Peza, shembull apo problem për gazetarinë?!

Arben Vata

Pozicionimi i gazetarit Alfred Peza në krah të Edi Ramës, si prurja më e re në selinë rozë, nuk është diçka e papritur të paktën për rrethet gazetareske, të cilat e dinin me kohë se Peza po investohej në krah të kësaj force politike. Jo në mënyrë të fshehtë, por krejt haptazi dhe pa pasur kompleksin që në fakt e kanë shumica e gazetarëve në Shqipëri. Pa dashur aspak të komentoj qëndrimin personal dhe politik të Pezës (që, siç thotë Sokol Balla pa modesti, gazetarët në Parlament janë më cilësorë se gjysma e deputetëve anonimë), ajo që bie në sy në këtë lëvizje nga gazetaria në politikë është diçka tjetër. Peza pati moralin profesional dhe kurajën qytetare që ta pranojë publikisht destinin e vet politik.

Kurse shumë gazetarë të tjerë, që fshihen pas gishtit “të pavarësisë” profesionale, në fakt janë shërbëtorë të pa deklaruar publikisht të partive politike. Është më e ndershme që të deklarohesh pro një partie politike, (si për një gazetar apo për një media), sesa të shtiresh si i pavarur. Edhe në botë ka gazetarë dhe media serioze që rreshtohen në momente të caktuara në mbështetje të një krahu politik. Kështu ka ndodhur edhe ndodh edhe në Shqipëri dhe ky nuk është një mëkat i madh. Mëkat është që të shitesh si i pa ndikuar nga politika, ndërsa realisht me dashje je i varur prej saj në punën tënde. Është më mirë të marrësh teserën e një partie, p.sh., sesa ta vësh emrin tënd në shërbim të asaj partie politike. Përveç amoralitetit njerëzor dhe profesional, edhe kredibiliteti dhe besueshmëria e medias ku punon do të vihej në diskutim te konsumatorët e saj, qytetarët, të cilët arrijnë megjithatë ta bëjnë vetë dallimin mes një gazetari të pavarur apo një tjetri që është ushtar i politikës. Por të qenit i tillë, një shërbëtor i politikës, është e keqja më e vogël, kur mendon se gazetari mund të mbetet i tillë edhe kur ndërron pushteti. Çka do të thotë se gazetari-shërbëtor vetëm sa ndërron padronin dhe jo zanatin e vet, atë të të shërbyerit. Jo ndaj qytetarit për informim, por ndaj politikës për interesat e saj.

Tregu mediatik ka treguar plot raste kur analistë apo gazetarë janë kthyer në marioneta të politikës, duke u rreshtuar në mbështetje të një partie apo grupimi politikanësh, sa herë që atyre u vjen era pushtet. Gazetarët të paktën e dinë se shumë prej kolegëve të tyre apo edhe analistë nëpër studio, telefonojnë politikanë apo zyrtarë për t’u thënë nëse u pëlqeu apo jo shkrimi që ata botuan për ta; nëse u pëlqeu kronika apo edhe komenti i bërë në studio për ta. Qysh në këtë moment, veç imoralitetit profesional, rrëzohet edhe moraliteti njerëzor i gazetarëve të tillë. Të cilët, shpesh e shohin punën në media si mundësi për t’u promovuar dhe dalë kështu nga anonimati profesional që i shoqëron, pikërisht për shkak të të qenit “shërbëtor i politikës”.

Ja pse pozicionimi i Pezës është i drejtë. A do ishte më mirë p.sh. nëse ai do të vazhdonte të ishte në një media dhe në punën e tij të ndikohej nga bindjet politike, apo më mirë ta çlironte veten (siç e bëri) nga kjo dilemë dhe detyrim për t’i shërbyer partisë?! Peza është një shembull për ata që i bren dilema mes gazetarisë dhe politikës, ndaj dhe akti i tij nuk është i dënueshëm, pasi edhe gazetarët, si kushdo tjetër, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen dhe të mos kenë kufizime në preferencat e tyre politike. Por kur këto preferenca ndikojnë në punë, atëherë, është më mirë që kalimi në politikë të bëhet sa më shpejt. Përndryshe, të hequrit zvarrë mes gazetarisë dhe politikës do të jetë një rrugë e gjatë dhe shumë e lodhshme që sigurisht që do të ndikojë në dëm të gazetarisë dhe jo politikës. Kjo do të çonte në formësimin e gazetarëve pa ”shtyllë kurrizore profesionale”, pa formë e pa përmbajtje, preja më e pëlqyer e politikës, e cila do të mund t’i shfrytëzonte ata më mirë duke qenë në gazetari, sesa duke u ngjitur në ringun e politikës.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s