Viktimat s’qëllohen me gurë

Nga Ilva Tare

Duhen idealistë dhe heronjë të frymëzuar nga parimet dhe e drejta. Të tillë nuk mund të jenë as rrogëtarët e partive, as të rinjtë që bëjnë master se nuk kanë një vend pune, as adoleshenti që sheh djalin e gjyqtarit me zili sepse i bën pushimet në Maldive.

Raportimi që media shqiptare i bëri lajmit tragjik të vrasjes së supozuar të një mituri dhe përdhunimit të një të mituri tjetër nga një pedofil u bë lajm më vete këtë javë. Rrjetet sociale kryesisht Facebook-u shpërtheu si rrallëherë në indinjatë ndaj publikimit në shtypin e shkruar të rrëfimit tronditës të të akuzuarit si pedofil. Bashkohem me atë pjesë të indinjatës që lidhet me detaje të panevojshme të akteve seksuale me të miturin, i cili veç goditjes që ka pësuar duhet të përballojë një opinion të shformuar publik, që e ka për pasion të përçmojë më të dobtit. Në këtë rast media, në pozicionin e viktimës nuk duhet qëlluar me gurë. 

Nuk kam për qëllim të mbroj median shqiptare dhe as gazetarët që anatemohen për thyerje të etikës, por e kam detyrim të pyes se cfarë quan etike turma e reaguesve të Facebook-ut dhe përfaqësuesve të kësaj shoqërie që nuk shqetësohet kur media flirton dhe pazaron me politikën dhe aq më pak kur deformon të vërtetat për të cilat ka detyrim profesional ti nxjerrë në shesh. E kam të vështirë të kuptoj se si shoqëria nuk u shqetësua për daljen nga zyra e prokurorit dhe policisë të rrëfimit të pedofilit, se si policia që e ka për detyrë parandalimin e krimeve dështoi turpshëm, se si komuniteti është i papaftë të pikasë një kriminel që jeton në gjirin e tij, se si jeta mund të të merret edhe 200 metra larg shtëpisë.

Pas kësaj ngjarjeje i kam dhënë më shumë se kurrë të drejtë një mikut tim, i cili e përshkruan shoqërinë shqiptare si të zhytur në jashtëqitje dhe që herë pas herë kur era bëhet e padurueshme nxjerr kokën mbi kazan merr pak frymë dhe rizhytet në atë cfarë ka prodhuar vetë. i dhashë të drejtë jo për metaforën që mendoj se është e goditur edhe pse ndonjë patrioti të zellshëm Facebook-ist mund ti duket e tepruar, por sepse më ndihmoi të shpjegoj mutacionet e kësaj shoqërie që shpërthen atëherë kur s’duhet dhe fle atëherë kur duhet të ulërijë.

Edhe media është pjesë e kësaj shoqerie të zhytur në kazanin e jashtëqitjeve, ndoshta pjesa më pak e ndotur po ta krahasosh me politikën, por padyshim pjesa më përgjegjëse për mos publikimin dhe llogaridhënien e munguar të atyre që abuzojnë me ligjin, me të ardhurat publike, me sekretaret, me gratë e tyre, me moralin që shesin dhe blejnë duke paguar median qoftë edhe heshtjen e saj. Ndaj ata që egërsohen për aromën që shpërndan media nëpër qytet duhet të jenë pak më realistë dhe të vërtetë.

Kush ka thënë që gazetaria është e mbushur me engjej që luftojnë ditë natë për të vërtetën dhe zbardhjen e saj në emër të interesit publik? Kush ka thënë se gazetaria e sotme është me etikja që kemi pasur ndonjëherë në Shqipëri? Kush ka thënë se të gjithë gazetarët hanë në të njëjtin kazan dhe për rrjedhojë vjellin të njëjtën gjellë? Kushdo i thotë këto duhet ta pranojë se ka përjashtime, ka përpjekje, ka dëshirë për ta zbrazur kazanin e jashtëqitjes, që po na merr frymën. Por për t’ja arritur kësaj nuk mjafton vetëm media, madje as politika.

Duhet një moral i ri i shoqërisë, një etikë e përbashkët profesionale, një komunikim i shëndetshëm që mund të asgjesojë viruset e ndotura që frymojnë në ajrin shqiptar.  Duhen idealistë  dhe heronjë të frymëzuar nga parimet dhe e drejta. Të tillë nuk mund të jenë as rrogëtarët e partive, as të rinjtë që bëjnë master se nuk kanë një vend pune, as adoleshenti që sheh djalin e gjyqtarit me zili sepse i bën pushimet në Maldive. Duhet që dikush të sakrifikojë edhe bukën e gojës, edhe gjumin e natës në emër të parimeve dhe të së drejtës. Deri ditën kur shqiptarë të tillë do jenë në kërkim politika dhe mikja e saj e ngushtë media do flejë rehat në krevatin e ligjshëm apo të paligjshëm ku e zë gjumi i drekës, e pashqetësuar nga trysnia e llogaridhënies ndaj qytetarëve që e votojnë për ti shërbyer atyre. Të paktën në vendet me demokraci funksionale kështu ndodh.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s