Gazetaria, akuzat Lubonja-Fevziu dhe Familja Berisha, sipas Mustafa Nanos

m-nano3Bisedoi: Adrian Thano

“Shpesh e ka shndërruar studion në një qoshe televizive të sunduar nga vulgariteti, thashethemet, baltosja – thotë Mustafa Nano për B.Fevziun i pyetur për  akuzat “me prona e leje ndërtimi” mes këtij të fundit e F.Lubonjës. “e tij më 21 janar të vitit 2011, e në ditët që e pasuan këtë datë nga më tragjiket në historinë e Shqipërisë, kanë qenë … mos o Zot” – thotë për Lubonjën. Në këtë bisedë me DITA-n, Mustafa Nano është si përherë.. i drejtë.

Pyetje: Gazetarët (saktësoj: ata që publiku njeh si të tillë dhe këta janë kryesisht analistët e njohur politikë) a janë ende përfaqësues të interesit publik? Apo e kanë trafikuar ata dhe mediat interesin publik? Cili është identikiti (ose identikitet) e gazetarit të sotëm shqiptar, sipas Mustafa Nanos? Pra çfarë gazetarësh kemi sot? Mund të flasim për “disa kategori” gazetarësh?

Përgjigje: Interesi publik është vështirësisht i përkufizueshëm; në mos, çdo përkufizim do jetë i diskutueshëm. Edhe “intelektualët” e peticioneve janë me pretendimin që po mbrojnë interesin publik, kur ngrihen në favor të pushtetit e kundër opozitës. Po kështu mendoj dhe unë lidhur me qëndrimet që mbaj. Kush e ndan këtë punë? Prandaj, unë do ta lija mënjanë interesin publik si bazë të vlerësimeve për sho-shoqin. Unë i ndaj gazetarët në dy kategori, në gazetarë me eshtër e në gazetarë pa eshtër. Dhe tek gazetarët pa eshtër nuk fus veç gazetarët që janë rreshtuar me pushtetin. Jo, fus gazetarët që nuk kanë “eshtër”, dmth që nuk kanë respekt për veten, që nuk kanë kredo e bindje të tyret, për të cilat ia vlen të luftosh, që nuk kanë një qibër morale, që kanë zanat bythë lëpirjen, që s’e kanë për gjë të hidhen sa nga njëra anë në tjetrën, që në vend të kritikës bëjnë lëvdata, që tremben prej presionit më të vogël, etj, etj. Të tillë ka majtas e djathtas. Janë shtuar e shtrirë shumë. Ndërsa numri i gazetarëve “me eshtër” është duke u pakësuar frikshëm.

Pyetje: Në një “anketë” të Respublica-s, ju e shpallët Mero Bazen si njeriun e vitit. Çfarë e ka dalluar Bazen sipas teje nga gazetarët e tjerë?

Përgjigje: E kam shpjeguar që Meron, teksa kam dhënë atë opinion, nuk e kam parë si gazetar. E kam parë si opozitar, si njeri politik, dhe parë kështu, kam mbetur i befasuar nga nervi i tij opozitar. Jetojmë në kohë të vështira për opozitën. Vetë opozita ka pasur momente përgjumjeje e dorëzimi. Në këto rrethana, Mero Baze ka shërbyer si një pol opozitar. Gazeta e tij online vizitohet nga disa dhjetra mijra lexues në ditë. Dhe në këtë pikë më duhet të bëj një saktësim: Mero Baze bën një lloj gazetarie që unë nuk ia pëlqej. Ai ka një penë të mirë, gati-gati gërryese; ai ka një instinkt të mirë të gazetarit; ai ka energji e guxim. Gazetaria e tij nuk më pëlqen, megjithatë. Unë jam për një lloj tjetër gazetarie.

Por në këtë pikë është i justifikuar nga koha që jetojmë?

Ndoshta.

Pyetje: Para disa ditësh dy individë të tjerë të njohur të medias shqiptare B. Fevziu e F. Lubonja nisën të akuzonin njëri tjetrin për prona, pallate etj. I akuzuari kryesor në debatin që pasoi ishte B. Fevziu, që i mbylli replikat me një “nuk është mëkat të kesh prona në Shqipëri” etj. Përtej këtij, a mendon se ka hyrë flirti me pushtetin, korrupsioni edhe në gazetari?

Përgjigje: Këto punët e pallateve që kanë gazetarët unë nuk i di mirë. E do doja që ndokush të merrte nga zyra e regjistrimit të pasurive të gjitha pronat e apartamentet e gazetarëve, e ta publikonte një listë të tillë. Do ish alamet lajmi. Unë marr përsipër ta publikoj në sitin tim këtë listë, nëse ma sjell dikush me emër e mbiemër. Madje, nuk do ish keq që edhe nja 20-30 analistë “të famshëm” të detyroheshin me ligj të deklaronin për çdo vit pasurinë e tyre.

