Të gjitha sistemet politike kanë komunikim, debat dhe përballje kanë demokracitë

h-cili2Nga Henri Çili

Një letër miqësore e kryeministrit Berisha, drejtuar gazetës MAPO, në vijim të debatit të MAPO WEEKEND për përballjet televizive për këto zgjedhje, në fakt ka sjellë një kontribut esencial në raportin e ri të medias me politikën në Shqipërinë e 2013.

Më shumë se kaq: prononcimi i Kryeministrit lidhur me këtë debat ka ngritur një pyetje të re: a ka ndryshuar raporti i politikës me median dhe korporatën e gazetarëve profesionistë në kushtet e mediave të reja, kur pak a shumë gjithkush mund të bëhet “gazetar” dhe gjithkush mund të ndërtojë “median e tij”.

Siç dhe e rithekson në këtë letër, në përgjigje edhe të prononcimit të disa prej moderatorëve më në zë të emisioneve politike në vend: konferenca shtypi periodike, town hall meetings dhe Facebook, dhe jo studiot televizive, intervistat apo debatet me gazetarët profesionistë të vendit, janë strategjia e re e Berishës.

Në të vërtetë, mediat e reja dhe format e reja të komunikimit, të ardhura vrullshëm edhe në Shqipëri si ndikim i praktikave të reja komunikative amerikane, ose siç mund të quhet ndryshe “revolucioni on-line OBAMA”, (në fakt i vetmi revolucion që mundi të bëjë Presidenti i parë me ngjyrë amerikan), duket se kanë krijuar një mundësi të re komunikimi për politikanët: shmangien e “ndërmjetësve të opinionit publik” që janë gazetarët dhe komunikimi direkt me popullin.

Por kjo nuk është veçse një iluzion. Sado defektoz, sado të blerë apo të shitur, sado servilë apo guximtarë, sërish gazetarët, sidomos ata më në zë në vend, janë përfaqësuesit më të mirë të opinionit publik, të interesit publik për arsyen e thjeshtë se një gazetar profesionist, ka aftësinë të përballë me politikanin, cilindo qoftë, esencën e pyetjeve apo “pyetësorin imagjinar” të opinionit publik, atë që ishte në njëfarë mënyre tërësia e pyetjeve apo kundërpyetjeve që çdo votues normal do të kishte për politikanin.

Të gjitha format e tjera, këto aktualet që dhe Kryeministri bën me dije se ka adoptuar, duke shpallur “pavarësinë” nga studiot televizive klasike të mediave shqiptare, apo nga emrat me peshë të gazetarisë shqiptare, janë forma deri diku të simuluara, fortësisht të kontrolluara dhe spontane, por sigurisht tepër të pamjafta për të përfaqësuar mirë opinionin publik në një moment të dhënë, pra interesin publik.

Sado problematike të jetë media shqiptare, ajo është një nga arritjet dhe ndoshta arritja kryesore e demokracisë së re shqiptare, ajo ka krijuar një kuadër pluraliteti, profesionalizmi dhe përfaqësimi të interesit publik në nivelin e demokracive të pjekura perëndimore. Ndaj si e tillë, ajo është e paevitueshme. As me ndihmën e teknologjive të reja dhe as nga strategjitë e konsulentëve amerikanë apo europianë qofshin. E njëjta gjë vlen, jo thjesht për kryeministrin Berisha por edhe ministrat dhe zyrtarët e lartë të këtij shteti. E njëjta gjë vlen për këdo që kërkon një post publik. Sidomos në zgjedhje.

Kryeministri Berisha, ndërsa ka adoptuar një strategji të re komunikimi, sikurse thotë dhe vetë, në fakt më shumë duket se përpiqet të fitojë kohë, në pritje ndoshta të tërësisë së strategjisë politike për këto zgjedhje dhe mandat të tretë. E cila nuk po duket ende gjëkundi. Ajo po shfaq copëza por jo një të tërë, një slogan pa trup të fushatës, disa takime me flamurin shqiptar dhe të Europës në sfond dhe shumë adhurime nga salla për të, por jo konturet e një utopie politike për Shqipërinë e së nesërmes. Ai është vetëm në fushatë apo parafushatë dhe ministrat e funksionarët e tij të lartë të partisë nuk duken as në kor, jo më në panel.

Në këtë strategji të re komunikimi duket se diçka megjithatë e ka shpallur: duke mos shkuar gjëkundi, ai së paku tregon se ka braktisur ekskluzivitetet apo preferencat. Por nuk ka arsye që kjo të shkojë deri në tërheqje gjithandej për të komunikuar direkt vetëm me popullin. Sepse ndërsa ekskluziviteti apo preferenca në disa media apo disa emra në media të tjera, i ka krijuar atij kosto të mëdha me pjesën tjetër të peizazhit mediatik shqiptar, nuk është zgjidhje e kundërta: mosdalja askund.

Dhe nuk ka arsye vërtet. Sali Berisha ka qenë dhe është një debatues politik i nivelit të lartë. Ai ka pranuar dhe e pranon kritikën, oponencën dhe gazetarinë e lirë më shumë sesa një herë gjithë këto vite. Ai karakterizohet nga thelbi politik dhe nga shkathtësia për të asociuar në moment një shumësi rrethanash dhe strategjish politike, si pasojë e të qenit politikani më me përvojë në këtë vend. Ai ka sigurisht bilanc politik personal dhe të shumicës aktuale qeverisëse të parrëzueshëm dhe nga kritikët më të rreptë e sidomos në një 6 vjeçar krize rreth e rrotull dhe botërore. Mbi të gjitha, ai ka treguar si mund të rilindë politikisht nëpërmjet krijimit të një utopie të re politike.

Ndaj, komponentja mediatike është dhe mbetet një nga shtyllat e forta të fushatës kudo dhe kurdoherë. Edhe pse ndoshta kësaj radhe prania në studiot televizive nuk do t’i japë dikujt fitoren apo humbjen, pasi problemi i përmbajtjes së kësaj fushate do të jetë kryesor në raport me formën. Por sigurisht, lënia e karriges bosh është apriori një minues për këdo që e aplikon.

Sepse komunikim në një formë apo në një tjetër kanë patur dhe kanë të gjitha sistemet politike. Debati me kundërshtarin, përballja, janë tipare vetëm të demokracisë.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s