Thika me shumë presa e “rastit Prrenjasi” dhe media

Nga Gjergj Meta

E kam pasur të vështirë t’i lexoj gazetat këto ditë për lajmin e rastit të arrestimit të një njeriu për pedofili dhe të faktit se ai ka deklaruar edhe vrasjen e të voglit Çela. Ose, që të jem më i saktë, kam filluar të lexoj diçka e pas më pak se pesë apo gjashtë rreshtash e kam ndërprerë, pasi të krijonte makth. Në rrjetin social FB shumë miq të mi janë ankuar për përcjelljen e këtij lajmi. Ajo çka më ka bërë përshtypje këto ditë janë dy gjëra: paraqitja e detajeve të asaj çka hetuesit kishin dëgjuar dhe histeria pothuajse kolektive për të kthyer dënimin me vdekje. Do të flas vetëm për të parën.

Krimi i pedofilisë, e kjo duhet thënë qysh në krye të herës, përbën një problem të madh në shoqëri. Abuzimi seksual me fëmijët shënon në botën aktuale një plagë të rëndë, pasi abuzohet me të ardhmen e shoqërisë. Për fat të keq, me fëmijët abuzohet shumë sot në botë. Kësisoj nuk mund të anashkalohet prostitucioni i fëmijëve në vendet turistike të Amerikës Latine apo në Azi. Po ashtu abuzime kanë ndodhur edhe në vendet më të përparuara; në rrethe familjare, nga pjesëtarë të klerit, nga mësues shkollash e animatorë fëmijësh. Gjithashtu abuzimi i fëmijëve, përtej atij seksual, shtrihet edhe në një larmi formash të tjera të cilat shpesh heshten ose quhen normale, sikurse shfrytëzimi për punë i fëmijëve në fabrikat (edhe të markave të rëndësishme) e prodhimit të rrobave apo produkteve të tjera industriale të multinacionaleve, kequshqyerja apo mohimi i të drejtës për arsim në shumë zona të botës, përdorja e fëmijëve në rastet e divorceve nga ana e prindërve për t’u hakmarrë ndaj njëri-tjetrit. Së fundmi edhe adoptimi i fëmijëve nga ana e çifteve gay, i cili sigurisht çon drejt një abuzimi me rritjen integrale të një personi brenda kategorive natyrore të nënës dhe babait. Sikurse shihet, abuzimet me fëmijët sot janë të shumta dhe detyra e të gjithë faktorëve shoqërorë në veprim është patjetër ai i tutelimit të fëmijëve dhe mbrojtjes së tyre nga abuzuesit e mundshëm. Ndër këto faktorë veprues, mediat apo në përgjithësi mjetet e komunikimit të masës, kanë një rëndësi themelore, sikurse kanë rëndësi për çdo sektor të jetës sonë. Në erën globale mediat nuk mund të anashkalohen apo të injorohen. Kjo gjë ama nuk duhet t’i bëjë këto mjete komunikimi të krekosen me ndjenjën e gjithpushtetësisë, por të vishen me petkat e përgjegjësisë ndaj asaj çka komunikojnë e japin. Është i nevojshëm, sikurse thotë Bendikti XVI, një ekosistem i komunikimit që shmang çdo lloj ndotje të higjienës mendore dhe shpirtërore të destinatarëve të tij.

Në rastin në fjalë thika ka shumë presa, sikurse më tha edhe një mikja ime gazetare këto ditë. Paraqitja e detajeve të përdhunimit seksual të një fëmije, i vërtetë apo i prezumuar (ne ende nuk jemi mësuar të presim verdiktet e gjykatave, por japim sentenca mediatike), në një të përditshme, dëmton shumë palë.

Së pari, ripërdhunon vetë fëmijën, duke e bërë viktimë për së dyti. Një viktimë reale që kthehet edhe në një viktimë virtuale, duke i shtuar më shumë vuajtjen. Imagjinoni atë fëmijë që rritet e që në imagjinarin e  tij mbeten të pashlyeshme çastet kur ai në pafajësinë e tij fëmijërore njolloset nga epshet e një maniaku e të çekuilibruari. Dhe të imagjinojmë për pak çaste që ai merr në dorë këtë gazetë dhe e rilexon. Gjithashtu, për pak çaste, të dashur miqtë e mi gazetarë, mendoni shokët e tij, ambientin ku ai jeton, shkollën ku ai shkon, lagjen ku banon. Njerëz që kanë lexuar detajet dhe e shohin atë njeri përditë e që shumëkush mund t’ia përplasë, ta ironizojë, të bëjë sarkazëm me të. Shiko, pra, sa shumë pasoja ka një lajm i tillë në faqet e gazetave.

