Leskaj: Dënojmë sulmet mafioze ndaj “Top Channel”

v-leskaj3Kreu i Komisionit të Medias: Standardet e Berishës, si ato të Bjellorusisë

Presionet politike mbi “Top Channel” dhe urdhri i gjykatës për të mbyllur studiot në ish-Ekspozitën “Shqipëria Sot” u dënuan ashpër nga kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, Valentina Leskaj. “Me sulmin ndaj ‘Top Channel’, Berisha po mbyll karrierën e tij politike, duke mbytur zërin e medias së lirë”, deklaroi nga selia rozë, deputetja Leskaj. “Pasi dështoi të mbyllë këtë televizion me sulmet e tij mafioze, Kryeministri po përdor gjykatat e tij të korruptuara, për të urdhëruar, në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me kontratat e nënshkruara nga shteti, mbylljen e studiove”. Sipas saj, “sulmi ndaj mediave është një prej arsyeve kryesore përse nuk do të votohet Sali Berisha më 23 qershor”. “Për fat të keq, ‘Top Channel’ nuk është i vetmi televizion i përballur me sulme të këtilla mafioze, pasi të gjithë mediat e lira e kanë ndier presionin qeveritar, kërcënimet direkte apo ekonomike. Nga ana tjetër, ato media që mbështesin qeverinë, shpërblehen me reklama dhe financime të tjera”. Në deklaratën e saj, Leskaj foli me shqetësim edhe për “reagimet e ashpra të Brukselit dhe shoqatave europiane të mediave, të cilat kanë dënuar ashpër këtë që po ndodh në Shqipëri, ndonëse protesta e tyre, për fat të keq, nuk është dëgjuar nga qeveria e Berishës”.

Kryetarja e Komisionit të Medias e ka krahasuar situatën aktuale të lirisë së medias me një vend famëkeq në kontinent siç është Bjellorusia”.

Deklarata e plotë

“93 ditë i kanë mbetur Sali Berishës në pushtet. Janë 93 ditët e fundit të qeverisjes 8-vjeçare që dështoi të zhdukë varfërinë, të luftojë korrupsionin, të garantojë rendin e ligjin dhe, si askund tjetër në Europë përveç Bjellorusisë, ka dështuar të respektojë lirinë e medias. Sulmi i fundit ndaj ‘Top Channel’ është treguesi më i qartë se Sali Berisha, që 8 vjet më parë erdhi në pushtet duke deklaruar se është një dashnor i medias së lirë, ka vendosur që t’i mbyllë 93 ditët e fundit të karrierës së tij politike duke u përpjekur të mbysë çdo zë kritik. Pasi dështoi në mënyrë të përsëritur t’i mbyllte gojën, me presione mafioze; pasi dështoi, ta detyronte të hiqte dorë nga misioni i saj si një media profesioniste dhe e lirë, S. Berisha përdori kundër ‘Top Channel’, mashën e tij, gjykatat, për ta nxjerrë atë nga ambientet për të cilat ka një kontratë të rregullt me shtetin, së cilës ‘Top Channel’ i është përmbajtur në çdo pikë. Nxjerrja e ‘Top Channel’ nga ambientet e ‘Shqipëria Sot’, duke shkelur në mënyrën më flagrante kontratën e firmuar nga vetë shteti shqiptar, është kulmimi i një aksioni të gjatë politik të Sali Berishës, për të goditur median më të madhe e më të ndjekur në vend. Kujtoj, se nga viti i dytë e 8-vjeçarit të Berishës në pushtet, ‘Top Channel’-it ju vu një gjobë prej 13 milionë eurosh, me sebepin e evazionit fiskal; një gjobë që të gjithë e dinin se s’kishte lidhje me evazionin, por me një mjet shantazhi mafioz për t’i mbyllur gojën. E ka bërë këtë edhe me ‘News 24’, kur e gjobiti pse transmetoi spote, që nuk i shkonin për shtat pushtetit. E ka bërë me gjobën ndaj ‘Vizion Plus’ për qëndrimet e tij kritike, e me sulmin brutal ndaj ‘Gazetës Tema’, e cila në fakt, ia doli të kthehet në një nga platformat mediatike më popullore në vend.

E ka bërë përsëri me ‘Top Channel’, kur përdori gjykatën ta gjobiste me 400 000 euro, vendim që solli një shqetësim të madh ndërkombëtar, për rrezikun e lirisë së medias në Shqipëri. Rasti i sulmeve ndaj ‘Top Channel’ tregon qartë standardet e dyfishta që përdor Berisha në raport me mediat. Ndërkohë që për ‘Top Channel’ jepen vendime skandaloze gjykatash, të tjera media pranë pushtetit jo vetëm që kanë marrë ambiente pa e vënë fare ujin në zjarr për ish-pronarët, por kanë përfituar edhe shuma kolosale parash për reklamat shtetërore. Ky abuzim është denoncuar dhe do të vazhdojë të denoncohet nga PS. Nuk është e rastit që gjatë 8 vjetëve të Saliut kryeministër, raportet ndërkombëtare për lirinë e medias në Shqipëri – që nga Freedom House, Reporterët pa Kufij, Economist Intelligence Unit, IREX dhe Raportet e Progresit të BE – kanë shënuar vetëm regres. Reagimi për veprimin e fundit ndaj TOP-it, vjen nga Drejtori i Përgjithshëm i ACT. Ndërkohë që letra e fundit e Dunja Mijatiovic, Përfaqësuese e Lartë e Lirisë së Medias në OSBE, drejtuar Kryeministrit, është një sinjal tjetër alarmi që vjen nga institucionet ndërkombëtare, për sjelljen e tij me mediat. Kjo është një nga arsyet pse Shqipëria e Berishës, konsiderohet vend pjesërisht i lirë. Natyrisht, nuk është për t’u habitur me këtë situatë, kur vendi qeveriset nga një njeri i cili tani ka frikë edhe nga debatet televizive e pranon të flasë për mediat vetëm nga kulla e tij. Më 23 qershor, shqiptarët do ta dënojnë atë me votë edhe për cenimin e lirisë së medias. Ne do t’i hapim rrugë një qasjeje krejt të re ku mediat nuk do të ndahen në tanët dhe të tjerët, të nënës e të njerkës. Ne jemi të vendosur për një ndryshim thelbësor në vizion e sjellje ndaj medias, sepse ne çmojmë lirinë e saj, të drejtën e njerëzve për informim të paanshëm, edukim, kulturë e argëtim, si një detyrim ndaj publikut”.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s