Kur do të vijë dita, ta shohim në “emision” analistin popull?

votimetNga Pandeli Bardhi

Populli, me të drejtë thotë: “Mirë që “gomari” ngordhi, por nuk të lënë rehat as mizat”! Sikur të mos mjaftonin hallet e shumta të këtij populli, që me shumë vështirësi po lufton për mbijetesë, dalin edhe “mizat” e bëjnë zhurmuesin duke i “qarë” hallet popullit që po vuan për bukën e gojës. Nuk ka orë të ditës e të natës, që të mos dalin politikanët dhe “sekserët” e tyre analistë duke treguar përralla, se si ata “nuk i zë gjumi”, për hallet e popullit!… Këta “specialistë” të cilët kapardisen në studiot televizive, janë nga të dy krahët e politikës shqiptare. I sheh populli, këta “të mençur” me flokët e ngjyera me bojë e të lyera me xhel, se si “djersiten” për “mirëqenien” e popullit që vuan për bukën e gojës!… Flasin e ç’nuk flasin me një fjalor rrugaçësh, të djathtët për të qëndruar përsëri në pushtet, për të çuar më përpara reformat, e të majtët për të ardhur në pushtet e për të sjellë “mrekullinë”! Çdo natë, në çdo stacion televiziv, e njëjta situatë, të njëjtit “specialistë”, të njëjtat “llogje Kavaje”.

Politikanë, “sekserë” e “mercenarë” të politikanëve, i marrin me rradhë studiot televizive, duke filluar nga studioja e “dirigjentit” Fevziu, me shkop në dorë, që kërkon të “dirigjojë zërat” e kundërt, në interes të të njëjtës “melodi” shtetërore! Vazhdojnë me “Çimkën” Peka dhe e mbyllin ciklin e plotë tek Zheji me 360 gradë, për të arritur përsëri aty ku e nisën, siç e ka nisur Zheji, duke u rrotulluar nga e majta në të djathtë! Më kot “gërmojnë” drejtuesit e këtyre emisioneve, bashkë me Zhejin, për të gjetur ndonjë zë kundër pushtetit, por më kot. Qysh nga Çili, në të njëjtin pozicion me sy gjysmë të mbyllura, e duar të kryqëzuara përpara, që i përgjigjet me një fjalor me shumë “kulturë” atyre që i cënojnë sadopak pushtetin, e deri tek Shkullaku i përtej kufirit, e njëjta melodi! Të gjithë kështu, të majtë e të djathtë, hamendësojnë, japin e marrin, fantazojnë e përrallisin, secili në “istikamin” e vet! Njëra palë “argumenton” se si ky pushtet “ka mbajtur të gjitha premtimet” e pala tjetër, të gjitha këto “argumenta”, i kthen me kokë poshtë. E ndërsa “mercenarët” e pushtetit, që kanë pushtuar ekranet e televizioneve, janë të kënaqur me këtë qeverisje, kjo nuk do të thotë se edhe ata, të majtë e të djathtë që jetojnë në skamje e mjerim, që luftojnë për mbijetesë, janë të “kënaqur”!

