Media sipas BE, politikës dhe analistëve

Bashkimi Europian: Ne duam media të lirë në Shqipëri, jo thjesht lirinë e fjalës. Bregu e Pollo: Nismat e qeverisë për lirinë e medias. Lubonja: Shoqëria politike dhe shoqëria mediatike kanë falimentuar, si dy anë të së njëjtës medalje.

k-europianTiranë Bashkimi Europian u kërkoi mediave shqiptare që të ndjekin me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm misionin e tyre në dobi të qytetarëve dhe demokracisë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Etore Sequi, tha në tryezën ku merrnin pjesë përfaqësues të Qeverisë, ekspertë të Bashkimit Europian, deputetë dhe përfaqësues të mediave më të mëdha në vend, se liria e medias është një kriter i rëndësishëm i integrimit. “Liria e shprehjes dhe liria e shtypit janë të lidhura me lirinë e mendimit dhe të veprimit… Ne duam një media të lirë dhe jo thjesht lirinë e fjalës” – tha ambasadori Sequi. Sipas tij, liria e medias zë një rol kryesor në kriteret e Kopenhagenit për anëtarësim në BE, në mënyrë që Shqipëria të zhvillojë dhe forcojë demokracinë, krahas të drejtave për gjykim të saktë, të drejtat e pronës dhe të drejtat për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai shtoi se, me qëllim që media të përmbushë detyrimet e veta për demokracinë e vendit dhe integrimin në BE, nevojiten veprime konkrete, që të tregojnë se gazetarët janë seriozë në sigurimin e medias së lirë dhe integrimin europian. “Është në duart e shqiptarëve që të heqin kriminalizimin e medias, të rregullojnë transmetimet radio-televizive dhe standardet etike, të bëjnë një ligj të mirë për mediat në një treg të ri dhe të hapur. Përmirësimi i punës së medias është një sfidë e vërtetë që lidhet me marrëdhëniet e gazetarëve me pronarët dhe me politikanët. Gazetarët mund të jenë vetë autorët e ndryshimit që presin të ndodhë. Ata e kanë vetë në dorë të ndryshojnë klimën dhe funksionimin e medias shqiptare”, -tha ambasadori Sequi.

Media sipas politikës

Të ftuar në këtë tryezë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, foli për lidhjet e politikës me median; ndërsa ministri i Inovacionit, Genc Pollo, është ndalur te një ndër çështjet më të debatueshme, ajo e reklamës shtetërore. Sipas ministres Bregu, Shqipëria ka bërë progres për lirinë e medias. “Qeveria ndërton politikat, vendos ligjet e rregullat e marrëdhënies shtet-media. Ndërsa atë vijën e hollë që ndan qëndrimin profesional, misionin e vërtetë të gazetarit, me interesin politik apo influencën e grupeve të ndryshme të interesit, pra atë lirinë e brendshme nuk e vendos dot më qeveria, por vetë drejtuesit e medias”,-tha Bregu. Ndërsa ministri Pollo ka bërë thirrje për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për reklamat shtetërore.  “Lidhur me çështjen, nganjëherë të debatuar të reklamave shtetërore, mbetemi të parimit se porositë e agjencive shtetërore, për të përcjellë përmes mediave private njoftime me interes publik, duhet të jenë në bazë të neutralitetit dhe mospërdorimit të parave të taksave, për të influencuar linjën editoriale”,-tha ai.

Media sipas analistëve

Shkrimtari dhe publicisti i njohur Fatos Lubonja thotë me shqetësim se mediat nuk po shkruajnë për jetën reale të shoqërisë, por thjesht po u shërbejnë pushteteve politike. Sipas tij, shoqëria politike dhe shoqëria mediatike kanë falimentuar, si dy anë të së njëjtës medalje. Ato nuk janë pushtete të ndara, por janë pushtet i njëjtë. Zoti Lubonja thotë se kjo gjendje falimenti mund të ndryshojë me masa energjike, por këto pushtete përpiqen të qëndrojnë sa më gjatë. Në pamundësi të ndryshimeve të forta është zgjedhur metoda e ndryshimeve të vogla dhe të ngadalshme, që nuk e pranojnë dështimin. Publicisti Lubonja thotë se Mediat nuk po udhëheqin shoqërinë drejt ndryshimeve, por ato po pasqyrojnë dështimin e shoqërisë politike. Mediat e sotme shqiptare kanë nevojë për një ndryshim të madh, nëse duan që t’i largohen praktikës së mediave të pushtetit komunist, kur jeta e vërtetë e njerëzve në diktaturë ishte shumë ndryshe nga ajo që shfaqej në gazeta, radio-televizion. Mediat shqiptare janë kritikuar gjatë viteve të tranzicionit për njëanshmëri politike, komprometim të rolit te tyre qytetar dhe informues, si dhe për shkelje të etikës profesionale në marrëdhënie me grupime të veçanta interesi.

Leskaj: Gazetaria investigative, më e rrezikuara

Kryetarja e komisionit të medias, Valentina Leskaj, tha dje se ligjet e mira nuk kanë mjaftuar për të rregulluar situatën e lirisë në media. “Raporti i ‘Freedom House’ tregon se Shqipëria ka rënë në vend të 107-të në renditje, nga vendi 102 vitin e kaluar apo i 34-t më 2003. Sipas ‘Reporterë pa Kufij’, për vitin 2011 Shqipëria renditet 16 vende më poshtë se një vit më parë. IREX në raportin e fundit është mjaft kritik”, – ka thënë deputetja Leskaj. Deputetja socialiste ka folur më tej për KKRT-në dhe RTSh, të cilësuara prej saj si instrumente propagande në duart e pushtetit. “Ligji ekzistues përcakton qartë pavarësinë e KKRT, po ajo është larg standardeve të një enti të pavarur. Përcakton qartë mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të saj, që duhet të vinë nga shoqëria civile, po sot KKRT është me militantë, madje që dalin edhe në shtyp të bëjnë propagandë për partinë qeverisëse. Ligji e ka përcaktuar qartë edhe misionin e Transmetuesit Publik. Po çfarë është sot RTSh ? Në fakt, një institucion me identitet të paqartë, as publik e as privat, një instrument propagande në duart e pushtetit”- deklaroi Leskaj. Deputetja socialiste nënvizoi nevojën për inkurajim të gazetarisë investigative, për të zbuluar dhe denoncuar korrupsionin, ndërkohë që për strategjinë dixhitale ajo theksoi se shteti duhet të mendojë seriozisht për koston sociale të dixhitalizimit. “Një vend me nivel të lartë korrupsioni, ka nevojë për inkurajim të gazetarisë investigative dhe besoj që dhe ky seminar shërben si një apel. Po a inkurajohet gazetaria investigative? Unë besoj se është më e rrezikuara sot”,-tha Leskaj.

 

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s