Pse u prish konsensusi për ligjin e mediave

Nga: Valentina Leskaj

v-leskajProjektligji për Mediat Audiovizive nuk është thjesht një amendim i ligjit për mediat elektronike apo një bashkim i tij me ligjin për transmetimet numerike. Është një reformë e rëndësishme, që synon një rregullim të plotë të tregut audiovizual, në përputhje me direktivat e BE-së si dhe krijimin e garantëve ligjorë për lirinë e medias. Është kjo arsyeja që ne kërkuam një proces të hapur e të konsultuar, për të pasur një produkt cilësor. Falë insistimit tonë, projekti ka marrë konsulencën më përfshirëse, me aktorë lokalë të interesit, operatorë mediatikë, organizata që operojnë në fushën e lirisë së shprehjes, në çdo hap të tij. Falë kërkesës së opozitës dhe përgjigjes së partnerëve ndërkombëtarë, ka marrë edhe një konsulencë shumë të specializuar ndërkombëtare. Gjej rastin t’i falënderoj BE, KE, OSBE, për mbështetjen që i kanë dhënë procesit dhe ekspertizën e specializuar që na kanë ofruar.
Synimi ynë për këtë projektligj, është harmonizimi me legjislacionin europian, veçanërisht detyrimet që burojnë nga MSA, e padyshim konsiderimi i nevojave të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë së komunikimeve elektronike. Ndërkohë që projekti reflekton rekomandimet e KE-së, lidhur me lirinë e shprehjes e të mendimit, respektimin e të drejtës së jetës private e familjare të individit, të banesës e korrespondencës. Njëherësh, synimi ynë ka qenë aplikimi i standardeve të BE-së për çështje të licencimit, pronësisë e reklamës, për t’i mbrojtur mediat nga vendime selektive e monopoli. Kjo frymë u arrit në 135 nene të projektligjit. Ndërkohë, ne synuam rregullimin e entit rregullator, KKRT e KDRTSH, që janë kyç, që standardet e vendosura në ligj të mos mbeten në letër.

Çfarë kemi propozuar ne? Ne kërkuam që për zgjedhjen e enteve rregullatore, anëtari i shtatë në rastin e KKRT-së dhe anëtari i njëmbëdhjetë në rastin e RTSH-së, të zgjidhen me konsensus dhe nëse nuk arrihej konsensusi, të miratohen me shumicë të cilësuar ose short. Ndërkohë, kemi kërkuar riformatim të enteve pas miratimit të ligjit. Kjo ishte një zgjidhje që siguron një balancë ku asnjëra palë nuk ka shumicën. Një formulë e pranuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Ju e refuzuat duke rrëzuar praktikisht gjithë frymën e ligjit. Me refuzimin e konsensusit për rregullatorë të pavarur, ju keni rrëzuar të gjitha ato garanci që ne ngritëm për barazinë e operatorëve mediatikë, duke i lënë të hapur rrugën klientelizmit dhe goditjeve selektive në media.

Kush mund të thotë sot se mund të ketë proces të ndershëm licencimi pa një KKRT të paanshme? Kush mund të garantojë ndershmëri në reklama, pa një KKRT të riformatuar e të paanshme? Si mund të garantohet pavarësia e medias me një KKRT gjobëvënëse ndaj mediave, që nuk janë pranë pushtetit? Pa një KKRT të paanshme, të gjithë ata garantë të lirisë së medias, që ne i vumë në ligj mbeten në letër. E njëjta gjë ka vlerë për Operatorin Publik, që me publiken nuk ka më asgjë të përbashkët, përveç taksës që paguajnë qytetarët për një shërbim që nuk e marrin. Gjithë përpjekjet e përbashkëta tonat e të partnerëve ndërkombëtarë ju i fshitë në një ditë, me një urdhër nga lart. Sot kryeministri na bëri një leksion të gjatë për integrimin për kërkesat e BE-së. Nuk e ka seriozisht.
E dini, dy kanë qenë shqetësimet kryesore të BE-së për ligjin e medias: pavarësia e entit rregullator dhe konsensusi. Raporti i progresit thotë: “Pavarësia e medias mbetet shqetësim, veçanërisht pavarësia e rregullatorit”. Ndërkohë që, kërkesa për konsensus i është bërë me letër parlamentit nga BE dhe KE: “Një ligj kaq i rëndësishëm, duhet të gëzojë konsensus sa më të gjerë politik të mundshëm”. Ju i refuzuat të dyja: kërkesën për institucione të paanshme dhe kërkesën për konsensus. Prishët një konsensus që kishte marrë pëlqimin e të tria palëve: PS – PD – partnerë ndërkombëtarë. Në fund po u thoni partnerëve, “ne ramë dakord, por tani jemi penduar”. Sot po bëni të njëjtin gabim që bëtë në vitin 2007, kur miratuat ligjin për transmetimet numerike apo kur miratuat natën te salla e grupit të PD-së, amendimet e ligjit për mediat elektronike. Të dyja u dështuan.

