Për shtypin e shkruar dhe MAPO-n në epokën dixhitale

h-cili2Henri Çili

Është fakt i pakundërshtueshëm tashmë transformimi që po pëson bota e sotme, me sistemet e reja të komunikimit, aq më tepër e gjithë media, aq më tepër shtypi i shkruar. Duke filluar nga sot, botimet periodike MAPO, gazeta e përditshme MAPO, MAPO Weekend si gazetë e fundjavës, revista mujore MAPO si dhe botimi i specializuar Madame MAPO, nisin një fazë të re të jetës së tyre, e lidhur ngushtë me një transformim përmbajtësor, që vjen si pasojë e atyre shndërrimeve që po ndodhin kudo në shtypin e shkruar. Printi, media e printuar, me të gjitha format e saj është prej më shumë se një dekade kur filloi dhe po ndodh shkëlqimi i mediave online, sociale dhe formave/ sistemeve të reja të komunikimit, në një transformim i cili përpiqet që në çdo fazë dhe hap të mund t’i japë shtypit të shkruar një identitet ose funksion të ri.

Është e qartë se çdo sistem mediatik, sapo ka dalë një sistem i ri komunikimi, është transformuar, dhe kjo është tashmë një histori e vjetër: shtypi i shkruar me radion, të dy bashkë me televizionin, kinemaja me televizionin, dhe të gjithë bashkë me televizionin; dhe tashmë tërësia e sistemeve të deritanishme të komunikimit me internetin. Në qoftë se shtypi i shkruar deri më tani po vuante, ose “vajtonte” në një farë mënyre, efektin e komunikimit online, tashmë kemi ardhur në një fazë të re. Shtypi i shkruar duhet të transformohet rrënjësisht në një mënyrë të re në ndikimin e zhvillimit të medias online. Nuk do të thotë që kjo gjë nis me MAPO-n, shumë prej kolegëve dhe mediave të tjera ose dhe ne po ashtu, kemi “notuar” gjatë këtyre viteve në përpjekjet ‘t’i përshtatemi kësaj faze’, por duhet pranuar tashmë që një model i ri i shtypit të shkruar duhet t’i zërë vendin një modeli klasik. Disa kolegë janë transformuar, disa tituj po ashtu, disa të tjerë me siguri do ta bëjnë, e rëndësishme është që MAPO në epokën dixhitale do të përpiqet, nga ky numër e tutje t’i përshtatet kësaj faze të re. Shtypit të shkruar në Shqipëri në këta 20 e ca vjet iu desh të vuante dyfish pasojat e rrethanave. Rrethana e parë ishte prapambetja e tmerrshme infrastrukturore e shtypit të shkruar, e cila vazhdon të mbetet. Sikur kjo të mos mjaftonte, ia behu dhe media online, ose interneti dhe që të dyja kanë krijuar një ngërç, një nevojë për një përmbajtje të re, për një përshtatje.

Ndaj, duke filluar nga kjo e hënë, në pesë ditët e javës, nëpërmjet një përmbajtjeje dhe ristrukturimi të ri, MAPO ditore do të sjellë te publiku interpretimin e saj mbi aktualitetin, këndvështrimin e saj, do të sjellë seleksionimin e ngjarjeve sipas asaj që mendon ekipi editorial, do të fokusohet mbi aspekte të caktuara të realitetit që, sipas nesh, janë më të rëndësishme dhe me interes publik. Në kushtet e shumëfishimit të mesazhit, në kushtet kur të gjithë mund ta quajnë veten gazetarë dhe të gjithë marrin pjesë në media, ajo gjë me rëndësi është redaksia, pra kanali i komunikimit, mënyra sesi filtrohet realiteti dhe informacionet, të cilat tashmë nuk mungojnë. Në një farë mënyre, nuk ka gjë të re, nuk ka lajm të ri, gjithçka merret vesh dhe e gjithë çështja është interpretimi dhe domethënia dhe lidhja e ngjarjeve dhe informacioneve.

MAPO Weekend, e cila del me një format të zgjeruar ditën e shtunë, do të përpiqet të sjellë, në një formë të re edhe më të plotë sesa që kur ka filluar ky format, ngjarjet e javës, zhvillimet e temave të caktuara, idetë, refleksionet, dossierët, intervistat, duke krijuar te publiku, mundësinë që gjatë fundjavës të mund të lexojnë më thellë dhe ngeshëm diçka që ia vlen vërtet të lexohet, të ndalet në krahasim me formacionin e shkurtër apo “fluturimin e pafund” të informacionit të përditshëm audio-viziv apo të internetit.

Po ashtu revista MAPO mujore do të sjellë këndvështrimet e saj më të thelluara, tendencat dhe personazhet “që bëjnë” muajin dhe sigurisht me avantazhin e ilustrimeve të fotografisë me ngjyra që e ka një revistë, një gjini kaq e dashur për publikun.

Të gjitha këto përforcojnë një tjetër dimension, do të krijojnë mundësinë që të përforcohet MAPO si një qendër mendimi, idesh, debati, e hapur, pluraliste, intencionale pra, e qëllimshme në raport me idetë dhe vizionet që ne kemi për zhvillimin e vendit, që kemi për ngjarjet; nga ato politike deri te fenomene nga më të ndryshmet në shoqërinë shqiptare dhe në botë. Duke iu përmbajtur fort parimit të pavarësisë, filtrimit të realitetit dhe të aktualitetit, MAPO do të përpiqet që këtë formësim të ri, i cili do të shoqërohet edhe me një edicion shumë më aktiv të MAPO-s online në site-in mapo.al, do të përpiqet pra të përmbushë një parim thelbësor, e angazhuar, por jo partizane, të qartë dhe të hapur: ne do të zgjedhim nga realiteti dhe aktualiteti, pasi u kemi krijuar mundësinë të gjitha ideve dhe rrymave, të gjitha pikëpamjeve dhe këndvështrimeve, atë çka, sipas nesh, modestisht, është më tepër, në momentin e dhënë, në raport pozitiv me interesin publik.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s