E drejta për privatësi dhe Shqipëria

Nga Igli Totozani

Respektimi i jetës private dhe familjare si një e drejtë themelore e njeriut, është afirmuar fuqishëm në kohët moderne. Ajo përfaqëson një koncept të rëndësishëm, por edhe iluziv, të dhënë në ligj, ndoshta më të vështirin për t’u përkufizuar nga të gjithë të drejtat e tjera. E drejta për një jetë private lidhet ngushtë dhe influencohet nga konceptet e privatësisë, autonomisë individuale, dinjitetit, individualitetit dhe integritetit.

Parë në një këndvështrim më të gjerë, e drejta për një jetë private ka të bëjë me thelbin e procesit të demokratizimit të jetës në vend, sepse ndërthur një element bazik të marrëdhënies ndërmjet shtetit dhe qytetarit. Mbi këtë bazë mbrojtja e kësaj të drejte në Shqipëri përbën një komponent të rëndësishëm të shtetit të së drejtës.  E drejta për jetë private dhe familjare mbrohet nga instrumente ndërkombëtare, të tilla si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e pasuar nga Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Punëtorët Migrantë, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Fëmijës, dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Artikulli 8: “Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka afirmuar dhe garantuar gjithashtu këtë të drejtë themelore dhe komplekse. E drejta për një jetë private, e afirmuar në Kushtetutë, përfshin garancinë që i jepet individit për të mos u vetinkriminuar, të drejtën e indvidit për të bërë publike të dhënat e tij personale kur ai dëshiron, si dhe mbrojtjen e këtyre të dhënave, të drejtën për mbrojtjen e fshehtësisë së banesës nga ndërhyrjet jovullnetare dhe të paautorizuara të policisë, si dhe fshehtësinë e korrespondencës.

Padyshim një rol të pazëvendësueshëm në kuptimin dhe mbrojtjen e kësaj të drejte, ka luajtur dhe luan Gjykata e Strasburgut, sipas së cilës, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare ka, para së gjithash, për qëllim të mbrojë individin nga ndërhyrja arbitrare e autoriteteve publike. Ky qëllim arrihet duke mbrojtur katër dimensionet e autonomisë personale të një individi – që janë jeta private, jeta familjare, banesa dhe korrespondenca. Në kuptimin e nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat Themelore të Njeriut, shtetet jo vetëm detyrohen të mos ndërmarrin veprime që e cënojnë këtë të drejtë, si një plotësim i një detyrimi negativ, por mbi ta mund të rëndojnë edhe detyrime pozitive me qëllim që e drejta të jetë efikase.

Duhet theksuar fakti se në dhjetë vitet e fundit, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka zgjeruar ndjeshëm fushën mbrojtëse të Nenit 8 të Konventës, si pasojë e ndryshimeve kulturore dhe shoqërore të vazhdueshme. Në këtë drejtim mund të thuhet se Neni 8 është një nga nenet më të hapura për interpretim të mëtejshëm të Konventës, nën të cilin gjatë viteve janë trajtuar dhe mbrojtur një numër gjithnjë e në rritje i çështjeve, që shpesh herë nuk bien nën fushën e veprimit të neneve të tjera të Konventës. Këtu mund të përmendim të drejtën e anëtarëve të një minoriteti kombëtar për të jetuar sipas traditave të tyre, apo dhe trajtimin e çështjeve mjedisore në rastet kur jeta e një qytetari ndikohet drejt për së drejti nga zhurma apo forma të tjera ndotjeje.

Ndërkohë duhet thënë se Gjykata e Strasburgut nuk ka ofruar një përkufizim të qartë dhe të saktë të asaj që nënkuptohet me jetën private: në qëndrimin e saj e drejta për jetë private është një koncept i gjerë dhe i pamundur për të pasur një përkufizimit shterues. Çfarë është e qartë është se nocioni i jetës private është shumë i gjerë dhe përfshin një sferë në të cilën çdo individ lirisht mund të zhvillohet dhe të përmbushë personalitetin e tij, si në raport me të tjerët dhe me botën e jashtme.

Një aspekt rëndësishëm i çdo regjimi të mbrojtjes së jetës private dhe familjare është mbikqyrja. Në më të shumtat e vendeve ku është në fuqi një legjislacion specifik për këtë të drejtë, ekzistojn gjithashtu edhe një strukturë organesh që mbikqyrin zbatimin e këtij legjislacioni. Institucionet e krijuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sikurse Avokati i Popullit, zënë një peshë domethënëse në këtë proces, duke luajtur një rol të pazëvendësueshëm, dhe duke qenë kështu tregues i shkallës së pjekurisë të klasës politike dhe të mentalitetit të shoqërisë.

Referuar juridiksionit të tij, Avokati i Popullit ka një sferë veprimi që mbron dhe garanton të drejtën për jetë private dhe familjare nga veprimet e paligjshme dhe të parregullta të administrates publike dhe të tretët që veprojnë për llogari të saj. Mëgjithëse legjislacioni vendas ka njohur zhvillime specifike të mëparshme lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, aktualisht Avokati i Popullit e sheh veten një aktor gjithëveprues me kontribut individual, pjesë e mozaikut institucional të sistemit “check and balance” në Shqipëri. Veprimtaria e përditëshme e jona, njeh një sërë ndërhyrjesh për garantimin e kësaj të drejte, qoftë në raste individuale apo edhe në nivel të rregullave normative, aktivitet që është paraparë të vazhdohet me promovimin e të drejtës për jetë private dhe familjare.

Jemi të vetëdijshëm se, realiteti shqiptar njeh shkelje të shumta të cilat identifikohen edhe si pengesë për ushtrimin efektiv të së drejtës për privatësi, shkelje nga të cilat mund të përmendim mungesën e rregullimit ligjor të survejimit me kamera, në vendet publike apo në ato private, survejimin fizik të individëve që shpesh kalon caqet e nenit 8 të Konventës Europiane për të Drejtat Themelore të Njeriut, apo edhe gjuhën dhe konotacionet negative të përdoruara rëndom në gjuhën e politikanëve tanë, fakte këto që flasin për mungesë serioze standardesh në këtë fushë.

Vlerësoj se njohja dhe zbatimi i standarteve më të larta Europiane për të drejtat e njeriut, nuk mund të bëhen pa një bashkëveprim konkret dhe efektiv ndërmjet të gjithë faktorëve dhe aktorëve veprues, përfshirë këtu bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, si një aktor i rëndësishëm me rol thelbësor e të pazëvendësueshëm në vend, veçanërisht në evidentimin e problemeve, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Dita

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s