Por … ka një “por” në këtë mes. Nuk ka nevojë të dish gjëra të tilla për të denoncuar gazetarët e gazetarinë e këtij vendi. Ka kritere të tjera të natyrës deontologjike për ta bërë këtë. Unë nuk e shoh të keqen e Fevziut tek fakti që ka prona, të cilat – përsëris – nuk ia njoh. As tek fakti që mbi pronat ka ndërtuar pallate. Ndoshta do ta bëja dhe unë atë që ka bërë Fevziu, dmth do kërkoja ndonjë leje ndërtimi për të ndërtuar diçka mbi një pronë timen, s’ka gjë se aty do prishja një lulishte. Ndoshta do ta bënte dhe Lubonja.

Fevziun unë e qortoj për tjetër gjë. E qortoj për gazetarinë që bën, e qortoj që fton kryeministrin e vendit gjashtë herë në tre muaj (ka pasur një periudhë të tillë, kur kjo ka ndodhur), e qortoj që bën lojra të politikës, e qortoj që shpesh e ka shndërruar studion në një qoshe televizive të sunduar nga vulgariteti, thashethemet, baltosja (këtë herë u bë ai vetë viktimë), e qortoj që bën krejt pa arsye, e në mënyrë krejt të pashijshme, qoka mondane e promocione lapërdhare për ndonjë libër të tijin, e qortoj që nuk thotë një fjalë kur televizioni TV Klan bëhet njësh, fare njësh, me pushtetin, etj.

Nën këtë këndshikimi, edhe Lubonja vetë del disi zbuluar, s’ka gjë se nuk ka prona e apartamente. Një numër qëndrimesh që ky ka mbajtur gjatë 5-6 viteve të fundit më kanë lënë pa gojë. Fjala vjen, qëndrimet e tij më 21 janar të vitit 2011, e në ditët që e pasuan këtë datë nga më tragjiket në historinë e Shqipërisë, kanë qenë … mos o Zot. Nuk ka asnjë dëngël morale e moralisti që mund ta justifikojë për ato qëndrime.

Pyetje: Ka një numër gazetarësh të lidhur me polet e pushtetit që fitojnë shifra të paimagjinueshme për publikun dhe kanë vënë gjithashtu si politikanët pasuri të mëdha dhe të pashpjegueshme. Ndërkohë që dëshira për të bërë gazetarin sa vjen e zbehet tek brezi i ri dhe gazetarët e rinj që dalin nga shkolla përkatëse, janë përgjithësisht krrunde si në gjithë degët e tjera. Drejt cfarë do shkojë ky profesion në Shqipëri sipas Nanos?

Përgjigje: Ju thashë, nuk kam informacion për gjëra të tilla. Doni një sugjerim? Hajde bëhemi bashkë, unë si gazetar, n’daç edhe si botues i Respublica-s, e ju si kryeredaktor i Ditës, ftojmë dhe të tjerë kolegë gazetarë, kryeredaktorë e botues, e t’i bëjmë një kërkesë zyrës së regjistrimit të pasurive për të na informuar lidhur me pasuritë e analistëve “të famshëm” të Shqipërisë. Tok me analistët mund të fusim dhe kryeredaktorë edicionesh informative të televizioneve, moderator talk-shou-sh, kryeredaktorë jetëgjatë gazetash, etj. Me siguri që zyra nuk ka për t’i thënë “jo” kësaj kërkese (nëse bëhemi bashkë, kuptohet). Dhe ka për të qenë me të vërtetë një scoop i jashtëzakonshëm, nëse e bëjmë. E meqënëse ju përmendni gazetarët e rinj, unë kam frikë se ky scoop ka për t’iua zvjerdhur fare profesionin që kanë.

Por insistoj: ne nuk kemi pse të presim të dhëna të tilla, apo të lëshohemi në spekullime, sa herë që duam të shquajmë krundet nga mielli në gazetari. Ne mund ta bëjmë këtë mbi bazën e kritereve që thashë më sipër.

Pyetje: Si e parashikon sjelljen e medias në këtë fushatë?

Përgjigje: Do ndodhë ajo që ka ndodhur gjithnjë. Mass-media do të jetë bartësja e banalitetit elektoral. Do ta kryejë me qejf këtë mision. Gazetarët dhe kameramanët do të ndjekin nga pas politikanët në të gjitha aktivitetet elektorale, do të kthehen në Tiranë, do ta mbajnë frymën në dhomat e montazhit e në redaksitë e tyre, do ta kopsitin mirë lajmin ashtu si kanë marrë porosi nga pronari që ka folur në telefon me politikanët, dhe kështu, edicionet elektorale do të vallzojnë me ritëm tubimesh e fjalimesh idiote.

