Debate në KQZ, reklamat për zgjedhjet shkojnë për TVSH dhe mediat qeveritare

komisioni-parl16Andi MALASI

Sensibilizimi i qytetarëve për të shkuar drejt qendrave të votimit në zgjedhjet e 23 Qershorit ka shkaktuar debate të ashpra në KQZ. Për sensibilizimin e qytetarëve, KQZ ka akorduar 350 milionë lekë. Por, ky institucion, me miratimin e projektvendimit për edukimin e zgjedhësve, e kthen në monopol të Televizionit Publik Shqiptar implementimin e këtij procesi. Kërkesa e ngritur nga ana e përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjonçaj, për përcaktimin e një ndarjeje të barabartë midis medieve kombëtare, nuk është marrë parasysh nga KQZ.

Pavarësisht se projektvendimi në fjalë, u miratua edhe me votat e përfaqësuesve të zgjedhur nga opozita në KQZ, Gjonçaj ka shprehur rezerva, pasi formulimi i kësaj pike vendos në qendër të sensibilizimit TVSH dhe mediat e tjera, pa specifikuar një ndarje të qartë dhe të barabartë midis mediave kombëtare. Kjo hapësirë e lënë në projektvendim duket se ka shqetësuar së tepërmi përfaqësuesin e PS, pasi krijon mundësinë e shpërndarjes së fushatës sensibilizuese dhe edukuese të zgjedhësve në duart e mediave pranë mazhorancës qeverisëse. “Në projektvendim thuhet se fushata sensibilizuese dhe edukuese për zgjedhësit do të shpërndahet tek TVSH dhe mediat e tjera. Ky përcaktim vendos në qendër Televizionin Publik Shqiptar, i cili dihet nga të gjithë se shikueshmëria e tij është në nivele mjaft të ulëta. Unë do të propozoja që të ndryshohet ky përcaktim në projektvendim dhe të specifikohet një ndarje e qartë, e barabartë për mediat kombëtare, të cilat kanë edhe shikueshmëri më të lartë”, tha Genc Gjonçaj. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i përfaqësuesit të Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kovovrasti, i cili u shpreh se me formulimin që është bërë në projektvendim nuk përjashtohet asnjë prej mediave kombëtare në procesin e shpërndarjes së reklamës sensibilizuese dhe edukuese për zgjedhjet e 23 Qershorit. Më tej përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj, ka ngritur me shqetësim edhe çështjen që ka të bëjë me mënyrën e formulimit të reklamave sensibilizuese, duke kërkuar të bëhet kujdes që reklamat ku i bëhet thirrje votuesve të shkojnë në qendrat e votimit, të mos kenë ngjashmëri me reklamat e partive politike.

Projektvendimet

Në mbledhjen e djeshme KQZ miratoi dy projektvendime të përcaktuara në rendin e ditës, ndërsa shtyu për mbledhjen e së enjtes miratimin e aktit që ka të bëjë me modelin e fletës së votimit për qarkun e Fierit në të cilin do të aplikohet për herë të parë Sistemi Elektronik i Numërimit. Pas disa diskutimeve teknike, anëtarët e KQZ vendosën me konsensus që propozimet e dala nga anëtarët dhe partitë ti paraqiten ekspertëve të kompanisë IDRA, kompania fituese që do të realizojë projektin. Ndërkohë, KQZ miratoi projektvendimin, “Për miratimin e strukturës së shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 23 Qershor 2013”. Ky akt u miratua me shtatë vota pro. Komisioni Zgjedhor miratoi ditën e djeshme edhe projektvendimin, “Për miratimin e strategjisë së KQZ, për edukimin zgjedhor të shtetasve për zgjedhjet për Kuvendin e datës 23.06.2013”. Strategjia synon te ndihmojë në rritjen e pjesëmarrjes në votim, shmangien e gabimeve  gjatë procesit për arsye të mosnjohjes së proçedurave si dhe shmangien e fenomeneve negative që vihen re gjatë procesit zgjedhor në tërësi.

Sensibilizimi i minoritarëve

Sensibilizimi dhe edukimi i qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e 23 qershorit nëpërmjet mediave, ka sjellë edhe një propozim të përfaqësuesit të PBDNJ në KQZ, Jani Jani, i cili ka kërkuar që ky proces, të implementohet edhe nëpërmjet mediave lokale në zonat minoritare. “Konkretisht, në mediat lokale në Gjirokastër ose në ndonjë lokalitet tjetër, procesi i sensibilizimit duhet të shpërndahet edhe tek mediat lokale, për t’ju ardhur në ndihmë minoritarëve”, deklaroi Jani. Kjo kërkesë e tij u pranua parimisht nga ana e anëtarëve të KQZ, e cila do të përcaktojë edhe specifikat e implementimit.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s