“Gazetarët të bashkohen, qeveria të shohë ligjet”

Nga Rudina Hoxha

Pak kohë pas eventit më të rëndësishëm në fushën e medias, Seminarit mbi Lirinë e Medias dhe Lirinë e Fjalës, të mbajtur në Tiranë nga Komisioni Europian dhe Ministria e Integrimit, Sekretari i Përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujovic, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, thotë se një nga pritshmëritë e SEEMO-s (Organizata e Medias për Europën Juglindore) për 2013 është të shikojë një solidaritet më të madh midis gazetarëve shqiptarë, si një nga mënyrat për të përmirësuar këtë profesion kaq me ndikim në vend.
Sipas tij, është koha që pronarët e medias të mendojnë më seriozisht në drejtim të investimeve për të zhvilluar e fuqizuar gazetarët nga ana profesionale. “Patjetër që unë jam për një raportim profesional nga ana e gazetarëve, por nuk mund të ndryshoj realitetin se gazetarët shpesh luftojnë për mbijetesë”, thotë Vujovic.
– Ju ishit një nga pjesëmarrësit kryesore të Seminarit të Komisionit Europian mbi Lirinë e Medias dhe Lirisë së Fjalës, që u mbajt në Tiranë në mes të janarit të kaluar. Pas këtij aktiviteti, cilat janë elementët e rinj që i shtuat panoramës ekzistuese që ju kishit për median shqiptare?
– Ne shohim mungesën e solidaritetit midis gazetarëve në Shqipëri dhe unë shpresoj që kjo të përmirësohet në të ardhmen.
– Në këtë Seminar, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Z. Ettore Sequi, midis të tjerave u bëri thirrje gazetarëve shqiptarë “të flasin lirshëm dhe t’i bëjnë shqiptarët të mbështeten tek ata”. Çfarë nevojitet që të ndodhë kjo gjë në Shqipëri?
– Përgjigjja është – raportim profesional – që do të thotë se gazetari duhet të punojë në mënyrë të pavarur nga ndikimi politik apo i biznesit; të mos përdorë autocensurë dhe të kontrollojë faktet nga burime të ndryshme, jo thjesht të kopjojë një deklaratë apo të përdorë vetëm një burim. Gazetarët duhet të përdorin burime të ndryshme dhe mbi të gjitha, të kontrollojnë burimin dhe faktet që ju paraqiten.
– Nëse i vendosim në një peshore arritjet dhe mosarritjet e 2012-ës për median shqiptare, nga do të anonte peshorja?
– Në përgjithësi, panorama e përgjithshme erdhi më pozitive se në 2011. Por ende gazetarët shqiptarë punojnë nën një presion të fortë që vjen nga politikanët dhe njerëzit e biznesit. Ende regjistrojmë raste kur politikanë apo biznesmenë shqiptarë ushtrojnë presion në punën e gazetarëve dhe këta të fundit kanë frikë t’i bëjnë rastet e tyre publike. Këta gazetarë na informojnë ne (SEEMO) dhe më pas kërkojnë që të mos i bëjnë të mëdha këto raste nga frika se mos humbin punën.
– Pra, këtu ngrihet një çështje vërtet e madhe: a duhet të luftojnë gazetarët për t’u bërë profesionalë apo për të mbijetuar?
– Patjetër që unë jam për një raportim profesional nga ana e gazetarëve, por nuk mund të ndryshoj realitetin se gazetarët shpesh luftojnë për mbijetesë. Ata kanë familje, të cilat mbahen me të ardhurat mujore të tyre.
– Cili është mendimi juaj për tregun e medias në Shqipëri? Një nga folësit në seminarin e fundit të Komisionit Europian në Tiranë tha se në Shqipëri mund të flasim për një skenë të medias sesa për treg të medias, përderisa ligjet dhe rregullat nuk zbatohen ende plotësisht.
– Kur flasim për treg, ne nënkuptojmë standarde, rregulla dhe funksione. E vërteta është se media shqiptare është larg nga funksionimi i saj brenda kuadrit të një tregu. Ajo çfarë na shqetëson neve është se mungon një interes i vërtetë për të ndryshuar situatën në këtë aspekt, sepse kështu u leverdis pronarëve të medias për të marrë fitime dhe jo për të investuar në zhvillimin e gazetarëve. Por nuk duhet të harrojmë se pjesë e detyrimeve të pronarëve të medias është edhe investimi tek punonjësit e tij. Gazetarët duhet të kenë ca para për të fuqizuar vetveten profesionalisht. Na rezulton se në Shqipëri nuk po ndodh një zhvillim i mirë i tregut të medias.
– Kur bëhet fjalë për kushtet e punës së gazetarëve shqiptarë, cilat janë kutitë e mbetura bosh në fletën e SEEMO-s?
– E para, gazetarët shqiptarë nuk punojnë me kontrata ligjore. Ky është një problem shumë i madh. E dyta, të ardhurat mujore të gazetarëve duhet të mjaftojnë për të bërë një jetë normale, në të kundërt ato do të kërkojnë të ndryshojnë profesion. Kjo nuk është gjë e mirë dhe nuk duhet të ngjasë kështu. E treta, gazetarët e rinj, të cilët janë të motivuar dhe plot energji në fillim, largohen pas disa kohësh, pasi ata ndjejnë presionin e pronarëve të medias. Kryesisht ata ndryshojnë punë, duke lëvruar në industritë e marrëdhënieve publike, marketing apo edhe profile të tjera. E katërta, Shqipërisë i mungon një sindikatë e gazetarëve, roli i së cilës është mbrojtja e interesave dhe e të drejtave të gazetarëve.
– Ju lutem, çfarë mendoni për mediat e reja në Shqipëri, sidomos për atë elektronike?
– Kjo është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të medias në vend, por gjuha e urrejtjes dhe sjelljet jo profesionale në komentet e lexuesve duhet të shmangen. Si në mediat e shkruara, të cilat ndjekin disa standarde, edhe media elektronike duhet të funksionojë sipas disa standarteve. Komentet dhe pikëpamjet e lexuesve të faqeve të ndryshme janë shumë të rëndësishme, por mënjanimi i shprehjes së urrejtjes apo i fjalëve të pahijshme është po aq i rëndësishëm.
– Cilat janë pritshmëritë tuaja për median shqiptare në 2013?
– Siç e thashë edhe në fillim, shpresoj të shoh një solidaritet më të madh midis gazetarëve shqiptarë në 2013, sepse pa këtë hallkë nuk mund të flasim për përmirësim të këtij profesioni. Nga ana tjetër, shpresoj që Qeveria shqiptare të bëjë më shumë në aspektin e funksionimit të tregut lokal të medias sipas disa ligjeve të hartuara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s