Gazeta, mizat dhe të tjerët

Sandër Lleshi

gjenerali

E mërkura që shkoi filloi ndryshe nga ditët e zymta të kësaj pranvere, që duket sikur ka humbur rrugën. Falë një gazete. Telefoni dhe adresa ime elektronike u mbingarkuan që në orët e para të ditës nga shumë thirrje dhe mesazhe. Ishin kryesisht urime, pyetje, pikëpyetje…

Lajmi ishte befasi e mirëfilltë në radhë të parë për mua, por dhe për shumë të tjerë. Nga autori thuhej se së shpejti “pritet” të shpallet kandidimi im për deputet i një partie politike shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Menjëherë vijuan urimet pa lidhje nga brenda dhe jashtë vendit, nga miq dhe njerëz të panjohur. Ishte një gjendje krejtësisht surreale: urime të kota dhe përgënjeshtrime për asgjënë.

Lajmin e lexova dhe konstatova se ishte i menduar dhe shkruar mirë. Edhe një fotografi ishte gjetur për ilustrim. Po ashtu vendi i zgjedhur për lajmin në ballinë. Bujarisht autori i lajmit nuk i kishte kursyer edhe vlerësimet për personalitetin dhe biografinë time. Shkurt, ai e kishte shpenzuar gjithë kapacitetin profesional me synimin për ta bërë të besueshëm produktin e tij. Lajmit i mungonte vetëm një nga elementet, e vërteta. Një lajm pa përmbajtje të vërtetë dhe pa autor të vërtetë. Kur e lexoja më vinin ndër mend ato njoftimet e kronikës së zezë që përfundojnë fjalinë “autori u largua në drejtim të paditur”. Edhe në këtë rast autori ishte “burim që nuk do të identifikohet”, i panjohur, i larguar në drejtim të paditur.

Autori i vërtetë i lajmit, ai që ishte përpjekur të përhapë mjegull, ose më mirë të themi tym, sepse mjegulla në përmbajtjen e saj nuk është toksike, nuk ka pasur si qëllim të parë të infektojë publikun dhe as t’i shkaktojë dëm politik një subjekti të tillë. Tabela e vërtetë e qitjes ishte një gjeneral i Forcave të Armatosura, autori i këtyre radhëve. Në pamundësi për të atakuar publikisht vlerat, standardet dhe qëndrimet zyrtare të mbajtura, autori i lajmit kishte përdorur tymin si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga thelbi tek tema që nuk ekzistojnë.

Me sa duket lajmi kishte qenë me shumë ngut, sa gazeta nuk kishte pasur mundësi të bënte as ritet fillestare të mjeshtërisë së saj, konfirmimin, verifikimin e saktësisë së lajmit dhe të besueshmërisë së burimit. Ndodhin edhe këto. Kështu thotë im bir sa herë gabon si shokët e tij të vegjël. Mesazhi i tij është se ajo që ndodh ka njëfarë legjitimiteti, se ajo që ndodh duhet të ndodhë dhe duhet të pranohet ashtu. Duke mos e pranuar pa koment legjitimitetin e gjithçkaje që ndodh, u përpoqa pranë gazetës për që të bëja një sqarim. U lodha të bëja atë minimum që i takonte asaj. Përpjekja u refuzua. Dukej qartë se nuk ishte fjala as për një trill e as për një lapsus, por për një sulm.

Dihet se përhapja në publik e të pavërtetës është një lloj sulmi. Kur bëhen në ushtri ndaj një kundërshtari, këtyre i hileve u thonë PSYOPS (Psychological Operations), ose operacione psikologjike. Sulme të kësaj natyre të errët synojnë ta zhbalancojnë kundërshtarin, ta tërheqin atë në frontin e gabuar, të zhvendosin vëmendjen nga objektivi kryesor i sulmit. Ushtritë moderne e bëjnë këtë gjë në mënyrë shumë profesionale. Për fat të mirë në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një surrugato amatore. Një sulm mediatik nga bij të provincializmit dhe të banalitetit. Ka dy rrugë për të reaguar në raste të tilla: ose të “mbathësh opingat” e të futesh në betejën banale të baltës, aty ku synojnë agresorët, ose të shmangësh baltën dhe të rrish gati për një përballje në nivel tjetër. Unë kam zgjedhur të dytën, antibaltën. Shkëmbin. Më shumë se tri dekada vite shërbim ndaj Shqipërisë, përgjegjësia zyrtare dhe respekti ndaj mijëra ushtarakëve të këtij vendi më detyrojnë që të reagoj me minimumin e mundshëm ndaj burimit të këtij tymi toksik, pa zbritur në baltë, me shpresën se autori do ta kuptojë reagimin e kursyer si një gjest përgjegjësie dhe jo si stepje përballë sulmit.

Aq sa ishte irritues lajmi vetë, po aq i habitshëm ishte dhe refuzimi i gazetës për të botuar një reagim të përshtatshëm. Mes habisë dhe keqardhjes për këto standarde, më erdhi ndër mend diçka nga e shkuara ime. Vite më parë, kur studioja në një akademi të nderuar jashtë vendit, shkuam në një praktikë mësimore te gazeta më e madhe e Europës. Në të parin leksion, njëri prej drejtuesve kryesorë filloi me një pyetje të çuditshme. “Çfarë lidhje ka mes një politikani dhe një mize?” – ishte pyetja. Pasi ne studentët i shteruam të gjitha hamendjet e gabuara, ai na dha përgjigjen e tij. “Lidhja e një politikani me një mizë është mjeti më të cilin ata vriten: gazeta.”

Ky ishte leksioni për gazetarinë. Atëherë, në Europë. Besoj se edhe botuesit, gazetarët, politikanët tek ne e dinë fort mirë këtë punë. Gazeta përdoret si armë kundër mizave dhe politikanëve. Fatkeqësisht tek ne duket se, ndoshta prej një kushtëzimi të hershëm dashurie për armët, gazeta përdoret më shumë. Ajo përdoret gjerësisht. Intelektualë, artistë, shkrimtarë, gjeneralë, qytetarë, fëmijë të pafaj, të gjallë e të vdekur vendosen jo rrallë në shënjestër. Pra jo vetëm politikanët, por shumë më tepër. E si për të kompensuar zgjerimin e kategorisë së viktimave të gazetës, duket se janë përjashtuar nga rregulli i mësipërm vetëm mizat, të cilat unë mendoj se nuk e meritojnë kurrsesi këtë privilegj.

Ky përdorim pa kufi e pa kritere i gazetave si armë është një deformim i madh, i cili nuk i shërben askujt. Armët janë krijuar për t’u përdorur në kushte ekstremisht të kufizuara dhe të përcaktuara. Nëse ne e konsiderojmë edhe gazetën si të tillë, duhet ta përdorim me kujdesin e nevojshëm. Këtë mesazh nuk e adresoj ndaj gazetave, por ndaj autorëve, që shpesh herë nuk janë gazetarë. Armët, përfshi këtu edhe gazetat, në vetvete janë të pafajshme. Fajin e kanë ata që i përdorin gabim.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s