TV dixhital, shpallet tenderi 20 mln euro

Me një shpejtësi marramendëse, qeveria shqiptare synon të mbyllë deri më 31 maj 2013 një tender 20-milionë eurosh për dixhitalizimin e shërbimeve radio e televizive në vend. Ministri i Inovacionit Genc Pollo ka marrë përsipër të organizojë garën, e cila do të zhvillohet më 17 maj dhe do të përmbyllet ditën e fundit të atij muaji.

Një tender me përmasa, vlerë dhe rëndësi të tillë është jashtë logjike që të realizohet nga një ministër i vetëm pa portofol. Në dokumentet e siguruar nga Shqiptarja.com, që rezulton të jenë përgatitur ditën e premte, më 12 prill 2013, në orën 14.30, del se, ndryshe nga afatet që përcakton ligji për prokurimet publike, ditën e tenderit do të shpallet edhe fituesi, e kjo, vetëm katër ditë pas afatit të dorëzimit të ofertave; më tej, nuk do të ketë kohë për rivlerësime apo për ankesa dhe 14 ditë më pas, brenda ditës, do të negociohet dhe njëkohësisht do të nënshkruhet kontrata.

PROCEDURAT

Një shpejtësi e tillë nënkupton se tenderi nuk është planifikuar për t’iu nënshtruar procedurave normale, por nga qeveritarët është përcaktuar paraprakisht se kujt do t’i jepet. Si garanci oferte kërkohet vetëm 3 për qind e vlerës së ofertës, që, duke marrë parasysh shifrën minimale, është vetëm 600 mijë euro.

Ndërkohë, garancia e kontratës është gjithashtu mjaft e ulët: 10% e shumës, pra 2 milionë euro. Le të kujtojmë se, në rastin e Albpetrolit, shifrat përkatëse ishin 10 dhe 20 për qind, pra me kërkesë dy herë më të lartë se kaq.

Le të kujtojmë gjithashtu se nuk ka ndodhur ndonjëherë që në të njëjtën ditë kalendarike të fillojnë negociatat dhe të lidhet kontrata me vlerë të paktën 20 milionë euro. Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm në rast se palët janë marrë vesh që përpara se të nisë tenderi për të gjitha hapat proeduriale që do të kryhen, duke përjashtuar subjektet e tjera që mund të kërkojnë të jenë pjesëmarrës në tender.

Sipas burimeve, të favorizuar për të fituar garën, ende pa nisur procedurat, janë bashkëpunëtori i vazhdueshëm i qeveritarëve Bashkim Ulaj, përfituesi i tenderëve më voluminozë të infrastrukturës rrugore dhe personi, të cilit Financat i paguajnë më rregullisht nga të gjithë subjektet e tjera faturat për punën e kryer.

Kompanitë e tij kanë siguruar dhe kryer tashmë edhe një shërbim tjetër ekskluziv pikërisht në fushën e teknologjisë informatike, atë të shtrimit të linjave me bandë të gjerë kabllore për internetin, për çka janë hapur edhe të gjitha rrugët kryesore të Shqipërisë, deri në Kosovë.

Prania e këtij subjekti në të gjitha garat e organizuara kohët e fundit nga qeveria me vlera të konsiderueshme aktuale dhe perspektive ka ngjallur pakënaqësi në gjirin e komunitetit të bizneseve që operojnë në sektorët e infrastrukturës apo të teknologjisë informatike.

Por, një nga përfituesit që përflitet është edhe pronari i TV Klan apo ABC News e gazetës “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj, i cili do të kishte mundësinë për të krijuar një “shtyllë kurrizore” në gjithë vendin, me të cilën të lidheshin operatorët privatë e shtetërore për të transmetuar në teknologji dixhitale, që do të jetë e detyrueshme nga mesi i vitit 2015.

Sipas dokumenteve të tenderit, 15 për qind e vlerës së projektit do të paguhej që në fillim nga Radiotelevizioni Shqiptar, që mbahet në këmbë nga taksat e shqiptarëve. Pjesa tjetër do të paguhej pjesë-pjesë, psh në çdo rast kur importohen makineri e pajisje nga jashtë, e më pas, të cilat as nuk do të taksohen me TVSH, pas heqjes së kësaj takse nga ana e shtetit kohët e fundit, me ligj të posaçëm.

TRANSMETIMET

Operatorit fitues i kërkohet që brenda vitit të parë nga fitimi i tenderit të realizojë mbulimin e 60 për qind të territorit shqiptar me sinjal dixhital, përqindje që do të rritet edhe më gjatë vitit të dytë.

Në përputhje me strategjinë e dixhitalizimit, klientët do të pajiseshin me një aparat të unifikuar, që do të shërbente për të kapur valët e kujtdo kanali televiziv apo radiofonik shqiptar, ndërkohë që aktualisht për operatorë të ndryshëm përdoren aparate të ndryshëm.

25 milionë euro do të përdoreshin për dixhitalizimin e tregut dhe për dy rrjete publike; 25 milionë euro për dizenjim, pajisje, instalim, trajnim dhe komisionim, sipas ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë.

Kështu, parashikohet ngritja e dy rrjeteve publike me paratë e shqiptarëve, pa projekt nga transmetuesi publik dhe pa projekt nga KKRT-ja, si autoriteti rregullator, i cili duhet të miratojë strategjinë për ngritjen e këtyre rrjeteve dixhitale.

Por, a mund të bëhet tender për rrjetet publike, njëri për RTSH-në dhe tjetri për operatorët privatë, pa bërë studimin sa do të shiten këto shërbime? Nëse do ta ndërtojë zoti Pollo dhe do të hedhë 25 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë, me çfarë sinjali do ta shikojnë shqiptarët?

Mendohet se do të duhen edhe 25 milionë euro të tjera për të paguar këta konsumatorë, për të mbushur përsëri xhepat e ministrit të qeverisë, edhe kur ai mund të mos jetë më në pushtet.

LIGJI

Ligji për dixhitalizimin e transmetimeve audiovizive është sorollatur për të paktën gjashtë vjet në parlament, më shumë se çdo nismë tjetër ligjore. BE ka kërkuar një ligj që do të garantonte disa sisteme, për sa u përket lirisë, pavarësisë dhe funksionalitetit të medias dhe, kryesisht, ka kërkuar miratimin konsensual të një ligji të kërkuar nga BE-ja.

Gjatë gjithë diskutimeve të projektligjit janë miratuar më konsensus 135 nene. Konsensusi është prishur nga mazhoranca në mënyrë të njëanshme vetëm për zgjedhjen e autoriteteve regullatore, më synim vazhdimin e kontrollit të RTSH-së, transmetuesit publik.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s