Rrjetet e komunikimit social dhe hapësira publike qytetare

rrjetet-socialeGëzim Tushi

Padyshim, zgjerimi i përdorimit të internetit ka bërë të mundur zgjerimin e formave të lidhjes elektronike dhe demokratizimin e rrjeteve të komunikimit social në Shqipëri. Këto janë realitete të reja që intensivisht kanë ndryshuar raportet e individit me veten, me të tjerët dhe shoqërinë në tërësi. Megjithëse të rinj në këtë hapësirë të re të komunikimit elektronik dhe përfshirjes së njerëzve tanë në rrjetet e komunikimit social, duket që zhvillimet e ndodhura në Shqipëri në mënyrë të natyrshme kanë sjellë një situatë të re në komunikimet publike dhe private, të cilat kanë krijuar shqetësime dhe janë shoqëruar me një varg problemesh të vështira në jetën sociale.

Nuk është rastësi që edhe një arritje kaq e madhe e komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale, që është bërë përparësi e zgjerimit të komunikimeve interpersonale dhe publike, arritja po shoqërohet me shumë probleme sociale dhe paqartësi që ndikojnë në jetën e qytetarëve tanë dhe sidomos në atmosferën sociale të shoqërisë tonë. Sidomos kontroversat, paqartësitë dhe problemet janë përqendruar tek raporti që kanë me rrjetet sociale të rinjtë, pasioni i të cilëve për të qenë të “lidhur” dhe vazhdimisht në komunikimin nëpërmjet rrjeteve sociale, është bërë fenomeni social më masiv, dukuria e zgjeruar në përmasa gati epidemike, që është bërë fenomeni që vështirë të zbutet, pa le më të pretendosh që të shmanget.

Në se ka një arritje që të gëzon është fakti që internet e ka demokratizuar kulturën dhe informacionin, të cilat janë bërë fusha të hapura për të gjithë qytetarët. Në një farë mënyre, rrjeti i komunikimeve sociale ka bërë revolucion të vërtetë në fushën e komunikimeve private dhe publike, personale dhe sociale. Kjo sepse është shmangur nga njëra anë censura që e ka bërë informacionin të lirë, por nga ana tjetër në komunikimet e sotme është zbehur kufiri dhe mundësia që të garantosh privatësinë individuale dhe intimitetin personal. Në këtë situatë të demokratizimit të lidhjeve sociale dhe zgjerimit të informacionit që qarkullon nëpërmjet rrjeteve sociale patjetër që mund të ketë të humbur dhe të fituar.

Sepse nga njëra anë shteti ka humbur të drejtën e censurës dhe është bërë krejt i pafuqishëm në kontrollin e informacionit që rrjedh në rrjetin social, i cili mund të jetë pro por mund të jetë edhe kundër tij, mund të jetë mbështetës për politikat e qeverisë, por mund të shërbejë edhe si mjet i grumbullimit të njerëzve që janë kundër politikave të saj. Qarkullimi i lirë i ideve dhe informacioneve, diskutimi i tyre i lirë, i hapur dhe jashtë çdo hierarkie shtetërore, është një nga epërsitë e revolucionit të internetit dhe të forcës gjithëpërfshirëse të rrjeteve sociale. Ai po i shërben të gjithëve, kujtdo që dëshiron të dijë dhe të mësojë, dijetarit dhe qytetarit, shkencëtarit dhe transmetuesit të dijeve (mësuesit apo pedagogut), të gjithë atyre që kanë mundësi dhe dinë të përdorin këtë medium të forte, sic janë interneti dhe rrjetet e shumta të komunikimeve sociale.

