Etika në live show-t dhe talk show-t televizivë

Sonila Meço
“Në erën e informacionit, edhe Aristoteli do të kishte talk show-n e vet per të na mësuar filozofinë” -thotë një psikolog. Brenda një kohe shumë të shkurtër, dy ngjarje të ndodhura me mijëra kilometra larg hapën debat mbi etikën në televizionin e sotëm. Pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën, ngjarjet arritën të dëshmojnë se pavarësisht stadit të emancipimit shoqëror, kulturës, mirëqenies apo madhësisë së popullsisë, çështjet e etikës janë shumë të ndjeshme për marrëdhënien që individi i sotëm ka me mjetin më popullor të komunkimit: televizionin.

Më 28 shtator, në Fox News, në një transmetim live të ndjekjes së një personi që kishte vjedhur një makinë, publiku përjetoi aktin ekstrem të vetëvrasjes së vjedhësit në mes të një shkretëtire, në pamundësi për t’iu përvjedhur ndjekjes së policisë. Kujt i duhet një program live i tillë? – pyesnin të tronditur amerikanët. Transmetimet live po shfaqen me potencial shkatërrues për shëndetin mendor të shikuesve – përgjigjeshin psikologët të pyetur nga i njëjti ekran që ndërtonte kësisoj mea-culpa-n e tij.

Nëntorin e këtij viti, në një kanal televiziv kosovar, por që ndiqet nga një audiencë e gjerë shqiptare, falë transmetimit në platformën Digitalb, reality show Vip Shpija ndezi debatin për gjuhën e komunikimit mes personazheve të njohur të ekranit. Zhaku (Inida Gjata) largohet me urdhrin e organizatorëve pasi fyeu me fjalë të rënda Dr. Florin në një transmetim direkt. Ajo që ndodhi me Zhakun, debati i madh në rrjetet sociale, dëmi që i shkaktoi vetë Zhakut nuk sollën në zemër të reflektimit vetëm gjuhën e rëndë të përdorur prej saj, fyese për një nga pjesëmarrësit, por edhe faktin se vetë formati në thelb një reality është një copëz jete, dhe si i tillë do të reflektojë pashmangshëm dinamikën, ngjyrat, nervin e saj. Zhaku do të pohonte se debati qe nxjerrë jashtë konteksti, qe montuar e shitur ashtu siç drejtuesit e kishin inskenuar. Nëse Zhaku vendosi të jetë vetvetja a nuk është po ajo që duhet të mbajë përgjegjësinë morale, për sa kohë që prodhuesit e programit e kanë cilësuar reality? Cila normë etike mbizotëroi në këtë rast, ajo e shmangies së gjuhës vulgare apo e shtirjes në një program të montuar fund e krye? Se të dyja më ngjajnë etikisht të papranueshme. Sa shëndetplotë janë këto programe reality? Ky transmetim, përpos potencialit dëmtues të shikuesit, bart dhe riskun e dëmtimit të vetë protagonistes, jo vetëm nga veprimet e saj, por edhe nga manipulimet e organizatorëve.

Dy raste të transmetimeve live, në dy televizione krejt të ndryshëm, me audienca gjithaq të ndryshme, por me çështje etike të ngjashme, që problemin e zhvendosin sa nga kultura dhe niveli i shoqërisë, te vetë mediumi që prodhon çështjen etike, televizioni.

Kur televizioni është i mirë, as teatri, as gazetat apo revistat nuk janë më të mirë, por kur televizioni është i keq, nuk ka më keq. Në televizion gjithçka ka ndryshuar brenda një kohe shumë të shkurtër. Vetë ekrani, stili i programeve, biznesi i medias. Teknologjia si faktor i madh ndryshimi që nxit një proces të ri përshtatjeje mes mjeteve masive të komunikimit (tv) dhe shoqërisë ka transformuar edhe përmbajtjen e programeve televizive, përpos formës. Po përballemi me një revolucion të mënyrës së mendimit dhe vlerësimit që nxitet nga programe të reja dhe teknologji të reja komunikimi. Në balancën e re argëtim – përgjegjësi, fiction – e vërtetë, po ripërkufizojmë edhe vetë realitetin. Shumica e transmetimeve janë live, programet reality dhe talk show zënë pjesën më të rëndësishme të programacionit në prime time në gjithë botën. Orientimi drejt një sistemi të ri vlerash në erën e videokracisë është ¬çështje primare e etikës. Sepse është kjo videokraci që po ndikon botën individuale dhe kolektive të perceptimit të realitetit.