Ka një version më të keq, gjë që u verifikua në zgjedhjet e fundit. Partitë i filmojnë vetë aktivitetet, madje dhe i ndërtojnë në formë medemek gazetareske me t’u kthyer në Tiranë, dhe pas kësaj ua dërgojnë redaksive të televizioneve, të cilave s’u mbetet asgjë për të bërë: fusin kasetën për transmetim, dhe “lajmi” del on air.

E di, Adi? Kam frikë se nëse do bëhej një listë gjërash të fëlliqura e të shëmtuara të kësaj bote, fushatat elektorale në Shqipëri do ishin në këtë listë. Unë vetë përpiqem të izolohem në rrethana të tilla (e informoj veten nëpërmjet gazetave, të cilat janë sidoqoftë më pak agresive), por me gjithë përpjekjet e mija, nuk ia kam dalë të izolohem. Britmat e politikanëve futen në çdo skutë.

Pyetje: Ju rezulton që shqiptarët të kenë nisur të kenë sërish frikë? Frikë të flasin, frikë të kritikojnë, pra frikë të thonë atë që mendojnë, frikë të protestojnë… Ka një shumicë të heshtur e të dëshpëruar në Shqipëri?

Përgjigje: Po, kanë frikë. Por nuk është frika se dikush u heq jetën, s’ka gjë se edhe kjo mund të ndodhë (edhe ka ndodhur, apo jo? Sali Berisha, ky personazh qartazi kriminal, vrau fare pa të keq katër vetë mu në bulevard, faqe botës); më së shumti është frika se dikush u heq mjetet e mbijetesës. Dhe kjo rrethanë ka korruptuar më së pari intellighentzia-n shqiptare, atë pjesë të elitës që e siguron mbijetesën nga thërrimet që u japin bandat me pushtet në këmbim të një fjale, apo të një peticioni, në favor të pushtetit.

Pyetje: Pse ka ndodhur?

Përgjigje: Sepse të gjithë po binden që Shqipëria ka rënë nën sundimin e një bande. Njerëzit janë dorëzuar përpara faktit që sundimtarin nuk e gjen asgjë, edhe kur vret katër vetë, edhe kur djali i tij është pjesë e një afere korruptive, ku gjejnë vdekjen 26 vetë, edhe kur vajza e tij denoncohet si një seksere nga një biznesmen i huaj. Ky fakt, tok me korrupsionin që është përhapur si një flamë, prodhon vetvetiu një klimë frike e subordinimi, në të cilën si zor të lindë ndonjë gjë e hairit.

Pyetje: Me këtë “përligjen” dhe intelektualët e peticionit?

Përgjigje: Tek ky argument nuk do doja të ndalesha shumë. Veç dy gjëra po them shpejt e shpejt: së pari, ata që kanë nënshkruar këto peticione janë për të ardhur keq, e së dyti, peticione të tilla, tok me nënshkruesit e tyre, na e bëjnë më të kuptueshme jo vetëm historinë e njëzet viteve të fundit, por çdo moment tjetër historik tonin. Në thelb, nënshkruesit e peticioneve të tilla kanë bërë mirëfilltazi historinë e Shqipërisë. I kanë dhënë tonin kësaj historie. Gjithnjë.

Pyetje: Në editorialin tuaj të fundit botuar këto ditë në shtyp ngrini pyetjen “Si do të sillet nesër me familjen “Berisha” opozita e sotme?”. Ju shkruani (po ju citoj): “Nëse nuk veprohet ndaj familjes, nuk mund të veprohet ndaj askujt tjetër për zullume që i ka kryer tok me familjen e në emër të familjes…”. Cfarë kini parasysh me “veprohet ndaj familjes”.

Përgjigje: Kjo familje po ngjan gjithnjë e më tepër me familjet e despotëve kudo nëpër botë. Dhe kur them këtë kam parasysh, se plaçitja e vendit është krimi më i parëndësishëm i tyre.

Si i bëhet? Nuk jam i qartë në këtë pikë. Shkrimi, të cilit ju i referoheni, është më afër shfrimit se sa arsyetimit, e prandaj, aty nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam shitur nevojën për një rrugëzgjidhje. Unë di që mosndëshkimi i këtyre njerëzve krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhshmen (banditizmi politik do të ndihet gjithë kohën i inkurajuar), por ndëshkimi nuk është aq i kollajtë. Por di gjithahstu se ky sistem (këtu fus dhe institucionet e drejtësisë) është ndërtuar nga Berisha e të vetët pikërisht për të bërë të pamundur ndëshkimin e tyre. Duket si një rreth vicioz. Dhe është.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Dita

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s