Kreu i KKRT, Bushati: Afatet për kalimin e televizioneve në dixhitale

e-bushatiBrenda tre muajsh do të nisë procesi i kalimit të transmetimit nga analog në dixhital. Në një intervistë për gazetën, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit tregon ndryshimet që sjell ligji i ri i sapomiratuar për mediat audiovizive në Shqipëri.

“Ky licencim do të realizohet duke plotësuar disa kushte ligjore-teknike, ku më kryesori është lirimi i frekuencave të zëna arbitrarisht. Afati maksimal për lirimin e frekuencave të zëna arbitrarisht është 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit”, sqaron Endira Buxhati.

Zonja Bushati, pas 7 vitesh bllokim në Parlament, më në fund KKRT ka një ligj të ri për rregullimin e tregut mediatik. Çfarë risish sjell ky ligj?
Më në fund kemi një ligj që i përgjigjet zhvillimit teknologjik të medias elektronike, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Europë. Ai bazohet në detyrimet e përcaktuara në MSA, si dhe ka përafrim të plotë me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe Direktivën Europiane për Shërbimet Audiovizuale dhe aktet komunitare në lidhje me këtë fushë. Të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimit të madh që ka pasur media elektronike që nga viti ’98, kur u miratua ligji i parë për radion e televizionin. Ky ligj, pavarësisht elementeve pozitive që solli në vitet e para pas miratimit, me kalimin e kohës nuk u përgjigjej zhvillimeve të vrullshme të tregut mediatik elektronik. Mospasja e një kuadri ligjor të plotë e ka vënë KKRT-në në pamundësi për të vendosur autoritetin e vet për respektimin e ligjit nga operatorët radiotelevizivë. Ligji i ri zgjidh të gjitha problematikat e hasura në këtë treg, me synimin jo vetëm për të garantuar lirinë e shprehjes, pluralizmin në media, por edhe konkurrencën e lirë dhe të ndershme mes operatorëve, për të garantuar përmbushjen e funksionit informues, edukues dhe argëtues të medias. Me këtë ligj hapet rruga për kryerjen e procedurave ligjore për kalimin në transmetimet numerike, duke i dhënë fund paligjshmërisë në tregun mediatik.
Në këtë ligj është parashikuar që KKRT-ja të ndryshojë emrin në AMA, veç saj, cilat do të jenë veçoritë e punës së këtij enti, duke parë dhe zhvillimet teknologjike dhe mediat online?
Me këtë ligj dhe kalimin nga transmetimi analog në atë numerik (digjital) revolucionarizohet i gjithë tregu mediatik. Konsumatori do të ketë mundësinë e një shumëllojshmërie programesh tematike në disa platforma numerike. Kjo do të rrisë konkurrencën mes operatorëve, duke bërë të mundur në këtë mënyrë rritjen e cilësisë së programeve. Ligji, përveç transmetimeve numerike, rregullon edhe shërbimet e tjera në fushë, siç janë shërbimet sipas kërkesës (on demand), iPTV (televizioni në internet) etj. Një rregullim të posaçëm kanë çështjet e programacionit, rregullat mbi programet, promovimin e veprave europiane, reklamat, llojet e tyre, rregullim më të plotë mbi etikën dhe mbrojtjen e të miturve apo grupeve të tjera vulnerabël. Autoriteti rregullator për median audiovizive të Republikës së Shqipërisë nuk do të quhet më KKRT, por AMA (Autoriteti i Medias Audiovizive). Edhe ky ndryshim kërkon të përligjë pikërisht ndryshimet, plotësimet dhe përmirësimet e ligjit të mëparshëm. AMA-s i ngarkohet detyra të hartojë një sërë aktesh nënligjore për rregullimin në detaje për çështjet e mësipërme. Ligji u jep fundit transmetimeve informale në tregun audioviziv të vendit, duke u dhënë mundësi atyre që tashmë transmetojnë pa licencë, të konkurrojnë dhe të kryejnë veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin e ri. Strategjia e kalimit në transmetimet dixhitale e miratuar nga qeveria vitin e kaluar, e cila është e implementuar në këtë ligj, parashikon rrugën e “beauty contest” për transmetimet numerike apo dixhitale që tashmë janë në treg, por të palicencuara. Kjo mënyrë ofron për ta mundësinë e konkurrencës për platformë apo programe, natyrisht në përputhje me të gjitha rregullat e garës. Pra, nuk ka mbyllje apo ndëshkim të tyre, por kërkesë për të zbatuar disa kushte që burojnë prej ligjit. Për sa u përket sanksioneve, ky ligj parashikon rritjen e masës së gjobave për një mori shkeljesh, ndër to edhe ato të shkeljes së etikës apo të shkeljes së të drejtave të autorit. Ligji trajton gjerësisht problematika të ndryshme që rregullojnë raportet mes mediave dhe konsumatorëve, natyrisht duke mos cenuar në asnjë moment lirinë editoriale. AMA shumë shpejt, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të miratojë kodet dhe rregulloret përkatëse për këto problematika.
