Vlera e lirisë së medias

Nga Majlinda Bushja

“Është pranuar gjerësisht se Liria e Shprehjes ka një rëndësi të madhe themelore për realizimin e të drejtave të tjera… E drejta për Lirinë e Shprehjes ka të bëj jo vetëm me informacionin dhe mendimet që në përgjithësi konsiderohen të dobishme ose të rëndësishme por ka të bëjë me çdo lloj fakti ose opinioni që mund të komunikohet”, kështu thuhet në librin “ Liria e Shprehjes, Standardet Ndërkombëtare”(f 9-19).
Ndërkohë që unë mendoj se të thuash të vërtetën në liri ciladoqoftë ajo, kjo është liria e vërtetë, e të kesh frikë të thuash të vërtetën në liri kjo konsiderohet liri e cunguar. E të mendosh se je i lirë i rrethuar nga mungesa e saj nënkupton se e ke të deformuar në mendje konceptin e lirisë. Por cila është vlera e saj? Për të fituar lirinë në shekuj janë bërë shumë luftra, sepse çmimi i saj ka vlerën e jetës.

Shumëkush nga ne e ka të qartë në mendje se, mungesa e lirisë është varfëri sepse sjell varfëri, jo vetëm ekonomikisht por edhe mendërisht, sepse prej mungesës së saj njeriu gjithmonë sheh afër, asnjëherë larg. Por sa të lirë jemi ne sot në Shqipëri pas më shumë se 20 vjet demokraci, sa të lirë ndihemi brenda lirisë sonë? Kjo është një pyetje që çdokush duhet t’ia bëj vetes së vet, pasi liria e vërtetë është e rëndësishme sepse na bën të jemi më kritik, e të qenit kritik na ndihmon të vetëkorrigjohemi dhe të ecim vërtet përpara.

Por koha që jetojmë na bën të mos flasim të gjithë, gjithçka, i guximshmi rrezikon, ndërsa disa të tjerë përpiqen t’ia dalim mban me servilizma. Nga servilizmi fitojnë dhe e duan të paaftët të cilët nuk shohin realitetin siç është e si duhet të jetë, por siç duan të tjerët ata që ndodhen sipër tyre nga të cilët mendojnë se do të përfitojnë privilegje. Nëse dikush mendon se eprori ka gjithmonë të drejtë dihet se jo vetëm e ka humbur lirinë tij, por është kthyer në një skllav për shkak të frikës që e rrethon. Nëse mendon se ka liri në skllavëri kjo ndodh sepse nuk e ke njohur mirë lirinë e vërtetë. Ajo që shtyn shumëkënd sot të mos thotë të vërtetën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera të botës vjen për shkak të pasigurisë për jetën, punën dhe familjen. Të mos flasësh të vërtetën megjithëse e konsideron veten të lirë, do të thotë të mos fitosh nga vlerat që vetëm liria mund të t’i jap, por dhe ta keqpërdorësh lirinë gjithmonë do të mbetesh i dështuar.

Problemi që lind kur thua të vërtetën është se bën shumë armiq, kjo vjen jo se nuk ke të drejtë në atë që thua, por të vijnë telashe nga njerëz që janë fajtorë apo të përfshirë në mesele. Në të shumtën e rasteve që kërkon tu hapësh sytë njerëzve për atë që po ju ndodh përfundon duke nxjerrë sytë e vet. Ky është momenti ku ndalojnë të gjithë njerëzit kur kanë për të thënë diçka problematike në një vend me liri shprehje problematike. Sidoqoftë ajo që duhet të dijë çdo njeri kur thotë një të vërtetë është të dijë ta thotë ku dhe kur duhet në funksion të zgjidhjes së problemit pa i dhënë përmasë të re atij, të kuptoj fundin që në fillim.
Koncepti i lirisë është shumë i gjerë sepse përfshin të gjitha aspektet e jetës, por domosdoshmëria e lirisë në demokraci është thelbësore sidomos liria e medias tregon qartë në ç’raport është individi me lirinë sepse media është ndërmjetësi midis politikës dhe qytetarit i cili ka të drejtë për tu informuar me vërtetësi. Po si mendojnë aktorët e rëndësishëm politikë në lidhje me lirinë dhe rëndësinë e saj në lëmin mediatik?

