Poli i tretë mediatik

Nga Eni Vasili

e-vasiliEdhe ngjyrat kanë kuptim kur merresh me informacionin, thotë Enrico Mentana, një nga gazetarët më të famshëm e të suksesshëm sot në Itali, drejtor i lajmeve në Televizionin La7. Dhjetë vite më parë, në studion e lajmeve të Kanalit 5 të Mediasetit, në sheshin e shenjtorëve Giovani e Paolo në Romë, mbizotëronte një blu e thellë gërshetuar me të kaltrën, me një hapësirë të bollshme dhe plot shkëlqim, që transmetonte frymë luksi.
Pas një dekade, ngjyrat që ai vetë ka zgjedhur për  shtëpinë e lajmeve që po vetë do të prodhonte e do të moderonte çdo mbrëmje në orën 20:00, janë të tjera. “Shkolla tradicionale e ndërtimit të studiove të lajmeve, – shpjegon Mentana, – jep te teleshikuesi garanci e siguri nëpërmjet blusë dhe së kaltrës. Por pas vitesh që nuk drejtoja një edicion lajmesh, unë vetëm garanci e siguri nuk doja të përçoja. Lajmet që do të drejtoja duhet të ishin ndryshe, ndaj zgjodha jeshilen”.
Takimi pas një dekade është i ngjashëm me të parin. Jemi ulur në sallën e mbledhjeve, ku me të njëjtin autoritet absolut te bashkëpunëtorët si 10 vite më parë, edhe pse qesh e bën shaka gjatë gjithë kohës, drejton mbledhjen e redaksisë.
Një dhomë mbledhjesh e thjeshtë, si shumë në redaksitë tona. Po aq të thjeshta dhe pa pompozitet edhe studiot e televizionit, larg shkëlqimit të Mediasetit, por rigoroze profesionalisht në maksimum.
“Edhe gazetaria e ka humbur këtë shkëlqim, thotë Mentana. Një krizë që ka filluar kur raportimi i lajmit dhe komenti ia la vendin denoncimit gazetaresk të pozicionuar politikisht plot me fushata akuzash. Në këtë mënyrë, televizionet dhe shtypi tërhoqën publik të njëanshëm dhe militant, por gati të painteresuar tek e vërteta. Sot një italian blen gazetën apo sheh ato edicione lajmesh ku e gjen veten politikisht për të konfirmuar bindjet e tij dhe për t’i shtuar ndonjë akuzë  kundërshtarit. Kjo lloj gazetarie agresive bëri që shtypi të mbijetojë financiarisht, por jo profesionalisht”.
Në rrëfimin për 10-vjeçarin e tij profesional që nga intervista jonë e parë, ai tregoi për betejat  dhe sfidat me politikën dhe botën e informacionit, si e larguan nga drejtimi i lajmeve të Mediasetit në kulmin e radikalizimit të situatës politike, si e larguan nga drejtimi i emisionit “Matrix”, si e fitoi gjyqin për t’u rikthyer, tentativat në të djathtë e të majtë për të mos i lënë më hapësirë  publike, si dhe eksperimentimin me një emision në fushatë elektorale online, që e kujton si një betejë të fituar mbi censurën. Folëm gjatë edhe për Shqipërinë, por për këtë do të tregoj njëherë tjetër.
Ajo për të cilën dua të flas është historia profesionale e Mentanës, e cila nuk ndryshon shumë nga ajo e disa gazetarëve apo shefave të redaksive  në Shqipëri, të cilët, të sulmuar politikisht, janë detyruar, për shkak të interesave të pronarëve, të lenë redaksitë apo programet me shumë mund e sakrifica të ndërtuara, ashtu si nuk mungojnë, por përkundrazi, janë në shumicë, sidomos në 10-vjeçarin e fundit rastet e atyre që janë formatuar me këto interesa.
Kur gazetaria humbi idealizmin, dhe flas për ish-gazetarët e “RD” dhe “Kohës” së post ’90-s, kur politika mësoi të blinte pronarët, kur pronarët prekën eldoradon e lobit të interesave, edhe pse një treg i ri, merkato e medias në Shqipëri filloi të vuajë nga të njëjtat sindroma si fqinja jonë, ndoshta sepse e keqja kopjohet më lehtë. Gazetat dhe televizionet janë tërësisht bipolarizuar në qartësinë e pozicionimeve të tyre. Jo rrallëherë pronarët e medias diktojnë aksione politike apo iniciojnë lëvizje të Legjislativit. Prej kohësh shefat e lajmeve apo drejtorët nuk kalojnë pa aprovimin e njërës apo tjetrës palë politike me të cilën televizioni apo gazeta flirton. Tendenca për hyrje në lista partish të emrave të rëndësishëm të gazetarisë flet për konsumimin e këtij lloj tregu, dhe jo sepse fenomeni është i ri apo i pandodhur, por sepse tregon që sot në media askush nga profesionistët nuk mund të mbijetojë pa pakte politike. Atëherë, përse të mos i bëjnë pa kompromise me profesionin e nga tribuna të legjitimuara? Ashtu si ka të tjerë që kanë zgjedhur që të bëjnë politikë nën kostumin e gazetarit duke i hedhur për konsum publikut në mes të fushatës temat që politika dikton, për t’i përdorur pastaj në një lojë basketbolli ku koshin e bën ai që paguan.
Edhe pse nuk i ka fshehur opinionet e tij për qeverisjen berluskoniane, Enrico Mentana flet për punën e tij si drejtor në La7, si përpjekja për ndërtimin e një poli të tretë mediatik. Të flasësh për korrupsionin apo për një skandal politik, për lindjen e një televizioni të ri apo hyrje të reja në politikë, nuk është çështje mes të mirëve e të këqijve, së drejtës e së padrejtës, por është çështje objektiviteti – thotë ai.
Ashtu si kriza politike në Shqipëri shtron nevojën për një pol të tretë, edhe ajo mediatike ka nevojë për një të tillë. Me ndryshimin e vetëm se poli i tretë mediatik duhet t’i drejtohet shumicës, dhe jo pakicave e numrave që lënë të mëdhenjtë. Një shumicë që Enrico Mentana e ka fituar në luftën  e përnatshme me numrat e shikueshmërisë duke mundur gjigantët mediatikë e plot shkëlqim, TG 1 e TG5,  nga një studio modeste dhe një televizion me resurse ekonomike shumë herë më të vogla se konkurrentët.
Sipas tij, problemet e medias, qoftë në vendin e tij apo në Shqipëri, reflektojnë problemet e demokracisë. Sigurisht që Italia nuk ka qenë një shembull apo model pozitiv në këtë rast, – thotë Mentana, sidomos në 20 vitet e fundit. Përveç objektivitetit dhe një investitori serioz, duhet edhe pasioni për profesionin, një lloj pasioni gati malinj për shëndetin, që ushqehet nga idealizmi, dy ndjenja që konsiderohen demode në erën e iphone 5. “Passionaccia” e quan ai, njësoj si librin që më autografoi miqësisht dhe ku rrëfehet si në intervistë, duke lënë një dëshmi dhe këndvështrim për 30 vite gazetari dhe politikë në Itali.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s