Llalla urdhëron hetimin e medias, publikoi të dhëna të dosjes së Dritan Lamajt dhe Ardian Prrenjasit

a-llallajNga Lindita Çela

Kryeprokurori Adriatik Llalla urdhëron nisjen e hetimeve ndaj medias në Shqipëri. Publikimi i të dhënave nga hetimi i vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6, Artan Lamaj, dhe dëshmive të abuzimit të Ardian Përrenjasit me minorenët, duket se ka tronditur Prokurorinë e Përgjithshme, aq sa të urdhërojë nisjen e hetimeve ndaj mediave vizive dhe të shkruara. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se kryeprokurori Llalla ka urdhëruar nisjen e procedimit penal për nxjerrje të sekretit hetimor dhe shkelje të rëndë të privatësisë së shtetasve gjatë hetimit.

“Prokurori i Përgjithshëm e vlerëson të patolerueshëm faktin që të dhëna që gjenden në fashikujt e çështjeve në hetim të bëhen publike, duke dëmtuar së pari integritetin moral dhe personal të personave të goditur nga krimi dhe nga ana tjetër, duke cenuar rëndë cilësinë e hetimit të veprave të rënda penale”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme.

Media nën hetim

Jozyrtarisht mësohet se disa gazetarë janë vënë nën hetim pse publikuan dokumente që hedhin dritë mbi dy ngjarjet më të rënda të ndodhura kohët e fundit në vend. Urdhri i kryeprokurorit për hetimin e mediave dhe gazetarëve bëhet në kohën kur në Shqipëri ka qindra vrasje të pazbardhura; në kohën kur në sirtarët e kryeprokurorit qëndron e kyçur kërkesa e familjarëve të viktimave të Gërdecit për rifillimin e hetimeve ndaj Fatmir Mediut; në kohën kur ekzistojnë hapësira juridike për hapjen e  dosjes “Durrës-Kukës”, ku është i përfshirë në korrupsion kryebashkiaku i emëruar Lulëzim Basha. Urdhri për hetimin e medias vjen në kohën kur kryeprokurori ka në zyrë videon e Fahri Balliut si pjesë e pahetuar e video-përgjimit “Prifti-Meta”; në kohën kur ka mbi tryezë dy dosjet e abuzimit të Genc Rulit, Ministër i Bujqësisë.

Llalla urdhëron nisjen e hetimeve në kohën që ende nuk ka asnjë procedim për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe deputetit Fatmir Xhindi. Urdhëron të hetohet media në kohën kur vrasja e ish-drejtorit të SHISH-it, Isa Çoba, vazhdon të mbetet mister. Kryeprokurori urdhëron procedimin penal për publikimin e atyre fakteve që hidhnin dritë mbi dy ngjarjet e rënda ndërkohë që nuk ka nisur asnjë hetim për prokurorët që kërkuan vetëm 1 milion lekë për dënimin e Ardian Prrenjasit në vitin 2008.

Të premten kryeprokurori urdhëroi vetëm nisjen e hetimeve për median që hodhën dritë mbi vrasjen e Dritan Lamajt dhe profilit të Ardian Përrenjasit. “Ky hetim do të ndiqet me përparësi dhe çdo material do të analizohet nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Nga ana tjetër, duke u bazuar në ligjin organik të Prokurorisë, z. Llalla garanton se do të dëshmojë ashpërsi ndaj prokurorëve që publikojnë të dhëna të çështjeve në hetim, të çdo natyre dhe për çdo qëllim”, thuhet ne njoftim zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë burime nga prokuroria i thanë TemA-s se pjesë e hetimit  të urdhëruar nga Llalla do të jenë kryesisht publikimi i fotove të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit me Arben Frrokun, i akuzuari i vetëm për vrasjen e Dritan Lamajt. Po kështu pjesë e hetimit do të jetë dhe publikimi i disa dokumenteve që bënin me dije se Lamaj, gjatë kohës që ishte në detyrë, kishte kërkuar informacion mbi vrasësin e tij, pasi kishte dyshime se ishte i përfshirë në rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike. Po kështu, hetimi do të përfshijë dhe publikimin e dëshmisë së minorenit të dhunuar nga pedofili, Ardian Përrenjasi.

Burime të prokurorisë thonë se deri më tani Llalla nuk ka urdhëruar asnjë hetim për prokurorin, që në vitin 2008 kërkoi  vetëm gjobë Ardian Prrenjasin, i arrestuar pasi dhunoi një fëmijë në Librazhd.

Penalizimi i prokurorëve

E vetmja masë që Llalla ka marrë ndaj prokurorëve, të cilët kanë pasur në hetim dy dosjet, është transferimi i tyre tek prokurorë të rinj.

“Për të zhvilluar një procedim të drejtë dhe gjithëpërfshirës, Prokurori i Përgjithshëm, si hap të parë, ka urdhëruar zëvendësimin e prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore që kanë zhvilluar hetime mbi disa nga çështjet me impakt të madh në opinionin publik të këtyre ditëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë që prokurorët që kanë pasur nën hetim këto ngjarje janë njerëzit e vlerësuar si ndër të besuarit e Adriatik Llallës. Kështu, dosjen e hetimit të pedofilit e kishte Ervin Karanxha, i cili deri pak kohësh merrte nën hetim dosje të nivelit të ulët. Ndërsa prokurorët që po hetonin vrasjen e Dritan Lamajt janë  ndër njerëzit e përzgjedhur të Llallës për të drejtuar organin e akuzës në Shqipëri. Një ndër prokurorët, që kishte në fillim dosjen e vrasjes së komisarit, ishte Besnik Muçi. Pak kohë më parë ai u emërua prokuro rrethi në Kavajë. Eugen Beci është një tjetër prokuror që mori nën hetim ngjarjen e vrasjes së komisarit, por menjëherë pas ardhjes në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Llalla e komandoi atë drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërkohë, prokurori i fundit që ka çështjen është Anton Martini. Pikërisht këtyre prokurorëve, të cilët me firmën e Llallës kanë ngjitur shkallët e karrierës në Prokurorinë e Përgjithshme, është marrë vendimi i transferimit të dosjeve, ndërkohë që nuk dihet nëse dhe ndaj tyre do të ketë procedim penal për nxjerrjen e materialeve hetimore.

Por, pasi ka bërë publike nisjen e hetimeve dhe paralajmëron se çdo prokuror apo oficer i policisë gjyqësore do të procedohet penalisht në rast se bashkëpunojnë me median, Adriatik Llalla garanton se: “Organi i akuzës ka prioritet transparencën me publikun dhe median dhe në asnjë rast nuk do të cenohet e drejta për informim”.

Të paktën kështu thuhet në njoftimit zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s