Mediat shqiptare kanë histori të shkurtër, pozicionimi në treg, kapja e shpejtë e audiencës e bëjnë më të fokusuar një drejtues ndaj këtyre parametrave, zbatimit të teknologjisë së fundit, sesa raportit me etikën.

Pavarësisht kohës së shkurtër, media shqiptare është bërë super e pushtetshme, i kërkon llogari gjithkujt. Po medias kush i kërkon llogari? Për sa kohë valët ku mediat transmetojnë janë pronë publike, licenca jepet nga shteti, atëherë secili nga ne mund të kërkojë llogari, e nëse dimë të shqetësohemi njëherësh, mund ta bëjmë edhe si shoqëri. Por këtu rrethi bëhet vicioz dhe si për të humbur gjurmët është vetë media që debatin e orienton në këtë formë: “T’i japim audiencës atë që do, apo t’i diktojmë ne si televizion se çfarë vlen?!” Kjo marrëdhënie që ngjan se diktohet prej medias si biznes dhe jo si mjet komunikimi shpesh sfidon normat dhe kodet etike që mbrojnë shikuesit nga abuzimet e çdo lloji. Një filozofi morale do të duhet ta përshkojë përmbajtjen e programeve televizive, një lloj sistemi apo mbrojtje e koncepteve të së drejtës dhe të gabuarës që vështirë se relativizohen lehtë. Por në kushtet e ligjeve evazive, vetë media i relativizon çështje të etikës, duke ia pasuar audiencës përgjegjësinë për përmbajtjen dhe formatet që ajo zgjedh. Ja çfarë mbrojtjeje ofron ligji shqiptar:

Ligji Nr. 8410, datë 30.9.1998 për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë : Në radio dhe televizion nuk lejohet të jepen programe që nxisin dhunën, urrejtjen kombëtare, fetare e raciale, veprime antikushtetuese, ndarjen territoriale, diskriminimin për shkak të bindjeve politike dhe përkatësisë fetare.

Nuk lejohet gjithashtu:

1. transmetimi i informacioneve të cilat përbëjnë sekret shtetëror sipas ligjit dhe që i sjellin dëm sigurisë kombëtare; 2. transmetimi i informacioneve që cenojnë jetën private të shtetasve; 3. transmetimi i mesazheve të shifruara kundër interesave themelorë të shtetit; 4. prodhimi dhe transmetimi i programeve pornografike.

Po ashtu ekziston një këshill etike pranë KKRT, por nuk ka një ekspert etike pranë çdo mediumi që do të mund ta shndërronte në proces reflektimi para çdo transmetimi respektimin e ligjit në gërmë e frymë. Ligji është evaziv, çështjet e etikës komplekse, për këtë arsye bëhet më e lehtë për biznesin mediatik të veprojë në kufi të paqartë, të pamonitoruar fort. Për më tepër, jo të gjithë shikuesit janë të përgjegjshëm dhe zhvendosja e përgjegjësisë tek audienca e bën edhe më të vështirë misionin informues, edukues, përspos se argëtues të medias.

