Mark Luli: T’u hiqet licenca radiove dhe televizioneve që vjedhin të drejtën e autorit

Pirateria në krijimtarinë muzikore ka bërë që krijuesit shqiptarë të humbasin miliona, ndërsa duket se ky problem nuk do të ketë zgjidhje. Kjo gjë pohohet dhe nga kompozitori Mark Luli. Me dekada me krijimtarinë muzikore, jo vetëm në skenën e festivaleve të këngës por dhe me muzikë filmash, etj, kompozitori Mark Luli tregon se sot institucionet shtetërore janë të pafuqishme për të reduktuar këtë problem.

Në intervistën dhënë për gazetën, kompozitori Mark Luli pohon se pirateria duket haptazi në mediat elektronike por askush nuk paguan atë që duhet sipas ligjit. Si kompozitor ai ka pasur jo pak bashkëpunim edhe me të huajt duke kompozuar muzikë filmash dhe pohon se çdo gjë zbatohet sipas kontratës, gjë që nuk e has në territorin shqiptar. Kompozitori shprehet se i vjen keq nga kjo situatë, shpreson pak tek projektligji i ri mbi të drejtën e autorit, por thekson se është shteti ai që duhet të ketë gjoba më të larta për ata që abuzojnë me të drejtën e autorit. Madje ai shkon më tej duke theksuar se duhet të ketë dhe heqje licence për mediat që nuk paguajnë të drejtën muzikore.

-Moszbatimi i të drejtës së autorit mbetet një problem i madh në vendin tonë. Si kompozitor herë pas here keni ngritur zërin përballë kësaj situate. Sot çfarë mund të na thoni për problemet që ju hasni?

Për të drejtën e autorit në vendin tonë janë bërë një mal me projekte dhe sugjerime nga të huajt, por ende është një situatë shumë problematike. Janë dhe disa shoqata që merren me të drejtën e autorit, por si duket çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër. Për të drejtën e autorit duket sikur nuk merret njeri. Ne gjithmonë do të flasim, sepse jemi rrezik i vetmi vend në botë që prodhojmë këtë sistem për të drejtën e autorit, me këtë stil. Bëhet një këngë, një balet, një muzikë filmi, etj, ajo shfaqet dhe mund të përdoret nga televizionet, radiot, dhe e drejta e autorit nuk paguhet. Unë vetë nuk jam paguar ndonjëherë për të drejtën e autorit, por mendoj se me kohë kjo situatë duhet të kishte ndryshuar. Ne kemi mbi 20 kanale televizive që transmetojnë krijimtari muzikore, por që nuk paguajnë. Tek ne transmetohen këngë të huaja pa të drejtë autori, merren sigla muzikore pa të drejtë, etj. Madje edhe domatja sot shitet me sigla muzikore pa të drejtë autori, pasi muzika duket se i shërben dhe për reklamë. Për mua gjobat për të drejtën e autorit duhet të jenë shumë të larta, sepse ndryshe asgjë nuk rregullohet. Një televizion nuk paguan asnjë lekë për muzikën që transmeton, dhe këtu duhet të funksionojë shteti, por që nuk duket. Por dhe shoqatat duhet të vijnë tek ne. Ato duhet në na thonë, sepse ato duhet edhe të kontrollojnë radiot, televizionet, çdo vend që transmetojnë muzikë dhe ajo krijimtari muzikore që transmetohet nuk është pa autor. Nëse ne shkojmë tek agjencitë është thjesht humbje kohe, nuk na pyet njeri.

Sipas jush mediat elektronike kanë shumë pirateri, po shteti sa ka vepruar deri tani?

E drejta e autorit shpërdorohet në televizione dhe radio, sepse thonë që janë privatë. Nuk paguan të drejtë të autorit. Ju thashë, ne kemi televizionet kryesore në Shqipëri, që transmetojnë muzikë pa të drejtë autori dhe nuk paguajnë asgjë. Kam pyetur dhe kolegët e mi, por askush nuk merr asgjë nga muzika që transmetohet, që është vepër e tij. Shteti i jep licencat mediave, dhe nëse ato nuk zbatojnë ligjin mbi të drejtën e autorit sigurisht që ka në dorë të mbyllë dhe licencat. Një televizion që nuk paguan taksa, nuk paguan të drejtën e autorit, ai për mua nuk është televizion.

Por institucionet shtetërore pohojnë se puna për parandalimin e piraterisë është e madhe?

Ky është problemi, ka një ngërç, sepse shteti ka institucione, ka ZSHDA dhe KKRT. Kemi KKRT që duhet të merret më shumë. KKRT duhet ta shikojë më seriozisht këtë problem, të ndjekë programet dhe kujt i takojnë. Në botë edhe tragetet kanë taksa që paguajnë për muzikën, edhe makinat, hotelet, etj., por tek ne kjo nuk zbatohet.

