Një copë parajse dhe terrori mediatik i “rastit Prrenjasi”

Vladimir Karaj

Sheshi “Demokracia” në Qytetin Studenti, prej kohësh i braktisur nga studentët që preferojnë më mirë kafenetë dhe ndonjë qendër interneti, është “një copë parajse mbi dhe”, për prindër e kryesisht fëmijë që në ditët me diell kanë një vend ku të luajnë në një qytet asfalti për makina e betoni për ndërtesa. Ose mund të themi që ishte një copë parajse mbi dhe. Jo se, qoftëlarg, betoni e zuri edhe atë, por se prej  një jave ajo hareja thuajse familjare së cilës i gëzohej sheshi në ditët e ngrohta e me diell u venit e tëra pas: “Rastit Prrenjasi”. Prindër të zënë ngushtë, ndoshta që deri dje kanë qenë besim mirë, shihnin vëngër fqinjët, po ashtu prindër. Fëmijët, ata të vegjlit fare që mezi belbëzojnë ndonjë fjalë, që ende nuk i dinë arsyet e “zemëratës” dhe “murrëtisë”, masive të të rriturve, vijojnë të jenë të çlirët të bredhin, grinden dhe qeshin me njëri-tjetrin, por ata nuk është se nuk e ndiejnë distancimin e të mëdhenjve, që pak kohë më parë ishin të gatshëm të ndanin lodrat e fëmijës së tyre me të, apo thjesht t’u buzëqeshnin e të bënin marshallah.

Ne jemi dëshmitarë okularë të transformimit që ndodhi sa hap e mbyll sytë në sheshin që deri ato ditë ishte një ambient thuajse familjar. Zbulimi i të dyshuarit për pedofili dhe më keq vrasje, me një media (televizive e gazeta) që nxori në pazar çdo detaj të dhunës së ushtruar ndaj dy të miturve, solli si reagim të menjëhershëm publik fobi dhe terror. Në ditët kur buja me Përrenjasin filloi të venitej, numri i të denoncuarve për pedofili arriti në tre brenda një ditë. Në fakt tre ishin kallëzimet që u morën për bazë nga policia dhe askush nuk mund të thotë sa ishin kallëzimet. Ndërkohë që dëshmitë për prindër që ndaluan të dërgonin fëmijët në shkollë apo që vendosën t’i shoqëronin vetë përkundër furgonëve me pagesë që e bënin deri atë ditë u shtua.

Një pjesë e shoqërisë civile që e shihte këtë si një mënyrë për të vënë “gatitu” shoqërinë për rreziqet që u kanosen të miturve, pa te kjo lloj trembje ndërgjegjësimin e munguar. Nga ana tjetër qëndronin të tjerë që shihnin teprimin që cenonte dhe tejkalonte kufijtë e ndërgjegjësimit dhe që u kishte futur frikën në palcë njerëzve. Mjekja psikiatre Arjana Rreli, që takuam disa ditë më parë, tha se kjo ishte pasojë e “terrorit mediatik”. Ajo thotë se fobia menjëherë pas këtyre ngjarjeve ishte normale, duke lënë të kuptohet që bëhet fjalë vetëm për një fenomen kohë shkurtër, për aq sa do zgjasë edhe jehona mediatike e ngjarjes dhe dhunës.