Një pikë delikate dhe e shumëdebatuar në këtë ligj ka qenë pikërisht dhënia e licencave, çfarë të rejash janë parashikuar në këtë ligj?
Licencat janë kategorizuar në lloje të ndryshme sipas rëndësisë që paraqesin në informimin, edukimin e argëtimin e publikut dhe në tregun mediatik, si dhe sipas shkallës së përdorimit të burimeve të kufizuara natyrore (frekuencat). Konkretisht, në nenin 52 të ligjit janë përcaktuar llojet e licencave dhe autorizimeve që lëshon AMA. Në kategorinë e licencave janë përfshirë tri lloje: 1. Licencat e transmetimit audio (të radiove); 2. Licencat e shërbimit të programit audioviziv (të programeve televizive);3. Licencat e rrjeteve numerike (të multipleksëve ose platforma dixhitale ku vendosen programet televizive). Për vetë rëndësinë që paraqesin dhe për faktin se vënia e tyre në jetë kërkon përdorimin e frekuencave, dhënia e këtyre licencave nga AMA do të realizohen nëpërmjet procedurës së konkurrimit të kandidaturave. Në kategorinë e autorizimeve janë përfshirë shërbimet e programeve audiovizive që mbështeten në rrjete të komunikimit elektronik të ndryshme nga rrjetet tokësore, që për natyrën e tyre kërkojnë një regjim më të lehtë, pasi nuk kërkojnë përdorimin e frekuencave (operatorët e TV me kabllo, satelit etj). Për ofrimin e këtyre shërbimeve kërkohet paraprakisht regjistrimi i rrjeteve të komunikimit elektronik sipas procedurave të AKEP-it. Ka edhe rregullime të tjera të rëndësishme: ligji i ri rregullon pronësinë në transmetimet audio dhe audiovizive, duke reflektuar rekomandimet e Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian.
Duke qenë se afati përfundimtar për mbylljen e transmetimeve analoge është data 17 qershor 2015, çfarë parashikohet në ligj? Dhe a garantohet vazhdimësia e aktiviteteve mediatike në tregun ekzistues?
Për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit të tregut ekzistues të subjekteve analoge dhe numerike, në ligj janë parashikuar dispozita rregulluese për periudhën e tranzicionit. Për radiot, televizionet kabllore dhe ato satelitore, ligji përcakton kushtet dhe afatet për t’u përshtatur me rregullimin e ri ligjor. Kalimi i plotë në transmetimet numerike do të bëhet në përputhje me strategjinë e kalimit nga transmetimet analoge në transmetimet numerike. Në ligj parashikohet licencimi i rrjeteve numerike gjatë periudhës së tranzicionit deri në kalimin e plotë në transmetimet numerike të të gjitha transmetimeve analoge, si dhe duke synuar një kalim të butë, por me garë për rrjetet ekzistuese numerike dhe minimizimin e shqetësimeve te konsumatori. Konkretisht, do të ftohen brenda 3 muajve, nga hyrja në fuqi e ligjit, për t’u pajisur me licencë rrjeti numerik kombëtar, operatorët historikë kombëtarë, si dhe ata ekzistues me eksperiencë në transmetimet numerike. Ky licencim do të realizohet duke plotësuar disa kushte ligjore-teknike, ku më kryesori është lirimi i frekuencave të zëna arbitrarisht. Afati maksimal për lirimin e frekuencave të zëna arbitrarisht është 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Për operatorët analogë vendorë, në përputhje me strategjinë, janë dhënë si opsione të tranzicionit: a)mbështetja e programeve në rrjetin numerik të RTSH-së ose në rrjetet e tjera private të licencuara, b) ndërtimi i përbashkët i një rrjeti numerik ose, në rast dështimi, c)licencimi përmes konkurrimit. Brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, televizionet analoge ekzistuese duhet të njoftojnë AMA-n për mënyrën e mbështetjes së programeve të tij në rrjetet numerike. Licencat për subjekt televiziv, të dhëna sipas ligjit të vjetër do të zëvendësohen me licenca për transmetime audiovizive analoge. Zëvendësimi i licencave ekzistuese do të kryhet brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit me afat deri në përfundimin e transmetimeve analoge. Deri në përfundimin e transmetimeve analoge, transmetimet audiovizive analoge mund të mbështeten në rrjete numerike të licencuara. Televizionet analogë kombëtarë ekzistues do të vazhdojnë të transmetohen hapur, pra falas, edhe pasi të mbështeten në platformat numerike.
