Sequi: Integrimi i Shqipërisë në BE kalon edhe nga liria e medias

e-sequiIntegrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kalon edhe nga liria e medias. Eshtë ky mesazhi që ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, i dha politikës shqiptare gjatë një interviste për A1Report, të fokusuar në lirinë e fjalës dhe atë të medias në vendin tonë. Mbi këtë temë, nesër në Hotel Tirana, Bashkimi Evropian dhe Qeveria shqiptare kanë organizuar edhe një konferencë të rëndësishme ku pritet të trajtohen disa probleme që mbeten ende problematike për median shqiptare e që kërkojnë një zgjidhje. Ndër to, ambasadori Sequi cilësoi si shqetësuese reklamat shtetërore që shpërndahen pa ndonjë kriter objektiv, si dhe kushtet e punës së gazetarëve. Transparenca e tregut përsa i përket pronësisë së mediave dhe financimit të tyre do të jetë një tjetër temë e seminarit, ku do të flitet edhe për nevojën për të siguruar pavarësinë e entit rregullator të mediave audiovizive dhe atë të radio-televizionit publik.

INTERVISTA ME AMBASADORIN SEQUI

Pse për herë të parë në vendin tonë zhvillohet një seminar i tillë dhe cili është qëllimi i tij?

Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë veçanërisht i impenjuar në mbështetje të lirisë së fjalës dhe asaj të medias. Kjo është konferenca e parë e një rëndësie të tillë që organizohet në Shqipëri, së bashku nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria shqiptare, për të diskutuar mbi sfidat kryesore të botës së medias në Shqipëri dhe, nëse është e mundur, për të gjetur disa zgjidhje. Bëhet fjalë për një mundësi tejet të rëndësishme dhe ne presim që nga kjo konferencë të dalin analiza dhe propozime konkrete.

Cilat janë disa nga temat kryesore që pritet të trajtohen?

Duke iu referuar axhendës do të thoja se temat janë shumë të rëndësishme. Do të flasim për shpifjen. Ka pasur kohët e fundit disa ndryshime në Kodin Penal dhe atë Civil që kanë të bëjnë me shpifjen. Do të flitet për trajnimin e gjyqtarëve, për kushtet e punës së gazetarëve, që sigurisht përbëjnë shqetësim për ne, për etikën në media, trajnimin e gazetarëve etj. Do të flitet edhe për tregun e medias, Ligjin për Median Audiovizive, do të flitet për nevojën për të siguruar pavarësinë e entit rregullator, do të flasim për transparencën e tregut, për çështje te pronësisë së medias ashtu edhe për financimin e tyre. Një panel i veçante i dedikohet radio-televizionit publik dhe pavarësisë së tij ekonomike e editoriale. Pra temat janë të shumta, janë tejet të rëndësishme dhe tejet aktuale.

Çfarë mundësish dhe shansesh shpalosh ky seminar për gazetarët dhe median shqiptare?

Ne shpresojmë që të ketë një pjesëmarrje të gjerë të gazetarëve dhe analistëve dhe njerëzve te medias edhe sepse mendojmë se kjo është një mundësi unike për të diskutuar së bashku me aktorë ndërkombëtarë e shqiptarë. Tradicionalisht, Bashkimi Evropian mbështet jo vetëm në mënyrë abstrakte principin e lirisë së shprehjes, por në mënyrë konkrete edhe vetë botën e medias. Psh. në Shqipëri, gjatë 3 viteve të fundit, Bashkimi Evropian ka shpenzuar gati 1 milionë euro në projekte që mbrojnë lirinë e shprehjes. Aktualisht jemi në fazën e grumbullimit të propozimeve për projekte që kanë të bëjnë gjithnjë me lirinë e fjalës, për një total prej 300 mijë Eurosh. Kemi mbështetur iniciativa interesante dhe po mendojmë për një tjetër me qëllim promovimin e gazetarisë investigative. Në këtë drejtim, mendojmë edhe për projekte rajonale. Ndërsa prej kohësh organizojmë vizita të gazetarëve shqiptarë në Bruksel për të krijuar më shumë sinergji mes dy botëve tona. Pra, përpiqemi që edhe përmes një sere iniciativash konkrete të mbështesim median në Shqipëri pasi kjo shkon në avantazh të lirisë së fjalës dhe liria e fjalës është një karakteristikë thelbësore e demokracisë në çdo vend.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, por edhe OSBE, kanë shprehur shqetësime për ndarjen pa kriter të reklamave shtetërore. Duke nisur nga kjo, si e sheh delegacioni i BE-së gjendjen aktuale të medias në Shqipëri?

Progres-raporti i Komisionit Evropian, që publikohet çdo vit, i ka kushtuar shumë vëmendje botës së medias, lirisë së informacionit dhe lirisë së fjalës. Në këtë drejtim, kemi bërë një analizë shumë të kujdesshme të karakteristikave të fushës së medias në Shqipëri, duke evidentuar disa hapa para që janë kryer vitet e fundit, por duke nxjerre ne pah edhe shumë probleme që ende qëndrojnë. Kemi folur në progres-raport për interesat politike që janë prezent në botën e medias, presionet e kombinuara me autoçensurën e gazetarëve, kemi folur për kushtet e punës së gazetarëve, dhe kjo do të jetë temë e konferencës. Kemi folur edhe për presione nga dhe ndaj pronarëve që kufizojnë lirinë e fjalës së vetë gazetarëve. Kemi folur për fragmentarizimin e tregut që për mediat e vogla krijon vështirësi nga ana ekonomike. Kemi folur edhe për reklamat shtetërore që ndonjëherë nuk respektojnë kritere objektive . Në progres-raport kemi folur edhe për ndryshimet në Kodin Penal e atë Civil mbi shpifjen, por që gjithsesi mbetet vepër penale, pra një mundësi kushtëzimi. Dhe kjo për ne përbën një problem. Duke parë në një këndvështrim më të gjerë pyetjen tuaj, në progres-raport kemi trajtuar çështje që kanë të bëjnë me reklamat shtetërore – që për ne përbëjnë shqetësimprogres-raport kemi trajtuar çështje që kanë të bëjnë me reklamat shtetërore – që për ne përbëjnë shqetësim – por edhe çështje të tjera që meritojnë vëmendje e që kërkojnë përmirësim.

A do të jetë liria e medias një nga kushtet për integrim të vendeve që kanë aplikuar?

Të drejtat e njeriut, liria e fjalës, pra edhe liria e informacionit janë një element thelbësor i kritereve të të ashtuquajturave Kriteret e Kopenhagenit. Që janë boshti rreth të cilit vlerësohen aplikimet dhe proceset e integrimit të vendeve që dëshirojnë të bëhen anëtarë. Një gjë duhet të jetë e qartë: ne mendojmë se s’mund të ketë demokraci pa liri të fjalës dhe liri të medias. Pra, është e qartë që të gjithë vendet që janë të interesuara të bëhen pjesë e familjes sonë evropiane, duhet të sigurojnë respektimin e Kritereve të Kopenhagenit, pra të sigurojnë një media që bazohet në kritere europiane, që janë kritere lirie, demokracie, transparence dhe objektiviteti.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s