Ambasadori amerikan në Shqipëri Alexandër Arvizu në ceremoninë e prezantimit të Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi në janar të këtij viti nënvizoi ndër të tjera në fjalën e tij se “Media e pavarur luan një rol të rëndësishëm, informacioni i saktë ndihmon në mbajtjen e qeverisë llogaridhënëse”. Duhet të kemi parasysh se SHBA konsiderohet sot në botë si shembull i demokracisë dhe lirisë së vërtetë.
Ndërkohë që, gjatë një seminari të organizuar për lirinë e medias po në muajin janar të këtij viti në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kreu i delegacionit të BE në Tiranë ambasadori Ettore Sequi theksoi në fjalën e tij ndër të tjera se “Liria e medias mbetet jetike për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Pra siç shihet rëndësia e fjalës së lirë konsiderohet çelësi që një demokraci të funksionojë siç duhet, pasi izolimi i së vërtetës, fsheh probleme cilatdo qofshin ato, të cilat të izoluara gjenerojnë në probleme të tjera edhe më të rënda.
Ndërkohë që, sipas raportit të këtij viti të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”për lirinë e shtypit në botë Shqipëria renditet në vendin e 102, gjashtë pikë më pak se vitin e kaluar e cila bëri që ajo të zbriste 6 vende çka do të thotë se liria e shtypit në Shqipëri është përkeqësuar. Sipas raportit të kësaj organizate ndërkombëtare liria e shprehjes në Shqipëri është e kërcënuar për shkak të proceseve gjyqësore të gazetarëve të bazuar në ligje të papërshtatshme, dhunës psikologjike dhe fizike dhe kontrolli i ekonomisë gri.

Nëse do t’i referohesha raporteve të kësaj organizate për lirinë e shtypit në Shqipëri veçanërisht këto vitet e fundit do të arrija në konkluzionin se liria e shtypit në Shqipëri ka shkuar drejt përkeqësimit. Më konkretisht, në viti 2008 Shqipëria renditet në vendin e 79, në vitin 2009 renditet në vendin e 88, në vitin 2010 renditet në vendin e 80, në vitin 2011 renditet në vendin e 96, në vitin 2012 renditet në vendin e 102. Siç shihet ka një përmirësim vetëm në vitin 2010 ndërkohë për vetëm 2 vite Shqipëria ka zbritur 22 vende, në renditje që rrëfen se liria e medias në Shqipëri po vjen drejt tkurrjes. Çka do të thotë se mediat përveçse janë pozicionuar majtas dhe djathtas për arsye më të ndryshme (e që s’po futem t’i bëj analizë pasi kjo përbën një temë më vete), por edhe besueshmëria e publikut ka rënë, pasi çdo qytetar pak a shumë e ka të qartë se çdo të thuhet në këtë apo atë media, qoftë e shkruar apo atë elektronike.
Kjo situatë aspak e mirë në lidhje me lirinë e medias në Shqipëri duhet të na bëj të gjithëve të ndërgjegjshëm para demokracisë që është vetëm në dukje demokraci e cila deformon të vërtetën duke i servirur shikuesit një lajm të kontrolluar. Pasi, “N.q.s njerëzit arrijnë të flasin hapur pa frikë, dhe media lejohet të raportojë atë çka thuhet, qeveria do të ketë rastin të ndërgjegjësohet për problemet e tyre, dhe mund të marrë masat e nevojshme për t’i zgjidhur ato”. (f 9, Liria e shprehjes, Standardet Ndërkombëtare ).

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s