Fenomeni i rrjetëzimit të informacionit dhe lidhjeve sociale nuk është i thjeshtë dhe nuk duhet vlerësuar në mënyrë të thjeshtëzuar duke parë në nivelin e thjeshtë të inovitetit teknologjik të komunikimit. Problemi është më i thellë, me përmbajtje sociologjike dhe sfond të zgjeruar në ndikimet që ka në jetën publike qytetare. Zgjerimi dhe përhapja e dijes, demokratizimi i informacionit të hapur, përdorimi gjithnjë e më shumë në nivel individual, zgjerimi i hapësirës së komunikimeve të hapura dhe diskutimeve publike, duhen konsideruar vetëm në qoftë se i shikojmë të lidhura, i vlerësojmë në funksion të pasojave evidente që kanë sjellë teknologjitë e reja në botën e sotme të globalizuar.

Në se do vlerësojmë në mënyrë dialektike dhe jo të njëanshme të mirat dhe të metat e përdorimit të informacionit të gjithanshëm që vjen prej internetit, do të kuptojmë se jemi në kohën kur edhe në shoqërinë tonë po shfaqet e meta e parë e madhe, që ka të bëjë me faktin që internet dhe rrjetet sociale janë bërë “imperialistët” më përcaktuese të informacionit që qarkullon, të “lëndës” që është disponibël për të gjithë qytetarët pa dallim.

Pa mohuar vlerën e madhe që ka kjo mënyrë e qarkullimit dhe gjetjes së informacionit, sociologët e fushës kanë mundur, që duke vlerësuar epërsitë e këtij lloji transmetimi të ideve, njohurive dhe informacioneve në nivel social, kanë diktuar edhe defektet e mundshme dhe të pashmangshme të lidhjeve të obseduara të njeriut të sotëm pas internetit dhe rrjeteve social. Nuk mund të mos dallojmë se nën ndikimin e internetit dhe rrjeteve sociale sot po përballemi me dukuri të tilla, sic janë “homogjenizimi i informacionit”, “thjeshtësia relative e njohurive” që transmetohen, “kalibrimi” përmes përsëritjes dhe mundësive të ritransmetimit, etj. Në internet dhe rrjetet sociale, janë të gjitha mundësitë që i njëjti mesazh të dëgjohet, të transmetohet dhe ritransmetohet, të përhapet, të diskutohet në rrjet dhe në një farë mënyre bëhet “shkak detyrues” për njerëzit, për të marrë pjesë dhe prononcuar për atë që është bërë objekt debati publik.

Besoj se duhet të tregohemi më të arsyeshëm dhe më të kujdesshëm, sidomos me fëmijët dhe të rinjtë, që statistikisht janë përdoruesit më të gjërë të internetit dhe rrjeteve sociale në Shqipëri. Të cilët janë obseduar pa informacionit të lehtë elektronik dhe inondimit të sferës së komunikimeve personale në lidhje pa fun, pa vlera të forta edukative dhe nganjëherë dhe problematike për moralin dhe personalitetin e tyre. Prindërit, mësuesit, edukatorët dhe kushdo që ka autoritet mbi të rinjtë duket të ndihmojë që të vendosen raporte më të drejta të tyre me internetin dhe rrjetet sociale, të cilat nuk mund të mnohojnë dhe spostojnë format e tjera të marrjes së njohurive dhe mënyrave jo virtual por reale të lidhjeve sociale.

Epërsia e informacionit që vjen nga internet dhe shpejtësia e vendosjes së lidhjeve dhe komunikimeve sociale nuk duhet idolatrizuar dhe ca më pak nuk duhet konsideruar se është gjithçka. Besimi i deformuar tek disa të rinj, por jo vetëm, se interneti mund të zëvendësojë format, burimet dhe mënyrat e tjera të sigurimit të informacionit, është krejt e gabuar dhe pa sensin e duhur të perceptimit dhe vlerësimit të duhur intelektual. Në përmbajtjen e lëndës që qarkullon në internet, mund të jetë epërsia e shpejtësisë dhe e informacionit të shpejtë që të “nxjerr nga halli”. Sociologët e kohës sonë mendojnë se për sa i përket thellësisë, informacioni në internet është i varfër, nuk ka bazim të fortë historik, nuk përfshin tërë sferat e debatit që është zhvilluar për një temë të caktuar.