Në historinë e shkurtër të medias së lirë në Shqipëri, pjesë të rëndësishme zënë talk show dhe live show, formate të huazuara që falë zhvillimit të teknologjisë rishpikin vetveten në shumë lloje patentash në televizione kudo në botë. Talk show lindi si një forum i debatit publik, u thyen kufijtë konvencionalë të transmetimeve dhe argëtimit, iu dha zë opinionit të shumë njerëzve, por në konsumin e pashmangshëm të vetes, ky format është bërë epiqendër e emocioneve negative, konflikteve dhe dramës, shfaqjes së të njëjtave figura me kompetencë në çdo fushë. Për një pjesë të njohësve të mirë të medias, po shterojnë idetë dhe në këtë shkretëtirë krijuese funksionon provokimi, nxitja e instinktit, gjuha e ashpër dhe kërcënimi që e bën kureshtare audiencën. Televizioni sensacional, ai ku vetë drejtuesit e regjisorët e shtyjnë protagonistin drejt niveleve ekstreme të emocionit negativ, përbën një dilemë etike në sferën publike në Shqipëri. Disa mund të mendojnë se dhuna, gjuha vulgare, agresiviteti janë pjesë e së përditshmes, dhe si të tilla e tundojnë ekranin të marrë e japë me këtë realitet, sepse nuk mund të mbetet kaq steril televizioni në kohën kur talk show dhe reality përbëjnë pjesë të rëndësishme të orëve të transmetimit. Patjetër që programet e reja ndryshojnë sistemin tonë të vlerave. Mund të bëhesh banal, vulgar, të përhumbesh pa ide në kompleksitetin e temave. Por mund të bëhesh edhe modern, i lidhur me tendencat e kohës, mund të zhbësh tabu, të grricësh klishe, të dalësh nga rrethi i vogël i paragjykimeve për të prekur sinore të reja mendimi. Te disa, këto programe ngjallin optimizëm, te disa kundërshti, tek të tjerë entuziazëm, por edhe paragjykim, pesimizëm, rezistencë e refuzim. Këta të fundit po shtohen gjithnjë e më shumë dhe arsyet gjenden në përmbajtjen e këtyre programeve. Në disa prej tyre njerëzit apo protagonistët konsiderohen mjete, mjetet që prodhojnë fitime financiare nëpërmjet suksesit komercial. Dhe kjo shfaqet dukshëm në formatet reality. Vetë protagonistët të etur pas 15 minutave të famës janë të gatshëm t’i shkëmbejnë ato me gjithçka, respekt a dinjitet qoftë.

Ka edhe nje problem tjetër etik: a janë aq reality sa duken? Drama prodhohet lehtësisht me stereotipe sociale, vajza e provincës që thyen tabu, djali homoseksual që nuk pranohet lehtë në shoqëri, vajza e lehtë që ndërron partnerë duke improvizuar skena seksi nën jorganë, djali xheloz që hakmerret për të dashurën e shndërruar në person publik. Nuk janë pjesë dokumentare, por skenarë të mirëmenduar, shpesh të manipuluar e montuar që i vendosin njerëzit në situata nga më ekstremet për të parë si reagojnë, duke kërkuar argëtimin nëpërmjet konfliktit, ndeshjes, vuajtjes. Në këtë mënyrë reality shkakton emocione të forta, nëpërmjet simpatisë a empatisë mund të sjellë dëmtim psikologjik tek ata që janë më të brishtë e të dobët emocionalisht, niveli i riskut varet nga karakteristikat e secilit. A duhet vetë show ta minimizojë dëmin? A mund të pretendohet përgjegjshmëri nga drejtuesit e tyre për të ndarë riskun në këtë rast me shikuesin? E drejtë të pretendohet, por thuajse e pamundur të realizohet për sa kohë që mbijetesa sigurohet nga fitimet e reklamës dhe këto të fundit nga audienca. Dhe audienca nuk dikton më të mirën, por më të shiturën dhe jo gjithmonë më e shitura është më e mira. Sensacionalja shet. Andaj ka programe në tv europianë që financohen nga vetë shteti për dobishmërinë që sjellin, sidomos afatgjatë në shoqëri, por që në kushte mosfinancimi nuk do të mbijetonin për shkak të reklamës së ulët diktuar nga audiencë e ulët.

Me lirinë media ka fituar shumë pushtet, por pushteti nuk sjell domosdoshmërisht përgjegjshmëri. Komercializmi dikton fitimin e shpejtë dhe ky i fundit audiencën e lartë.

Mungesa e kodeve të etikës në media, konkurenca e ashpër, pushteti gjithnjë e më i pakontrolluar i medias e vendosin njeriun televiziv në një pozicion të vështirë për të rezistuar mes presionit të atij që në fund të ditës do bilancin pozitiv që i garanton pagesën dhe publikut që jo gjithnjë di se ç’do dhe jo gjithnjë do atë që më shumë i duhet. I njëjti problem dallohet lehtas me talk show. Teksa përgjigja për çdo pretendim profesional është audienca, gazetari apo moderatori i përgjegjshëm do të rraskapitet mes nxitjes së një debati të fortë e të ashpër, gati spekulativ për të tërhequr audiencë dhe kodit etik të ndërgjegjes së tij. Për aq kohë sa bëj televizion dhe marr feedback të vijueshëm, audienca tërhiqet shpesh nga pjesa argëtuese dhe nxitëse e adrenalinës që debatet e nxehta sjellin sesa kundrejt vlerës së promovimit të dialogut. Gjithnjë e më të vështirë e kam teksa moderoj apo jam palë në një debat si e ftuar të dëgjohem, sfida më e madhe është të dëgjohet deri në fund këndvështrimi i të tjerëve, të biesh dakord apo mos të jesh dakord në fund të fundit. Sepse etika në komunikime të tilla është produkt i kapacitetit profesional të atij që drejton dhe merr pjesë në debat, e faktorit të komfortit dhe kontekstit të kulturës së shoqërisë në një çast të dhënë.