Së dyti, familjarët e tij, në mënyrë të veçantë prindërit. Unë nuk jam prind biologjik, por unë kam prind biologjik e jam në empati me atë çka ata ndiejnë për mua dhe sesi edhe fytyra ime e trishtuar, apo sytë e mi të përhumbur krijojnë një drithërimë te nëna ime, e cila hamendëson, mendon çfarë mund të ketë djali i saj. Një pjesë e mirë juaja janë prindër. Imagjinoni pak sikur të ishit protagonist, a do të zgërdhiheshit vallë në Opinionin e Blendi Fevziut duke analizuar problemin, a thua se ishit në një kafe rrugësh dhe jo në një prej emisioneve më të ndjekura në mediat shqiptare, para syve të gjithë njerëzve? Së paku, kjo është mungesë respekti ndaj dëgjuesve e shikuesve, arrogancë dhe provincializëm. A do të donit ju të ishit në faqet e mediave për hir të së vërtetës së informacionit? Dyshoj shumë se jo.

Së treti, goditet shoqëria e dhe individët, të cilët kanë tashmë shumë ngarkesa emotive për shkak të jetës së tyre të përditshme, mundit për sigurimin e jetesës dhe të bukës së fëmijëve të tyre, problemet me edukimin e fëmijëve të tyre, çështjet e raporteve në çift e në familje. Trajtime të tilla të lajmeve shtojnë edhe më shumë negativitetin brenda familjeve dhe individëve shqiptarë, pasi gazeta shkon kudo e gjithashtu ekrani e interneti janë në çdo dhomë, madje në çdo dorë, nëpërmjet celularit. Gjithashtu krijohet një klimë mosbesimi reciprok në lagje, në familje, në shkollë e kudo. Dyshimi ndaj njeriut përbalt natyrën njerëzore që nuk ka vetëm negativitet, por është edhe e mirë, bujare e kujdesshme ndaj tjetrit. Krijohet “sindroma e përbindëshit” që e sheh kudo dhe të duket sikur sillet në çdo ambient ku shkojnë fëmijët e tu. Kjo është  e kuptueshme deri diku në çaste emocionale, por ama nuk është e drejtë dhe nuk duhet të ushqehet.

Së katërti, sistemi i drejtësisë. Si është e mundur të nxirren detajet e hetimit? Kjo përveçse pafytyrësi, kam përshtypjen se është mungesë profesionalizmi dhe thyerje e rregullave. Dikush duhet të vërë dorë patjetër e kontrollet e brendshme të bëhen efektive. Duhet dikush të përgjigjet për këto veprime.

Së pesti, goditen vetë mediat. Nuk ka faj kolektiv e nuk ka përgjegjësi kolektive. Në media në Shqipëri punojnë njerëz që e ndiejnë vokacionin e tyre të gazetarit dhe i shërbejnë këtij vokacioni. Nuk mund të themi se ka kudo “Tv spazzatura” (media plehra), sikurse thonë italianët. Por duke qenë të prirur të përgjithësojmë, atëherë gazetari shihet, kur ka mikrofonin apo diktofonin në dorë, si armik, si ai që do të dhunojë intimitetin tim, si ai që nuk ka mëshirë për vuajtjen time apo të fëmijës sime, që e merr lajmin në mënyrë sipërfaqësore, që dëgjon dhe shkruan variantin e lajmit të marrë nga komshija apo kushëriri i katërt, që ka qejf të bëhet të dalë në gazetë apo në TV. Kjo ndodh sepse individë apo media të veçanta tregohen të papërgjegjshëm e kështu njollosin krejt median. Atëherë ka shumë rëndësi që media të ruajë edhe vetveten në misionin e saj informues e, nëpërmjet filtrave apo dallimit të qartë të lajmit që çon te e vërteta dhe jo e atij që sajon të vërteta, të jetë edhe formuese. Apo mos vallë një lloj deliri ka pushtuar mediat dhe gazetarët, duke cituar njërin prej tyre, Edi Lesin, i cili në murin e tij në fb shkruan se “…kemi delirium me shumicë dhe garë për protagonizëm. Nën këtë efekt shumë gazetarë mendojnë se tashmë ata janë vetë lajmi dhe e prodhojnë atë”. Kjo përmbysje them se i shpjegon stuhitë e fundit. “Tani, lajmi jam unë”.

Ku janë mediat që kanë harruar tashmë rastin Norja në Xhafzotaj, zhdukjen e Bleonës në Kukës, Nazimen në katundet e Tiranës etj. etj.? Kur kanë shkuar mediat të paraqesin përsëri jetën e atyre njerëzve e të kujdesen për problemet e tyre, për të mos thënë edhe shumë raste të tjera që pas një mediatizimi boom lihen në vetminë dhe mëshirën e tyre. Ku nuk ka lajm tronditës nuk ka media atëherë? Po përditshmëria, a nuk është një vlerë për t’u paraqitur? E pra përditë ndodhin edhe gjëra shumë të bukura.

Dashtë Zoti që një reflektim serioz mbi etikën mediatike të jetë prioritet në debatet e ardhshme. / MAPO

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s