Jo universitetet private, por shtypin

Çelo Hoxha

Universitetet private nisën si iniciativë e lirë e njerëzve që shfrytëzuan ligjin e liberalizimit të arsimit në Shqipëri. Kjo do të thotë që investitorët rrezikuan dhe në fund u shpërblyen. Kush e mban mend, disa universitete vitin e parë nuk ishin më shumë se një banesë për një familje me 5-6 anëtarë dhe pas një apo dy vjetësh u zgjeruan në ndërtesa shumëkatëshe. Zgjerimi u mundësua nga paratë që iu grumbulluan nxënësve që aplikuan vitin e parë. Studentët ishin kryesisht njerëz të dëshpëruar që nuk kishin fituar në konkurset e universiteteve të shtetërore.

Universitetet u zgjeruan dhe për një arsye. Një pjesë nxënësish të fiksuar pas një dege studimi të caktuar, të cilën nuk e fitonin në sektorin shtetëror, ata atëherë pranonin të shkonin në universitet private që e kishin atë degë. Sidoqoftë, më vonë u mor vesh se universitetet private mund të bënin dhe mastera e doktoratura, me fonde që merrnin nga shteti.

Disa universitete private u pasuruan aq shumë brenda një kohe të shkurtër, duke konkurruar edhe firmat piramidale në shpejtësinë e fitimit. E po ashtu, si disa firma piramidale, disa universitete blenë edhe televizione, hapën shtëpi botuese ose gazeta të përditshme. Punët e tyre shkonin mbarë, ose dukej se shkonin mbarë, deri në momentin që u mor vesh se ato do të financohen nga shteti. Fakti që shteti merr përsipër të financojë universitetet, tregon se ata janë në buzë të greminës, nëse dikujt nuk i ka ikur mendja dhe ka vendosur të pasurojë një grup njerëzish që i mbledhin paratë me lopatë vetëm për të na klonuar nxënësit që mbarojnë universitetin.

Bizneset private dështojnë vazhdimit. Historia e biznesit privat është një histori dështimesh dhe rilindjesh ashtu si dhe vetë historia e njerëzimit një histori vdekjesh dhe lindjesh. Ajo që ruhet e paprekur është vazhdimësia e species. Në Perëndim për një kohë të gjatë ka qenë subvencionuar bujqësia, por këtë e bënin kryesisht për t’i prerë rrugën prodhimit me çmime të ulëta që mund të vinte nga vende ku prodhimi dilte me kosto minimale, në Amerikën e Jugut apo Afrikë. Kjo ka qenë një nga politikat më të kritikuara nga vendet e prekura, sepse ajo cenon konkurrencën e ndershme në nivel ndërkombëtar.

Financimi i universiteteve private mbështetet në një filozofi të gabuar. Kjo do të vendoste precedentë të dëmshëm për demokracinë. Nëse qeveria vendos të financojë universitetet private, duhet të shpjegojë pse nuk e bën një gjë të tillë për të gjitha bizneset private në Shqipëri, të gjitha pa përjashtim. Universitetet janë biznese private, si gjithë të tjerat, dhe fitimin e kanë edhe më të madh se gjithë të tjerat. Ata duhet të shpallin më parë falimentimin dhe pastaj të bëhet një debat publik nëse ia vlen të financohen apo jo me paratë e taksapaguesve.

Nëse qeveria ka mundësi financimi në sektorin privat, për mendimin tim ajo do të bënte mirë t’i përdorte në mënyrë më produktive ato para të qytetarëve dhe demokracisë: të financojë shtypin.

Shtypi i shkruar në Shqipëri (dhe në gjithë botën) është në krizë prej kohësh. Masivizimi i internetit e ka bërë informacionin e shpejtë më të arritshëm dhe në një shtrirje më të gjerë. Për Shqipërinë ka edhe një arsye tjetër: këtu nuk pati kurrë një treg real për shtypin. Në 20 vitet e fundit gazetat nuk janë shitur kurrë në fshat, megjithëse aty ka jetuar pjesa më e madhe e popullsisë. Sidoqoftë, shtypi është në vështirësi financiare serioze. Disa gazeta kanë filluar të tkurren në stafe dhe në numrin e faqeve. Më e para nga të gjitha shenjat i ka dhënë një gazetë që mendohet se ka pronar të njëjtin person që mendohet se është dhe pronar (ose aksioner kryesor) i një universiteti privat.

Shpëtimi i shtypit nga zhdukja ka rëndësi për demokracinë sot dhe të ardhmen. Gazetat janë, veç të tjerave, edhe regjistruese të historisë. Dallimi mes gazetës dhe medieve elektronike është si dallimi mes një njeriu që mundohet t’i mbajë gjërat mend dhe atij që mban shënime. Formatet elektronike të shtypit të shkruar – gazeta, blogje etj. – japin informacion të shpejtë, me kosto të ulët, por gjithçka e shpejtë dhe me kosto të ulët e shpjegon politika perëndimore kundër atij që quhet junk food megjithëse e ka shpikur vetë, duke këshilluar qytetarët që të mos i konsumojnë se në afat të gjatë dëmtojnë shëndetin. Bëhet fjalë për hamburgerët, sanduiçët e kësi ushqimesh.

Shtypi i shkruar është diçka tjetër. Aty zhvillohet diskursi kombëtar serioz aq sa është e mundur. Le të shikojmë se ç’ndodh me gazetat e komunizmit dhe filmat. Gazetat përdoren si burime historike, ribotohen, por duke iu nënshtruar një analize kritike për ta orientuar lexuesin, kurse filmat shfaqen shabllon (madje ka një stacion kabllor që merret vetëm me propagandën e PPSH-së, duke shfaqur këta filma), pa analizë, pa shpjegimin më minimal që ata janë thjesht botim propagande.

Financimi i shtypit nga qeveria ka një problem, se kjo mund të çojë në kontrollin e shtypit, mund të pretendojë pala e kundërt e këtij argumenti. Shembulli është gati, në Shqipëri ka disa gazeta partiake, të cilat anojnë më shumë nga propaganda se sa nga profesionalizmi. Edhe shtypi privat nuk ka shumë profesionalizëm mund të thotë dikush dhe deri diku mund të ketë drejtë. Por le t’i marrim argumentet me radhë: një, gazetat partiake nuk prishin asnjë punë, veç faktit që partitë politike shpërdorojnë paratë e tyre, që realisht janë para të publikut shqiptar; dy, shtypi privat nuk është profesional në nivelet e Perëndimit, por në nivel lokal është po aq profesional sa edhe profesionet e tjera, dhe shumë më pak vulgare se gazetaria televizive; tre, frika e kontrollit të shtypit nga qeveria nuk duhet të ekzistojë, nëse financimi rregullohet me ligj. Ndikimi ose kontrolli i medieve nga politika ka qenë i pranishëm edhe deri tani, nëpërmjet financimit të tërthortë – reklama etj. Në një shoqëri demokratike, edhe në demokracinë më të mirë, institucionet e pavarura financohen nga i njëjti buxhet dhe atë buxhet e menaxhon qeveria. Ky argument mund të jetë i vlefshëm edhe për universitetet e gjithçka që financohet nga taksat e paguesve shqiptarë. Edhe organet e drejtësisë financohen nga taksapaguesit, por askush nuk thotë që ato të financohen në mënyrë të pavarur, kur flet për pavarësinë e tyre. Kështu pra, mund të bëhet edhe me shtypin, nëse politika nuk ka vendosur t’i kthejë shqiptarët në analfabetë me shkollë të lartë private.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s