Mediat në krizë A duhen subvencionuar nga shteti?!

gazetat2Violeta Murati

Forum/Shqipëri-Kosovë, flasin politikanë, njerëz të medias dhe ekspertë të komunikimit për gjendjen e vështirë të medias së shkruar, krizën e tregut dhe profesionalizmin; a është koha të hapen debate nëse duhet subvencionuar media nga shteti.

A janë mediat, sidomos e shtypit të shkruar, në krizë?! Ka ardhur koha që pohimi të marrë miratimin absolut mbi këtë prognozë të ditëve të sotme. Pas një tradite, të mirëfilltë, 15-vjeçare, kur tregu mediatik ndihet më i stabilizuar, qoftë për lirinë e fjalës, ashtu dhe për lirinë e shtimit të gazetave në treg – ekspertë të medias, pohojnë se media e shkruar dhe ajo elektronike gjenden në një situatë të vështirë. Këtë e dëshmon jo vetëm cilësia e mediave në treg dhe ana më e rëndësishme e saj, profesionalizimi i gazetarëve por dhe tirazhet gjithnjë në rënie të shtypit të shkruar. Ka një krizë, flitet për krizë, është krizë – janë pohime që zbresin nga katedrat, nga zyrat e botuesve, nga redaksitë në terren deri tek sportelet e kioskave ku shiten në mënyrën me mizerabël mediat e shkruara shqiptare, të të gjitha formateve.

Gazetarëve u është vënë në kurriz barra e “shitjes së gazetës” me skupe, me lajme të veçanta e në të shumtën e rasteve siç shihet ditëve të fundit deri në abuzime dhe shkelje të etikës dhe shndërrimin e gazetës në një lloj “pornoje” mediatike.

Kjo gazetë po shitet?! Nëpër redaksi lajmi i gjallë e zëri i qytetarit ka mbetur të shkojë nëpër një vrimë, si ajo e çelësit – i papërfillshëm. Politikanët duan hapësirën e tyre mediatike, ministrat, qeveritarët, gjyqtarët, komunarët, drejtorët, bizneset e mëdhenj – po ashtu kërkojnë “faqe” nga mediat e shkruara. Gjithë ky kaos ka çuar në deklasifikimin e lajmit, dhe njëkohësisht të medias profesioniste ku shumë prej tyre (siç dëgjojmë kohët e fundit) janë kthyer në gjobëvënës. Ndërsa për pjesën tjetër të medias në kërkim të publikut mbetet të shihet nga jashtë si po ndodh ky degjenerim mediatik! As për faj të gazetarëve, as për faj të botuesve. Specialistët pranojnë se është një treg pa rregulla dhe një kakofoni mediatike. Numri i madh i mediave të shkruara në treg jo vetëm ka krijuar konfuzitetin, por ka ndalur konkurrencën e zhvillimit të një medie profesionale.

Redaksitë e mediave të shkruara sa vijnë e po rrudhen në staf, dhe po përpiqen të mbijetojnë profesionalisht. Në fakt ekspertët e medias janë të mendimit se është media e shkruar, që pavarësisht tirazhit, vazhdon të influencojnë në Shqipëri mbi publikun.

Por duke kaluar nga kjo panoramë e shpejtë e, mjaft e ndërlikuar, në problematikën që paraqet në një anë profesionalizmi dhe diskutimi i ekzistencës në një konkurrencë të lirë të medias së shkruar – çështja që po hap debatin së fundi është mbijetesa e mediave financiarisht. Çdo media e re që hapet, të paktën në dhjetëvjeçarin e fundit, ka ftuar e thithur drejtues e gazetarë në bazë të një oferte financiare të konsiderueshme për pjesën tjetër të mediave që kanë gjetur në treg. Por shumë shpejt, në pak kohë siç ka rezultuar dhe ky financim është rrudhur menjëherë?! Arsyeja? Sigurisht që botuesit e lidhin me interesin e një investimi të madh për të hyrë fuqishëm në treg, por nga ana tjetër duke mos pasur mbështetje financiare si dhe duke mos funksionuar siç duhet mekanizmat e subvencionit dhe reklamave ka çuar në shkurtime stafi, dhe rënie të tirazheve.

Ekspertët e medias e pranojnë se sot për sot bizneset si dhe shteti janë më të orientuar drejt televizioneve për t’i mbushur me reklama. Pranohet se bizneset nuk funksionojnë në rregulla loje të tregut, e për pasojë të marketingut mbi produktin që të shkojë tek publiku, por vetëm në arsyen e thjeshtë për të bërë paqe me mediat.

Kur dihet botërisht rëndësia që ka shtypi i shkruar si dokument, faktik e kronik në bërjen e historisë së një vendi, edhe në Shqipëri pranohet se ende ka influencë më të madhe se mediat elektronike. Por nga ana tjetër ekspertët shtojnë se janë televizionet që po thithin në mënyrë të padrejtë në treg më tepër reklama nga bizneset.

Nga eksperienca evropiane ka media që njohin praktika të subvencionimit të medias në forma të ndryshme, por që lehtësojnë ekzistencën e tyre në treg, por pa nënkuptuar mungesën e pavarësisë. Kjo duke u parë si çështje ligjore, e vendosur me ligj ku shteti apo qeveritë nuk mund të ndërhyjnë në lirinë e mediave. Por ka edhe eksperienca, ashtu dhe mendime të artikuluara se subvencioni i mediave nga shteti krijon varësi politike, duke “ekzekutuar” në këtë mënyrë fjalën e lirë.

Por, parë në realitetin e tregut shqiptar se si media e shkruar po përballon sfidën e mbijetesës, qoftë financiare, e për rrjedhojë problematikën profesionale, ekspertë të medias mendojnë se shteti duhet të ndërhyjë me ligj në treg në disa aspekte siç janë: sistemi i shpërndarjes së gazetave; infrastruktura e mediave; si dhe të rishikohet gjithë sistemi i shitjes së gazetave dhe revistave duke ju larguar kioskave! Nga këto të fundit varen sidomos shitja e gazetave dhe e formateve të tjera të shtypit të shkruar në treg; nëse ka shi nuk shiten asnjë copë, e nëse nuk ka shi kush biznes manipulon tregun shet më shumë gazeta! “Nuk është puna të shtohet numri i gazetave të reja, po të rregullohet tregu”, – thotë drejtori i Institutit të Medias, Remzi Lani.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s