Media formëzon opinione, sjellje ndaj njerëzve dhe çështjeve, por derisa ky proces kërkon më shumë kohë se ndikimi i drejtpërdejtë nëpërmjet nxitjes së instinkteve dhe reagimeve impulsive, në këtë disfazim kohor mes përfitimit të shkurtër financiar të pronarëve dhe atij afatgjatë kulturor të shoqërisë duhet të qëndrojnë autoritetet dhe ligji, gardianë të fortë që median nuk e shohin vetëm si biznes. Por siç e analizova në krye, ligji evaziv dhe një autoritet i pakonsoliduar e lënë etikën jetime, në duart e medias që është edhe biznes apo publikut që është edhe naiv.

Në kushtet e medias gjithnjë e më të orientuar drejt fitimit do t’i kërkoja pak më shumë angazhim publikut në përzgjedhjen e programeve televizive. Në vend që pasivisht të pranojë atë që kompanitë mediatike ofrojnë, duhet të reflektojë pse ky program bëhet dhe pse shikuesi tërhiqet kaq shumë prej tij. Ndoshta sepse edhe motivet e shikuesit nuk janë gjithnjë aq etike?!

 

Advertisements

Një koment te “Etika në live show-t dhe talk show-t televizivë

  1. Që në fillim duhet thënë se ky shkrim është një dëshmi për një eksperiment postmodern siç është televizioni. Shkrimi së pari dallohet për guximin që ka autorja për t’i thënë idetë e saj troç. Sonila, përveç guximit të fjalës ka edhe guximin moral për të sfiduar mediat e hapsirës shqiptare dhe programet e transmetimit të tyre. Autorja, këto i ka bërë nëpërmjet fateve tragjike të dy rasteve të transmetimeve live, në dy televizione krejt të ndryshëm, me audienca të ndryshme, por me çështje etike të ngjashme, që problemin e zhvendosin sa nga kultura dhe niveli i shoqërisë, te vetë mediumi që prodhon çështjen etike, televizioni.

    Por fatin tragjik të këtyre personazheve, Sonila e ruan brenda kontureve të Mediave shqiptare me histori të shkurtër, pozicionimi në treg, ku kapja e shpejtë e audiencës e bëjnë më të fokusuar një media ndaj programeve tunduese, sesa raportit me etikën. Këtu fillon spiritizimi si ironi ndaj mediave. Por në fakt, shkrimi ka rrjedhë të papritur dhe kalohet me elegancë nga një episod tek tjetri.

    Në këtë shkrim aktual, Sonila anatemon me shumë personalitete të medias, të tolk show-ve dhe të programeve reality. Vlerësimi i këtyre programeve sipas Saj do të provokojë tek lexuesit dhe personat e anatemuar, reagime negative dhe positive si dhe do t`i nxisë të reagojnë në mënyra të ndryshme sepse ky është një shkrim i goditur, me fjalë që askush nuk mund të pajtohet tërësisht madje as edhe autorja mund të mos jetë e bindur që ka lëshuar aq shumë rrufe në këtë shkrim dhe duhet të përgatitet për pritur kundërgoditjet.

    Veçnrisht i goditur është episodi i formateve të huazuara “talk show” dhe live show”, që janë bërë epiqendër e emocioneve negative, konflikteve dhe dramës, shfaqjes së të njëjtave figura me kompetencë në çdo fushë – sikur të ishin “çelës anglez” që futet në çdo vidë.

    Shumë i arrirë artikulli. Shpresoj të lexoj më shumë nga Sonila. Do kishe patur me shumë efekt duke përmbushur qëllimin e vet shkrimit, nëse do ta jepje në një program televiziv.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s