Deputeti i PS: RTSH, “lavatriçe në procesin e dixhitalizimit”

a-dalip4Ylli Pata

Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, anëtar i Komisionit Parlamentar të Medias, ka akuzuar ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, se po kryen një operacion financiar në prag të zgjedhjeve në lidhje me prokurimin e dy rrjeteve dixhitale publike. Në një intervistë për “Shqip”, Dalipi zbërthen nga ana teknike dhe ligjore këtë çështje, e cila përbën një mister të madh. Deputeti i PS-së akuzon për mungesë transparence dhe e cilëson një gabim të rëndë që do të rëndojë për xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Deputeti socialist, në intervistë rezervohet të japë detajet e këtij operacioni, emrin e konsulentit të kontraktuar, që e cilëson në mënyrë të dyshimtë nga ministri Pollo, por edhe detaje të tjera që, sipas Dalipit, janë komprometuese për projektin e lançuar nga Ministria e Inovacionit. Në intervistën për “Shqip”, deputeti i Partisë Socialiste bën apel që të tërhiqet nga ky projekt, për të mos cenuar më tej statusin e Radio Televizionit Shqiptar, i cili sipas Dalipit kthehet në “lavatriçe në procesin e dixhitalizimit”. Ndërkaq, çështja rëndohet më tej, pasi Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave bëhen garant për financimin e një tenderi, të cilin deputeti i PS-së e cilëson më “absurdin në 20 vite”. Kjo, pasi harxhohen miliona euro në një kohë kur projekti nuk do të ketë interes publik dhe mund të shkojë si me hidrocentralet që u shitën me vlerën më të vogël se realja…

Zoti Dalipi, si e konsideroni çështjen e lançuar nga ministri i Inovacionit për ndërtimin e dy rrjeteve numerike publike?

Gjithçka kam deklaruar në seancën parlamentare dhe në media mbi organizimin nga Ministria e Inovacionit të një prokurimi publik me objekt ngritjen e dy rrjeteve publike numerike ishte shprehje interesi nëse dokumentet që më ishin vënë në dispozicion kishin ndopak vërtetësi. Gjithçka ishte dhe është e vërtetë. Këtë e konfirmoi edhe në seancë, edhe në një emision televiziv vetë ministri Pollo. Është për të ardhur keq me përçartjet dhe arsyet që ministri jep për rolin e tij në këtë projekt, që më shumë si është konceptuar, është një operacion i pastër financiar.

Po përse bëhet fjalë. Unë kam deklaruar për një prokurim me vlerë 25 milionë euro që ministria e drejtuar nga zoti Pollo kërkon të realizojë për dizajnim, blerje pajisje, instalim, trajnim dhe komisionim të dy platformave apo siç cilësohen në ligj rrjete kombëtare dixhitale. Ministri Pollo konfirmoi objektin dhe deklaroi që shuma mund të ishte edhe më e madhe se 25 milionë euro. Pra kemi të bëjmë me një tender pa tavan, ku ofertuesi i përzgjedhur do të jetë ai më i leverdishmi, por me shifër të pacaktuar.

