Për lirinë e pakufizuar të medias

Çelo Hoxha

gazetashitesi3Të martën u zhvillua në Tiranë një seminar për lirën e medias në raport me integrimin Shqipërisë në BE, i cili u shfrytëzua nga përfaqësuesit e partive politike kryesore për të akuzuar njëri-tjetrin dhe debati real kaloi në sfond. Dy forcat kryesore politike në Shqipëri e shikojnë çështjen e lirisë së mediave bardhezi, por nuk është ashtu.

Po atë ditë u botuan të dhënat e indeksit të Freedom House, një OJF e njohur amerikane që merret me kërkime në fushën e demokracisë, lirisë politike dhe të drejtave të njeriut në botë, që nga viti 1941. Sipas saj, për vitin e kaluar Shqipëria ka qenë një vend me liri të pjesshme. Vlerësimi i FH bëhet në tri kategori: vende të lira, pjesërisht të lira dhe jo të lira.

Duket se të huajt e vlerësojnë situatën shqiptare më me realizëm se politikanët shqiptarë, megjithëse ata mund të mos i kuptojnë shkaqet e gjendjes ngaqë veç faktorëve bashkëkohorë në dinamizmin e një shoqërie ndikojnë dhe faktorët historikë.

Shqipëria meriton të renditet në nivelin e mesëm të FH, sepse ajo nuk ka një kategori për mediet e shthurura, siç ka për marrjen e drogës me tepricë termin “overdose”. Mediet shqiptare, do thosha unë, vuajnë nga overdoza.

Në Shqipëri nuk mund të thuhet se mediat nuk janë të lira, në kuptimin që: nuk ka ligj që e kufizon lirinë e fjalës, në asnjë mënyrë. Dhe në këtë këndvështrim qeveria ka të drejtë kur e vlerëson pozitive lirinë e medieve në Shqipëri. Në Shqipëri ka media që kontrollohen nga politika, por e djathta kontrollon një pjesë dhe e majta kontrollon pjesën e saj (kontroll në kuptimin e ndikimit më shumë). Gjërat nuk mbeten pa thënë, atë që nuk e thotë dot një gazetë apo TV, e thotë një gazetë ose TV tjetër. Në Shqipëri thuhet gjithçka, në kuptimin e plotë fjalës gjithçka, përfshi dhe gënjeshtra të qëllimshme për propagandë. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë që në takimin e Kryeministrit me gazetarët në fund të vitit marrin pjesë më shumë gazetarët që e kritikojnë 365 ditë, përfshi edhe atë të festës. Në vitet e brishta duhet shtuar edhe një.

Kjo puna e botimit diku e jo diku tjetër nuk është fenomen shqiptar. Kudo në botë (edhe në Perëndim) mediat refuzojnë artikuj që nuk janë në përputhje me politikat e tyre editoriale, sociale etj. Në Evropë nuk është aq e lehtë të botosh një shkrim pro pirjes së duhanit, kurse pro Hitlerit as që mund të shkohet në mendje. Në Shqipëri botohen intervista kriminelësh, dhe jo në rolin e kriminelit, por të udhëheqësve. Kjo, sigurisht, nuk është për të kuptuar që nuk ka liri absolute. Liria absolute është anarki, por anarkia nuk mund të konsiderohet liri shprehjeje e pjesshme.

Në anarkinë e të shprehurit në Shqipëri ndikojnë shumë faktorë, me rrënjët në diktaturë. Komunizmi shkatërroi kornizën morale të kuvendimit publik të shoqërisë sonë dhe ne nuk i dimë më kufijtë e saj. Në diktaturë ishin gjëra të zakonshme vrasjet publike, demaskimet publike, fletërrufetë e huazuara nga revolucioni kulturor kinez. Këto nuk ishin vetëm veprime të diktaturës, ato u kthyen në një formë të menduari të shoqërisë ose pjesëve të saj dhe shoqëria i ka mbartur dhe në këto vite demokraci. Por në ditët e sotme në Shqipëri bocat e gazetës nuk shkojnë në asnjë seli të partive politike, siç shkonin në KQ të PPSH, në kohën e diktaturës.

I vetmi problem që kanë mediat në Shqipëri është emancipimi etik. Jo gjithçka shkruhet e jo gjithçka botohet.

Kur dikush akuzohet për diçka, sidomos politikanët, mediat nuk duhet t’i marrin në mbrojtje vetëm për interesa politike, por duhet ta gjykojnë dhe moralisht veprimin e tyre. Por liria e medias reflekton në njëfarë mase edhe mentalitetin e politikës ndaj fjalës së lirë.

Kur deputet lëshojnë deklarata nga më ekstremet, vulgare në formë e false në përmbajtje, kjo nuk mund të thuhet se është e lejueshme në emër të fjalës së lirë. Një lloj mentaliteti i tillë vihet re edhe në media, por nuk tregon kufizim të lirisë së shprehjes. Madje flet për të kundërtën.

Fjala e lirë ka kufijtë e saj: moralin dhe ligjin. Bazuar në ligje, Shqipëria është një vend i lirë. Bazuar në moral ka shumë probleme, por kjo kërkon kohën e duhur të fitojë shoqëria emancipimin e nevojshëm. Po të bëjmë krahasimin me vitet e kaluara, që nga fillimi i viteve të demokracisë, e vërejmë ndryshimin pozitiv. Këtë evoluim, FH e kishte shprehur në këtë mënyrë: vjet ajo e klasifikonte Shqipërinë në të njëjtën kategori, liri e pjesshme, por me koefiçentin 3.5. Sivjet ky koefiçent ishte 3. Domethënë, më i mirë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s