Megjithatë duhet t’i njohim dhe pranojmë realitetet sociale që po zhvillohen në vendin tonë. Padyshim, jemi në etapën e zhvillimeve kur rrjetet sociale janë bërë mënyra të zgjeruara të komunikimit, që gjithnjë e më shumë përdoren nga njerëzit tanë për qëllime të shumta, të larmishme të lidhjeve dhe komunikimeve individuale dhe sociale. Edhe pse debatet dhe diskutimet që zhvillohen në rrjet, po t’i shikosh me vëmendje duket që janë të sipërfaqshme, më shumë për gjëra të modes, për problem kalimtare, që nuk sjellin ndonjë orientim të qëndrueshëm të pjesëmarrësve në diskutim.

Në se vlerëson tipologjinë e debateve dhe format e diskutimeve që zhvillohen në rrjetin social, do të ndjesh ose nevojat komerciale dhe pragmatiste të politikës së ditës dhe në raste të shumta përballesh me debate rastësore, herë të personalizuara dhe herë të tjera për modë. Akoma nuk ka shenja që në rrjetin social debatuesit të bashkohen qytetarisht në debatin për një çështje me rëndësi të jetës publike dh eta bëjnë me formatin e “klubit të diskutimeve” qytetare.

Padyshim në se do ta shikonim nga pikëpamja e vlerës sociale por dhe si raport midis kostos dhe përfitimit, nuk mund të mohojmë vlerën e shtuar të rrjetit të komunikimit social. Por në të njëjtën kohë, nuk mund të mos evidentojmë të vërtetën, që shumica e “site” -ve kanë një format naiv e dogmatik, në të cilat më shumë se sa informacion social ka sharje, shpifje, fyerje, informacion intim të panevojshëm dhe të paverifikuar. Tiparet e këtij tipi shkëmbimesh informacioni në rrjetet sociale, në shoqërinë shqiptare në shumë raste kanë sjellë problematika sociale, grindje, mëri, neurotizëm pse jo edhe forma verbale, psikologjike e fizike të dhunës individuale.

Megjithatë në se këtë fenomen do ta shikojmë më gjërë dhe do ta vlerësojmë si një mundësi për lidhje të pakufizuara në kohë dhe hapësirë të njeriut të kohës sonë, duhet të pranojmë dobinë e madhe që kanë sjellë në kohën e sotme internet dhe intensiteti i funksionimit të rrjeteve të lidhjeve dhe komunikimeve sociale. Praktikisht njerëzit tanë duke qenë pjesëmarrës të rrjeteve sociale, kanë sjellë një dukuri të fortë të “homogjenizimit qytetar” përballë njohurive dhe informacionit. Interneti dhe rrjetet sociale edhe në vendin tonë, kanë krijuar mundësinë e përfshirjes së qytetarëve tanë në botën globale dhe kategorinë sociale të njerëzve të “lidhur pa territory” apo siç konsiderohen në sociologjinë e modernitetit, “qytetarëve të shterritorializuar”, që përmes rrjetit të komunikimeve sociale përpiqen të ndërtojnë “shoqëri virtuale”, që duam apo nuk duam është bërë e modës sot.

E megjithatë edhe kjo arritje e madhe teknologjike dhe me efekte sociale shoqëruese ka kufizimet e veta, njohja e të cilave është kusht për të orientuar veten, njeriun dhe shoqërinë tonë me jetën reale dhe realitetet virtual elektronike. Sepse sipas Oliver Royt, Drejtor i Shkollës së Studimeve të Larta në Paris, “Kjo shoqëri virtuale paraqet më shumë një kërkesë identitare se sa një vullnet për të ndërtuar ose për të vepruar. Ajo është përveç kësaj, vendi i nxitjes që nuk pasohet me veprime. Nuk ka çështje konkrete politike ose sociale për të cilat luhet. Është një mendim metaforik”. (Oliver Roy, “Islami i globalizuar”, f 171)

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s