Më shumë se një javë pas arrestimit të Ardian Prrenjasit, ndërsa ishim ulur në të njëjtën kafe ku marrim kafeinën e mëngjesit prej katër vjetësh, ishim dëshmitarë të një situate nga një anë qesharake e nga ana tjetër dëshpëruese. Një nënë te të 40-tat ndiqte me vrap të birin dhe dy fëmijë të tjerë rreth 9 vjeç, ndërsa mundohej edhe duke ngritur zërin t’i bindte të mos largoheshin për të luajtur larg lagjes. Fillimisht vumë buzën në gaz, por më pas rraskapitja e gruas dhe gjuha që ajo përdori për të bindur të birin, pasi nuk po interesohej më për dy të tjerët ishte mjaft e rëndë për një fëmijë të asaj moshe. “Të kap ndonjë… të pret copa-copa… Lëre atë (emri i shokut)… mos ik ti. A nuk ke frikë se të rrëmbejnë e të vrasin?”, ishin pjesë të fjalëve që ne i dëgjuam me pahir pasi u thanë me zë të lartë. Gruaja vazhdoi të vraponte pas fëmijës, i cili nga ana tjetër i përgjigjej po me zë të lartë se donte të luante. Në një moment ata humbën prej pamjes sonë, deri pas 5 minutash ku duket se 40-vjeçarja ia kishte dalë të bindte jo vetëm djalin e saj por edhe dy të tjerët. Të vetit i kishte futur krahun për të mos e lejuar në asnjë mënyrë të largohej. Dialogu vazhdonte me zë të lartë edhe në kthim. Mesazhet e gruas ishin të njëjtat, por ishte përgjigjja e njërit prej djemve me thuajse të njëjtin ton të lartë që i bëri njerëzit të kthenin kokë. Fëmija dinte më shumë se detajet e ngjarjes, fëmija dinte dhe u shpreh në mënyrë vulgare për atë që i kishte ndodhur bashkëmoshatarit të tij. Deklarata vetëm sa shtoi “murrëtinë” e të rriturve që (ndoshta na u duk) iu afruan më shumë fëmijëve të tyre.

A është kjo formë e trembjes së shoqërisë mënyra më e mirë për të vënë në alarm prindërit rreth asaj që mund të ndodhë nëse nuk janë të kujdesshëm?! Për mjaft njerëz, përfshi edhe drejtues të organizatave të gazetarëve dhe botues,  media e tejkaloi me raportimin e detajeve. Kjo nuk tregohet vetëm nga fjalori i detajuar i fëmijëve që në hapësirat e internetit apo prej televizionit mund të bien në kontakt pa asnjë pikë kontrolli mbi publikimet, por edhe në reagimin në panik të prindërve. Arratisjen në pak ditë të familjes (edhe pse pa faj) të të arrestuarit.  “Publikuan detaje të mënyrës sesi pedofili kishte dhunuar fëmijën, detaje që tejkalonin çdo horror, çdo pornografi, fëlliqësi dhe mungesë të pafundme mëshire”, shkruan Fitim Zekthi në respublica.al, duke iu referuar medias dhe publikimeve të veçanta. Pasojat e kësaj mënyre publikimi janë ende të dukshme në rrugët e Tiranës dhe parqet e pakta të gjelbra të qytetit. Debatet në forumet online vijojnë mbi po të njëjtat argumente. Një pjesë e mirë e këtyre synojnë sidoqoftë drejt një shikimi kritik të vetes si shoqëri. Blogu peshkupauje.com shkruante për: “Vizualizimi erotik i të miturve: paradhoma e pedofilisë”, një temë me rreth 200 komente kryesisht mbi shfaqen e minoreneve në klipe pa shumë vlerë këngësh, por me sfond kryesisht seksual, spektaklet me të vegjël ku këta këndojnë këngë të rriturish dhe vishen si të rritur e mjaft të tjera si këto. Nga ana tjetër në të njëjtën masë vijon përmes faqeve të panjohura që kryesisht përdorin aplikacione për media sociale si Facebook të shpërndajnë dëshmitë e dhunës, pa asnjë censurë për njerëzit që i shohin dhe ata që mund të kenë kontakt. Kjo do të thotë se “terrori mediatik” mbi çështjen një formë publikimi që zor se do të shtyjë drejt ndonjë përmirësimi të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, do të vazhdojë të ketë efekt edhe mbi atë (ato) copë parajse në një qytetet përndryshe me pak jetë dhe shumë rrëmujë…

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s