Aleajactaes

(Kur mediat thërrasin në skenë shkencat sociale)

Aleksandër Kocani

Shumë vite më parë, aty nga java e parë e korrikut të vitit 1995, në një universitet veror në Durrës, një koleg nga Bullgaria, profesor i Sociologjisë, më bëri dy pyetje që ishin si “një dush i ftohtë” për atë vizion iluzor që kishim për zhvillimin e shpejtë të vendit në atë kohë. Ai më pyeti se sa ishte afërsisht përbërja fshatare e popullsisë së vendit dhe a dëgjohej me vëmendje fjala e profesorëve (e “botës akademike) nga opinioni publik shqiptar. Përgjigjen time, se përbërja e popullsisë fshatare ishte minimumi te rreth 65%, profesori i nderuar bullgar e cilësoi si një nga treguesit domethënës të pamundësisë së zhvillimit të shpejtë politiko-social të vendit tonë. Ai theksoi se në Bullgari kjo popullsi fshatare shkonte te afër 40%, dhe kjo, sipas tij, ishte një faktor i fuqishëm që pengonte progresin e vendit të tyre. “Flasim për qytetërim dhe jo fshatarim”, theksoi ai. “Prandaj, mos kini asnjë iluzion se keni ecur shumë përpara! Është thjesht si një flluskë sapuni që do të plasë shpejt!”. Dhe viti i mbrapshtë 1997 tregoi se ai kishte pasur të drejtë! Ndërsa kur për pyetjen e dytë iu përgjigja se te ne, kur flasin politikanët “njerëzit i dëgjojnë me gojën hapur”, ndërkohë që askush nuk do t’ia dijë se ç’mendon për problemet e mëdha që ka shoqëria, profesorati i vendit, ai tundi kokën dhe mendueshëm e me keqardhje tha se në vendin e tij profesorati flet rrallë, por kur flet ai, “e qep gojën” politika.
E përmenda këtë ndodhi të hershme që të kuptohet më mirë se çfarë hapi emancipues e njëherazi profesional (krahas hapave të tjerë), ka bërë media në vendin tonë kur filloi t’i japë hapësirë publike mendimit shkencor. Ishte si një e papritur e këndshme fakti që disa studio televizive (Top Channel dhe Ora News), vunë në fokusin e emisioneve të drejtuara nga gazetarët seriozë e simpatikë Alban Dudushi dhe Ilva Tare, diskutime se çfarë përfaqësojnë kërkimi shkencor, metodat e kërkimit dhe sondazhet e opinionit publik. Synimi ishte që “të hapej një dritare” nga ku publiku i gjerë “të shihte” e të kuptonte në vija të përgjithshme se çfarë bëhej në atë “shtëpi misterioze” që quhet shkencë. Nga ana tjetër, kjo ishte edhe si një farë thirrje (apo “hedhje dorashke”) për studiuesit shqiptarë që të dalin nga “kulla e fildishtë” ku janë “ngujue” (jo për faj të tyre!) dhe të japin ndihmesën që u takon për emancipimin e zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Si një nga studiuesit e shkencave sociale, gjykoj se sfida që u bëri media këtyre shkencave i ngjan hedhjes së zareve të Cezarit kur kaloi Rubikonin. Nuk ka më kthim prapa! Studiuesit shqiptarë të shkencave sociale, si një farë detyrimi moral (i tipit të “nobles se oblige”), janë të detyruar tash e tutje që t’i japin publikut shqiptar “atë që i takon!”, – rezultatet e përpunimit shkencor të “fotografive” të zhvillimit dinamik të shoqërisë shqiptare në tranzicion. Synimi do të jetë që një opinion i gjerë të kuptojë se çfarë ka ndodhur e po ndodh në këtë shoqëri, cilat janë shkaqet e dinamikave sociale dhe sinoptika e ecurisë së tyre nën një këndvështrim të analizave shkencore. Natyrisht, askush nuk ka përse të presë nga shkenca sociale ndonjë mrekulli! E tillë është vetëm fakti i krijimit të precedentit që në hapësirat publike iu dha një vend edhe mendimit shkencor social, i cili, ndryshe nga politika, nuk jep tablo ngjyrë “rozë” apo të “zezë” për realitetin shqiptar, por gjykime gjakftohta, bazuar në të dhënat dhe analizën logjike të tyre, pa asnjë qasje emocionale apo interesi ndaj tyre. Si shembull tipik për një publik të gjerë do të përmendja paraqitjen publike dhe profesionale (tani nuk më kujtohet me siguri në cilin kanal televiziv!) që u bëri, në mos gabohem, drejtuesi ekzekutiv i fondacionit “SOROS” për vendin tonë, z. Andi Dobrusha, rezultateve të një studimi të arritur të tipit cilësor-sasior të ligjërimit politik të dy liderëve kryesorë të vendit, zotit Berisha dhe zotit Rama. Ndonëse u prit, siç thuhet me gjuhën popullore, “me këmbët e para” nga të “ekrankudondodhurit” dhe të “gjithëditurit” e zakonshëm, për mendimin tim, ai përfaqësoi dhe paraqiti me dinjitet një shembull se si realizohet një qasje bazuar në parametra shkencorë ndaj analizës së problemeve politike.
Në dijeninë time, vetëm në Departamentet e Fakultetit të Shkencave Sociale, pranë Universitetit të Tiranës, janë bërë që nga fillimi i viteve 1990 me dhjetëra studime (të bazuara kryesisht në anketime, intervista me persona kyçë, focus grup etj.) që kanë “fotografuar” e përpunuar shkencërisht aspekte të ndryshme të dinamikës së zhvillimit të shoqërisë shqiptare në tranzicion nën këndvështrime të qasjeve të ndryshme të filozofisë, të psikologjisë sociale e politike, të punës sociale, sociologjisë dhe sociologjisë politike, të shkencave politike etj. Mjafton të përmenden, si shembull mjaft domethënës, dy studimet për sistemin vleror të kryera në vitet 1998 dhe 2004, bazuar në anketime në rang vendi, të cilat, si të thuash, japin “radiografi” të shoqërisë shqiptare që lejojnë të kuptosh, në vija të përgjithshme, se çfarë duan e aspirojnë anëtarët e kësaj shoqërie, se përse janë sjellë e sillen ashtu siç konstatohet dhe të parashikohet sjellja e tyre në rrethana të caktuara.
Rezultatet e gjithë këtyre studimeve janë bërë publike kryesisht në “hapësirat akademike”, domethënë janë referuar në konferencat shkencore të organizuara nga departamentet përkatëse ose nga Instituti i Alb-Shkencës, apo botuar në revistat e buletinet përkatëse shkencore si AKTET etj. Tani erdhi momenti që ato në një formë të thjeshtë e të përshtatshme t’i jepen si një e drejtë që i takon edhe publikut të gjerë të shoqërisë shqiptare.
 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s