Fundi i një dashurie në horizont

Çelo Hoxha

piktura1

Në datën 22 mars, gazeta “Express” e Kosovës lajmëroi lexuesit se nuk do të dilte më e shtypur në letër. Sipas artikullit të lamtumirës, gazeta do të vazhdojë jetën në internet. Kalimi nga letra në faqe elektronike është varianti modern i shpalljes së falimentimit të gazetave.

Nëse përparimi marramendës i teknologjisë së informacionit u ka sjellë gazetave ndonjë avantazh, ai është ky: ka zbutur mënyrën si gazetat deklarojnë vdekjen e tyre. Kalimi nga letra në faqen elektronike është njësoj sikur dikush të thotë në prag të vdekjes: veprimtaria ime vazhdon në botën tjetër.

Ka njerëz që nuk preken nga një lajm i tillë, ka edhe që e shikojnë këtë si diçka normale. Për mua, e shpresoj që të mos jem i vetëm, kjo është një fatkeqësi. Gazeta në letër dhe ajo elektronike nuk janë e njëjta gjë, pavarësisht se mund të kenë të njëjtin emër, të njëjtat lajme etj. Gazeta në letër është, të paktën për mua, më shumë se mundësi informimi. Ajo është mënyrë jetese.

Gazeta e parë që më ka lanë gjurmë në kujtesë, që më shpërtheu kufijtë e imagjinatës, ka qenë “Rilindja demokratike”, numri i parë e saj, të cilin e bleva si biletë të finales së botërorit, gjashtë herë më shtrenjtë, dhe me mik në tregun e zi. Aty pashë diçka që nuk e kisha ndeshur më parë: dikush mund të shkruante dhe në letër kundër diktaturës komuniste dhe kupolës kriminale të saj.

Ai numër i gazetës nuk është më i miri që ka dalë në dy dekadat e fundit. Kur mendon se disa nga penat e numrit të RD-së më vonë janë zbuluar ose vetëzbuluar si njerëz të Sigurimit, kam pasur arsye ta fshija nga kujtesa atë gazetë, por fakti është se nuk kam mundur. Ajo ishte shkëndija që ndezi më dashurinë për gazetat dhe qysh atëherë mëngjeset me kafe, cigare dhe pa gazetë përpara kanë qenë më të pakta, shumë-shumë më të pakta, se e kundërta.

Regjimet komuniste ishin, në thelb, antinjerëzore. Shqetësimi i tyre i vetëm ishte pushteti i një grupi të vogël njerëzish. Jo në përmasa të njëjta, qeveritë demokratike e ruajnë një dimension të tillë. Jo vetëm në Shqipëri, qeveritë mendojnë, ose nxiten të mendojnë, se ato kanë çelësin e lumturisë së individit dhe nxjerrin ligje për ta realizuar këtë. Një nga këto ligje është ligji kundër duhanit. Me ndalimin e duhanit mëngjesit të një pjese të konsiderueshme qytetarësh i është hequr një element kënaqësie për të filluar ditën. Shqiptarët kanë qenë me fat në këtë aspekt, deri tani. Falë Zotit, në Shqipëri ka lokale që rrezikojnë dhe na lejojnë ta nisim ditën si njerëz.

Interneti po na largon dhe një element tjetër kënaqësie me të cilin e fillojmë ditën: gazetën e shkruar. Deri tani duket sikur kafja, elementi tjetër i mëngjesit, ka mbetur e paprekur, por dhe ajo është goxha e kompromentuar (me teorinë se të lë pa gjumë, bën keq për tensionin etj) dhe s’është çudi që një ditë do të fillojë fushata për ndalimin e saj. Futja e kafes në produktet me akcizë të lartë tregon se dikush me pushtet, jo vetëm në Shqipëri, është kujdesur që ta detyrojë qytetarin ta mbërrijë lumturinë përmes vuajtjes.

Duke hequr nga menyja e mëngjesit duhanin, së shpejti dhe gazetën e më vonë dhe kafen, atëherë politika (dhe teknologjia) do të mbërrijnë te qytetari ideal për pushtetit: kafsha e punës. Kali, për shembull, e nis ditën e punës pa cigare, pa kafe, pa gazeta, dhe orientohet veç përmes urdhrash.

Gazetat kanë filluar të zhduken nga tregu dhe në vende më të zhvilluara se Shqipëria. Në fakt, Shqipëria është viktimë e shpikjeve që bëhen në vendet e zhvilluara. Shoqëria njerëzore nuk e ka diskutuar kurrë seriozisht vlerën e progresit teknologjik. E ka marrë atë të mirëqenë. Zërat që e vënë në dyshim dobinë e tij nuk janë dëgjuar dhe thuajse nuk ekzistojnë. Duhet të fshish shtresa të tëra pluhuri të mbërrish te mendimi i konservatorëve të vërtetë, ata që e duan botën sipas modelit të Zotit.

Marrëdhënia e njeriut të sotëm me teknologjinë e re që shfaqet në dyqane çdo ditë nuk ka asnjë dallim nga marrëdhënia e indigjenëve të Botës së Re (Amerika) me pasqyrat që u dhuronin evropianët. Në shkëmbim të pasqyrave evropianët u merrnin indigjenëve mineralet e tyre të çmuara, në shkëmbim të teknologjisë, sot na marrin dimensione të lirisë sonë. Me zhdukjen e gazetave dhe produkteve të tjera nga tregu, qytetarët e kanë të detyruar zgjedhjen dhe një zgjedhje e detyruar është mungesë lirie.

Shqipëria nuk ka pasur kurrë një treg të konsoliduar gazetash, falë dhe Konferencës së Londrës që konsideroi Shqipëri vetëm shqiptarët që jetonin në zonën alpine të trojeve të gjera të banuara nga shqiptarët. Tregu ka qenë i kufizuar. Një ditë, nëse nuk ndërhyhet, Shqipëria do të katandiset sërish në një vend ku do të ketë gazetë vetëm “Zërin e popullit”, e cila ka dalë pa ndërprerje që nga viti 1949, kurse “Rilindja demokratike”, që e ka humbur shkëlqimin e kohës që ishte e vetme, do të zëvendësojë “rivalen” e dikurshme të “ZP”-së, gazetën “Bashkimi”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s