Dy platformat që do të ndërtohen, do të jenë rrjete dixhitale të shërbimit publik dhe sipas ligjit të sapoaprovuar do të transmetojnë në frekuencat që i përkasin Radiotelevizionit Shqiptar. Kjo korporatë radiotelevizive me ligjin në fjalë, por dhe me atë të mëparshmin, ka pavarësi nga qeveria, ligjore dhe ekonomike, dhe si e tillë nuk mund të konsiderohet si magazinë apo aneks. Veç të tjerash, projekti i lançuar nga Pollo nuk ka një studim fizibiliteti nga RTSH-ja dhe asnjë vlerësim paraprak nga autoriteti rregullator, KKRT, mbi interesat e televizioneve lokale për të dalë në formatin dixhital. Ministri Pollo deklaroi në intervistën e tij, se ka marrë konsulencë nga Këshilli i Europës. Besoj të mos e ketë seriozisht këtë deklaratë për projektin që kërkon të tenderojë, pasi mund të kërkojmë lehtësisht konfirmim nëse e kanë këshilluar nga Strasburgu për projektin teknik, për modalitetet financiare apo nga Zelanda e Re. Thelbi është një tender absurd, pa sens për rolin që mund të ketë qeveria kur kërkon të blejë për llogari të RTSH-së dhe më e rëndë bëhet mungesa e transparencës e aq më shumë ajo e gënjeshtrës për konsulencë zyrtare për projektin në fjalë. Vetë materialet e përdorura në dokumentacionet e tenderit (harta, grafikë etj.) të marra copa-copa nga struktura të ndryshme janë të vjetruara dhe sot nuk janë reale. Kanë dalë jashtë një projekti funksional, pasi konsulenca e huaj, ajo e vërteta, e padeklaruar nga ministri, është mbështetur në informacione dhe të dhëna të tejkaluara mbi territorin.

Pse sipas jush, projekti mbetet i pazbatueshëm?

Jam bazuar vetëm në dokumentin e deritanishëm për gjithçka kam deklaruar. Projekti ka parashikuar vetëm ngritjen e rrjeteve dhe jo marrjen e sinjalit nga këto platforma për qytetarin konsumator, që do të ishte në fund edhe të këtij projekti paguesi i kostove të këtij tenderi, edhe kjo, sipas deklaratës së vetë zotit Pollo.

Pra, projekti mbetet i pazbatueshëm nëse qytetari nuk do të ketë dekoderin për të marrë sinjalin e prodhuar nga këto dy rrjete. Ne kemi kërkuar edhe në ligj mbrojtjen e qytetarëve, për shkak të kalimit të detyruar në formatin numerik, kosto që në vende të tjera e ka marrë përsipër shteti. Kjo është e paraqitur edhe në strategjinë kombëtare të prezantuar në qeveri nga vetë ministri i Inovacionit.

Sipas të dhënave, kemi mbi 800 000 familje, të cilat brenda një kohe të shkurtër do të gjenden para faktit për ta blerë dekoderin ose të mos shohin programet televizive. Nëse do të bëjmë një përllogaritje të kostos së këtij procesi, do të kemi edhe një faturë prej 800 000 X 40 euro/ dekoder = 32 milionë euro. Pa këtë pjesë, projekti mbetet në ajër, ndaj edhe kostoja është më e madhe, fatura më e madhe, interesat e kredisë më të mëdha, angazhimi i RTSH-së si pagatore e projektit i pabesueshëm.

Si është parashikuar në projekt financimi i këtij projekti?

Ky është dhe thelbi i absurditetit që e bën RTSH-në një lavatriçe të operacionit që kanë menduar se po i shërben dixhitalizimit të tregut mediatik. Pikërisht gjithçka që është parashikuar në dokumente konfirmon se kompanitë pjesëmarrëse do të ofrojnë ofertën ekonomike për projektin kundrejt garancisë që shteti do t’i japë transmetuesit publik. Garantët (sipas dokumentacionit), do të jenë Banka e Shtetit dhe Ministria e Financave, pra Fullani dhe Bode. Pollo do të tenderojë dhe RTSH-ja do të magazinojë. Detyrimet për këtë projekt do të kryhen 15% menjëherë pas nënshkrimit të kontratës dhe pjesa tjetër me këste çdo vit nga të ardhurat e RTSH-së. Duke e konsideruar në hapat e parë dhe ende të painstitucionalizuar si projekt prokurimi, u përqendrova vetëm duke dhënë një panoramë informative të bazuar vetëm në atë çka është përgatitur deri tani dhe për të sensibilizuar që një projekt i tillë nuk të ofron komoditetin që të bësh një dorë parash para zgjedhjeve dhe para lënies së karriges.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s