Virusi i rrugaçërisë po na imponohet si trendi që modernizon median

Nga Eden Babani

Nën titullin “8 Marsi i femrave në Tiranë, fotot lakuriq”, një e përditshme e Kryeqytetit solli fundjavën e kaluar në versionin e saj online një biçim kronike, biçim shkrimi shpjegues, për një biçim feste, biçim orgjie, organizuar në një klub nate të Kryeqytetit. Biçim-biçimi ishte shoqëruar me fotot përkatëse.
Nisur nga pjesa e parë e titullit, mendja të shkonte doemos te Dita Ndërkombëtare e Grave. Pjesa e dytë të fuste në qorrsokak, ngase “fotot lakuriq” s’kanë asgjë të përbashkët me të. Qëllimi i organizimeve festive për nder të 8 Marsit është sensibilizimi i opinionit për barazi mes femrave e meshkujve në të gjitha rrafshet e jetës, pasi në ato intime s’ u është mohuar kurrë, qoftë njërës, qoftë tjetrës palë. Kush, pra, ua ka ndaluar femrave ose meshkujve të drejtën e zhveshjes lakuriq ndaj partnerit, që femrat e Tiranës ta kërkonin me anë të një manifestim asisoj? 
Pasi lexova ata 20-25 rreshta që më lanë shije të hidhur, kureshtja më shtyu t’u hedh një sy fotove. Hidhësinë, e ndjeva pelin. Fotot tregojnë ca meshkuj e ca femra, të cilët shqyejnë sytë dhe fotografojnë aktorët e një shfaqjeje, me sa duket, striptize (streptaese): një femër me flokë të kuqe lakuriq dhe dy a tri meshkuj, gjithashtu lakuriq, që i tregojnë publikut organet intime. Qoftë njëra palë (publiku), qoftë tjetra (aktorët), kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë qindra-mijërat e qytetarëve të Tiranës. Nga ana tjetër, sido që t’i rrotullosh fotot dhe biçim-kronikën, nuk e gjen  dot fijen që i lidh me 8 Marsin, as në kontekstin historik, as në atë social, ekonomik ose politik.
Sot, koha e internetit i jep cilitdo mundësi të paskajshme të velet e të jargavitet me lakuriqësi trupore, pa qenë i pranishëm në këso shfaqjesh të neveritshme. Një pafundësi albumesh me fotografi meshkujsh a femrash lakuriq hidhen në tregun e të papunëve, përmes internetit. Nuk e kam fjalën për fotografi të quajtura pornografike, të cilat gjithashtu nuk është zor t’i eksplorosh pa harxhuar asnjë lek, me kusht që të mos jesh i mitur ose e mitur, një lloj barriere tepër e dyshimtë, që kapërcehet me një gënjeshtër të vogël. E kam fjalën për ca foto me pretendime më tepër artistike sesa pornografike.
Atëherë, ç’lidhje kanë ato foto të pështira (e theksoj: tepër të pështira) me Ditën Ndërkombëtare të Grave? Ç’kënaqësi artistike i prunë ato lexuesit të zakonshëm shqiptar, duke qenë  produkt i injorancës dhe vite drite larg artit të vërtetë? Në fund të fundit, ç’ të re i prunë mjedisit të pastër qytetar, i cili e vlerëson   moralin si të shenjtë?
Së paku, këto pyetje duhet t’ia kishin bërë vetes drejtuesit e së përditshmes, përpara se ta etiketonin 8 Marsin e sivjetshëm një “natë shumë erotike për femrat e Tiranës, megjithëse kjo datë është pagëzuar si Dita Ndërkombëtare e Grave, ku bëhet sensibilizimi për më shumë të drejta për to”. S’kam pikë dyshimi se vetë formuluesi i kësaj fraze pa pikë logjike, sa e shkapërderdhur e kontradiktore në vetvete, aq e neveritshme, do të ndihej ngushtë po të kishte guximin ta rilexonte dhe ta analizonte me mendje të qetë. Shfaqje të tilla nën nivelin e së rëndomtës, me meshkuj e femra lakuriq, na qenkan preokupimet e sotshme të gjysheve, të nënave, të motrave, të bijave, të mbesave tona? Ku është erotizmi, në këtë mes?
Edhe më i papranueshëm na vjen kumti (që të mos them reklama) se “një herë në vit, çdo 8 Mars, ky klub organizon këtë event të nxehtë për të gjitha femrat që duan të thyejnë monotoninë e rutinës në punë”. Kam bindjen se fare pak femra,  shqiptare ose të huaja, duhet të jenë ato që duan të thyejnë monotoninë e rutinës në punë me një të tillë “event” (eveniment, ma merr mendja se ka dashur të thotë gazetari, pasi, me sa di unë, fjala “event” lidhet me biologjinë, bash me organin e frymëmarrjes së balenave. Por, nejse… ).
Është e drejta e cilësdo gazetë ose revistë t’i përdorë faqet e saj si ta shohë më të arsyeshme, me qëllim mbështetjeje ose jo të shfaqjeve argëtuese kësisoj, brenda kufijve që lejon ligji. Nuk di, gjithashtu, nëse gjatë asaj mbrëmjeje kushtuar 8 Marsit për të përbaltur figurën e femrës, janë tejkaluar apo jo kufijtë e lejuar ligjorë, çka u takon organeve përkatëse ta vlerësojnë, aq më tepër nëse atje do të kenë qenë infiltruar minorenë e minorene. Si do që të jetë, integriteti moral i një medie serioze – siç me të drejtë është vlerësuar nga opinioni i gjerë e përditshmja në fjalë – nuk është domosdoshmërisht i lidhur me nenet dhe me paragrafët e ftohtë të ligjit. Botuesin dhe lexuesin i lidh me fije të padukshme një marrëveshje e pashkruar, e cilat duhet respektuar me skrupuj moralë, që asnjëra palë të mos e ndiejë shijen e hidhur të prishjes.
Ishte e pritshme që kumtin e fotove dhe të biçim-kronikës, ta shoqëronte një mori komentesh, shumica dërmuese e të cilave kanë rrjedhur në të njëjtin shtrat: në papajtueshmërinë e moralit të trashëguar shqiptar me atë çka duket se do të jetë shpërvjelur “atë mbrëmje erotike të 8 Marsit”, ku erotomania duhet ta ketë vënë përfund erotizmin. Kësisoj, duke shprehur indinjatën e tyre të ligjshme, shumë komentues kanë përdorur shprehje jo të këndshme, ndonëse me vend, si, fjala vjen për “balerinin” e huaj që paska bërë shfaqje striptizë. Dhe, në këtë rrjedhë të turbullt me prurje gjithfarësoj, të cilat shkojnë nga rrafshi i moralit, te politika, që të arrijnë kulmin me mallkime, e para që të bie në sy, është se opinioni publik shqiptar, në vend që të shëndoshet, po infektohet dashka-padashka gjithnjë e më tepër me virusin e rrugaçërisë.
Sipas meje, kjo ecje qorrazi drejt kinse emancipimit dhe modernizimit të shoqërisë sonë bie ndesh me qëllimin e shtypit në një vend demokratik. Duam a s’duam, opinionin e ndikojnë gazetarët, kronistët, vëzhguesit, opinionistët, analistët, përfshi këtu edhe komentuesit me emra të vërtetë a me pseudonime, të cilët, gjithë së bashku, u japin jetë faqeve të vdekura të gazetave e të revistave, ekraneve të televizorëve a altoparlantëve të radiove.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s