Si kompozitor ju keni shkruar edhe muzikë filmash jo vetëm shqiptarë, por dhe për filma të huaj. Si jeni paguar për të drejtën e autorit kur keni bashkëpunuar me të huajt?

Kur punon me të huajt është komplet ndryshe. Bëhet një dosje me dokumente, ka kontrata. Ata të paguajnë gjithçka shkruhet në kontratë, çdo gjë me detaje, të likujdojnë çdo gjë dhe nuk ka asnjë abuzim. Të huajt paguajnë licenca, zbatojnë ligjin dhe kanë kontroll nga shteti. Unë kam punuar me gjermanë, italianë, kam punuar me filmin kanadez, dhe gjithmonë jam likuiduar për punën time si kompozitor. Unë si kompozitor kam probleme me të drejtën e autorit në vendin tonë, ndërsa me të tjerët në botë është gjithçka shumë mirë.

-Siç pohuat dhe ju moszbatimi i së drejtës së autorit ka bërë që krijuesit të humbin miliona. Sa jeni në dijeni për projektligjin e ri mbi të drejtën e autorit?

Ne themi që jemi shtet europian, me nivele, me standarde, dhe nuk mund të lësh diçka që është shumë negative për shtetin tonë. Mendoj se duhet të miratohet sa më shpejt projektligji i ri mbi të drejtën e autorit, dhe kam shpresa që mund të ketë përmirësim të situatës.

Pse mendoni se me projektligjin e ri do të ndryshojë situata, pasi dhe me ligjin aktual ka jo pak pirateri?

Po e them sërish çdo program në radio, televizione apo dhe vende të tjera ku transmetohet muzikë duhet të jetë diku në një tavolinë, e cila ka njerëz kompetentë për tu marrë me të drejtën e autorit në vendi tonë. Ata duhet të shikojnë transmetimin dhe mbajnë përgjegjësi para shtetit, por këta njerëz ndërhyjnë me forcën e ligjit aty ku shikojnë që ka shkelje. Këta njerëz që janë të caktuar për këtë gjë duhet të zbatojnë ligjin, dhe duhet të japin llogari para shtetit për çdo gjë që ndodh mbi autorësinë. E kam thënë dhe herë të tjera, me krijimtarinë e tyre muzikore njerëzit jetojnë gjithë jetën, por tek ne kjo është keqpërdorje dhe ka përmasa të mëdha ky shpërdorim. Kjo gjë lejohet nga allishverishet që mund të jenë, nga miqësitë, etj.

Keni dekada që njiheni në aktivitetin tuaj si kompozitor. Përballë kësaj situate që sipas jush është shumë problematike me piraterinë, sa jeni të motivuar ju si kompozitor për të shkruar muzikë?

Nuk jam shumë i motivuar kur punohet në këtë mënyrë. Tek ne nga 3 milionë banorë, 2 milionë janë këngëtarë. Por nëse tek ne funksionon ligji si në të gjithë botën unë jam shumë i motivuar për të shkruar muzikë. Që do të thotë gjithçka paguhet, kalon në detaje, por në vendin tonë vidhet dhe abuzohet në mënyra të ndryshme me krijimtarinë muzikore. Duke parë këtë, edhe unë si krijues nuk motivohem për punën time. Për mua është turp ajo se çfarë po ndodh me të drejtën e autorit, ku pirateria po bën kërdinë.

Treguat problemet që has sot një kompozitor me krijimtarinë e tij. Por para tre ditësh u mbyll dhe Festivali i Sanremos, që ishte në edicionin e 63 të tij. Çfarë përshtypjesh ju la këtë vit, pasi ju si kompozitor pas çdo edicioni të tij keni dalë me analiza mbi krijimtarinë?

Festivali i Sanremos për mua është modeli më i mirë në këngë. Sanremo për mua ka shumë kulturë, janë italianë dhe kompozojnë muzikë italiane. Këngët janë vetëm në italisht dhe jo se nuk njohin kulturat e tjera muzikore, por ka shumë përgjegjësi. Është live dhe sapo dëgjon Festivalin e Sanremos ti dëgjon kulturën e gjithë popullit. Edhe ne në Shqipëri e dimë se çfarë bën Italia, por ne i prezantojmë vetë keq festivalet tona. Unë i kam ndjekur të gjitha këngët e Sanremos dhe çdo këngë ka melodi. Kur mbaron Sanremo këngët nuk harrohen, këndohen sepse kanë melodinë. Një këngë, siç ndodh në Shqipëri që nuk ka melodi nuk është këngë, është një montim copash. Intervistoi: Julia Vrapi
 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s