Kryeministri u betua atëherë se ligjin për transmetimet numerike, e bënte për 800.000 familje shqiptare, që brenda vitit do përfitonin nga dixhitalizimi i RTSH-së. Kaluan 6 vjet dhe RTSH-ja s’ka marrë asnjë lekë për teknologjinë. Ajo që familjet shqiptare fituan ishte dyfishimi i taksës së RTSH-së, të cilit kryeministri, jo vetëm nuk i dha asnjë lek për teknologjinë, por i mban edhe gjysmën e taksës që paguajnë shqiptarët. E vërteta është se nuk bëri një ligj për RTSH-në, po kundër “Top Channel”-it, ndaj rezultoi në dështim. Kur ne kërkojmë ente të paanshme, duam të bëhemi garantë, jo të vetes, po të sistemit, garantë për media të lira që KKRT-ja dhe KDRTSH-ja të mos jenë si deri më sot, – një kobure në duart e pushtetit. Ju e refuzuat konsensusin, se nuk jeni të interesuar për media të pavarura. Në fakt ju u shërbeni dy kategori mediash, atyre që ju kanë kapur dhe atyre që ju i keni kapur.

Ne ndahemi në vizion e në moral, në qëndrimin ndaj institucioneve të pavarura, ndaj jemi kundër zgjedhjes me shumicë të thjeshtë të enteve rregullatore mediatike, kundër përdorimit të tyre nga pushteti i radhës. Ju keni hallin e Endirës dhe të Becit, jo se ju dhimbsen ata, po se janë shërbyesit e radhës. Po të mos ju shërbenin, ju do ishit të parët që do t’i hidhnit, siç keni bërë me të tjerë kur ju kanë dalë nga gardhi. Ne duam të forcojmë garantët ligjorë për institucione të pavarura e të qëndrueshme, ju doni t’i përdorni për zgjedhjet e radhës. Në fakt, sjellja juaj është një sjellje tipike e fundit të regjimeve, kur përpiqen për të kapur çdo institucion, për të mbijetuar.
Gjithsesi, unë shfrytëzoj edhe këtë rast të fundit për t’ju bërë një thirrje: Tërhiqeni ligjin. Ne jemi të gatshëm ta mbledhim tani komisionin për të arritur një konsensus që do na çonte drejt enteve të paanshme. Nëse nuk dëgjoni opozitën, të paktën dëgjoni Brukselin. Dëgjojeni thirrjen e Komisionerit Fyle që reformat të bëhen me konsensus, e të mos përdorni rrugë përjashtuese që reformat të jenë të qëndrueshme. Kjo që po ndiqni është rruga përjashtuese.

Dëgjoni Dunja Mijatovicin, Përfaqësuesen e Lartë të Lirisë së Medias në OSBE, e cila jua tha në Shqipëri, e dy ditë më parë i ka dërguar një letër kryeministrit. I kërkon të reflektojë për projektligjin. Mes të tjerash thotë qartë: “Kjo gjë rrezikon që të dyja institucionet të mbeten instrumente politike të shumicës së sotme parlamentare edhe për disa kohë. Duke qenë se këto shqetësime janë ngritur edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare…, më lejoni t’ju përsëris edhe njëherë se një regjim rregullator gjithëpërfshirës dhe i pavarur politikisht për dimensionet e mbikëqyrjes dhe programimit të çdo transmetuesi publik është praktika më e mirë europiane…. Ligjvënësit shqiptarë kanë mundësinë e vetme për të miratuar variantin e përmirësuar të ligjit i cili siguron pavarësi editoriale dhe financiare të sistemit të transmetimit të shërbimit publik dhe të bëjë që ky ligj të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me angazhimet e OSBE-së në lidhje me lirinë e medias…”

Kjo është ekzakt edhe çfarë ne po kërkojmë sot. Në rast të kundërt, ne nuk mund të bëhemi palë, në një ligj që nuk garanton lirinë e mediave, po dhunën e pushtetit mbi mediat e pavarura, ndaj vota jonë është kundër.

* Fjala në Kuvend e kryetares së Komisionit parlamentar të Medias

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s