Politikanë, “sekserë” e “mercenarë” së bashku, nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë se ku jeton populli, prandaj edhe tregojnë përralla me mbret!. Të krijohet një neveri, tek dëgjon kanalet televizive apo lexon shtypin e shkruar pranë Qeverisë? E si të mos shkaktojnë neveri këta politikanë e sekserë bashkë se të njëjtat përralla që tregon Saliu, po ato përralla, thuhen nga politikanët e sekserët e tyre në televizion, po ato përralla shkruhen edhe në shtypin e shkruar A nuk e kuptojnë këta se ky popull po jeton në mizerrje, tamam si në kohën e Migjenit, në mjerim të plotë e në përpjekje për mbijetesë, për një kafshatë bukë, për pak rrugë e për pak dritë?.!.Kudo që të shkosh e kudo që të kalosh nëpër Shqipëri, është e njëjta gjendje, një trishtim i plotë! E njëjta gjendje në shkolla, e njëjta gjendje në rrugë, e njëjta gjendje në shëndetësi e njëjta gjendje e mjerueshme kudo! Shkoni tek spitali “nënë Tereza”, të cilin një revistë spanjolle, do të shkruante se i ngjan “një spitali të mbetur nga Lufta e dytë botërore” dhe do të binden, të majtë e të djathtë! Asnjë nga këto, nuk u bën përshtypje “myteberëve” politikanë, të cilët, përtej mureve të studios, nuk shohin asgjë tjetër! A mund të dëgjohet një ministër i tipit rrugaç i cili i “argumenton” të gjitha “arritjet” e qeverisë së tij, duke ju drejtuar opozitarit, nga fillimi e deri në fund të emisionit, si papagall vetëm me shprehjen “Trego, je në proces hetimor apo jo!”. Kjo e shqetëson këtë provokator, të luajë me ndjenjat e të tjerëve, dhe jo njëmijë e një të zezat e tij e të kolegëve të tij qeveritarë që përfaqëson. “Papagalli” i vogël, i ngjan “papagallit” të madh, cili në çdo tre faza, në katër prej tyre thotë: “Do të bëjmë gjithçka” dhe përfundimisht, asgjë!… Sikur të ishin vetëm këta,do t’i gjendej një zgjidhje, por e vërteta është se e gjithë qeveria, përbëhet nga këta lloje “kallëpesh”!

Por, t’i lëmë në studiot dhe zyrat e tyre politikanët e analistët dhe të zbresim në terren aty, ku të majtë e të djathtë i vuajnë njësoj pasojat e kësaj politike, që po e çon vendin në greminë! Ata pjestarë të njëqind e katërmbëdhjetë mijë familjeve që jetojnë me një asistencë qesharake prej tre mijë lekësh, janë edhe të majtë, edhe të djathtë! Ata fëmijë shkollash, që bëjnë mësim bashkë me bagëtitë, që edhe gomarit duhet t’ biesh me dru disa herë që të hyjë atje, dhe nuk shikojnë nga mësuesi por e kanë mendjen se mos i bie ndonjë copë tavan, janë të majtë e të djathtë! Dhe këto shkolla, nuk janë me dhjetra por me qindra, dhe këto shkolla, nuk janë as të majta e as të djathta! Edhe ata qytetarë që ankohen përditë për rrugët tërë gropa e baltë, dhe kurrkush nuk u a vë veshin, janë edhe të majtë, edhe të djathtë! Edhe ata qytetarë, që grabiten në mes të ditës, dhe jo vetëm qytetarë e qytetare të thjeshta por edhe policë, janë edhe të majtë, edhe të djathtë. Edhe ato nëntëqind e ca familje, që janë flakur në rrugë nga pronarët e shtëpive, e që kanë mbetur në mes të katër rrugëve, janë edhe të majtë, edhe të djathtë! Edhe ata qytetarë që blejnë në dyqan apo në rrugë, e që nuk e dinë se çfarë blejnë, mbasi nuk ke siguri se nga kush të rruhesh më parë, e që çmimet janë më të larta se një ditë më parë, janë dhe të majtë, edhe të djathtë! Edhe ata qytetarë, që paguajnë ujin e dritat, që të ndershmit paguajnë e hajdutët jo, janë edhe të majtë, edhe të djathtë! Paguajnë “taksë pastrimi” e shkelin kudo mbi plehra, paguajnë “taksë gjelbërimi” e i zë syrri vetëm beton, beton të pafund, e kurrkund një “gjeth” jeshil. Mirë do të ishte që t’u ndërroheshin vendet taksave, Taksa e pastrimit të quhej “Taksë pisllëku” e taksës së gjelbërimit” t’i thuhej “taksë betoni”!.Edhe ata biznesmenë që shkojnë paguajnë taksat e që habiten me ç’thuhet e me ç’veprohet, janë edhe të majtë, edhe të djathtë… Janë edhe të majtë, edhe të djathtë, ata pak të punësuar që kur shkojnë të marrin pagën e tyre, u thuhet: “Nuk ka para”! E, po të vazhdoja akoma t’i përmend, sigurisht, jo të gjitha, do të bëhej një listë e gjatë, si ato të borxheve nëpër dyqanet ushqimore. Por kjo nuk ka rëndësi, mbasi të gjithë, të majtë e të djathtë, jetojnë së bashku, vuajnë së bashku, e së bashku, i heqin në kurriz “të mirat” e kësaj qeverisjeje, për aq sa asaj i takon. Ajo që është më kryesorja, është se a duhet që populli t’i besojë këtyre militantëve që shesin përralla ditë e natë në televizion e gazeta? A nuk të çudit fakti që si televizionet ashtu edhe shtypi pranë qeverisë, nuk i bëjnë as vërejtjen më të vogël qeverisë, por e paraqesin atë sikur e tërë bota, na e ka zili? A mund të pajtohen ata qytetarë, të majtë apo të djathtë qofshin, që paguajnë taksa, për një “buri” skandaloze, që është pak ta quash të tillë, e që quhet Radio Televizioni Shqiptar, që “mbllaçitet” ditë e natë vetëm me Berishën, sa herë që p…. Berisha e shpura e tij? Këtë “turp” të medias, nuk e shohin as të majtët e as të djathtët, e megjithatë, taksat i paguajnë një e më një! Kjo çudi, ndodh vetëm këtu dhe në asnjë vend tjetër të botës. Nuk i thoshte më kot Njutoni i madh, shoqëruesit të tij “Më kundërshto një herë, që të duket sikur jemi dy veta”!