Ky ligj në tërësi u miratua edhe me votat e opozitës. Të vetmet çështje për të cilat opozita votoi kundër, ishin përbërja e AMA dhe e Këshillit Drejtues të TVSH. Madje pati dhe mjaft diskutantë të opozitës që kritikuan për mungesë pavarësie KKRT e sotme. Si i gjykoni këto qëndrime?
Është mjaft pozitive që, për sa i përket përmbajtjes së ligjit, të gjitha partitë parlamentare kanë rënë dakord. Dakordësia e të gjithë aktorëve politikë mbi rregullat si duhet të funksionojë tregu mediatik është thelbësor për zbatimin e ligjit. Për sa i përket përbërjes së AMA-s dhe KDRTSH, Kuvendi miratoi me shumicë votash modelin që reflekton raportin maxhorancë/ opozitë në Kuvend. Kjo është çështje vullneti politik, por ajo që unë dua të nënvizoj, është se nuk ka model mbizotërues. Ka shtete, ku kryetarin e autoriteteve rregullatore e vendos Presidenti i Republikës, në ca të tjera e propozon Kryeministri, apo në ca tjera, edhe vetëm ministri. Në sistemin parlamentar njëdhomësh, si juriste dhe pedagoge e së Drejtës, personalisht më duket tejet e logjikshme të zgjidhet nga Parlamenti. Është shumë e rëndësishme që edhe në ligjin aktual, ashtu siç edhe në të vjetrin, për dhënien apo heqjen e licencave nga AMA duhet një shumicë e cilësuar votash, prej pesë votash, ku raporti maxhorancë/ opozitë i AMA-s është katër/ tre, pra për vendimmarrje duhet një përfshirje më e gjerë sesa thjesht ajo e anëtarëve të AMA-s të propozuar nga njëra palë politike. Për sa i përket pavarësisë së institucionit, gjykoj se kritikat janë më shumë retorikë politike sesa një kritikë objektive për veprimtarinë e institucionit. Ka ndodhur jo rrallë që deputetë të opozitës janë marrë dhe me emrin tim, duke mos gjykuar aspak vendimmarrjen e institucionit që unë drejtoj. Po ju them vetëm një shifër, nga rreth katërqind vendime për vitin e kaluar, gjithë vendimmarrja ka qenë unanime, përfshirë dhe votat e anëtarëve të propozuar nga opozita. Ajo që shpesh dëgjojmë për vendosjen e “njerëzve të pavarur”, është thjesht për konsum politik gjatë ditës. Nuk ka ligj që kontrollon bindjen, simpatitë apo emocionet e njeriut. Ka ligje që rregullojnë veprimet e tij. Në këtë kuptim, për kryetarin e autoritetit rregullator, si dhe anëtarët e tij, është e domosdoshme të parashikohen disa kushte profesionalizmi dhe eksperience, të mirëpërcaktohen rastet e papajtueshmërive dhe konfliktit të interesave, si dhe të detajohen saktë kompetencat dhe funksionet e secilit. Nëse një titullar ka përpara një ligj të mirë për ta zbatuar, me kompetenca dhe procedura të qarta ligjore dhe ka një kontroll efektiv që monitoron veprimet e tij, pavarësia e institucionit është e garantuar. AMA, si autoritet rregullator i tregut të medias, ka nevojë për mbështetjen e të gjitha palëve. Sulmet politike dobësojnë autoritetin e institucionit dhe dëmtojnë veprimtarinë e tij si garantues i konkurrencës së ndershme në tregun e medias audiovizive.

Jo më reklama për produkte me shumë yndyrë apo sheqerna
Në ligjin e ri për mediat audiovizive parashikohen edhe sanksione apo ndalime të reklamimit të produkteve të caktuara. Krahas listës së gjatë të ndalimeve të transmetimit të programeve që cenojnë identitetin racor apo etikën ndaj moshave të mitura, ligji i ri parashikon edhe ndalime të reklamave të ushqimeve jo të shëndetshme. “Në ligj janë përfshirë, po ashtu, edhe dispozita, të cilat kërkojnë që shërbimet e transmetimeve audiovizive duhet të hartojnë dhe zbatojnë kode sjelljeje në lidhje me komunikimet audiovizive të papërshtatshme me natyrë tregtare në transmetimet e tyre, që shoqërojnë ose përfshihen në programet për të mitur, të ushqimeve dhe pijeve që përmbajnë substanca të dëmshme ose të padobishme për shëndetin fizik të të miturve, veçanërisht ato me përmbajtje të lartë yndyre, acide natyrore, kripë, sodë e sheqer, që janë tej normave të lejuara për një dietë ushqimore të shëndetshme për ta”, thekson Bushati.

 

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s