuar e pasqyron këtë.

KKRT-ja ka edhe një rol tjetër. Të hartojë e të punojë për planin kombëtar të caktimeve frekuencore, si edhe t’i koordinojë e t’i regjistrojë në UBT këto frekuenca. Gjatë viteve 2007–2013, nuk shohim asnjë punë konkrete të realizuar nga sektori teknik i KKRT-së. Ky plan duhet të harmonizonte shfrytëzimin e spektrit radio-frekuencor, të përcaktonte pikat optimale të transmetimit me sinjal DVB-T/T2, të llogarisë mbulimet me sinjal, të llogarisë sinkronizimin e rrjeteve njëfrekuencore (SFN) dhe të kryejë llogaritjet e interferencës së rrjeteve SFN.

Kjo KKRT nuk është marrë me asnjë nga detyrat e mësipërme. Në qoftë se kërkoni arsyen, ajo është vetëm një: Nuk është e aftë të kryejë këto procese. KKRT-ja është marrë me “spastrimet” e specialistëve të aftë në të gjitha departamentet, duke i zëvendësuar me militantë, të paarsimuar në degët që mbulojnë. Detyrat e mësipërme teknike nuk mund të kryhen nga ekonomistë dhe juristë apo agronomë të komanduar. Ky proces kërkon edhe kontributin e njerëzve të trajnuar dhe specializuar që janë flakur apo larguar nga KKRT-ja. KKRT-ja është një nga institucionet e vetme në vend që janë paguar e paguhen paralelisht dy apo tre rroga për të njëjtin pozicion.

Paradoksi më i madh është se ky institucion tani do të merret me zbatimin e ligjit të ri të miratuar, ligj në të cilin është lënë jashtë, jo për ndonjë skemë të supozuar, por që duket hapur paaftësia dhe militantizmi i këtij institucioni çrregullator.

Televizioni dixhital është e ardhmja e pashmangshme në të cilën do të ecë media dhe komunikimi elektronik. Të shpresojmë që edhe ky evolucion të mos tjetërsohet nga paaftësia, nga interesat klienteliste dhe keqrregullimi i procesit pikërisht prej atyre që kanë detyrë ta drejtojnë dhe mbikëqyrin këtë proces.

Kemi qenë një nga vendet e para në rajon që kemi aplikuar transmetimin në këtë teknologji të re, por kemi mbetur një nga vendet e fundit që nuk e kemi kaluar ende të gjithë sistemin tonë transmetues në këtë teknologji. Me këto institucione, kjo me siguri që nuk mund të ndodhë.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s