Më mirë se kushdo tjetër, vetëm populli e sheh mirë Shqipërinë “tjetër” të Berishës, dhe jo atë Shqipëri, që na paraqesin “zëmër krundet e gërdhutë” politikanë, bashkë me sekserët e tyre, nëpër studiot televizive!. Vetëm “analisti” popull. Është më i besueshmi, më kompetenti. Por ama, jo kur ai ngrihet për karriget e politikanëve, por për ato që i heq në kurriz, për ato të drejta që ky pushtet, jo vetëm ja ka nëpërkëmbur, por vazhdon edhe të tallet me këtë popull!. Duhet të pranojmë se “arritja” më e madhe e kësaj Qeverie, është ajo e eliminimit të sindikatave, të vetmet përfaqësuese të të drejtave të popullit. Këtu është “sekreti” që kjo qeveri bën si t’i dojë qejfi. As edhe një protestë të vetme qeveria nuk ka parë, protestë për të drejtat e qytetarëve dhe jo për postet e politikanëve. Sa herë që bie fjala për protesta, televizionet, na japin pamjet e ngjarjeve të 21 Janarit! Por edhe shumë me shumë faj, nuk mund të ngarkohet Saliu, i cili atë protestë e quan “puç”! Me të drejtë ai, kur armatosi “falangat” e tij me armë luftarake, në vitin ‘97, u dukeshin ato “lule”, dhe kur opozita “armatoset” me çadra, ato i duken “armatime të sofistikuara”! Atyre kontingjenteve që u mësoi armët qysh në barkun e nënës në vitin ’97, e që sot janë 16 vjeç, kërkon t’i bëjë kontigjente të tij, për të “fituar” betejën e 23 qershorit. Ai, ka besim, se këta që mësuan shumë shpejt “armët” do të dinë t’a përdorin edhe votën! Prandaj populli, duhet të ngrihet në protesta për të drejtat e tij, në mënyrë paqësore, që edhe Saliut, t’i mësohet syri edhe veshi!

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s