Pas SHISH-it, radha e Avokatit të Popullit?

Eugen Vasili / Jurist

av-popullit

Një projektligj i ri që synon të zëvendësojë Ligjin Nr.8503 datë 30.06.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, pritet të shkaktojë një skandal të ri përsa i përket kontrollit qeveritar mbi të drejtën e informimit dhe nxjerrjen jashtë loje të institucioneve kushtetuese.

Projektligji në fjalë e “transporton” trajtimin e kërkesave dhe ankesave të individëve të cilët kanë pretenduar se ju është shkelur e drejta e informimit, pranë Komisionierit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Nga teksti i ligjit ekzistues dhe nga një konsultë me ligjet e tjerë të Kushtetutës mësohet se këtë kompetencë e ushtron aktualisht institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit.

Ngjashëm me rastin e SHISH-it, heqja e kompetencave është parë si rruga “ligjore” për ta dobësuar si institucion me sa duket të konsideruar “jashtë kontrollit” qeveritar? Pyetja duket retorike nëse kihet parasysh që “transportimi” i kompetencave që parashikon projektligji i ri prek një  fushë që prek gjerësisht shkeljet e së drejtës për informim gjatë veprimtarisë së, organeve të pushtetit qendror, njësive të pushtetit vendor, të enteve publike, si dhe të personave juridike qe ofrojnë shërbime publike.

Si i tillë ndryshimi i ligjit do ketë ndikime të forta në aksesin e mediave dhe qytetarëve në këto dokumenta; garancitë e tyre për akses do ulen ndjeshëm pasi kontrolli mbi ankesat, kalon nga një institucion kushtetues i zgjedhur me 84 vota në një institucion pranë qeverisë që zgjidhet me shumicë të thjeshtë 71 votëshe.

Justifikimi

Disa dokumente që kanë shoqëruar hartimin e projektligjit në fjalë, e justifikojnë këtë ndërhyrje me fjali të tipit: “…sfera e kompetencave të Ombudsman-it në fushën e të drejtave të njeriut është gjithpërfshirëse dhe, për pasojë, institucioni mund të mos ketë kohën dhe burimet e nevojshme për t’u marrë sa dhe si duhet me çështjet e së drejtës së informimit”.

Justifikimi duket naiv, por nxitimi me të cilin po tentohet ndryshimi (ka zëra se është futur me urgjencë për votim në kalendarin tre-javor të Parlamentit) ngre dyshime të forta. Vec aspektit të pashmangshëm politik të sipërcituar, ndryshimi që parashikon projektligji i ri shton kostot në buxhet si dhe shkon në drejtim të kundërt me frymën e disa nismave që po kryhen ne vendet e zhvilluara europiane dhe Këshilli i Europes.

Kosto në buxhet

AP ekziston tashmë si institucion që aktualisht trajton ankesa për shkelje të së drejtës për informim nga organet e administratës publike. Edhe nëse do të duhet të bëhen shtesë në personel, ajo do të jetë më e vogël, se pranë Komisionierit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në të cilin propozohet dyfishimi i personelit.

Eksperienca ndërkombëtare

Përsa i përket eksperiencës dhe përvojës ndërkombëtare lidhur me këto institucione, gjatë viteve të fundit ka filluar bashkimi dhe shkrirja e Institucioneve te pavaruara të mbrojtjes nga diksriminimi, mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve apo të mbrojtjes së te dhënave përsonale pranë institucioneve të Ombudsmanëve. Një reformë e tillë është ndërmarrë për të shmangur mbivendosjen dhe përplasjen në kompetenca të Institucioneve të pavarura me institucionet e Ombudsmanëve, por edhe për të reduktuar kostot financiare lidhur me to.

Shembull i fundit është ai i Francës, që në vitin 2011 ka ndërmarrë një reform të bashkimit të institucioneve të pavarura të mbrojtjes nga diskriminimi, mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Institucionin e Mbrojtësit të të Drejtave.

Për më tepër, kohët e fundit edhe Këshilli i Europës është duke diskutuar mundësinë e shkrirjes dhe bashkimit të institucioneve të pavarura, pranë institucioneve të Ombudsmanëve.

Në Shqipëri po ndodh e kundërta: Krijohen institucione të tjera të pavarura me kompetenca apo funksione që Kushtetuta tashmë ia njeh një institucioni, “faji” i madh i të cilit me sa duket është ai që kanë bërë edhe të tjerë para tij: kërkon të veprojë jashtë kontrollit qeveritar.

Çfarë është e drejta për informim dhe çfarë thotë ligji

E drejta për informim është e drejta e individit për të patur akses dhe informacion mbi dokumentet zyrtare të administratës publike, si dhe detyrimi i organit të administratës për të zbatuar ligjin. E drejta e informimit garantohet në nenin 60 të Kushtetuës, ndërsa neni 2 i ligjit “Për Avokatin e Popullit” thotë se ky institucion mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj.  Neni 23 i Kushtetutës  garanton të drejtën e informimit si një të drejtë themelore të njeriut, në këtë kontekst, çdo  ankesë për shkelje të së drejtës së informimit nga organet e administratës publike, por edhe nga entet publike, kompanite publike dhe kompanitë që kanë lidhur kontrata koncesionare me shtetit, është në fushën e kompetencës së Avokatit të Popullit.

“Përgjigje qeveritare” për kritikat?

Nëse i referohesh raporteve të Avokatit të Popullit për çështjet e shqyrtuara për shkelje të së drejtës për informim, ato nxjerrin edhe problematikën e zbatimit të ligjit në administratën publike, nga e cila konstatohet se:

a. Nuk zbatohen afatet ligjore për kthimin e përgjigjes ndaj kërkesave për informacion, qoftë për refuzimin, qoftë për përmbushjen e tyre;

b. Legjislacioni mbi të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare nga administrata publike, nuk zbatohet, duke shmangur kështu përgjegjësinë e saj për dhënien e dokumentacionit të kërkuar.

c. Ligji Nr.8503 datë 30.06.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, njihet në masë jo të mjaftueshme dhe jo nga e gjithë administrata, gjë që sjell vështirësi dhe pengesa në funksionimin normal dhe transparent të administratës publike, në marrëdhëniet e kësaj të fundit me publikun.

Me sa duket kritikat e mësipërme të Avokatit të Popullit në këtë fushë e kanë marrë “përgjigjen” nga qeveria: Ia kalojnë kompetencat që ligji ia njeh këtij institucioni një institucioni tjetër pranë qeverisë.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Dita

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s